Shkurtimi i stërvitjeve ushtarake ngre dyshime për vendosmërinë e SHBA-së në Azi
Vendimi vjen ndërsa Pentagoni tërheq anije nga Indo-Paqësori drejt Lindjes së Mesme dhe lufta në Iran po pakëson rezervat amerikane të armëve
Financial Times
20/08/2026 - 15:55
Vendimi i Donald Trampit për të zvogëluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut ka shtuar shqetësimet për besueshmërinë e SHBA-së te aleatët e saj në Indo-Paqësor, të cilët tashmë ishin të shqetësuar nga qëndrimet e tij lidhur me Tajvanin.
Të dielën, vetëm pak orë para se forcat amerikane dhe koreanojugore të nisnin stërvitjet e tyre të përvitshme Ulchi Freedom Shield, Trampi deklaroi në Truth Social se stërvitjet do t'i dërgonin Phenianit një mesazh “armiqësor”, duke përsëritur kështu kritikën e Koresë së Veriut se ato ishin një “provë për një luftë agresioni”.
Vendimi i papritur erdhi menjëherë pasi grupi sulmues i aeroplanmbajtëses amerikane USS George Washington u nis nga Paqësori drejt Lindjes së Mesme. Kjo do të lërë rajonin pa një aeroplanmbajtëse amerikane, ndërsa Kina po mban një qëndrim gjithnjë e më sulmues në rajon.
Michael Green, drejtues i Qendrës për Studimet e Shteteve të Bashkuara në Sidnei, tha se një aleat amerikan e kishte krahasuar bashkëpunimin me administratën e Trampit me “hyrjen në hapësirë të Sigourney Weaver” në filmin Alien. “Përbindëshi i fundit që doli nga tavani ishte kërcënimi i presidentit për të anuluar stërvitjet ushtarake me Korenë e Jugut”, tha Green, i cili ka shërbyer si këshilltari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për Azinë gjatë presidencës së George W. Bushit.
Zhvillimet e fundit, që ndodhin pesë javë para vizitës së pritshme të presidentit kinez Xi Jinping në Uashington, kanë dobësuar përpjekjet e SHBA-së për të qetësuar aleatët duke u thënë atyre të përqendrohen tek veprimet e Trampit dhe jo tek fjalët e tij.
Elbridge Colby, zyrtari kryesor i Pentagonit për politikat, tha javën e kaluar në Manila se SHBA-ja “nuk do të merret me shfaqje force”, por do të “flasë butë”, ndërsa do të mbajë “shkopin më të madh në botë” — një përshtatje e shprehjes së Theodore Rooseveltit në vitin 1901, përpara se të bëhej president.
Por urdhri i Trampit për të pakësuar stërvitjet ushtarake, të cilat shumica e njohësve i quajjnë të rëndësishme për frenimin e Penianit dhe dërgimin e një kumti Kinës, ka shkaktuar shqetësim të ri për përkushtimin e Uashingtonit në rajon, sipas zyrtarëve që folën në kushte anonimiteti për të shmangur përplasjen me presidentin amerikan.
Aleatët aziatikë ishin tashmë të shqetësuar për ndikimin e luftës së Trampit në Iran, e cila ka pakësuar ndjeshëm rezervat amerikane të armëve dhe ka vonuar ndjeshëm dërgesat e armatimeve, përfshirë raketat Tomahawk për Japoninë.
Tokio u shqetësua gjithashtu vitin e kaluar kur Trampi nuk e mbrojti kryeministren Sanae Takaichi pasi Pekini e sulmoi për deklaratën se Japonia do të përfshihej në një luftë mbi Tajvanin nëse Kina do ta pushtonte ishullin.
“Zyrtarët e administratës së Trampit kanë trumbetuar ‘forcimin e qetë dhe të pandërprerë të frenimit’ në Azi. Por ata po dërgojnë municione dhe mjete detare jetike nga Azia drejt Lindjes së Mesme, ndërsa po anulojnë stërvitjet ushtarake me aleatët aziatikë”, tha Zack Cooper, njohës i sigurisë aziatike në American Enterprise Institute.
“Administrata po ecën më butë në Azi, por duket se ka harruar të marrë me vete shkopin e madh”, shtoi Cooper, i cili gjithashtu ka dëgjuar shqetësime nga zyrtarë aziatikë për ndikimin e pakësimit të stërvitjeve.
Zhvillimet dobësojnë përpjekjet e fuqishme që, sipas disa vetëve, Komanda e Paqësorit kishte bërë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë ushtarak me aleatët gjatë presidencës së Trampit.
Për shembull, Pentagoni ka rritur bashkëpunimin ushtarak me Filipinet, duke ftuar këtë vit një numër rekord aleatësh për të marrë pjesë në stërvitjen më të madhe të përbashkët dypalëshe të zhvilluar ndonjëherë.
SHBA-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut zgjeruan vitin e kaluar stërvitjen e tyre të përvitshme trepalëshe, të njohur si Freedom Edge. Por urdhri për të pakësuar stërvitjet me Seulin u ka kujtuar aleatëve se nuk mund të jenë të vetëkënaqur për mbështetjen amerikane.
Green tha se, ndonëse besimi tek SHBA-ja ishte në nivelin më të ulët të regjistruar në dy vende të rëndësishme, Japoni dhe Australi, “mbështetja për aleancën me SHBA-në mbetet afërsisht në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë” mes aleatëve kryesorë amerikanë në Azi.
Green ia mveshi këtë “kërcënimit të pashembullt kinez”, si edhe besimit te mbështetja e publikut amerikan, Kongresit dhe ushtrisë amerikane për aleancat. Pentagoni nuk pranoi të sqaronte shqetësimet e aleatëve, por tha se po “punon në mënyrë vepruese për zbatimin” e urdhrit të Trampit për pakësimin e stërvitjeve.
Shqetësimi vjen ndërsa Trampi përgatitet të presë Xi Jinpingun në Uashington muajin e ardhshëm. Aleatët janë të shqetësuar për politikën e Trampit ndaj Tajvanit pasi ai tha në Pekin në maj se shitjet amerikane të armëve për Tajvanin ishin një “mjet i mirë për bisedime”.
Ndërsa Trampi ka miratuar më shumë shitje armësh për Tajvanin se çdo president tjetër amerikan, përfshirë një paketë rekord prej 11.1 miliardë dollarësh në dhjetor, vonesa e tij në miratimin e një pakete të planifikuar prej 14 miliardë dollarësh ka shkaktuar shqetësim në Tajvan.
Shumë ekspertë të mbrojtjes kundërshtojnë pakësimin e stërvitjeve të përbashkëta me Seulin, por Jennifer Kavanagh, analiste ushtarake në organizatën Defense Priorities, tha se SHBA-ja ishte tepër e angazhuar në mbarë botën dhe duhej t'u kërkonte aleatëve të bënin më shumë për mbrojtjen e tyre.
“SHBA-ja nuk duhet të luftojë një luftë me Korenë e Veriut për Korenë e Jugut”, tha Kavanagh. “Do të parapëlqeja që SHBA-ja ta shtynte Korenë e Jugut të bëjë më shumë për të mbrojtur veten. Nuk e shoh anulimin e stërvitjeve si tërheqje të tapetit nën këmbët e tyre. E shoh si një sinjal se ata duhet të lëvizin më shpejt për të rritur mbrojtjen e tyre.”
Disa njohës thanë se edhe Koreja e Jugut e kishte vetë fajin. Ndër shqetësimet e zyrtarëve të Trampit ndaj Seulit ishte fakti se ky i fundit nuk kishte paraqitur ende projekte konkrete në kuadër të premtimit për të investuar 350 miliardë dollarë në SHBA, siç ishte rënë dakord në marrëveshjen tregtare mes dy vendeve.
“Koreja e Jugut po luan një lojë të rrezikshme”, tha Nick Snyder, ekspert i Azisë në Hudson Institute dhe ish-shef i kabinetit të zëvendëssekretarit të Shtetit Christopher Landau.
“Ata nuk mund të qëndrojnë mënjanë dhe të mos ndihmojnë me Iranin, e pastaj të presin që presidenti të paguajë për stërvitjet që ndihmojnë në mbrojtjen e interesave të tyre.” Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë pretendimet se Trampi po dobësonte aleancat, duke thënë se ai “ka arritur me sukses ta bëjë Amerikën sërish të respektuar”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha: “Presidenti … po ndreq padrejtësitë e dekadave të paraardhësve të tij, duke siguruar që të gjitha marrëdhëniet tona diplomatike të jenë të ndërsjella.”
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 7 reads



