...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

OKB-ja mbështeti hartën që e paraqet Afrikën në përmasat e saj të vërteta; SHBA-ja i vetmi kundërshtues

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me 164 vota në mbështetje dhe 1 kundër për miratimin e një vendimi që nxit vendet anëtare të përdorin hartën e re

Përpiluesja/Redaksia - SHJ (www.shqipëriajonë.org)

06/09/2026 - 16:31

SHBA-ja ishte i vetmi vend që votoi kundër vendimit të OKB-së, e cila nxit përdorimin e hartës së “Tokës së Barabartë” (“Equal Earth”). SHBA-ja e cilësoi atë si një “projekt radikal ideologjik”. Kombet e Bashkuara votuan të premten për të mbështetur një hartë të botës që pasqyron më saktë përmasat e vërteta të kontinenteve, pas një fushate të udhëhequr nga vendet afrikane.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me 164 vota mbshtetëse dhe 1 kundër për miratimin e një vendimi që nxit vendet anëtare të përdorin variantin “Equal Earth”, në vend të hartës së përdorur gjerësisht të Merkatorit, e cila daton nga shekulli XVI. SHBA-ja ishte i vetmi vend që votoi kundër nismës, ndërsa gjashtë vende abstenuan: Estonia, Gjeorgjia, Lituania, Moldavia, Serbia dhe Ukraina.

Votimi pasoi fushatën “Ndreqni hartën”, të mbështetur nga Bashkimi Afrikan dhe të udhëhequr nga Togoja. Fushata arsyetoi se harta e Merkatorit, e zhvilluar nga hartografi flamand Gerardus Mercator në vitin 1569, paraqet në mënyrë të shtrembëruar përmasat e kontinenteve, veçanërisht Afrikën, dhe mbart kuptime të padrejta lidhur me fuqinë dhe të drejtën e posaçme.

“Për më shumë se 450 vjet, ne e kemi bazuar kuptimin tonë për Afrikën dhe botën në një hartë që është e gabuar!” thuhej në fushatë. “Në të vërtetë, brenda Afrikës mund të përfshihen Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Japonia, Meksika dhe një pjesë e madhe e Evropës, dhe ende do të mbetej tokë e lirë.”

Votimi i OKB-së nuk e ndalon hartën e Mercatorit dhe as nuk përcakton një zëvendësuese të saj, por u bën thirrje qeverive, shkollave, organizatave ndërkombëtare dhe ndërmarrjeve të teknologjisë të përdorin hartën “Equal Earth” ose harta të tjera që pasqyrojnë më saktë përmasat e vendeve.

Në kohën kur u zhvillua, harta e Merkatorit bashkonte lundrimin dhe hartografinë për të krijuar një lloj të ri harte botërore, të përshkuar nga vija që përkonin me drejtimet e busullës. Ajo ishte ideale për lundrimin me vela, por erdhi në dëm të paraqitjes së përmasave reale të sipërfaqeve tokësore. Sa më larg ekuatorit të ndodhen vendet, aq më të mëdha shfaqen ato. Groenlanda, për shembull, duket me përmasa të ngjashme me Afrikën, megjithëse në realitet Afrika është 14 herë më e madhe.

Thjeshtësia dhe dobishmëria e hartës kanë bërë që ajo të përdoret edhe sot, por kritikët arsyetojnë se ajo shtrembëron dhe keqorienton mënyrën se si njerëzit e shohin botën. Të tjerë kanë thënë se të gjitha paraqitjet e Tokës në një sipërfaqe të sheshtë janë shqetësuese, përfshirë edhe hartën “Equal Earth”, e cile paraqet përmasat reale të sipërfaqeve tokësore, por shtrembëron formën e tyre.

Yaryna Ferencevych, zëvendësuesja e përfaqësuesit të SHBA-së në Këshillin Ekonomik dhe Shoqëror të OKB-së, e cilësoi nismën si pjesë të një “projekti më të gjerë radikal ideologjik” që po ndiqet nga OKB-ja, ndërkohë që kjo organizatë duhet të përqendrohet tek “shqetësimet e vërteta të paqes ndërkombëtare, begatisë ose marrëdhënieve të mira”.

“Vendime të tilla dhe plane ideologjike që ato nxisin janë si barrë mbi punën tonë këtu dhe arsyeja përse ky institucion po humbet besueshmërinë,” tha ajo.

Ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey, e përshëndeti rezultatin si një “moment historik”, me një rëndësi që shkon përtej hartografisë.

“Bëhet fjalë për drejtësinë, dinjitetin, barazinë dhe mënyrën se si e paraqesim botën tonë,” shkroi ai në X. “Për një kohë tepër të gjatë, paraqitjet hartografike të trashëguara kanë shtrembëruar përkapjen tonë për përmasat e vërteta dhe vendin e Afrikës dhe rajoneve të tjera të botës. Ndreqja e hartës do të thotë ndreqja e mënyrës se si e shohim botën.” WP

Shënime: Ndërsa pas arsyes së SHBA-së me siguri është shqetësimi i saj se populli afrikan kupton fuqinë e tij dhe mund të bashkohet e dëbojë fuqitë e huaja, përfshirë SHBA-në, Ukraina abstenuan për shkak të paraqitjes së tokave ukrainase (Krimea etj.) me ngjyra të tjera, ndryshe nga vetë ajo, ndërsa Serbia tha se e mbështet ndreqjen të shtrembërimeve në paraqitjen e kontinenteve dhe një hartë që pasqyron më saktë përmasat e tyre, veçanërisht të Afrikës.

Megjithatë, ajo abstenoi, pasi harta “Equal Earth” lidhet me hartë politike që, sipas Beogradit, nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, vendimet përkatëse të Kombeve të Bashkuara, si dhe parimet dhe udhëzimet përkatëse.

Më pas, ministria e jashtme e Serbisë dha një shpjegim më konkret: hartat “Equal Earth” që ajo kishte shqyrtuar paraqesin Kosovën si shtet të pavarur, çka, sipas Beogradit, bie ndesh me rendin kushtetues dhe dobitë kombëtare të Serbisë. Për këtë arsye, Serbia vlerësoi se mbështetja e vendimit mund të shihej si njohje e tërthortë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Beogradi theksoi gjithashtu se mbështet paraqitjen e drejtë të Afrikës dhe kontinenteve të tjera dhe se kishte biseduar qëndrimin e tij drejtpërdrejt me Togon, i cili nuk e njeh Kosovën.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA