...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Efektet e “Paktit Trepalësh” — Romë-Berlin-Tokio — për Jugosllavinë

Nga ata që kanë mësuar historinë në shkollat e ish-Jugosllavisë, nuk besoj se ka ndonjë që nuk ka dëgjuar e mësuar për Paktin Trepalësh, sado që interpetimi ishte i shtrembëruar e “hijeshuar” dhe përshtatur nevojave të politikës së kohës. Shumëkush mund ta ketë pasur pyetje apo temë diplome nga lënda e historisë. Po cila është e vërteta e Paktit Trepalësh, të cilit pastaj iu bashkuan si satelitë edhe disa palë (shtete) të tjera profashiste: Hungaria, Rumunia, Sllovakia, Bullgaria dhe Jugosllavia?

Adil Fetahu

20/08/2018 - 20:17

Propaganda komuniste serbe, tërë kohën është lavdëruar dhe i ka ngritur në qiell demostratat e zhvilluara në Beograd më 27 mars 1941, duke i paraqitur ato si shprehje e patriotizmit serb/jugosllav kundër fashizmit e nazizmit. Por cila është e vërteta lidhur me këto qendrime?

Paktit Trepalësh i kanë paraprirë dy pakte të tjera dypalëshe, të tri shteteve të përmendura të boshtit.  Së pari, më 25 nëntor 1936, Gjermania dhe Japonia kishin lidhur një Pakt Antikomintern, drejtuar kundër shtetit komunist të Bashkimit Sovjetik. Asokohe Japonia ishte në gjendje lufte me Kinën, për shkak të invazionit japonez në provincën kineze Manxhuria. Më vonë, në maj të 1939-es, Gjermania dhe Italia kishin lidhur një pakt tjetër dypalësh, të quajtur Pakti i Çelikt i Miqësisë dhe Bashkëpunimit, me të cilin synonin krijimin e hapësirave të reja të dominimit të këtyre dy fuqive, në Europë dhe më gjërë.

Ndërkaq, Pakti Trepalësh: Romë-Bërlin-Tokio, që u lidh më 27 shtator 1940,  ishte  një aleancë e re ushtarake dhe politike, midis Italisë fashiste, Gjermanisë naziste dhe Japonisë militariste, me të cilin ishin marrë vesh për të zhvilluar luftë në Europë dhe Azi, për të krijuar një rend të ri  dhe për ndarjen e sferave të interesit të tre fuqive. Shtetet e boshtit kishin proklamuar që secilit komb t’i jepet hapësira që i takon dhe të ndihmohet për zhvillimin dhe mirëqenien e popujve. Ky Pakt ishte lidhur një vit e ca pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, që kishte filluar me invazionin e Gjermanisë mbi Poloninë (1 shtator 1939) dhe me shpalljen e luftës nga Franca dhe Britania e Madhe kundër Gjermanisë, dy ditë më vonë (3 shtator). Boshti i Paktit Trepalësh ishte: Romë-Berlin-Tokio, ndërsa atij boshti, i ishin bashkuar si satelitë Hungaria, Rumunia, Sllovakia, Bullgaria, etj.

Më 25 mars 1941, Paktit Trepalësh iu bashkua edhe Jugosllavia, por dy ditë më vonë, një grup i oficerëve të aviacionit, i nxitur nga propaganda dhe i korruptuar nga paratë britanike, bëri puç ushtarak dhe rrëzoi qeverinë legjitime dhe Këshillin e Regjencës, të kryesuar nga Pavle Karaxhorgjeviçi. Kot e paraqet historia serbe e jugosllave, kinse prishja reale e Paktit me Gjermaninë dhe shtetet e tjera të boshtit ka qenë akt patriotik i popullit (serb): sepse ai ishte akt i konspiracionit të shërbimit sekret dhe i diplomacisë së hapur e të fshehtë britanike si dhe i shitjes së disa personaliteteve me ndikim, për interesa të huaja. Ishte një grup i oficerëve të aviacionit jugosllav (serb) dhe jo vetëm  por edhe organizata qytetare, parti politike dhe personalitete me ndikim në jetën publike të vendit, madje edhe nga peshkopati i Kishës Ortodokse Serbe. Ata, në të vërtetë, organizuan demostratën vetëm për të marrë pushtetin,  sepse,  që kur e morën atë,  me asnjë vendim apo akt tjetër juridik nuk e anuluan as e shpallën të papranueshëm Protokollin për bashkimin e Jugosllavisë Paktit Trepalësh. Përkundrazi, u deklaruan me gojë e me shkrim se do t’i përmbahen Paktit. Mirëpo Gjermania nuk iu besoi dredhive serbe, dhe më 6 prill 1941, e sulmoi Jugosllavinë, të cilën e pushtoi për 12 ditë.

Përmbajtja e Paktit Trepalësh

Përmbajtja e Paktit Trepalësh ishte e shkurtër por prej saj shihet qëllimi i asaj aleance ushtarake e politike të tri fuqive që përbënin boshtin. Ja përmbajtja e Paktit:

 

PAKTI TREPALËSH MIDIS GJERMANISË, ITALISË DHE JAPONISË

“Qeveritë e Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë konsiderojnë si parakushte për paqe të përhershme, atë që secili komb në botë të marrë hapësirën e cila i takon. Prandaj këto konkluduan që në synimet e veta, në hapësirën e gjërë të Azisë lindore dhe në viset evropiane, të qëndrojnë krahpërkrah dhe të bashkëpunojnë, ndërsa qëllimi i tyre kryesor është të krijojnë e të mbajnë një rend të ri të gjërave, të përshtatshëm për të ndihmuar përparimin dhe mirëqenien e kombeve përkatëse. Më tutje, dëshira e të tre qeverive është që të zgjërojnë bashkëpunimin me ato kombe në pjesë tjera të botës, të cilat janë të përkushtuara në synimet e veta të japin kahje të njëjtë siç janë ato vet, në mënyrë që përpjekjet e tyre të orientuara nga paqja botërore si qëllim përfundimtar, vërtetë të mund të realizohet. Për këtë qëllim, qeveritë e Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë lidhën këtë kontratë:

Neni 1: Japonia e njeh dhe respekton udhëheqjen e Gjermanisë dhe Italisë në krijimin e një rendi të ri në Europë.

Neni 2: Gjermania dhe Italia ia njohin dhe respektojnë Japonisë udhëheqjen në krijimin e një rendi të ri në hapësirën më të gjerë të Azisë Lindore.

Neni 3: Gjermania, Italia dhe Japonia u pajtuan që të bashkëpunojnë në përpjekjet e tyre, në bazat e cektura më sipër. Ato detyrohen të ndihmohen reciprokisht me të gjitha mjetet politike, ekonomike dhe ushtarake, në rast se njëra prej tre palëve kontraktuese sulmohet prej ndonjë fuqie tjetër, e cila në këtë moment nuk është e përfshirë në luftën në Europë apo në konfliktin kinezo-japonez.

Neni 4: Për zbatimin në veprim të këtij Pakti, pa vonesë do të mblidhen komisionet e përbashkëta teknike, anëtarët e të cilave do t’i emërojnë qeveritë e Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë.

Neni 5: Gjermania, Italia dhe Japonia deklarojnë se dispozitat e mësipërme në asnjë mënyrë nuk prekin statusin politik që ekziston në këtë moment midis secilës palë kontraktuese me Rusinë Sovjetike.

Neni 6: Ky Pakt hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit dhe do të jetë i vlefshëm dhjetë vjet, duke llogaritur prej ditës së hyrjes në fuqi. Para kalimit të këtij afati, palët e larta kontraktuese do t’iu qasen bisdimeve për vazhdimin e tyre, në rast se njëra prej tyre e kërkon këtë.

Mbi sa u tha më sipër, nënshkruesit, të cilët janë të autorizuar plotëfuqishëm nga qeveritë e tyre, e nënshkruan këtë Pakt dhe vunë vulat e tyre në të.

U përpilua në tre ekzemplarë originalë, në Bërlin, më 27 shtator 1940, në Vitin XVIII të Erës së Fashizmit, që i përgjigjet 27 ditë, 9 muaj e 15 vjet të Erës së Svowës.

                                                                                                                                Joachim von Ribbentrop

                                                                                                                                Ciano

                                                                                                                                Kurvsu”

 

Bashkimi i Jugosllavisë Paktit Trepalësh, 25 mars 1941

Njëzet vjet pas Luftës së Parë Botërore (1914-1918), nga e cila Gjermania doli e mundur dhe e shkatërruar, përkundër ndalesave të përforcimit me armatim që ia kishin caktuar fituesit e luftës, ajo kishte arritur të bëhet forca më e madhe ushtarake në Europë. Prandaj synonte t’i pushtonte shtetet e tjera, një nga një. Filloi me aneksimin e Austrisë (1938) pa ndonjë rezistencë. Më 1 shtator 1939 sulmoi Poloninë, të cilën e pushtoi brënda një muaji. Franca dhe Britania e madhe i shpallën luftë Gjermanisë më 3 shtator 1939, dhe kjo merret si datë e fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në strategjinë e saj të luftës, Gjermania i përmbahej një parimi-formulë, të pushtimit të vendeve një nga një, duke iu shmangur luftës në më shumë fronte, sa kishte mundësi. Për këtë qëllim, më 23 gusht 1939 kishte lidhur pakt me Rusinë, për mossulmim, ndonëse kishte synimin që sapo të kishte rastin, ta pushtonte atë, për ta çrrënjosur komunizmin. Në prill të vitit 1940 e pushtoi Danimarkën, Norvegjinë, Hollandën, Belgjikën, Francën, kurse me Suedinë kishte lidhur marrëveshje për mossulmim. Ishte gati ta sulmonte BRSS-në, vetëm priste përmirësimin e kushteve atmosferike, prandaj nuk dëshironte të hapte front lufte në Ballkan. Për t’i shpëtuar vendet e tyre nga sulmi dhe lufta shkatërrimtare, Paktit Trepalësh iu bashkuan Bullgaria (1 janar 1940), Hungaria (20 nëntor) dhe Rumunia (23 nëntor 1940). Shqipëria që nga prilli 1939 ishte e pushtuar nga Italia. Gjermania ishte e interesuar ta përfshinte edhe Jugosllavinë në Paktin Trepalësh, që të mos detyrohej të zhvillonte luftë me të. Por, diplomacia britanike, duke i premtuar ndihmë Jugosllavisë në rast të luftës, dhe duke paguar me sterlina njerëz me ndikim në qarqet politike, ushtarake, civile e kishtare, përpiqej të ndikonte që Jugosllavia të mos i bashkohej Paktit Trepalësh. Vet kryetari i Qeverisë britanike, Vinston Çërçill, porosiste Beogradin të mos i bashkohej Paktit, sepse Gjermania gjithsesi do ta humbasë luftën. Princi Pavle Karaxhorgjeviqç që ishte në krye të Këshillit të Regjencës dhe ishte një mik i britanikëve, bënte ç’mos të zvarriste bisedimet e t’i shmangej nënshkrimit të Paktit, duke u përpjekur që Jugosllavia të mbetej neutrale. Mirëpo, neutralitetin nuk e pranonte Hitleri, i cili shtoi presionin, “me kulaç dhe kërbaç” që ta detyronte Jugosllavinë t’i bashkohej Paktit, edhe duke i premtuar sovranitetin dhe kushte e favore që nuk iu kishte premtuar asnjë prej shteteve të tjera satelite të Paktit. Veç të tjerash i kishte premtuar sigurimin e një territori për dalje në Detin Egje dhe limanin e Selanikut. Mirëpo, Hitleri nuk kishte kohë për të pritur bisedat “tërhiq e mos e këput” dhe i kishte caktuar Jugosllavisë afat ultimativ që deri më 20 mars 1941 të deklarohej nëse i bashkohet Paktit ose jo; alternativa do të thoshte sulmi dhe pushtimi me luftë. Mbrëmjen e 20 marsit, Qeveria e Jugosllavisë mbajti një mbledhje dramatike, në të cilën u diskutua çështja e bashkimit të Paktit. Tre ministra, të cilët sipas gjasave ishin korruptuar nga paraja britanike, dhanë dorëheqje, por qeveria me shumicë votash mori vendim dhe autorizoi kryeministrin Dragisha Cvetkoviç dhe ministrin e punëve të jashtme Aleksandar Cincar-Markoviç për të nënshkruar Protokollin e bashkimit të Paktit Trepalësh. Delegacioni udhëtoi më 24 mars dhe më 25 mars, në Hotelin “Belvedere” të Vjenës, dhe në prani të Hitlerit, u nënshkrua Protokolli. Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm edhe ambasadori i Jugosllvisë në Berlin, Ivo Andriç, një nga ideatorët e programit për zhdukjen e shqiptarëve. Për palën jugosllave protokollin e nënshkroi Cvetkoviçi e Markoviçi, ndërsa për palën e Boshtit e nënshkruan: Ribbentrop, Çano dhe Oshima. Titulli dhe përmbajtja e Protokollit (në gjuhën “jugosllave”) është:

Protokolli për qasjen e Mbretërisë së Jugosllavisë Paktit Trepalësh

Vjenë, 25 mars 1941

Qeveritë e Italisë, Japonisë dhe Gjermanisë, nga njëra anë, dhe Qeveria e Jugosllavisë, nga ana tjetër, përmes të autorizuarëve të tyre të nënshkruar më poshtë, përcaktojnë si vijon:

Neni 1.

Jugosllavia i qaset Paktit Trepalësh të nënshkruar më 27 shtator 1940, në Berlin, midis Italisë, Japonisë dhe Gjermanisë.

Neni 2.

Kur komisionet e përbashkëta teknike, të parapara në nenin 4 të Paktit Trepalësh shqyrtojnë çështjet të cilat i përkasin (edhe) Jugosllavisë, do të ftohen edhe përfaqësuesit e Jugosllavisë për të marrë pjesë në këshillimet e komisionit.

Neni 3.

Teksti i Paktit Trepalësh i bashkangjitet këtij Protokolli.

Ky Protokoll u përpilua në gjuhën jugosllave, italiane, japoneze dhe gjermane dhe secili tekst konsiderohet origjinal. Protokolli hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.

Duke vërtetuar për sa u tha më lart, nënshkruesit kompetentë të autorizuar nga qeveritë e tyre, nënshkruan këtë Protokoll me vulat e tyre.

Përpiluar në katër ekzemplarë origjinal, në qytetin e Vjenës më 25 mars 1941, në vitin e XIX të erës së fashizmit, dhe datën që përkon më ditën e 26 të muajit të tretë të erës XVI Ciove.

                                                                                                                                                Ciano

                                                                                                                                Joachim von Ribbentrop

                                                                                                                                Hiroshi Oshima ad referendum

                                                                                                                                Dragisha Cvetkovic

                                                                                                                                Al.Cincar-Markovic

Pas nënshkrimit të protokollit, menjëherë, po atë ditë, u këmbyen notat zyrtare midis palëve nënshkruese. Ministri i punëve të jashtme të Gjermanisë, Joachim von Ribbentrop, në emër të qeverisë së Rajhut, i dërgoi kryetarit të qeverisë së Jugosllavisë, Dragisha Cvetkoviç, tre nota me përmbajtje gati identike. Me notën e parë, e njoftonte palën jugosllave se, konform protokollit të nënshkruar për bashkimin e Jugosllavisë Paktit Trepalësh, qeveritë e forcave të Boshtit, gjatë luftës nuk do t’i kërkojnë Jugosllavisë lejen për kalimin e trupave nëpër territorin e Jugosllavisë. Me notën e dytë, Gjermania dhe Italia garantojnë se nuk do të kërkojnë ndihmë ushtarake nga qeveria jugosllave. Poqese qeveria e Jugosllavisë, në çdo moment konsideron se është në interesin e saj të marrë pjesë në operacione ushtarake sëbashku me forcat e Paktit Trepalësh, duhet të lidhin marrëveshje ushtarake adekuate me forcat e Paktit. Në notën e tretë i premtohet palës jugosllave se, me rastin e rregullimit të kufijëve në Ballkan, do të kenë parasysh interesin e Jugosllavisë për një lidhje territori me Detin Egje, përmes zgjërimit të sovranitetit të saj në qytetin dhe limanin e Selanikut.

Për të dy favoret që i ofroheshin vetëm Jugosllavisë dhe asnjë shteti tjetër që i është bashkuar Paktit Trepalësh, në notën e dytë dhe të tretë ministri gjerman i lutet palës jugosllave që favoret t’i mbajë  sekret e të mos i publikojë pa u marrë vesh paraprakisht me qeveritë e forcave të Paktit.

Kryetari i qeverisë jugosllave, Dragisha Cvetkoviç nga ana e tij, në dy nota me përmbajtje identike por me emra të ndryshëm, dërguar ministrit gjerman Ribbentropdhe atij Italian – Çano, i falënderon ata për notat e dërguara dhe për njoftimin me vendimet e qeverive të tyre që garantojnë sovranitetin dhe integritetin e Jugosllavisë, privilegjet e veçanta dhe posaçërisht mundësimin e daljes në Detin Egje.

Mirëpo, duket se fshehtësia e privilegjeve që i kishin garantuar Jugosllavisë nga forcat e Boshtit, të cilat nuk ishin bërë publike dhe nuk i dinte opinioni jugosllav, u keqpërdor dhe u mor si shkak nga njerëzit e politikës, udhëheqësit e ushtrisë dhe ata të kishës, të cilët kishin planifikuar rrëzimin e qeverisë që gjetën pretekstin se kishte tradhtuar interesat e vendit duke shkelur neutralitetin dhe bashkuar Paktit Trepalësh. Natën e 26/27 marsit 1941, u krye grushshteti ushtarak, u rrëzua qeveria e Cvetkoviç-Maçekut dhe u eliminua Regjenca dhe princi Pavle nga kreu i shtetit. Grushtshtetin e udhëhoqën komandantët e aviacionit të ushtrisë jugosllave: gjernalët Borivoje Mirkoviç e Dushan Simoviç, të lidhur e të korruptuar me agjenturat dhe paratë britanike. Ata një kohë të gjatë ishin miq të afërt të atasheut ushtarak të Britanisë së Madhe, në Beograd. Gjenerali Dushan Simoviç u emërua kryetar i qeverisë puçiste. Në vend të princit Pavle, të eliminuar nga kreu i shtetit, qeveria puçiste emëroi “mbretin” e ri,  Pjetri i Dytë Karagjorgjeviç, i cili ishte akoma i mitur dhe nuk dinte gjë se çfarë po ndodhte. Klika e gjeneralëve bëri edhe një falsifikim dhe mashtrim me efekt për opinionin e gjërë. Në emisionet e mëngjesit ata sollën në Radio Beograd kapitenin Jakov Jovoviç, i cili duke imituar zërin e mbretit të mitur, lexoi një proklamatë se gjoja mbreti po mbështeste puçistët. Në të vërtetë, mbreti i ri as që e kishte pare as nënshkruar atë proklamatë, e cila u emetua disa herë gjatë ditës, duke e quajtur tradhtare qeverinë dhe princin e rrëzuar. Përmes valëve të Radio-Beogradit, puçin ushtarak e përshëndeti dhe bekoi patriku kishës serbe, i cili kishte miqësi të ngushtë me kreun e kishës britanike. Turma e protestuesve me flamuj jugosllav, britanikë, francezë dhe amerikanë, vërshoi rrugët e Beogradit, me parullat “Bolje rat, nego pakt”, “Bolje grob, nego rob” (ma mirë luftë, se pakt; ma mirë në varr, se në robëri, etj). Flamurin gjerman e dogjën dhe sulmuan disa objekte të Gjermanisë. Brohorisnin: Rroftë ushtria, rroftë mbreti Petar, poshtë Qeveria, etj. Në ambasadën britanike në Beograd kremtohej rrëzimi i qeverisë, duke ditur se Hitleri do të angazhonte një pjesë të forcave të veta edhe në një front të ri. Vet kryeminisri britanik, Vinston Çërçill, e lavdëroi puçin duke thënë :“Kombit jugosllav iu kthye shpirti”. Cvetkoviçin e arrestuan atë natë, ndërsa princi Pavle me familjen e tij, me ndihmën e ambasadës britanike, përmes Greqisë u dërgua në Keni, si azilant politik.

