Pse Putini kufizon veprimtarinë politike të opozitës në Rusi?
Kufizimi i veprimtarisë politike të opozitës nga Putini lidhet me rolin e opozitës për të minuar orientimin tërësor politiko-ekonomik të Rusisë dhe me ligjet në fuqi: sepse ligjet në fuqi lejojnë vetëm protesta me leje dhe ‘jo të dhunshme’.
SHJ
03/05/2017 - 15:22
Protestat e opozitës ruse kanë karakter ‘simptomatik’. Domethënë, protestohet kundër simptomave të sistemit (korrupsion etj.) dhe jo kundër shkaqeve që shkakton sistemi.
Protestat e fundit u nxitën nga Mihail Kodorovki, një ish-oligark i syrgjynosur dhe tre grupe jo-qeveritare të lidhura me të: “Fondacioni i Rusisë së Hapur”, “Instituti i Rusisë Moderne” dhe lëvizja e “Rusisë së Hapur”, të cilët u deklaruan nga autoritetet ruse si të padëshirueshme një muaj pas protestave masive përgjatë më shumë se 80 qyteteve. “Të treja këto organizata përparojnë programe dhe projekte në territorin e Federatës ruse që synojnë të diskretitojnë rezultatet e zgjedhjeve në Rusi dhe t’i deklarojnë ato të paligjshme. Organizatat në fjalë kanë frymëzuar protestat dhe destabilizmin e gjendjes së brendshme politike, dhe kërcënojnë themelet e rendit kushtetues të Federatës Ruse dhe sigurinë e shtetit”, citoi prokurori rus.
Praktikisht, protestat u nxitën nga Aleksej Navalni, kryetari i opozitës, i cili qarkulloi një video në internet ku akuzoi Dmitri Medvedevin, kryeministrin rus, për përqendrim korruptues të “dahave” (shtëpi ruse fshati) luksoze dhe vreshtarive — pretendime që u hodhën poshtë nga Medvedevi dhe të tjerë që implikohen në video. Grupet përkatëse kërkuan nga Putini —me një letër— të mos kandidojë në zgjedhjet presidenciale vitin tjetër.
Kodorovski dhe fondacionet përkatëse kanë bashkëpunuar ngushtë me Sorosin. Ky i fundit, nuk ngurroi të merrte pjesë në një konferencë të përbashkët me Klubin e “Rusisë së Hapur” dhe “Shoqërisë së Hapur” dhe të tregonte bashkëpunimin e tij me Kodorovskin dhe përfshirjen e tij në “demokratizimin” e Rusisë.
Qartësisht, kërkohet të minohet rezistenca ruse (e Putinit) kundrejt rendit të ri botëror të globalizmit neoliberal me protesta që luftojnë simptomat e sistemit dhe jo shkaqet që shkakton sistemi!
Kufizimi i veprimtarisë politike të opozitës, rrjedhimisht, nga Putini, lidhet me rolin e opozitës për të minuar orientimin tërësor politiko-ekonomik të Rusisë dhe me ligjet në fuqi: sepse ligjet në fuqi lejojnë vetëm protesta me leje dhe ‘jo të dhunshme’.
Shkëputur nga studimi:
Superfuqitë ushtarake dhe mundësitë e shpërthimit të një lufte botërore*
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 113 reads



