...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shtazëria e ballistëve në Përmet

11/11/2016 - 12:59

Kiço Kutali

Nazistët në Përmet erdhën dhe u larguan disa herë. Ardhjen e tyre pritej me temena vetëm nga ballistët që kishin kohë e dalë hapur kundër LANÇ. Sa here vinin, u delnin përpara dhe bashkë me ta krekoseshin si triumfatorë! Merrnin zemër dhe bëheshin më të poshtër sa ata, tamam si qeni kur ka afër të zotin, shoqëronin nazistët në çdo aksion luftarak dhe sidomos në informimin se ku ndodheshin forcat partizane, bazat kryesore dhe familjet që mbështesnin LANÇ.

Hera e fundit ishte data 11 Qershor 1944 dhe ndenjën rreth 20 ditë. Nga forcat partizane u detyruan të ndalonin përtej lumit dhe pas një betejë të ashpër, u futën në qytet. Fshati ynë është afër. Dolëm te hyrja e tij dhe dëgjonim pushkë, mitraloza, ndërkohë Përmetin e mbuloi tymi. I vunë zjarrin për të tretën herë! Nuk kaloi shumë, Komanda e Vendit dërgoi një letër ku shkruhej: “Egërsia e nazistave është e madhe, nuk njef kufi. Kongresi dhe rezistenca jonë i ka tërbuar dhe të ndihmuar nga ballistët, vrasin këdo që gjejnë. Urën e zjarrit e kanë në dorë. Përmetin e dogjën! Në fshatrat Zhepë e Draçovë vranë 54 burra, gra, pleq dhe fëmijë. Kujdes mos ju zënë në befasi. Vendosni roje dhe në rast se i drejtohen fshatit, largohuni”.

Përgatitëm materialet që do merrnim me vete dhe përcaktuam se ku do të ngrinim çadrat. Tmerri ishte i madh. Natën e 25 Qershorit nuk fjetëm fare. Sikur na e sillte ëngjëlli! Bisedonim, rrinim në pritje dhe kur je në pritje, ankthi shtohet, streset ngarkojnë ndërgjegjen, njerëzit bëhen të pa duruar dhe të duket se nga çasti në çast do të ndodhë gjëma. Ajo, ishte nisur dhe po vinte!

Aty nga ora tetë e mëngjesit, nga qyteti i Përmetit dolën tre kolona dhe njera ju drejtua Kutalit. Nazistët shoqëroheshin nga një çetë ballistësh me në krye një maskara me emrin Maksut Riza Spahiu nga fshati Tolar, i cili njihej për krimet e bëra jo vetëm në rrethin e Përmetit. Sinjalin e dinin të gjithë. Kur gjermanët lanë xhaden dhe u futën në rrugën tonë rreth 1.5 km larg fshatit, shtimë tre herë dhe dueli filloi. Nazistët kujtuan se i goditëm dhe u shtrinë. Pastaj u hapën në formacion lufte, ndërsa ne filluam lëvizjen për t’u larguar sa më parë nga fshati. Për 30 minuta fshati u boshatis, por ngelën nëpër shtëpi disa pleq dhe plaka që nuk kishin mundësi të lëviznin nga mosha. Ata do të na i tregonin veprimet dhe tmerret që panë! Në këtë moment më shumë dëgjoje fjalët: shpejt se na erdhën, shpejt se na kapën, shpejt, shpejt, shpejt se na zunë… dhe kur shpejton bëhen edhe gabime.

Një gjë e tillë ndodhi me një fëmijë, lidhur në djep dhe bërë gati për ta marrë, por nga shpejtësia, tmerri që kishin futur gjermanët, nga hutimi dhe më shumë nga ngatërrimi e harruan në shtëpi. Dueli ishte i fortë. Nazistët vraponin të na kapnin në fshat dhe ne për t’i shpëtuar asgjesimit. Po qe se do të ishim kapur, do të ndodhte një tmerr më i madh se në Draçovë dhe në Zhepë; i kishin udhëhequr dhe treguar ballistët se cilat shtëpi kishte djemtë partizanë, ku e dinte nazisti gjendjen. Fshati fitoi disa minuta se Lito, kapedani i Kutalit shtiu në ajër. Nazistët, u shtrinë përsëri barkas dhe filluan të gjuanim me pushkë e mitraloza, por ishin akoma larg dhe nuk vranë njeri.

…Kur mëma e djalit doli nga magjiroja (vendi i gatimit) nuk e pa djepin në oborr, kujtoi se e kish marrë kunata me të bijën dhe u nis. Gjat rrugë kërkonte t’i shifte, po ku dukeshin në atë rëmujë dhe rrugë të ngushta plot me njerëz, kafshë dhe bagëti. Kur nazistët u futën në fshat, filluan t’u vinin zjarrin shtëpive. E panë fëmijën në djep që qante dhe nuk e larguan, ndarsa ballist Maksuti i kish rënë me shkelm(!) dhe përmbysur. Në këtë kohë fshatarët ishin një kilometër larg dhe afër vëndit ku do fshiheshin. Nga lodhja u ulën të pushonin dhe shikonin tymin mbi fshat! Por tmerri i pushtoi kur nëna pa që djepin me djalin nuk e kishin marrë dhe vuri kujën! Ulërima e saj ishte tmerr mbi tmerr! Ne burrat që ishim hapur në kodrën mbi të, dëgjuam zërin ulëritës, por nuk na shkoi mendja se kishin harruar fëmijën. Në fakt nuk ishte ulërimë, as klithmë, por midis ulërimës së tromaksur, bërtitjes së lebetitur dhe klithmës vajtuese që dilte nga shpirti gjysëm i habitur, më shumë i tronditur dhe një pyetje ngashëruese – lutëse e një nëne. Një gjëmë e vërtetë! – Djali?! Po djali?! Ku është djali?! Hauuu, ku është djali?! – kunata ia ktheu më e habitur: – Ne ta lamë ty ta merrje! –Hauu, korba, korba unë, po nuk e gjeta në oborr?!! – e sqaroi – Për të mos e djegur dielli e futëm në korirdor…

Dhe nëna si e luajtur nga mëntë, bënte veprime të pakontrolluara dhe po shpejtonte të shkarkonte barrën, për tu kthyer në fshat. Edhe graria ishin bërë dyllë të verdha dhe flisnin: – Bubu ç’e gjeti! Korba, korba kjo! – e mbanin dhe ndihmonin nënën që ulërinte: – Pse s’më ha mortja mua… dhe çkulte flokët…! Për këtë ndodhi ja çfarë tregon Vasilika, vajza që e shpëtoi nga vdekja:

“Më 21 Gusht mbushte dy vjet. Bëmë gati të gjitha plaçkat edhe djalin e lidhur në djep e nxorrëm në oborr. Po nëna ime dhe për të mos e djegur dielli e futi në koridor, po nuk i tha mamasë së tij. Kujtoi se do ta shikonte. Ne u nisëm përpara, ndërsa nëna e djalit më vonë. Kur doli, nuk e pa në oborr dhe kujtoi se e kishim marrë ne. U përpoq të na shifte, por ishte e pamundur, vetëm kur u ulëm për t’u çlodhur, morri vesh që nuk e kishim marrë. U tmerruam, ndaj nuk prita dhe u nisa me vrap. Isha 18-19 vjeç dhe mora parasysh çdo gjë që mund të më ndodhte, vetëm ta shpëtoja. Këpucët sikur më pengonin, i flaka. Më çponin gjëmbat, më vrisnin gurët, më nguleshin rrodhet, por unë vetëm vrapoja. Dëgjoja që më thërrisnin “ktheu se do të të vrasin”, i njifja dhe zërat por mendjen e kisha vetëm ta shpëtoja. Hyrja e fshatit ishte plot ushtarë gjermanë dhe ballistë të ardhur nga Mallakastra dhe fshatrat e Përmetit. Tërhoqa vëmëndjen e tyre dhe të gjithë, po më shikonin. Pale se çfarë thonin me vete. Do jetë e marrë, e çmendur dhe kushedi çfarë, por unë vetëm vrapoja. Kalova mespërmes, nëpër këmbët e tyre dhe drejt e te shtëpia. Kur hyra në oborr, pashë që kati i dytë ishte djegur, flaka shkonte në qiell, zjarri kishte përfshirë edhe dy dhomat e katit të parë, ndarsa koridori nuk kish zjarr, por i mbushur me tym dhe dilte nga dera si oxhak fabrike. Mendja më shkoi se djali do ishe djegur ose vdekur. Kur i dëgjova zërin!!! Po qante!! Sa u lumturova!! Fluturoja nga gëzimi!! Qenka gjallë thoja me vehte dhe u vërsula te korridori. Interesant, rreth një metër mbi truall nuk kish tym por ajër të nxehtë. Të digjte fytyrën. Djepin e gjeta të përmbysur. Me vrap e rrëmbeva e nxorra në oborr dhe po shifja mos kish djegie. Shyqyr jo! Vetëm se djepi ishte ngrohur, djalit i digjnin duart dhe fytyra i ishte bërë gjak e kuqe. Sa e nxorra në oborr, u rrëzua tavani i korridorit dhe flaka dilte nga dera si furrë gëlqere. Sikur të mos kisha mbritur, do ish djegur, mund të digjeshim edhe të dy.