Pasojat e puçit ushtarak

Qeveria e formuar nga puçistët ushtarakë, sapo morën pushtetin, i bëri me dije qeveritë e forcave të Boshtit se do ta respektojnë me përpikëmëri e përkushtim Protokollin e nënshkruar nga qeveria paraprake për bashkimin në Paktin Trepalësh. Por ky deklarim nuk e kënaqi Hitlerin dhe sapo ishte informuar për puçin urdhëroi forcat e tij që sulmin kundër BRSS-së ta shtyjnë për pak kohë e të sulmojnë menjëherë Jugosllavinë. Jugosllavia u sulmua më 6 prill, dhe u pushtua tejpërtej brënda 12 ditëve. Rendi i ngjarjeve pas pushtimit dihet. Shtetet fqinje: Italia, Hungaria dhe Bullgaria i morën nga një një pjesë të territorit ku kishin popullsi të vetën ndërsa në pjesë të tjera u formuan qeveritë kuislinge në Slloveni e Kroaci (NDH; shteti i pavarur Kroat); pasoi lufta katërvjeçare (më tepër luftë civile  dhe fetare, midis komuniteteve e grupacioneve të ndryshme politike, se sa luftë çlirimtare kundër pushtuesit); qindra mijëra viktima në njerëz, shkatërrimi i vendit, vendosja e sistemit komunist pas lufte, e shumë pasoja të tjera. Duke pasur parasysh garancitë, madje edhe privilegjet e veaçanta që i kishin dhënë e premtuar forcat e Paktit me rastin e nënshkrimit të protokollit, të gjitha gjasat kanë qenë qe po të mos ndodhte grushtshteti, Jugosllavia nuk do t’i pësonte të gjitha ato që i ndodhën e ndoshta as nuk do të përfshihej fare  në Luftën e Dytë Botërore.

Kot janë krekosur tërë kohën serbët, si popull dhe si forcë që ka dominuar gjithmonë në Jugosllavi, gjoja se demonstratat e  27 marsit 1941, në Beograd,  ishin shprehje i patriotizmit serb kundër fashizmit e nazismit. Në të vërtetë, ai puç ushtarak ka qenë kryesisht pasojë e lakmisë për pushtet i disa qarqeve ushtarake e politike në Serbi, të cilët ishin edhe të korruptuar edhe të nxitur nga propaganda britanike. Ishte edhe një motiv tjetër: qarqet serbe ishin kundër ndikimit në rritje të politikës kroate në qeverinë Cvetkoviç-Maçek.

Sa për organizimin e puçit ushtarak rolin vendimtar e kishte diplomacia britanike dhe Drejtoria për Operacione Speciale (SOE) britanike, kjo mund të vërehet edhe nga korrespodenca intensive midis diplomacisë britanike dhe qeverisë së Mbretërisë së Jugosllavisë, prej 30 janar 1939, deri më 6 prill 1941 (e përkthyer dhe botuar në librin e Zhivko Avramovskit: “Britanci o Kraljevini Jugoslaviji”; shq: Britanikët për Mbretërinë e Jugosllavisë; “Arhiv Jugoslavije – Jugoslovenska knjiga”, Beograd 1996; Libri i Tretë, 1939-1941). Këtë e dëshmon edhe vet fakti se pas marrjes së pushtetit qeveria e re me asnjë akt juridik nuk e anuloi as shfuqizoi Protokollin e bashkimit Paktit Trepalësh. Përkundrazi, ajo qeveri i lajmëroi fuqitë e Boshtit, se Jugosllavia do ta respektonte me përpikëmëri e përkushtim Protokollin e nënshkruar  nga qeveria paraprake! Prej kësaj del se klika ushtarake e cila ishte e shitur interesave britanike, që me puç ushtarak e rrëzoi qeverinë Cvetkoviç-Maçek, me pretekst të tradhtisë së vendit, në të vërtetë vet ishin tradhëtarë, për interesa të huaja dhe  me mashtrime e falsifikime e bënë vendin dhe popullin pre të luftës shkatërruese e të masakrave të llahtarshme, të cilat gjithësesi kanë pasur ndikimin e vet edhe në shkatërrimin e përgjakshëm të Jugosllavisë së dytë, pesëdhjetë vjet më vonë, në luftërat e viteteve 1991-1999.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA