...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Irani befasoi forcat amerikane në Jordani dhe ‘fton’ SHBA-në të kundër-përgjigjet

Sulmet ndodhën pak para se ushtria amerikane të vërtetonte goditje të përbashkëta me forcat saudite kundër grupeve të mbështetura nga Irani në Irak

WSJ

29/07/2026 - 07:39

Irani ndërmori një sulm të befasishëm me raketa balistike ndaj forcave amerikane në Jordani, tha një zyrtar amerikan, duke shënuar një përshkallëzim të rrezikshëm që shton presionin mbi presidentin Donald Trump për të rifilluar luftën me fuqi të plotë.

Sipas ushtrisë amerikane, të gjitha raketat u interceptuan. Megjithatë, sulmi rriti mundësinë që forcat amerikane të kundërpërgjigjen, pikërisht në kohën kur bisedimet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e bisedimeve më të gjera për paqe po fitonin vrull.

Ky sulm përfaqëson një ndryshim në strategjinë iraniane. Deri tani, Teherani kishte goditur forcat amerikane kryesisht si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve amerikane në territorin iranian. Me këtë sulm të paprovokuar, Irani tregoi se është i gatshëm ta çojë përballjen drejtpërdrejt ndaj Shteteve të Bashkuara, sipas kushteve të veta, në përpjekje për të detyruar qeverinë e Trampit të reagojë.

Pak pas sulmit iranian në Jordani, ushtria amerikane njoftoi se avionë luftarakë amerikanë dhe sauditë kishin kryer goditje në Irak kundër grupeve të mbështetura nga Irani, të cilat më parë ishin udhëzuar nga Garda Revolucionare Islamike për të sulmuar trupat amerikane dhe rrjetin energjetik saudit. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), këto sulme të grupeve proiraniane nuk patën sukses.

Vetëm disa orë përpara breshërisë së raketave iraniane, Trampi deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të rifillonin sulmet kundër Iranit nëse nuk arrihej një marrëveshje armëpushimi. “Ata e dinë se unë do ta bëj këtë nëse nuk arrijnë marrëveshje,” tha ai për Fox & Friends. “Urat do të zhduken, fjalë për fjalë, brenda më pak se dy orësh. Urat kryesore do të shkatërrohen dhe centralet elektrike brenda një dite.”

Trampi shtoi se Irani kishte pranuar të hiqte dorë nga ambiciet për armë bërthamore, por se kjo duhej të formalizohej. “Unë dua vetëm një gjë shumë të thjeshtë: ata nuk mund të kenë armë bërthamore. Ata në thelb janë pajtuar me këtë, por tani duhet ta bëjnë zyrtare.”

Irani ndërmori këtë sulm pesë muaj pasi lufta filloi më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ajrore që eliminuan një pjesë të udhëheqjes së Republikës Islamike, përfshirë edhe Udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Sulmi kulmoi pas disa javësh diplomacie të brishtë. Në qershor, SHBA-ja dhe Irani ishin pajtuar t'i jepnin fund armiqësive. Megjithatë, mosmarrëveshjet për mënyrën e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit — përmes së cilës, para luftës, kalonte rreth 20% e naftës së prodhuar në botë — e shtynë Trampin të urdhëronte afro dy javë bombardime ndaj Iranit gjatë këtij muaji. Trampi i pezulloi bombardimet të premten për t'i dhënë një mundësi bisedimeve të paqes. Të martën, Irani njoftoi se kishte kundërshtuar një plan të Omanit për rifillimin e qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit dhe kishte paraqitur një propozim të vetin, i cili do t'i jepte Teheranit kontroll më të madh mbi lundrimin në këtë rrugë strategjike detare.

Shtëpia e Bardhë nuk dha menjëherë koment për sulmet më të fundit iraniane. Dy zyrtarë të lartë amerikanë thanë se besojnë se Garda Revolucionare Iraniane po përpiqet në mënyrë aktive të minojë bisedimet për ripërtëritjen e armëpushimit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Pas lajmit për sulmin, çmimi i naftës në SHBA u rrit me 4%, duke kaluar 82 dollarë për fuçi. Analistët e Lindjes së Mesme vlerësuan se çmimi i naftës është një armë ekonomike që Irani e ka përdorur me efekt kundër SHBA-së, ku rritja e çmimeve të karburanteve ka ushqyer inflacionin.

Sulmet erdhën pasi tre ushtarë amerikanë humbën jetën në mesin e korrikut nga një sulm iranian me raketa ndaj bazës ajrore Muwaffaq Salti në Jordani. Njëra prej raketave goditi njësitë e banimit ku qëndronin ushtarët.

Fakti që tre raketa arritën të depërtonin përmes mbrojtjes së bazës nxori në pah vështirësitë për mbrojtjen e rreth 50.000 trupave amerikane të dislokuara në Lindjen e Mesme nga raketat dhe dronët iranianë, të cilët vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz edhe pas muajsh bombardimesh amerikane.

Behnam Ben Taleblu, nga Foundation for Defense of Democracies, tha se qeveria e Trampit nuk mund ta lejojë këtë sulm të mbetet pa përgjigje. “Për Shtetet e Bashkuara, këto sulme nuk janë kostoja e luftës, por kostoja e një pune të papërfunduar.”

Danny Citrinowicz, studiues në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Izrael, shkroi në platformën X se Irani po godet SHBA-në për të treguar se mund të marrë nismën dhe ta çojë luftën te kundërshtari. Sipas tij, edhe pse Trampi pezulloi bombardimet, udhëheqja iraniane e quan bllokadën e vazhdueshme amerikane ndaj porteve iraniane si një akt lufte që kërkon përgjigje.

“Udhëheqësit iranianë po e interpretojnë gjithnjë e më shumë kujdesin e Uashingtonit si ngurrim dhe mungesë vullneti politik për të mbajtur një përballje të zgjatur. Në vlerësimin e Teheranit, kjo krijon një mundësi për të provuar vendosmërinë amerikane.”

Në javët e fundit, shtrirja e luftës është zgjeruar shumë përtej Iranit dhe vendeve arabe të Gjirit Persik. Milicitë Houthi në Jemen kanë sulmuar anije në Detin e Kuq në përpjekje për të bllokuar eksportet saudite të naftës, duke nxitur Arabinë Saudite dhe aleatët e saj jemenas të ndërmarrin kundërsulme.

Arabia Saudite ka deklaruar se milicitë e mbështetura nga Teherani kanë sulmuar me dronë fushat e saj të naftës dhe rrjetin tjetër strategjik. Ndërkohë, Ukraina goditi një anije iraniane në Detin Kaspik, për të cilën pretendon se bartte armë për Rusinë, ndërsa autoritetet irakiane kanë raportuar gjithashtu se Irani ka goditur pozicione kurde në veri të Irakut.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA