...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pas shkatërrimit të lumenjëve të tjerë, radhën e ka Vjosa: qeveria kriminale e Ramës pa qendrim të qartë

Protestat kanë qënë të suksesshme, por beteja nuk mund të quhet ende e fituar, pasi qeveria refuzon ta shpallë lumin dhe degët e tij, park kombëtar, gjë që do të ndalonte çdo plan të ardhshëm për punime në të.

SHJ

29/05/2021 - 09:07

Banorë dhe aktivistë mjedisorë në Shqipëri po bëjnë fushatë në mbrojtje të lumit Vojsa, i konsideruar si i vetmi lum i egër në Evropë. Ata kundërshtojnë planet e qeverisë për të ndërtuar më shumë se 30 hidocentrale përgjatë rrjedhës së tij.

Lumi Vjosa, i cili buron në Greqi, kalon në Shqipërinë e Jugut dhe përfundon në Detin Adriatik, është strehë e 1,175 specieve, duke përfshirë ngjala evropiane dhe specie tjera bimore që ndodhen në rrezik zhdukjeje.

Vjosa rrjedh pa ndërprerje për 270 kilometra, gjë që e bën atë një lum me një rrjet të veçantë. Ekspertë lokalë dhe aktivistë mjedisorë prej vitesh bëjnë thirrje që të mbrohet rajoni i lumit, duke thënë se ndërtimi i digave do të shkaktonte përmbtje në zona të mëdha dhe do të dëmtonte ekosistemin.

Besjana Guri, nga organizata ECO Albania thotë se protestat kanë qënë të suksesshme, por beteja nuk mund të quhet ende e fituar, pasi qeveria refuzon ta shpallë lumin dhe degët e tij, park kombëtar, gjë që do të ndalonte çdo plan të ardhshëm për punime në të.

“Ne kemi më shumë se gjashtë vite që bëjmë fushatë për mbrojtjen e lumit Vjosa. Deri tani kemi bërë shumë dhe mendoj se kemi fituar disa beteja të vogla, por lufta ende vazhdon. Për sa kohë projektet e hidrocentraleve nuk janë anuluar, bazeni i Vjosës, lugina e Vjosës nuk është ende një park kombëtar, pra nuk gëzon një status të lartë ruajtjeje, nuk mund të themi që Vjosa është e sigurt”, tha ajo.

Nga ana tjetër qeveria e sheh lumin Vjosa si një mundësi të mirë për prodhim të energjisë. Në Shqipëri 95 për qind e prodhimit të energjisë elektrike varet nga hidrocentralet. Megjithatë banorët shprehen të vendosur se do të kundërshtojnë çdo përpjekje për realizimin e këtij projekti.

“Kjo tokë ka mbajtur breza të tërë, prej vitesh e shekujsh. Të parët tanë kanë jetuar nga kjo tokë dhe ne nuk do ta japim qoftë edhe me forcë”, thotë banori lokal 72 vjeçar, Gëzim Dani.

“Neve jetojmë këtu duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që na jep, duke qenë blegtoria, bujqësia, ndihmë të madhe na dha edhe zhvillimi i turizmit këto vitet e fundit. Këtu ne zhvillojmë shumë sporte të ndryshme. Unë kam filluar me alpinizmin duke bërë kërkime të ndryshme”, thotë Robert Tabaku operator turistik.

Edhe një vizitor që vjen në këtë zonë për peshkim mendon se ndërtimi i hidrocentralit shkakton humbje si për banorët e fshatit ashtu edhe për turistët.

“Ndërtimi i hidrocentralit do të jetë shumë shkatërrim për ne. Si për ne dhe për fshatarët këtej, se mirë ne edhe mund të qëndrojmë në qytet dhe vijmë një fundjavë këtu për qejf. Po këta, ku do mbyten?”, thotë Migjen Celaj, peshkatar.

Qindra persona kanë nënshkruarnjë peticion ku i bëhet thirrje qeverisë për të mbrojtur lumin Vjosa. Fushata ka tërhequr edhe interes ndërkombëtar. Aktori Leonardo DiCaprio, në një postim në Instagram në mars, kërkoi mbrotjen e lumit. Thirrja e tij mori mbi 300 mijë pëlqime.

Më 30 maj pritet që një grup hulumtuesish ndërkombëtarë të arrijnë në luginën e Vjosës për të kryer studime mbi florën dhe faunën e lumit. Voa

Aktori i famshëm i Hollivudit, Leonardo di Caprio, ishte një nga të parët që promovoi filmin e shkurtër të prodhuar nga kompania “Patagonia” me titull “Vjosa Forever”: "Lumi Vjosa, speciet e tij dhe gjallesat që varen prej tij janë në rrezik dëmtimi të përhershëm nga digat. Shikoni filmin "Vjosa Forever" nga Patagonia dhe nënshkruani peticionin, që i kërkon qeverisë shqiptare të mbështesë #VjosaN NationalParkNow ", shkroi aktori dhe aktivisti mjedisor në Twitter më 11 mars.

Në fakt, fjala nuk është për një peticion, por për një fushatë sensibilizuese, ku përfshihet edhe një zotim që ambientalistët duan ta marrin nga kandidatët për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Mesazh në Parlamentin Europian

Ndërkohë, në ditën botërore të Ujit, 22.03., disa organizata për ruajtjen e natyrës, i dorëzuan një seri fotografish Parlamentit të Evropës, për të kujtuar edhe një herë, se çfarë monumentesh kulturore përmban Lumi i vetëm i egër i Evropës. 

Në 4 Mars, Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian vendosi të përfshijë Vjosën në raportin e progresit për Shqipërinë. Në raport, komiteti i kërkon qeverisë shqiptare të braktisë planet e digës përgjatë Vjosës dhe "të krijojë një Park Kombëtar të Vjosës sa më shpejt të jetë e mundur, i cili do të përfshijë të gjithë gjatësinë e lumit".

Anulimi i HEC-eve ende i pasigurt

Sipas shoqatës mjedisore gjermane EuroNatur, 38 diga ishin planifikuar në Vjosa deri vonë. Kontratat janë nënshkruar tashmë për dy prej tyre, Kalivaç dhe Poçem, por asnjëra prej tyre nuk është ndërtuar ende pasi lënda është në gjyq.

Në shtator 2020, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi, pas protestave të ndryshme të ambienalistëve, se do t’i anulonte projektet e hidrocentraleve dhe se një pjesë të Vjosës do ta kthente në Park Kombëtar. 

Sipas informacioneve të EcoAlbania, planet aktuale për Vjosën duket se i japin asaj vetëm statusin e zonave të mbrojtura si park natyror. “Kjo nuk do të përjashtonte ndërtimin e hidrocentraleve dhe do të ishte shumë larg standardeve të mbrojtjes së një parku kombëtar”, thotë Olsi Nika, drejtori ekzekutiv i  shoqatës EcoAlbania për DW.

Çështje e vullnetit politik?

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë, Zamir Dedej, në një konferencë virtuale, të mbajtur më 18 mars 2021, u shpreh skeptik ndaj idesë së Parkut Kombëtar në të gjithë territorin e Vjosës: Është vullneti politik ai që vendos nëse një zonë është në të vërtetë e mbrojtur apo jo“, tha Dedej në konferencën virtuale në 18 Mars 2021, duke u pozicionuar kështu kundër krijimit të një parku kombëtar përgjatë gjithë Vjosës.

Që pushteti politik jo rrallë është mbi ligjin në Shqipëri, kjo mund të shihet qartë edhe në disa projekte aktuale në zonat e mbrojtura, kujton Nika në një intervistë me DW.  Në fillim të Marsit 2021, qeveria miratoi ndërtimin e një aeroporti të dytë, në Akërni, të Vlorës. Zona e ndërtimit është e vendosur në mes të një rezervati natyror që i përket rajonit përreth Vjosës. Jo shumë larg nga atje është një nga vendet më të rëndësishme të pushimit për zogjtë migrues si flamingot, rosat e egra dhe lejlekët, gjatë rrugës nga Evropa në Afrikë. Prandaj, duhet një Park Kombëtar, thotë Nika. Në mënyrë që projekte të tilla të mbrohen më mirë.

Edhe një grup i fituesve të çmimit Alternativ Nobel, nën dretjimin e ambjentalistit gjerman, Michael Succow, është i mendimit, se Vjosa duhet të shpallet Park Kombëtar. Pak kohë më parë ata i patën dërguar një letër autoriteve shqiptare dhe evropiane që ta kthenin Vjosën në Parkun e Parë të një Lumi të Egër në Evropë.

"Një park kombëtar ose një trashëgimi natyrore botërore e çertifikuar sipas kritereve të OKB-së, është e siguruar dhe mund të përfitojë nga fondet e BE-së", argumenton 79-vjeçari në një intervistë me DW. Ndryshe është kur ke vetëm statusin e një parku natyror, ku mund të ndërhyjë edhe dora e njeriut, thotë ai: "Atëherë, aty çdokush mund të bëjë atë që dëshiron: disa ndërtojnë diga, të tjerët sisteme të mëdha rrugore ose komplekse hotelesh".

Lumi me gjatësi 270 km, i cili e ka burimin në Greqinë veriore si "Aoos", rrjedh nëpër grykat e pjerrëta dhe shpatet e Shqipërisë së Jugut; gjarpëron më pas midis ishujsh të rrallë zhavori dhe rëre, ku herë-herë shkon arrin një gjerësi deri në dy kilometra; dhe derdhet në lagunën e Nartës, pranë Vlorës, në brigjet e Adriatikut.

Vjosa është unike

"Vjosa është lumi i fundit i paprekur në Ballkan dhe në Evropë," thotë Andrej Sovinc i Komisionit Botëror të IUCN për Zonat e Mbrojtura (WCPA) në një intervistë për DW. "Krahët e saj, të cilët deri më sot nuk ndërpriten nga diga, transportojnë sasi jashtëzakonisht të mëdha të sedimenteve, ujit dhe rërës, duke mbështetur kësisoj një biodiversitet jashtëzakonisht të madh dhe shumë habitate."

Mbi 1175 specie kafshësh dhe bimësh janë identifikuar deri më tani në dhe përreth Vjosës. 39 prej tyre janë në listën e kuqe ndërkombëtare të specieve të kërcënuara të Bashkimit Ndërkombëtar të Ruajtjes së Natyrës (IUCN). 

Mbrojtja  e lumit Vjosa është pjesë e fushatës “Ruaj Zemrën Blu të Evropës”, e cila synon të mbrojë lumenjtë me vlera natyrore veçanërisht të larta në Gadishullin Ballkanik, të cilët kërcënohen nga më shumë se 3,400 projekte hidroenergjitike. Vjosa është një dhuratë për të gjithë Evropën, thekson Succow: "Prandaj këshilla ime për qeverinë: Ruani këtë natyrë, për ju, për njerëzit tuaj dhe për Evropën." DW

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA