Basha dhe miti i “zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”

Ylli Përmeti
24/02/2017 - 09:04
Protesta e Partisë “Demokratike” duhet shqyrtuar me kujdes nga punëtoria dhe shoqëria shqiptare. Së pari, problemi kryesor i saj është e ashtuquajtura “kauzë”: “zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Por ne e dimë që zgjedhjet nuk janë të ‘ndershme’ sepse vota shit-blihet nga partitë në pushtet. Domethënë, në njërën anë janë partitë e majmura me kursimet e popullit dhe populli në nevojë që e shet votën në bazë të ofertave. Për të njëjtën arsye vota do të vazhdojë të blihet dhe të shitet përsa kohë që partitë janë të majmura dhe populli në nevojë. Dhe për sa kohë që kjo dinamikë ekziston dhe bashkë me të dhe masmedia jo shkencore dhe jo demokratike, për aq kohë zgjedhjet nuk mund të jenë ‘lira’. Kështuqë, pretendimi se partia “demokratike” synon zgjedhje të “lira dhe të ndershme”, pa kuptuar dhe treguar shkaqet se pse s’janë të tilla, është një tjetër demagogji e kësaj partie. Së dyti, për të realizuar “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, partia “demokratike” (shënim: fjala ‘demokratike’ citohet në thonjëza sepse nuk ka qenë, nuk është dhe nuk mund të jetë ‘demokratike’, jo vetëm për shkak të mendësisë së anëtarëve të kësaj partie por edhe për shkak të strukturës së saj: hierarkike!) propozon një qeveri teknike. Domethënë, një qeveri kalimtare që do të administrojë zgjedhjet e...“lira dhe të ndershme”. Por dinamika që cituam më lartë —partitë e majmura në njërën anë dhe populli në nevojë në anën tjetër— do të vazhdojë të jetë pjesë e zgjedhjeve. Kështuqë, zgjedhje të “lira dhe të ndershme” nuk mund të zhvillohen në Shqipëri për sa kohë që kjo dinamikë do të jetë pjesë e zgjedhjeve, qoftë edhe nëse administrohen nga një qeveri teknike.
Kjo dinamikë është ekzistente edhe në zgjedhjet e vendeve perëndimore por jo në shkallën që është në Shqipëri. Për të njëjtën arsye, partitë politike atje, nuk manipulojnë zgjedhjet përmes shit-blerjes së votës por kryesisht përmes masmedias. Domethënë, duke propaganduar tezat e partive në pushtet pa i vendosur ato përballë kundërtezave dhe pa i hetuar ato. Rast tipik për këto “teza” është partia e Ciprës në Greqi: “SYRIZA”. Masmedia atje nuk e vendosi propagandën e saj parazgjedhore kurrë përballë ndonjë kundërteze serioze. Personalisht kisha shkruajtur në shtypin ndëkombëtar atëherë dhe kisha parashikuar me përpikmëri se ajo do të dështonte në premtimet e saj. Dhe ashtu ndodhi: pak muaj më pas, pasi dështoi në negociatat lidhur me borxhin e saj, kërkoi ndjesë se kishte ushqyer ‘iluzione’ kur ishte në opozitë! Shkaqet se pse ushqeu ‘iluzione’ janë dy: njëri buron nga paaftësia e anëtarëve të saj për kuptuar sistemin dhe tjetri, që është pasojë e paaftësisë intelektuale, nga proponentët e të “Majtës” globaliste (Zizek etj.). Kështu ata vendosën “kurorë” këshillat e proponentëve në fjalë dhe propaganduan kodra pas bregut. Masmedia, në anën tjetër, nuk i “shkund” partitë në pushtet me kundërteza, sepse dihet: kontrollohen dhe financohen nga partitë, veçanërisht në Shqipëri.
Kështu ata sajojnë emisione me “analistë” por jo duke ftuar individë që kanë shpalosur teza social-ekonomike. Njëri nga këta të fundit –që ka shpalosur një tezë alternative- jam unë. Kështu partitë përballen me njëra-tjetrën dhe përqendrohen te korrupsioni i njëra-tjerës por jo te shkaqet e korrupsionit që supozohet se duhet të përqendrohen...dhe, kalojnë provimin për zgjedhje të “lira dhe të ndershme”. Nuk tregon, për shembull, Basha, shkaqet se pse Rama ka rekrutuar kriminelë në strukturat e partisë. As tregon Rama shkaqet se pse Basha u korruptua dhe u kriminalizua kur ishte në pushtet. Por as edhe ata vetë nuk tregojnë se pse janë sjellë ashtu siç janë sjellë kur janë në pushtet. Nuk ‘tregojnë’ sepse përgjithësisht në shkencat sociale ka munguar dhe vazhdon të mungojë qasja shkencore e problemeve sociale. Domethënë, qasja shkakiste e dukurive sociale në raport me sistemin e një vendi dhe vendeve të tjerë, të një blloku ekonomik. Sipas këtij kuptimi, ata janë ‘demagogë’ kryesisht sepse janë të keqedukuar dhe jo sepse janë të liq. Do të ndryshonte gjykimi i tyre nëse ata do të kishin kaluar nga edukimi në shkencat sociale. Por edhe në këto fundit, kemi sërish probleme: sepse shkencat sociale, ose punët e ashtuquajtura “shkencore”, që janë akredituar në Universitetet tanë, janë interpretative. Domethënë, tregojnë dukurinë ashtu siç është por jo se pse është ashtu siç është. Ndaj kriza institucionale nuk mund të përmirësohet. Thjesht iluzionohen të gjithë në botën e dukurive sociale dhe tregojnë gishtin te tjetri. Dhe kështu rifillon mashtrimi i madh i popullit bashkë me protagonistët. Për të njëjtat arsye, populli shqiptar mund të mashtrohet sërish dhe të votojë Bashën.
Kjo është njëra anë e problematikës, tjetra, është se partitë në pushtet kanë krijuar ‘militantë’, në kuptimin e keq të fjalës. Domethënë, nuk kanë krijuar hapësira të përbashkëta ku të gjithë të jenë të barabartë politikisht dhe të bashkë-edukohen për çdo problematikë por struktura rekrutuese ku vetëm edukimi teorik nuk ushtrohet. Kështu ‘militantët’ janë kryekëput pasivë në politikë. Domethënë, ata politikën e shikojnë si mjet për fituar pushtet dhe pará dhe jo për të fituar dije dhe urtësi, meqënse ata që i kanë krijuar partitë, tregojnë pikërisht forcën e pushtetit me jetë ekstravagante dhe sjellje arrogante sesa pushtet me urtësi ose pushtet që buron nga urtësia. Kështu riprodhohet ekstravaganca dhe arroganca dhe, krimi i organizuar. Në këtë proces, mes shembullit ekstravagant, arrogant dhe krimit të organizuar të politikanëve dhe militantëve pasivë, varësia e këtyre të fundit kundrejt të parëve është absolute: ata përdoren kudo dhe për përgjithçka. Mish, siç thotë populli, për top! Ndaj dhe nuk do të ishte e çuditshme që pas Bashës të shikojmë të rinj, dhe hamendësisht të pastër, por të paaftë për të kuptuar se do të qelben shumë shpejt dhe njëlloj si pararendësit e tyre, do të përballen me forcën e drejtësisë.
Autokritika e Bashës, rrjedhimisht, dhe ndjesa që kërkoi për krimet e qeverisë Berisha, por edhe të tijat, jo vetëm që nuk mjaftojnë për ta besuar, por ajo është një tjetër mashtrim: sepse ai duhet të bënte ‘mea culpa’ duke na treguar —të paktën, në këtë fazë, teorikisht, sepse praktikisht ka qenë katastrofik— shkaqet e krimeve që ka kryer por edhe më e rëndësishmja shkaqet e krizës shumë-dimensionale që ka përfshirë vendin dhe si luftohet dhe kalohet ajo. Vetëm kur të na tregojë të gjitha këto – dhe të na bindë se si do ta administronte ndryshe shtetin modern, mund t’i delegonim pushtetin tonë. Gjykuar, rrjedhimisht, nga procesi se si është rekrutuar Basha në partinë “demokratike” dhe nga koha përmes së cilës mund të ishte edukuar teorikisht —se si administrohet shteti modern— që nuk është edukuar, çdo përpjekje e tij është e dështuar jo vetëm për atë por kryesisht për popullin dhe jetën që na rrethon.
Por le të shqyrtojmë, për më shumë, rastin e banorëve të Zharrzës dhe të kuptojmë se edhe ata mund të mashtrohen. Së pari i përgëzoj për formën e protestët -- duke marshuar drejt Tiranës në këmbë. Por problemin e tyre (i cili është edhe i yni) nuk mund ta zgjidhë qeveria aktuale - as për ta hetuar ndërmarrjen në fjalë për dëmet që ka shkaktuar as për të shmangur dëmet e mëtejshme. Sepse ajo dhe çdo qeveri tjetër që mund të vijë në pushtet nga partitë ekzistuese, në zemër të politikave ekonomike kanë politikat konçesionare — politika që nënkuptojnë se një tjetër ndërmarrje e huaj —gjoja më e mirë— do të vijë në anët tona. Sidomos kurpraktikat e ndërmarrjeve në fjalë tashmë mbështeten edhe nga qeveria amerikane e Trampit për ndërmarrjet që operojnë atje. Efekti që ka kjo mbështetje në politikën e brendshme është se damagogët tanë, si pasivë që janë në politika, do të vazhdojnë të veprojnë njëlloj...Në këtë gjendje kërkohet organizimi i një Asambleje Kombëtare ku të shqyrtohen program-projektet e lëvizjeve politike (jo partive) bashkë me popullin dhe masmedian dhe të votohet ai që është më demokratik dhe shkencor - në teori dhe praktikë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 97 reads