U ngrita për t’u larguar, kur pashë pranë meje një ushtar nazist dhe ballist Maksutin që kish lyer duart gjer në bryl me gjakun e bashkëkrahinarëve. Si duket, i kishin nisur për të më parë se ku do shkoja. Në këtë moment ndodhi një gjë e tmerrshme dhe antinjerëzore! Unë e njihja kriminel, por as që ma priste mendja se do kërkonte të ma merrte djepin. Nuk e prisja! Momenti më del parasysh edhe sot dhe nuk do më hiqet nga mendja deri sa të largohem nga jeta. Ishte një tmerr i vërtetë! M’u turr me të bërtitura dhe më kapi djepin për të ma marrë(!). U zhvillua një përleshje e vërtetë, për jet’ a vdekje. Të më shikoje në ato çaste, besoj se nuk do më njifte njeri. Isha bërë si e dytë, e çakallosur, si bishë, si ulkonja që mbron këlyshët. Nuk do ta lëshoja kurrë, por dhe po të ndodhte që të ma merrte, nuk do tërhiqesha, do të isha djegur me të! Eh, çfarë katili! Ja, ky ishte ballisti “shqiptar”! Një bishë me fytyrë njeriu! U marrshin të keqen bishave se, kur këlyshët u rrezikohen i kapin me dhëmbë dhe i shpëtojnë.

Skena ishte e tmerrshme! Unë tërhiqja djepin, ai e tërhiqte nga ana tjetër dhe erdhi një moment që nuk kisha më frikë! Bërtisja dhe ulërisja si e marrë! Nuk doja ta dija se isha midis gjermanëve e ballistëve të armatosur që, edhe mund të më vrisnin. Kur e pashë se po ma merrte, e mbulova me trup dhe ulërija. E ç’faj kish fëmija në djep, që do ta digjte? Vetëm se ishte nga Kutali bazë e luftës dhe se babai i tij bashkë me shokë luftonte për çlirimin e atdheut nga okupatori. Kjo përpjekje vazhdoi dy minuta. Me sa kuptova e bënte që të tregohej para gjermanit se ishte besnik i tyre. Po u shite, nuk je më vetja, por i të huajve.

Në këtë kohë ndodhi e pa ndodhura. Nuk më shkonte kurrë mëndja se do të ndodhte! Jo nga ballisti, që ish bashkëkrahinari jonë(!), “shqiptar”(!), por nga ushtari gjerman, i cili e kapi ballistin dhe e largoi! Sa u gëzova në atë moment!!! Nuk kish njeri më të lumtur se unë dhe sikur perëndia ishte me mua dhe me mua ish vërtet, deri sa shpëtuam!! Por edhe ushtari gjerman në ato çaste mu duk si perëndi, njeriu më i mirë, më i bukur dhe më i mrekullueshëm i botës! Ndërsa ballisti më dukej si një ujk i terbuar dhe kur fliste, sikur nxirrte zjarr për të na djegur. Dhëmbët e tij si të hienës! Ndërkohë më dukej gjigand që do na përpinte, here-herë mizë dheu ta shkelja me këmbë! Njeri që nuk i ngjante qënies njerëzore dhe kaluar nazifashistëve. Në fakt ishin më shumë se nazifashistët sepse, për të fituar besimin e tyre bënin krime të papara e të padëgjuara. Sa u shkëput ballist bisha, rrëmbeva djepin dhe u largova me shpejtësi e habitur nga dy qëndrimet”! – e pikëlluar mbaronte tregimin Vasilika. Shpesh herë, këtë ngjarje ja tregonte djalit që e shpëtoi dhe i thosh: – Jam e lumtur që të shpëtova! Sot je bërë goxha djalë… dhe duke qarë e fshirë lotët e përqafonte!

Këtë ballist-bishë e njohu edhe plaku 80 vjeçar Peçi Zhaka. Kish punuar në fshatin e tij dhe ju lut të ndërhynte te gjermanët për të mos ja djegur shtëpinë. Ballist Maksuti e rrëzoi për tokë dhe u lëshua vetë me urrën e zjarrit në dorë për nga hyrja. Plaku i mirë u ngrit i doli përpara dhe duke hapur këmbë e duar bllokoi hyrjen duke ju lutur! Maksuti e rrëmben prej rrobash, e tërheq zvarrë nëpër oborr e mbështeti te gardhi dhe e vrau, duke zbrazur jo një plumb, por pesë! Kjo për të mos e dekonspiruar, por, atë fytyrë e njohu Vasilika, pleqtë dhe plakat. Kur gjermanët u mblodhën për t’u larguar, ballisti pa një shtëpi që nuk ishte djegur, se plaka 100 vjeçare i kish hequr dyshekët nga trarët. Gjermanët e shifnin por nuk vepruan. Ky maskara, bashkë me ballistët e tjerë, kthehet, ndezin përsëri dyshekët me kashtë edhe pse i lutej e i bënte rixha plaka, meazallah, por e shtyu, e rrëzoi, hodhi dyshekët përsëri në trarë e pasi morën zjarr, u larguan.

U dogjën shumë fshatra, por asnjë si Kutali, ndaj është Borova e Përmetit. Kishte 51 shtëpi, të gjitha dykatëshe dhe vetëm tre shpëtuan.

E kuptoni kush ishin ballistët dhe a mundet kjo racë e poshtër (që për fatkeqësinë tonë ishin shqiptarë), të nderohen dhe rivlerësohen si patriotë, nacionalistë dhe aq më keq luftëtarë dhe martirë?!! Kurrë jo! U bashkuan me pushtuesit dhe u bënë më të poshtër se ata. Tradhëtuan jo vetëm atdheun e popullin e tyre, por edhe ju kundërvunë atyre që luftonin për çlirimin e atdheut dhe shpëtimin e botës – partizanëve dhe Koalicionit botëror.

Të tilla veprime skandaloze kanë ndodhur në të gjithë territorin e vendit, por çudia është se si mund të dekorohen ose të quhen martirë(!) kjo lloj fare e ndyrë, që për krime habitnin edhe vetë nazistët. Gjermani i huaj, i ardhur nga prapa diellit, kushedi se sa njerëz kish vrarë, të cilin udhëheqia e tij ja kish shpëlarë trurin dhe kthyer në egërsirë u prek nga momenti dhe nuk e la ballistin dmth “vëllaun” tonë(!), të hidhte fëmijën në zjarr. Mund të ish prind, lënë fëmijët diku në qytetet, fshatrat e Gjermanisë dhe malli për ta e detyroi. Skena që pa me fëmijën e pafajshëm, vrapimi e shqetësimi i natyrshëm i vajzës shqiptare, përleshja me ballistin dhe ulërimat e saj e zbutën nga bishë e bënë njeri; ndërsa ballisti që ishte “shqiptar e vëllai i jonë”, u bë bishë!

Zoti President, Balli ka vdekur që kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore. Vrasjen, varrimin, afishen e lajmërimit dhe nekrologjinë e bënë vetë me krimet e tradhëtinë e tyre dhe nuk mund të ngrihet më i vdekuri. Ky kapitull është mbyllur një herë e përgjithmonë dhe po u hap bie erë të keqe, qelb natyrën, siç po e qelb. Kush kërkon të ringrejë të vdekurin, e deklaron vetë veten të vdekur.

A ka patur gabime në luftë? Sa të duash, ndaj quhet luftë, por nuk mund të shpallen martirë. U bashkuan me tmerrin e botës dhe kundra botës antifashiste. Ishte merita e partizanëve që u rradhitën me Kualicionin ndaj shpëtoi atdheu nga copëtimi. Do ndodhte si me Rumaninë që konferenca e tre të mëdhenjve Çurçill – Stalin – Ruzvelt i shkëputi Moldavinë ose vetë Gjermanisë ju shkëputën pjesë të Prusisë. Po qe se ballistët që u rreshtuan me nazistët, do ishin forcë e vetme në atë luftë, vendi i jonë nuk do egzistonte. Planet ishin parapërgatitur për ta copëtuar dhe dhënë shteteve fqinjë me kufi Shkumbinin. Edhe ju nuk do ishit president, se vendin do ta drejtonin të tjerët. Këtë të mirë, do apo nuk do njeri e kemi nga partizanët dhe LANÇ, të cilët ditën ta mbronin edhe në Konferencën e Paqes në Paris. Kujtoni Luftën e Parë Botërore kur Konferenca e Londrës na copëtoi dhe kënaqi fituesit, më keq do të ndodhte përsëri. Kush lufton për mbrojtjen e popullit dhe të atdheut i takon titulli i lartë “Nderi i Kombit, dëshmor i atdheut ose martir” dhe atë e meritojnë partizanët, që u bashkuan me Koalicionin dhe çliruan vatanin. Është gabim i rëndë të bëjmë ngatërrime të tilla. Quajtja e ballistëve çlirimtarë, fitimtarë e nacionalistë(!) është provokim! Ata nuk duhen përmendur fare, se ishin dhe mbetën turpi i Shqipërisë!

Burimi: Dita

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA