...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjashtë mashtrimet historike të Gjermanisë me Rusinë për Mercin nga profesori amerikan

Ditët e fundit kanë sjellë një përshpejtim të rrezikshëm që duhet të përqendrojë mendjen e çdo evropiani

Xhefri Sahs (Berliner Zeitung)

30/05/2026 - 12:29

Kjo letër e hapur e profesorit amerikan Jeffrey Sachs drejtuar kancelarit gjerman, Friedrich Merz, tregon se kancelari gjerman po e shtyn Evropën drejt një përshkallëzimi të rrezikshëm me mosveprimet e tij, ndërsa rendit gjashtë mashtrimet e mëdha historike të politikës gjermane ndaj Rusisë gjatë tre dekadave të fundit. Sachs tregon se Berlini ka ndjekur politika që kanë dëmtuar dobitë ekonomike dhe strategjike të Gjermanisë dhe që, sipas tij, mund të sjellin pasoja edhe më të rënda në të ardhmen. Në fund të letrës, ai i drejton një thirrje të drejtpërdrejtë kancelarit për rikthimin e diplomacisë, bisedimeve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë.

Kancelar Merc,

Kur ju shkrova një letër të hapur gjashtë muaj më parë, ju bëra thirrje që Gjermania të ndiqte rrugën e diplomacisë me Rusinë dhe jo normalizimin e luftës. Gjashtë muaj më pas, gjendja në Evropë është shumë më e rëndë. Evropa dhe Rusia po rrëshqasin drejt një lufte të hapur; dhe në këtë rrëshqitje, kancelar, përgjegjësia juaj është e veçantë. Asnjë udhëheqës tjetër evropian — as në Paris, as në Varshavë, as në Romë — nuk mban vendin që mban Gjermania dhe as fuqinë që mbani ju personalisht për ta ndërprerë këtë rrënim. A do të përpiqeni për paqe?

Ju vetë, bashkë me kryeministren Meloni dhe presidentin Makron, bëtë thirrje në janar 2026 që Evropa të rifillonte marrëdhëniet me Rusinë dhe e përshkruat Rusinë si “një vend evropian”. Megjithatë, nuk ndoqët rrugën e diplomacisë. Me të ardhmen e Evropës në lojë, kjo është një heqje dorë e jashtëzakonshme nga udhëheqja. A keni zhvilluar ju, gjatë muajve si kancelar, qoftë edhe një bisedë thelbësore me presidentin Putin? A ka zhvilluar ministri juaj i jashtëm qoftë edhe një bisedë të tillë me ministrin Sergej Lavrov? Biseda të vërteta, të llojit që i dhanë fund Luftës së Ftohtë. Përgjigjja, aq sa tregon regjistri publik, është jo. Asnjëherë. Dhe jo sepse mungonte ndjesia e urgjencës.

Ditët e fundit kanë sjellë një përshpejtim të rrezikshëm që duhet të përqendrojë mendjen e çdo evropiani. Të dy kryeqytetet tani ndodhen nën sulme të vazhdueshme: dronë ukrainas me rreze të gjatë kanë goditur thellë në Moskë, përfshirë edhe zona qytetare; ndërsa goditjet ruse me raketa dhe dronë mbi Kiev janë shtuar ndjeshëm. Dronët ukrainas kanë hyrë edhe në hapësirën ajrore të shteteve baltike, duke ngritur menjëherë rrezikun e një ngjarjeje që mund ta fusë drejtpërdrejt Evropën në luftë.

Një goditje e tmerrshme ukrainase mbi një shkollë në Lugansk ka gërryer edhe atë pak vetëpërmbajtje që kishte mbetur. Dhe më 25 maj, ministri i jashtëm Sergej Lavrov, duke vepruar me udhëzim të presidentit Putin, e njoftoi zyrtarisht sekretarin amerikan të shtetit se Forcat e Armatosura Ruse kanë nisur “goditje sistematike dhe të vazhdueshme” mbi ndërtesa dhe qendra vendimmarrëse në Kiev, ndërsa Ministria e Jashtme ruse këshilloi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që “të sigurojnë largimin e personelit diplomatik dhe qytetarëve të tyre nga kryeqyteti i Ukrainës”. Ky kumt është hyrja e një përshkallëzimi të madh. Diplomacia është më urgjente se kurrë.

Mënyra për ta mbrojtur Ukrainën nuk është vazhdimi i therjes, por paqja mbi kushte të pranueshme për të gjitha palët.

Në vend të kësaj, po përballemi me përshkallëzim, me më shumë vdekje, më shumë shkatërrim dhe me mundësinë reale që lufta të zgjerohet përtej Ukrainës. Duke bërë thirrje për gjithnjë e më shumë armë, për aftësi gjithnjë e më të mëdha lufte dhe për demonstrime gjithnjë e më të zhurmshme të “vendosmërisë”, si dhe duke sinjalizuar se Gjermania po përgatitet për luftë në vend që të punojë për t’i dhënë fund asaj, ju keni lejuar që Berlini të bëhet nxitës dhe jo frenues i një lufte mbarëevropiane.

Përgjegjësia historike e Gjermanisë

Gjermania mban një përgjegjësi të thellë për gjendjen me të cilën po përballet tani. Para se politika gjermane të rikthehet drejt paqes, bilanci i saj ndaj Rusisë duhet të përballet me ndershmëri. Më poshtë po paraqes gjashtë dështime të rëndësishme të politikës së jashtme gjermane ndaj Rusisë që prej ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990.

Së pari — Traktati “2+4” dhe zgjerimi i NATO-s drejt lindjes. Më 12 shtator 1990, në Moskë, Gjermania nënshkroi Traktatin për Zgjidhjen Përfundimtare në lidhje me Gjermaninë — “Traktatin 2+4” — që përmbylli ribashkimin gjerman. Ky traktat u bë i mundur sepse Mihail Gorbaçovit iu dhanë garanci solemne nga Hans-Ditrih Gençer, Helmut Kol dhe Xhejms Bejker, si dhe nga udhëheqës të tjerë perëndimorë, se NATO nuk do të lëvizte drejt lindjes. Regjistri tashmë i zbuluar — përfshirë memorandumet publike të Arkivit Kombëtar të Sigurisë tek Universiteti Xhorxh Uashington — është i qartë: këto garanci u dhanë dhe në atë kohë synonin të shtriheshin përtej territorit të ish-RDGJ-së, edhe në Evropën Lindore. Këto garanci u ripohuan gjatë viteve 1990 dhe 1991.

Traktati “2+4” kufizon vendosjen e trupave të NATO-s në territorin e ish-RDGJ-së dhe rikujton parimet e Aktit Përfundimtar të Helsinkit, i cili thekson se siguria e një vendi nuk duhet të ndërtohet në kurriz të sigurisë së një tjetri. A beson vallë ndonjë njeri i matur se Bashkimi Sovjetik shqetësohej vetëm për trupat perëndimore në territorin e ish-RDGJ-së, por ishte shpërnjohës ndaj ushtrive të NATO-s në Varshavë, Vilnius apo Kiev? Natyrisht që jo. Çështja e zgjerimit të NATO-s u shqyrtua në hollësi dhe Gjermania dha garanci të qarta për moszgjerim drejt lindjes ndaj udhëheqjes sovjetike — garanci që më pas u shkelën. Gjermania ishte përfituesja kryesore e këtyre garancive, të cilat qenë këmbimi për ribashkimin gjerman. Megjithatë, që në vitin 1993, udhëheqësit gjermanë nisën të mbështesnin shkeljen e tyre.

Së dyti — dëshmia e vetë Angela Merkelit. Në kujtimet e saj, Angela Merkel shkruan me çiltëri të habitshme se e kuptonte që në mbledhjen e Bukureshtit të vitit 2008 se ftesa për Ukrainën dhe Gjeorgjinë në NATO do të ishte e barasvlershme me një shpallje lufte ndaj Rusisë. Ajo e njihte vijën e kuqe të Rusisë. Megjithatë, iu nënshtrua trysnisë amerikane dhe pranoi formulimin se Ukraina dhe Gjeorgjia “do të bëhen” anëtare të NATO-s. Ajo fjali e vetme vuri në lëvizje rrënimet e viteve 2014 dhe 2022. Çiltëria i saj i mëvonshme është një dhuratë për pasardhësit: ajo ju ka treguar qartë se çfarë kuptohej atëherë. Gjermania nuk duhet të shtiret sikur nuk e di këtë.

Së treti — tradhtia ndaj marrëveshjes së 21 shkurtit 2014. Më 21 shkurt 2014, në Kiev, ministri i atëhershëm i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer, bashkë me homologët polakë dhe francezë, ndërmjetësuan një marrëveshje mes presidentit Janukoviç dhe kundërshtisë (opozitës). Marrëveshja parashikonte rikthimin tek kushtetuta e vitit 2004, formimin e një qeverie të unitetit kombëtar dhe zgjedhje të parakohshme presidenciale. Presidenti Putin ishte njoftuar; marrëveshja ishte vërtetuar. Ishte një arritje e rëndësishme diplomatike në kushte dhune të skajshme. Megjithatë, brenda njëzetë e katër orëve Janukoviçi u rrëzua me forcë përmes një grushti të dhunshëm. Gjermania nuk këmbënguli në marrëveshjen që vetë kishte garantuar. Përkundrazi, duke ndjekur vijën amerikane, mbështeti qeverinë e re sikur marrëveshja të mos kishte ekzistuar kurrë. Ky vendim e bindi Moskën se nënshkrimeve perëndimore nuk mund t’u besohej.

Së katërti — Minsk II. Në shkurt 2015, kancelarja Merkel arriti një marrëveshje të quajtur Marrëveshjen Minsk II në formatin e Normandisë dhe premtoi mbështetje politike gjermane përmes Deklaratës së Mbështetjes të miratuar në Minsk më 12 shkurt 2015. Për shtatë vite, pika kryesore politike — autonomia për rajonet e Donbasit brenda një Ukraine sovrane — nuk u zbatua kurrë nga Kievi. Gjermania nuk ushtroi trysni ndaj Kievit për zbatimin e autonomisë që vetë kishte mbështetur — dhe Merkel më pas pranoi se marrëveshja ishte përdorur si fitim kohe për të lejuar Ukrainën të riarmatosej. Të njëjtën gjë tha edhe Fransua Holand. Garancia, me fjalë të tjera, nuk ishte garanci. Ishte një manovër — edhe një herë nën shtysën e Uashingtonit. Edhe një herë, kumti për Moskën ishte se nënshkrimeve perëndimore nuk mund t’u besohej.

Së pesti — Nord Stream. Më 7 shkurt 2022, në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Bajden njoftoi — me kancelarin Olaf Sholc pranë tij — se “nëse Rusia pushton… Nord Stream 2 nuk do të jetë më. Ne do t’i japim fund.” Kur u pyet se si, ai u përgjigj: “Ju premtoj se do të jemi në gjendje ta bëjmë.” Tubacionet u shkatërruan shtatë muaj më vonë në një akt sabotimi në Detin Baltik. Dëshmitë e deritanishme — hetimet gazetareske në SHBA dhe Gjermani, gjurmët e ndjekura nga prokuroria federale gjermane dhe qëndrimet publike të ish-zyrtarëve — tregojnë fuqishëm drejt një veprimi të përbashkët ukrainaso-amerikan. Qeveria gjermane e di prej kohësh këtë. Megjithatë, Gjermania ka lejuar që faji publik t’i hidhet Rusisë, në kundërshtim me dëshmitë, ndërsa një akt sabotimi industrial kundër ekonomisë gjermane ka mbetur pa ndëshkim dhe pa përgjigje.

Së gjashti — marrëveshja e Stambollit në prill 2022. Vetëm disa javë pas pushtimit rus të shkurtit 2022, biseduesit rusë dhe ukrainas u afruan në Stamboll drejt kushteve të një marrëveshjeje paqeje: asnjanësimi i Ukrainës jashtë NATO-s, garanci shumëpalëshe sigurie, kufizime të pajtuara trupash dhe zgjidhje politike të çështjeve të Donbasit dhe Krimesë me kalimin e kohës. Marrëveshja ishte pranë nënshkrimit. Ish-kryeministri izraelit Naftali Benet, një nga ndërmjetësit, e ka vërtetuar publikisht se marrëveshja ishte afër dhe se Perëndimi — veçanërisht SHBA-ja dhe Britania — lëvizën për ta ndaluar. Vizita e Boris Xhonsonit në Kiev në prill 2022 për t’i kërkuar Ukrainës të mos nënshkruante është pjesë e regjistrit publik. Qindra mijëra jetë ukrainase dhe ruse, si dhe vetë rendi evropian, kanë paguar çmimin e asaj ndërhyrjeje anglo-amerikane. Gjermania nuk e ngriti zërin për këtë — edhe pse ajo ka mbartur më shumë se çdo shtet tjetër evropian pasojat ekonomike.

Vetëshkatërrimi ekonomik i Gjermanisë

Shqetësimi juaj i parë duhet të jetë paqja. Kumpti i djeshëm nga Moska tregon sa vonë është ora. Por pranë kësaj po zhvillohet një katastrofë e dytë: shkatërrimi i qëllimshëm i ekonomisë gjermane, me Berlinin njëkohësisht si autor dhe viktimë.

Ekonomia industriale e Gjermanisë është ndërtuar mbi tregtinë me Rusinë. Shkatërrimi i Nord Stream dhe ndërprerja e marrëdhënieve tregtare me Rusinë e kanë detyruar Gjermaninë të blejë gaz natyror nga Shtetet e Bashkuara me çmime disa herë më të larta se gazi rus me tubacion që u zëvendësua. Kjo është vetëshkatërrim industrial. Sektori kimik, ai i çelikut, industria e qelqit dhe prodhuesit me energji-të-dendur — themelet e Mittelstand-it — po humbin garën ndërkombëtare. Vendet e punës të kualifikuara po largohen nga ekonomia gjermane dhe po ndodh një zhvendosje e madhe i pasurisë kombëtare nga Gjermania drejt prodhuesve amerikanë të gazit, në një shkallë të pashembullt në Evropën e pasluftës.

Për më tepër, qeveria gjermane po përfshihet në një rritje të madhe të shpenzimeve të mbrojtjes — qindra miliarda euro gjatë dekadës së ardhshme — për t’u përgatitur për një luftë që diplomacia mund ta parandalojë lehtësisht. Kjo përbën një shpërndarje të gabuar të burimeve kombëtare. Sfida themelore e Gjermanisë në këtë dekadë është konkurrueshmëria në epokën digjitale. Çdo euro e shpenzuar për tanke, raketa dhe artileri është një euro më pak për inteligjencën artificiale, hartimin dhe prodhimin e çipave, rrjetin energjetik dhe rrjetet elektronike me shpejtësi të lartë që Gjermania ka nevojë për të mbetur një ekonomi botërore e nivelit të lartë.

Realiteti i ashpër është se nuk ka siguri që mund të blihet me këto armë që diplomacia nuk mund ta sigurojë me një kosto shumë më të ulët, dhe nuk ka mirëqenie pa investimet eletronike dhe energjetike që kjo rritje ushtarake po i zëvendëson.

Thirrja

Kancelar Merz, më shumë se çdo udhëheqës tjetër evropian, çështja nëse Evropa do të rrëshqasë në një luftë të përgjithshme apo do të kthehet tek bisedimet dhe racionaliteti ekonomik varet nga ju. Ora është shumë vonë. Kumti i djeshëm nga Moska drejtuar Uashingtonit e thotë këtë në mënyrë të qartë. Ju lutem hapni një dialog me Presidentin Putin. Ju lutem dërgoni ministrin tuaj të jashtëm në Moskë ose ftoni ministrin e Jashtëm të Rusisë në Berlin. Ju lutem rivendosni në veprim kanalet e OSBE-së, të cilat Gjermania i ka lënë të zbehen. Ju lutem i thoni Kievit të ndalojë goditjet ndaj ndërtesave qytetare. Më e rëndësishmja, i thoni popullit gjerman të vërtetën: se një paqe e arritur përmes bisedimeve mbi bazën e asnjanësisë së Ukrainës është rruga e vërtetë për të dalë nga katastrofa dhe se rikthimi i një marrëdhënieje normale ekonomike me Rusinë është rruga e vërtetë për të ndalur rënien industriale të Gjermanisë.

Kushtet e një marrëveshjeje të pranueshme që Gjermania mund të parashtrojë janë të qarta. Luftimet do të ndaleshin në një vijë armëpushimi.

Të gjitha palët do të hiqnin dorë nga përdorimi i ardhshëm i forcës për çështjet e kufijve. Ukraina do të rikthente asnjanësinë e saj dhe NATO do të hiqte dorë përfundimisht nga zgjerimi i mëtejshëm drejt lindjes. Evropa dhe Rusia do të rivendosnin marrëdhëniet ekonomike dhe do t’i jepnin fund përshkallëzimit ushtarak. OSBE do të bëhej sërish forumi qendror i sigurisë evropiane, mbi parimin se siguria evropiane është e pandashme dhe jo e ndërtuar mbi blloqe ushtarake që e ndajnë kontinentin. Paralelisht, Gjermania do të ridrejtonte burimet e saj kombëtare drejt investimeve elektronike, aftësisë artificiale, gjysmëpërçuesve dhe energjisë që kërkon e ardhmja e saj ekonomike.

Historia do të regjistrojë atë që do të bëni në javët që vijnë, dhe atë që nuk do të bëni. Po ashtu edhe pupulli gjerman. Po ashtu edhe popujt e Rusisë, Ukrainës dhe Evropës në përgjithësi. Është koha për diplomaci, Kancelar. Zgjedhja është e juaja.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA