Akuza e padrejtë e prokurorëve të Hagës dhe “fati” i krerëve të UÇK-së
Besoj se krerët e UÇK-së do të dënohen, jo sipas akuzës paraprake, por do të gjendet një akuzë më e butë
Ylli Përmeti
03/04/2023 - 14:15
Megjithëse nuk i kam hetuar faktet që zotërojnë prokurorët dhe besoj se gabime janë bërë gjatë luftës dhe për të njëjtën arsye e kam mbështetur krijimin e Gjykatës së Posaçme, akuzat e prokurorëve të Hagës ―“për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”― janë të padrejta nëse kemi parasysh përcaktimin e tyre nga e drejta ndërkombëtare: sipas saj, “krime lufte” quhen “krimet e ndërmarrë si pjesë e një plani ose politike ose si pjesë e një autorizimi të shkallës së madhe” ndërsa “krimi kundër njerëzimit” përfshin “një sulm të përhapur ose sistematik kundër popullatës qytetare, në dijeni të sulmit”.
Krimet e luftës përfshijnë “planin dhe/ose politikën” ndërsa krimet kundër njerëzimit përfshijnë “një sulm” ose një veprim kundër qytetarëve. Në fjalë të tjera, krimet e parë përfshijnë mendjen (sepse plani apo politika qëndrojnë në mendje) ndërsa krimet e dytë përfshijnë veprimin (sulmin). Si të tillë, ato krime janë të ndërvarur dhe kjo është ndoshta arsyeja se pse prokurorët kanë ngritur atë lloj akuze.
Ndërsa përcaktimi i të drejtës ndërkombëtare përputhet me agresionin e Beogradit ndaj shqiptarëve të Kosovës, akuza nuk mbështetet as në faktet konkrete: sipas raporteve, prokuroria do të paraqesë rreth 312 dëshimtarë gjatë dy viteve të ardhshëm për të vërtetuar akuzën e saj. Por nëse i hedhim një sy viktimave ―ata janë rreth 100, serbë, shqiptarë dhe romë― kuptohet se shifra nuk përputhet me përcaktimin e të drejtës ndërkombëtare: “shkallën e madhe” dhe “sulm sistematik”.
Por kur e shoh gjykimin e tyre nga një këndvështrim gjeopolitik ose nga synimet gjeopolitike amerikane në rajon, me kryesorin, integrimin e Serbisë në “rendin” që ata diktojnë, besoj se krerët e UÇK-së do të dënohen, jo sipas akuzës paraprake, por do të gjendet një akuzë më e butë.
Dënimi i tyre do të përdoret për të zbutur zemëratën ose ndjenjën armiqësore të shumicës së popullit serb ndaj perëndimit dhe për ta bërë më të lehtë integrimin e Serbisë në “rendin” në fjalë. Në këtë kuptim, krerët e UÇK-së do të “sakrifikohen” kryesisht për qëllimet gjeopolitike të Uashingtonit se sa për veprat penale për të cilat ata akuzohen. Por kjo përpjekje nuk do të thotë se amerikanët dhe evropianët do të realizojnë qëllimin e tyre: të zbusin armiqësinë e popullit serb dhe të integrojnë Serbinë në “botën” e tyre.
Ndjenja armiqësore e serbëve nuk lidhet vetëm me ndërhyrjen e NATO-s por dhe me fakte të tjerë historikë, me më kryesorin, rolin e perëndimit në shpërbërjen e Jugosllavisë: sepse me shpërbërjen e saj serbët humbën privilegjin që gëzonin brenda federatës dhe shtetet që shfrytëzonin. Ndjenja e tyre, armiqësore, ushqehet dhe nga fakte të tjerë historikë, ndërsa përballet me përpjekjen perëndimore për të dëmtuar Rusinë, ndaj të cilës ata ushqejnë ndjenja të mira, jo vetëm për shkak të fesë apo besimit të njëjtë, por krysisht sepse përmes fuqisë se saj ata ndihen më të sigurtë krahasuar me fuqitë perëndimore.
Kështu perëndimi do të “sakrifikojë” krerët e UÇK-së por pa asnjë gjasë për të zbutur armiqësinë e popullit serb; përkundrazi, ai do të armiqësojë dhe popullin shqiptar, dhe më shumë, popullin e Kosovës.
Ndaj do të ishte e dobishme për perëndimin që krerët e UÇK-së të mos dënohen për qëllime gjeopolitike por t`i përmbahet të drejtës ndërkombëtare, sipas së cilës ata mund të dënohen, jo për akuzat që kanë ngritur prokurorët por për akuza më të vogla, të karakterit ‘mbrojtës’ ―ato që quajmë ‘gabime lufte’. Nëse ata dënohen kështu, ata me siguri do të dalin faqebardhë në fund të gjykimit dyvjeçar; madje mund edhe të dëmshpërblehen për mbajtjen e gjatë të tyre në paraburgim.
Për të dalë faqebardhë krerët e UÇK-së dhe avokatët e tyre duhet të përdorin të drejtën ndërkombëtare në gjykatë dhe nëse dënohen për arsye gjeopolitike, ta denoncojnë atë pa ngurrim.
Protesta gjithëkombëtare përpara vendimit të gjykatës dhe kundërshtitë kotiste të VV dhe Ramës
Dy muaj përpara se gjykata e posaçme të shpallte vendimin për krerët e UÇK-së, veteranët e saj organizuan një protestë gjithëkombëtare në Tiranë dhe kërkuan lirimin e tyre. Protesta u shfrytëzua nga pushtetet politike në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, por sidomos nga të parët. Rama dhe Vetëvendosja madje patën një “përplajse” përpara protestës.
Vetëvendosja shprehu mbështetjen për protestën por shtoi se “para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën (…). Një shembull i qartë është vet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”.
Rama iu përgjigj asaj duke thënë se nuk është në garë me të dhe se i vjen keq që ajo “po i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë, me balotazhe komunale”, duke shtuar se nëse “flasim për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës (…) e jo më pafajësinë Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng (…) Presidentin e Republikës së Kosovës”.
Kështu, në dy qendrime, të shkaktuara këtë herë nga Kurti, tregohen tre padrejtësi nga palët, domethënë, Vetëvendosja akuzon Ramën me mosmbështetjen e krijimit të gjykatës ndërsa Rama akuzon VV se ajo nuk njihte himnin e Kosoves dhjetë vjet më parë dhe shton akuzën tjetër se gjykata përkatëse i ka marrë peng krerët e Kosovës dhe nuk po i gjykon ata.
Por mosmbështetja e gjykimit të tyre nuk do të shuante dyshimet e ngritura nga shumë raporte ndërkombëtare, sidomos ajo lidhur me tregtinë e organeve njerëzore, çka do të thotë se VV është gabim, ndërsa mosnjohja e himnit të Kosovës e nderon VV dhe shnderon Ramën, meqënse kërkon nga ajo të nderojë një himn që minon të ardhmen tonë kombëtare, ndërsa gjykimi` tij se krerët e UÇK-së janë marrë “peng” është i gabuar, sepse hetimet kërkojnë kohë, veçanërisht kur bëhet fjalë për hetime me karakter ndërkombëtar (mesatarisht 18 muaj).
Unë e kam mbështetur krijimin e gjykatës përkatëse pikërisht për të shuar dyshimet që ngriti si fillim Karla del Ponte në librin e saj dhe më pas prokurori Dik Marti, se ata kishin kryer “tregti organesh”—një pretendim që mbështetet dhe nga një raport i OKB-së, i vitit 2011, bazuar në një raport të paplotë të UNMIK-ut, misioni OKB-së në Kosovë. Ai pretendon se gjatë viteve 1999-2000, menjëherë pas luftës, pati tregti organesh nga krerët e UÇK-së.
Viktimat e hamendësuara ishin kryesisht burra serbë, por përfshinin edhe gra të reja nga vende të tjera të Evropës Lindore, të cilët u çuan në qendra paraburgimi klandestine dhe shtëpi private në Shqipëri, ku u nxorën organet jetësore, duke çuar në vdekjen e tyre, thuhet në raport. Dokumenti i klasifikuar përshkruan gjithashtu raste të torturës, ekzekutimit dhe varrimit të serbëve si hakmarrje për krimet e kryera kundër shqiptarëve etnikë.
Por që të vërtetohen ato pretendime të raporteve në gjykatë duhen prova. Deri tani s`kemi parë prova bindëse dhe besoj s`do të ketë. Ndaj dhe besoj se krerët e UÇK-së do të dënohen për gabime se sa për krime.
Vendimi dhe dënimi
Më 16 shtator gjykata i dënoi ata por jo të gjithë njësoj dhe jo për gjithçka kërkoi prokuroria: ajo përjashtoi krimet kundër njerëzimit dhe pranoi akuzën për “krime lufte”. Përpara vendimit pati mbledhje përkrahësisht në Prishtinë me kushtrimin se “Liria ka emër”.
Parë nga çka shqyrtova në pjesën e parë, vendimi i gjykatës bie në kundërshti me përcaktimin e të drejtës ndërkombëtare lidhur me “krimet e luftës” dhe “krim kundër njerëzimit”. Si i tillë, vendimi është i padrejtë. Vendimin e quajtën të padrejtë —madje disa dhe të turpshëm— krerët e shteteve në Tiranë dhe Prishtinë por pa e lidhur atë me përcaktimin e të drejtës ndërkombëtare. Hamendësisht, sepse as lexojnë e as pyesin që të mësojnë.
Avokati mbrojtës e quajti vendimin të “paracaktuar” (por pa thënë se nga kush), sepse, sipas tij, gjykata “shpërfilli plotësisht mbrojtjen” dhe ftoi pushtetet politike (Departamentin e Shtetit dhe NATO-n) ta shqyrtojnë me kujdes atë, sepse, sipas tij, dënimi nuk quan vetëm UÇK-në “ndërmarrje kriminale” por dhe NATO-n meqënse ajo bashkëpunoi me të.
Megjithatë, Departanmenti i Shtetit kërkoi nga palët të “respektonin” vendimin dhe as e që e përmendi mundësinë e ankimimit, duke vërtetuar dhe parashikimin tim të bërë në vitin 2023: se krerët do të dënoheshin jo për pretendimet e prokurorëve por për qëllimin e SHBA-së…
Strategjia e mbrojtjes
Mbrojtja e Hashim Thaçit u përqendrua kryesisht tek përgjegjësia e tij vetjake dhe pushteti i tij brenda UÇK-së. Ajo u mbështet fort tek dëshmitë e figurave të larta ndërkombëtare e politike, përfshirë Wesley Clark, Christopher Hill dhe James Rubin, për të treguar se Thaçi nuk ishte ai që ushtronte mbikëqyrjen mbi zonat e ndryshme të UÇK-së. Krahas kësaj, mbrojtja tha se prokuroria nuk kishte provuar se ai kishte urdhëruar, kryer apo mbikëqyrur vetë krimet e pretenduara, në vend të vendoste në qendër të mbrojtjes vetë përkufizimin dhe ngrehinën juridike të krimeve ndërkombëtare të pretenduara. Kjo strategji nuk është vetëm e pjesshme por është kryesisht e padrejtë, sidomos për njëri të drejtësisë, i cili e nis punën e tij gjithnjë nga përcaktimet ligjore.
Vërejtjet e mija dhe strategjia
Mbrojtja, sipas meje, duhej ta kishte nisur nga përkufizimet e krimeve ndërkombëtare në të drejtën ndërkombëtare. Prokuroria ngriti akuza si për krime lufte, ashtu edhe për krime kundër njerëzimit, të mbështetura mbi të njëjtën sjellje të pretenduar; prandaj, duhej shqyrtuar që në fillim lidhja ndërmjet planit ose politikës së pretenduar dhe veprimeve konkrete që pretendohej se e kishin zbatuar atë. Për krimet kundër njerëzimit, prokuroria duhej të provonte qënien e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër një popullsie qytetare; ndërsa për krimet e luftës duhej të provonte të gjitha kushtet juridike që i bëjnë veprimet e pretenduara krime lufte dhe jo thjesht vepra penale të zakonshme.
Meqë gjykata tani e ka rrëzuar akuzën për krime kundër njerëzimit për mungesë prove të njërës prej anëve thelbësore, mbrojtja duhej ta kishte vendosur këtë çështje juridike në qendër të vëmendjes dhe më pas të testonte çdo provë të prokurorisë kundrejt përkufizimeve të ligjit. Në vend të kësaj, ajo u përqendrua kryesisht tek dëshmitarët, figurat politike e ushtarake dhe mungesa e pretenduar e mbikëqyrjes së veprimeve ushtarake të Thaçit. Sipas meje, kjo e përmbysi rendin e një mbrojtjeje juridike: sepse së pari përcaktohet se çfarë kërkon ligji, pastaj shqyrtohet nëse provat e prokurorisë e plotësojnë atë kërkesë. Nga vërejtjet e mija kuptohet se cila duhet të jetë strategjia e radhës në gjykatën e ankimimit.
Kjo shqyrtesë e nisur si kryengjarje (editorial) është përditësuar më 17 shtator 2026
Për një histori se si u krijua Gjykata e Posaçme dhe kush qendron pas saj, lexo:
The EU-engineered hybrid and international specialist court in Kosovo: How ‘special’ is it?
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 113 reads



