...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Belgjika ndaloi masakrën për “kosherin” dhe “hallallin” në territorin e saj më të madh

SHJ

09/05/2017 - 08:45

Parlamenti i rajonit “Wallooon” në Belgjikë ndaloi me votim unanim masakrimin e kafshëve patrullosje paraprake nga thertoret që furnizojnë me mish komunitetet fetare hebraike dhe muslimane për ‘kosher’ dhe ‘hallall’. Ritualet e ‘kosherit’ hebraik dhe ‘hallallit’ islamik kërkojnë nga kasapi të therë kafshën duke i prerë fytin dhe kulluar gjakun (një ritual që përdoret në Shqipëri gjithashtu), pa trullosje paraprake, por që dënohet me të drejtë nga zoofilët, të cilët argumentojnë se është më njerëzore ta trullosësh kafshën përpara se ta vrasësh. Kjo qasje është adoptuar dhe nga rajoni i Flemishit në Belgjikë. Kongresi Europian Hebraik (KEH) dënoi vendimin si fyerjen më të madhe të të drejtave fetare hebraike në Belgjikë që nga koha e pushtimit nazist të vendit në luftën e dytë botërore, duke e quajtur “skandal”. Siç duket, kongresi në fjalë, nuk bën dot dallimin mes një rituali barbar dhe sigurisht të padëshirueshëm, me vetë komunitetin:

“Ky vendim, në zemër të Europës Perëndimore dhe qendra e Bashkimit Europian, dërgon një mesazh të tmerrshëm në komunitetet hebraike përgjatë kontinentit tonë se Hebraikët janë të padëshirueshëm...dhe se ai godet zemrën e kulturës sonë dhe praktikën fetare dhe statusin tonë si qytetarë të barabartë e të drejta të barabarta në një shoqëri demokratike. Ai ndihmon antisemitët dhe intolerantët e besimit të komunitetit tonë”, citoi presidenti i KEH-së, Moshe Kantor!

Njëlloj u shqetësuan dhe muslimanët për ushqimin e tyre të dëshiruar, hallallin!

Danimarka, Zvicra dhe Zelanda e Re tashmë e ndalojnë therjen patrullosje.

Praktikën e ‘trullosjes’ paraprake të kafshës e kishin adoptuar deri diku veterinerët e socializmit në Shqipëri. Por pas shkatërrimit të shkencës së organizuar të vendit tonë thertoret janë të lira të veprojnë si të duan me kafshët: ato masakrohen si asnjë herë më parë dhe asnjë pushtet juridik nuk ndërhyn. Shpesh shikon blektorë të ndryshëm të shesin qingja dhe keca për mish dhe mënyra se si i lidhin dhe transportojnë është tejet e dhimbshme. Blegërimat që burojnë nga dhimbjet nuk ndalojnë asnjë sjellje barbare. Njëlloj veprohet me lopët dhe gjedhë të tjerë: masakrohen në stalla dhe shfrytëzohen barbarisht. Siç tregon Monbiot në këto praktika nuk ndryshojnë shumë perëndimorët. Shteti i barbarëve në veprim...

Një tjetër masakër zhvillohet me kafshët e egra jo vetëm për shkak të keqedukimit të njerëzve por edhe për shkak të keqligjësimit (megjithëse keqligjësimi buron nga keqedukimi). Presidenti amerikan, për shembull, në respekt të premtimit të tij parazgjedhor —se do të lejonte pronësinë e armëve mes amerikanëve— përkundër përpjekjes së Obamës për ta kufizuar, dhe që dështoi dhimbshëm, deklaroi se do të lejonte amerikanët të “vetë-mbroheshin” duke i ndihmuar të armatosen dhe kështu, të jenë lirë gjuetarët të masakrojnë kafshët e egra...duke e konsideruar “sport në natyrë” dhe duke e ilustruar me dashurinë e bijëve të tij se “ata dashurojnë jetën në natyrë”. Domethënë, përdorimin e armëve për të vrarë kafshët e egra!

Ky qendrim buron nga keqedukimi i njerëzve: sepse kënaqja me dhimbjen e kafshëve të tjera të natyrës sonë të bukur nuk përputhet absolutisht me natyrën dhe rolin e njeriut në jetën e planetit tonë: se ne duhet ta ruajmë dhe mbrojmë jetën që na rrethon dhe jo të kënaqemi me dhimbjen që shkaktojmë mbi kafshët e tjera kur dihet se njeriu që kënaqet me dhimbjen e një kafshe tjetër, jo vetëm që quhet sadist dhe i sëmurë, nga një këndvështrim mjekësor, por ai, pikërisht sepse kënaqet me dhimbjen e kafshëve të tjera, do të kënaqet edhe me dhimbjen e një njeriu tjetër! Nga këndvështrimi psikologjik dhe juridik, rrjedhimisht, ky lloj njeriu është i rrezikshëm dhe duhet ose të edukohet ose të kufizohet përmes ligjit...           

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA