...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse Lu-ja duhet ta vazhdojë 'luftën' kundër klasës politike?

SHJ

03/02/2017 - 10:04

Një mësues i mirë kërkon nga një popull të kryengrihet kundër padrejtësive dhe mjerimit që krijojnë elitat, siç do të kërkonte nga një student, të kundërshtonte mendimin e tij. Nëse e gjykojmë nga ky këndvështrim Lunë, sigurisht, ai s’është një mësues i mirë. Por është i dëshirueshëm, kur dihet se një pjesë e mirë e popullit tonë, në vend të organizohet politikisht e të luftojë padrejtësitë dhe mjerimin, ikën jashtë vendit; një tjetër, servilizohet në ‘gjinjtë’ e partive; dhe një e fundit, bën sehir!

ABC-ja në gjykim të drejtë është se kur gjykojmë një çështje, ku përfshihen dy palë, duhet të flasin të dyja palët përpara se të nxjerrim përfundime. Ndaj nuk duhet të nxitohemi për të nxjerr përfundime lidhur me akuzën e Llallës kundrejt Lusë. Nëse s’e bëjnë kolegët e mi milionerë me lehtësitë teknologjike që u ka krijuar oligarkia politiko-ekonomike —t’i bëjnë një intervistë Lusë— po shkoj ta bëj vetë. Dyshoj se Luja ka patur në mendje një arsye të thjeshtë nëse qendron akuza e Llallës: se ka plotë çështje të tjera Llalla për të hetuar përpara Bankerit. Veçanërisht kështu kur dihet se Luja ka synim të realizojë reformën në drejtësi e përmes saj të ‘ekzekutojë’ klasën politike shqiptare. Përparësia e tij, në fjalë të tjera, e detyron të pengojë një hetim. Gjykuar edhe nga origjina e Bankers, angloamerikane, dhe dëmi që mund të shkaktonte një hetim nga prokuroria në punën e saj, dhe përgjithësisht në reputacionin që kanë fituar ndërmarrjet naftënxjerrëse angloamerikane rreth botës, ndërhyja e Lusë për të penguar hetimin e dëmeve që ajo ka shkaktuar bëhet e domosdoshme. Këto janë disa nga arsyet se përse Luja mund të ketë vepruar ashtu siç pretendon Llalla. Por kjo çështje, se cilat janë arsyet që ai ka vepruar ashtu siç argumenton Llalla, duhet të hetohet, duke pyetur vetë Lunë.

Nga ana tjetër, dihet se ne paguajmë mjaft shtrenjtë Kryeprokurorin dhe gjithë prokurorët e tjerë për t’i shërbyer vendit. Kështuqë, edhe nëse Luja ka ndërhyrë në një çështje si ajo e Bankers, siç pretendon Llalla, kjo nuk e shfajëson këtë fundit për mos vazhdimin e hetimit. Sepse ai ka mandat, supozohet, nga populli shqiptar, për t’i shërbyer atij, ndërsa Luja ka mandat nga populli amerikan, dhe për t’i shërbyer atij. Për të njëjtën arsye, Llalla me këtë ‘akuzë’ kundrejt Lusë, tregon jo vetëm mungesë autonomie, por edhe implikim në një “krim” që supozohet se mund të jetë i tillë. Tregon, gjithashtu, paaftësinë e tij për të kuptuar kontradiktat institucionale, në raport me ligjet në fuqi dhe detyrat, të njërit apo tjetrit. Në të vërtetë, ai e tregoi edhe mbrëmë paaftësinë e tij lidhur me kuptimin e kontradiktave: sepse supozohet se prokurorët janë mjeshtra veçanërisht të kuptimit të kontradiktave. Por ai mbrëmë, kur rrëfehësh te kolegu i Klanit, i cili më shumë synon zhurmën sesa hetimin e një personi, tregoi plotë kontradikta kur e pyeste nëse është kërcënuar apo jo nga Luja.

Një tjetër problematikë që u shfaq mbrëmë, nga avokatë dhe gjyqtarë, dhe që përsëritet kudo dhe thuajse nga të gjithë, është roli i fondacionit “Soros” në reformën në drejtësi por edhe përgjithësisht në institucione. Roli i tij paraqitet si i keq. Në të vërtetë, Sorosi dhe fondacioni i tij, tallet me qeveritë: sepse nga paaftësia e tyre intelektuale ai gjeneron fitime marramendëse. Sidoqoftë, në një sistem, i cili përbëhet nga “demokracia” parlamentare në njërën anë dhe tregu i marketingut në anën tjetër, dhe katër liritë e tij (kapitalit, mallrave, punës dhe shërbimeve), nuk është Sorosi problemi i dhimbjeve tona. Por pikërisht sistemi që sapo përshkrova, të cilin Sorosi me të tjerë, e ka ‘gatuar’ për të realizuar fitimet e tij. Kjo është arsyeja pse themi, se në sistemin e përmendur, i cili kompensohet me globalizmin neoliberal dhe institucionet e tij (FMN etj.), pushteti ekonomik përcakton natyrën e pushtetit politik. Dhe kjo është arsyeja se pse ne (studiuesit e filozofisë politike) luftojmë sistemin dhe jo individët që e shfrytëzojnë atë. 

Sigurisht, ne tregojmë veprimtarinë kriminale të individëve si Sorosi por jo se ai është e keqja jonë:  por se është pushteti ekonomik ai që bëhet i keq përsa kohë që tregu dhe institucionet e tij e imponojnë atë. Ç’faj ka, për shembull, Sorosi apo oligarkët tanë ekonomikë, të tipit Sajmir Mane, që politikanët profesionistë të tipit Berisha, Meta dhe Rama, nuk dinë të administrojnë shtetin modern dhe nuk mund të hapin asnjë vend pune në sektorin privat? Domethënë, janë oligopolet ekonomike që diktojnë politikat që ndërmarrin politikanët dhe jo e anasjellta. Ky ‘diktim’ bëhet i pashmangshëm për sa kohë që politikanët nuk pronësojë (të paktën kushtu paraqiten zyrtarisht) ndonjë ndërmarrje dhe nuk dinë t’i administrojnë. Roli i oligarkisë ekonomike bëhet i pashmangshëm edhe në institucionet publike ku supozohet se fjalën e fundit e kanë politikanët. Kjo është arsyeja pse themi se kur ra socializmi kuadrot e tij mbetën pa ideologji alternative dhe filluan të shkatërronin shtetin. Sigurisht, kjo për shkak të paaftësisë së elitës socialiste e cila supozohet se ‘edukonte’ kuadro të aftë për të administruar shtetin modern për disa sinteza social-ekonomike. Dhe kjo është arsyeja pse themi se problemi në shoqëritë tona është së pari filozofik dhe pastaj edukativ: sepse supozohet se përmes filozofisë politike kualifikohen kuadro që kanë në mendje disa sinteza social-ekonomike dhe dinë paraprakisht fundin e veprimeve sociale. Nëse gjykojmë nga literatura që modulojnë të ashtuquajturit pedagogë kuptojmë se problemi fillon dhe mbaron te edukimi i njerëzve.

Si mund, fundja, të administrojë shtetin modern, një kardiolog, piktor ose agronom? Në rastin e parë kërkohet njohuri për aspektet shëndetësore të njeriut; në të dytin, njohuri nga piktura; dhe në të tretin, nga natyra dhe bima...këto disiplina nuk kanë asnjë lidhje me shtetin dhe mekanizmat e tij.                                       

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA