“Kufizimi i dëmit”: qasja e re e elitave ndaj problemit të drogës
Takis Fotopoulos
12/11/2016 - 10:38
Shënim i kryeredaktorit: në artikullin e mëposhtëm analizohen shkaqet sistemike të keqpërdorimit të drogës dhe veçanërisht të kanabisit dhe rrugëzgjidhjet afat-shkurtër-mesëm. Nuk janë përfshirë, rrjedhimisht, shkaqet e mbulimit të Shqipërisë me prodhuesë droge dhe rrugëzgjidhjet e mundshme. Kjo do të jetë temë e një artikulli tjetër. Këtë artikull e publikojmë për një arsye të thjeshtë: sepse ndërsa të rinjtë tanë po përdorin për herë dhe më shumë drogat dhe mjekët bëjnë thirrje për mos-ligjësimin e kanabisit - politikanët profesionistë shpërnjohin efektet e dëmshëm të kanabisit në shëndetin e njeriut dhe disa kërkojnë ta ‘ligjësojnë”! Ky artikull buron nga një studim mjaft i gjerë i autorit në greqisht.
Siç jam munduar të tregoj në të shkuarën,[1] “lufta ndaj drogës”, për të cilën disa teoricienë konspiracioni pretendojnë se është një bazë e rëndësishme e Rendit të Ri Botëror (!), ishte, në të vërtetë, një orvatje e elitave për të kontrolluar zgjerimin e madh të shpërdorimit me drogën gjatë 40 vjetëve të fundit, për arsye kryesisht pragmatike e cila lidhesh me ndikimin negativ që ka njeriu nga varësia e drogës lidhur me shpenzimet shoqërore dhe prodhuese. Sidoqoftë, pas lulëzimit të globalizmit neoliberal, nga 1980 e këtej, këto arsye zunë të humbasin rëndësinë e tyre, me shfaqjen e tregjeve “elastike” të tregut të punës, e cila u dha punëdhënësve një pushtet thuajse të pakufizuar dhe paralelisht braktisjen graduale të mbështetjes së shtetit të asistencës sociale, i cili më parë mbulonte koston që përfshihësh për të varurit nga droga, përmes taksave të paguara kryesisht nga grupe të privilegjuara shoqërore.
Si rezultat, një ndryshim gradual në politikën shtetërore mbi drogat, zuri të marrë formë. Në vend të “luftës” dhe shtypjes, kjo politikë zuri të përqendrohet në nevojën për të “kufizuar dëmin” dhe t’i shikonte të varurit nga droga si “pacientë”. Sidoqoftë, “dëmi” në këtë rast nuk u konsiderua pasoja shkatërruese shoqërore e shkaktuar nga vetë drogat, si rezultat i faktit që një numër i konsiderueshëm të rinjsh të cilët vuanin direkt pasojat e globalizimit neoliberal, po zinin t’i përvetësonin problemet e tyre, privatësinë dhe pasivitetin – diçka që ish parë qartazi nga elitat si një ndikim i dobishëm i përhapjes masive të drogës. Në vend të kësaj, lloji i dëmit që i shqetësonte elitat, ishte shpërthimi i krimit —pas keq-përdorimit të drogës— një shpërthim që ishte vërtetë në një shkallë të madhe, shkaktuar nga shtypja dhe përpjekjet e të varurve për të mbuluar “nevojat” e tyre me çdo kusht. Në të njëjtën kohë, viktimat e një sistemi që i shtynte njerëzit drejt varësisë ndaj drogës (ndonëse droga, afërmendsh, ishte në përdorim përpara ngritjes së këtij sistemi, kryesisht për qëllime festive e argëtuese dhe kurrë në të njëjtën shkallë masive) quheshin “pacientë”, dhe dukuria e varësisë ndaj drogës i mvishej faktorëve psikologjikë ose biologjikë.
Nuk ishte, rrjedhimisht, për t’u habitur që një prej nxitësve të politikës së liberalizimit të drogës ishte Milton Friedman, këshilltari shpirtëror i neoliberalizmit, sipas të cilit të varfërit dhe të mvarurit nga droga, ishin për t’u fajësuar për varfërinë dhe vesin e drogës. Megjithatë, ajo çka ishte më e çuditshme ishte se një qëndrim i ngjashëm u mbajt edhe prej disa mbështetësve “leberalë” të legalizimit të drogës, të cilët deklaruan se “e drejta për të qenë i zoti i trupit tim është një element qendror i lirisë sime si individ”. Kështu, sipas këtij koncepti të shtrembëruar liberal ose pseudo-liberal të lirisë, të rinjtë që u bënë të varur me qëllim që të harrojnë pasigurinë shoqërore që ata ndiejnë në një sistem që nuk mund t’u garantojë atyre një punë të qëndrueshme, të rriturit që nuk mund ta durojnë stresin e jetës së përditshme të krijuar nga vetë sistemi, ose që nuk mund të bartin “boshllëkun ekzistencial” mbytës krijuar nga shoqëria konsumatore e tanishme dhe vajzat e reja nga Evropa Lindore të cilat shesin trupin e tyre që të mund të mbijetojnë, thjesht ushtrojnë të drejtën e tyre për të qenë pronarë të trupit të vet!
Kështu, veçanërisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, vendet e Evropës perëndimore, një e nga një, filluan të liberalizojnë politikat e tyre, duke braktisur përnjëmend luftën kundër drogës. Sidoqoftë, kohët e fundit, qoftë edhe disa liberalë zemërdhimbsur janë detyruar të bëjnë një rrethrrotullim në këtë çështje, pavarësisht faktit se ky rrotullim binte ndesh me prirjet që kësokohe mbizotëronin ndër elitat evroperëndimore. Një shembull tipik është gazeta e mirënjohur britanike, The Independent, e cila, dhjetë vjetë më parë, filloi një fushatë për të dekriminalizuar kanabisin —duke e quajtur atë një “drogë të butë” disi e padëmshme— një lëvizje që kulmoi me një marshim prej 16,000 vetësh pro kanabisit në Hyde Park të Londrës dhe që e detyroi qeverinë ta zbusë statusin ligjor të drogës. E njëjta gazetë tani e ka pezulluar fushatën e epokës së saj historike se kanabisi ka qenë i dekriminalizuar[2] sepse, siç ka theksuar ajo, ka fakte në rritje se kanabisi është larg së qëni e padëmshëm. Një numër i lartë adoleshentësh britanikë si kurrë më parë kërkojnë trajtim me ilaçe si rezultat i tymosjes së llojeve tejet të forta të marijuanës (“skunk”) që janë 25 herë më të forta se kanabisi i shitur dhjetë vjet më parë. Kështu, më shumë se 22,000 u trajtuan vitin e shkuar për narkomani kanabisi —dhe thuajse gjysma e tyre ishin nën 18 vjeç, ndërsa mjekët dhe ekspertët e drogës paralajmërojnë se këto lloj kanabisi mund të jenë aq të dëmshme sa heroina e kokaina, duke çuar në probleme të shëndetit mendor dhe psikoza tek mijëra të rinj. Për më tepër, të dhëna nga Agjencia Kombëtare e Trajtimit në Shërbimin Kombëtar Shëndetësor tregojnë se numri i të rinjve që marrin trajtim, thuajse është dyfishuar nga 5,000 në vitin 2005 në 9,600 në vitin 2006, dhe 13,000 të rritur kishin nevojë për trajtim, gjithashtu.
Një studim i fundit i botuar në revistën mjekësore britanike Lancet, tregonte sesi kanabisi është më i rrezikshëm sesa LSD dhe ekstaza. Ky përfundim doli pas një analize të ekspertëve mbi 20 substanca lidhur me varësinë, dëmin shoqëror dhe dëmin psikologjik dhe “zhvillimin i një shkalle arsyetimi duke vlerësuar dëmin e drogës nga keqpërdorimi i mundshëm”.[3] Për më tepër, një tjetër ekspert i fushës, si profesori Colin Blakemore, shef i Këshillit Britanik të Kërkimeve Mjekësore, i cili mbështeti fushatën fillestare të “Independent” që të dekriminalizohej kanabisi, ka ndërruar gjithashtu mendje dhe kohët e fundit ka pohuar se “lidhja mes psikozës dhe kanabisit tanimë është mëse e qartë; para 10 vjetëve nuk ishte”.[4] Specialistë të tjerë të mjekësisë të cilët pajtohen se debati ka ndryshuar, nxjerrin të njëjtët përfundime. Robin Murry, për shembull, profesor i psikiatrisë në Institutin Londinez të Psikiatrisë, vlerësoi se të paktën 25,000 nga 250,000 skizofrenë në Britani mund ta kishin evituar sëmundjen po të mos kishin përdorur kanabis, ndërsa Neil Mckegany nga Qendra e Kërkimeve për Keqpërdorim të drogës në Universitetin Glasgow, thekson se “Shoqëria e ka nënvlerëuar seriozisht rrezikshmërinë e vërtetë të kanabisit...gjatë 10 viteve në vazhdim ne mund të shohim një numër në rritje të të rinjve në vështirësi serioze.[5] Më në fund, një studim dhjetë vjeçar – i pari i këtij lloji që krahason pijanecët e alkolit me përdoruesit e kanabisit- tregoi se njerëzit që fillojnë përdorimin e kanabisit si adoleshentë kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundje mendore, të kenë probleme me marrëdhëniet dhe nuk arrijnë të përftojnë kualifikim dhe punë të ndershme, sesa pijanecët.[6] Këto gjetje, nga Qendra e Shëndetit të Adoleshentëve, pranë Universitetit të Melbournit, të cilat janë botuar në numrin e prillit 2007 të të përmuajshmes Addiction, janë veçanërisht të rëndësishme, meqënse ato shkatërrojnë mitin e zakonshëm të përkrahësve anti-kanabis se alkoli është më i dëmshëm se kanabis.
Në përfundim, nga ç’ka u tha më lartë, nuk nënkupton, sigurisht, se zgjidhja e problemit të keqpërdorimit me drogën është penalizimi i përdorimit dhe burgosja e viktimave të një sistemi i cili i shtyn ata në vartësi pikësëpari. Siç kam treguar gjetkë,[7] ndonëse nuk ka një zgjidhje afatgjatë të zbatueshme për problemin brenda sistemit të ekonomisë së ndërkombëtarizuar të tregut dhe plotësuesja e tij politike, “demokracia” përfaqësuese, atje ka hapa që mund të hidhen në drejtimin e duhur, qoftë edhe afat-shkurtra dhe afat-mesme, duke ditur se synimi ynë nuk është thjesht një qëllim sistemik i “kufizimit të dëmit” por, në vend të kësaj, trajtimi me ilaçe dhe parandalimi. Këto synime mund të arrihen fare mirë përmes një programi me përfshirje të gjerë parandalimi droge që duhet të shoqërohet me mosmiratimin moral prej shoqërisë mbi abuzimin me drogën. Një mosmiratim i tillë mund të shprehej përmes vendosjes së sanksioneve pa penalizime kundër të mvarurve të vërtetuar të drogave (për shembull, në formën e një pjesëmarrjeje të detyrueshme të programeve falas të trajtimit të drogave të “thata”, të cilat nuk përfshijnë droga zëvendsëuese si methadone etj, - që, edhe ashtu siç janë, nuk funksionojnë) si dhe zgjerimin e pavioneve të specializuara mjekësore brenda sistemit shëndetësor për t’u marrë me rastet kritike, me qëllim që vdekjet që burojnë nga keqpërdorimi i drogës të minimizohen.
Artikulli i mësipërm bazohet në artikullin e publikuar për herë të parë në koluminin e Taki Fotopoulos në gazetën e përditshme Eleftherotypia, 20/5/2007
[1] T. Fotopoulos, Drugs: beyond Penalisation and Liberalisation, (Athens, 1999) ch. 3
[2]Jonathan Owen, “Cannabis: An apology”, The Independent, 18/3/07
[3]Nutt D, et.al., “Development of a rational scale to assess the harm of drugs of potential misuse”, The Lancet, 24/3/07.
[4]Jonathan Owen, “Cannabis: An apology”.
[5]Po aty.
[6]Jonathan Owen, “Heavy cannabis use by teens is more dangerous than alcohol”, The Independent, 22/4/07
[7]T. Fotopoulos, Drugs: beyond Penalisation and Liberalisation.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 31 reads



