Lind një zë kundër retorikës urrejtëse të klasës politike serbe
Një zë i tillë këto ditë doli nga një numër i individëve dhe përfaqësuesve të disa organizatave e forumeve joqeveritare dhe partive politike të vogla, të cilët e quajnë veten “Serbia ndryshe”
Adil Fetahu
20/11/2022 - 09:09
Politikanë, qeveritarë, udhëheqës partiakë e kishtarë të Serbisë kanë ashpërsuar retorikën e urrejtjes kundër shqiptarëve, kroatëve, boshnjakëve e malazezëve. Kësaj retorike po i japin zjarr mediat e shumta proqeveritare, kishtare dhe të ekstremit të djathtë, duke përfshirë edhe ato ruse, të cilat përhapin gënjeshtra e gjysëm të vërteta. Ajo është në përputhje me qëllimet e përcaktuara në Memorandumin 2 të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (2012), për shqendrueshmërinë, shpërforcimin dhe shfunksionalizimin e shteteve fqinje të Serbisë, në të cilat jetojnë pakica të popullsisë serbe.
Për njohësit e politikës zyrtare të Serbisë dhe të mentalitetit “TARIGUZ” të popullit seb, kjo retorikë as është e re, as e panjohur; thjet ka ngritje të dendësisë: sepse janë të njëjtit njerëz në krye të institucioneve të shtetit e të politikës, të cilët kanë qenë në pushtete edhe në regjimin e S.Millosheviçit (Vuçiçi, Daçiçi, Vulini, Delliqi etj.). Kurse ata të kishës janë akoma në Mesjetë!
Por në Serbi, kohëpaskohe dëgjohen edhe zëra ndryshe, zëra të arsyes e të realitetit. Ka në Serbi individë e organizata të cilët e të cilat nuk pajtohen me politikën shoviniste të regjimit dhe klerofashizmit kishtar. Nuk janë raste të rralla paraqitjet publike të individëve, të cilët janë kundër politikës zyrtare nacionaliste e klerofashiste në Serbi.
Një zë i tillë këto ditë doli nga një numër i individëve dhe përfaqësuesve të disa organizatave e forumeve joqeveritare dhe partive politike të vogla, të cilët e quajnë veten “Serbia ndryshe”. Ato i drejtuan një Apel pushtetit dhe opinionit në Serbi dhe atij ndërkombëtar, për njohjen e realitetit të Kosovës dhe për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore midis Serbisë dhe Kosovës.
Mediat proqeveritare dhe ato të ekstremit të djathtë e sulmuan me tërë artilerinë e tyre Apelin dhe nënshkruesit e tij, posaçërisht: Vesna Peshiqin, Latinka Peroviçin, Sonja Biserkon, Milojko Pantiqin, Snezhana Çongradinin etj., e në mënyrën më të vrazhdë sulmuan gazetën “Danas”.
Në fund të tekstit të Apelit ka komente që e përkrahin atë, po ka edhe asi që në mënyrën më të vrazhdë i ofendojnë nënshkruesit. Apelin e kanë nënshkruar 40 vetë, aktivistë dhe përfaqësues të organizatave e forumeve të ndryshme joqeveritare, të partive të vogla opozitare, dhe individë të profesioneve e profileve të ndryshme intelektuale: gazetarë, redaktorë, botues, shkrimtarë, artistë, avokatë, filozofë, historianë, sociologë etj.
Për lexuesit më poshtë po citoj të plotë tekstin e Apelit, të marrë nga gazeta “Danas”.
A P E L
Duke besuar fuqishëm se:
• Liritë qytetare dhe demokracia janë më të rëndësishme se të gjitha interesat e tjera etnike dhe shtetërore, ndërsa të drejtat e njeriut (duke përfshirë në mënyrë të veçantë të drejtat e grave), dhe se cilësia e jetës dhe siguria e njerëzve janë mbi sovranitetin shtetëror, e pjesëmarrja në ndërtimin e paqes së drejtë e të përhershme, si dhe pajtimi e krijimi i rendit demokratik, janë e drejtë dhe detyrimi ynë, dhe që edhe më tutje do ta kultivojmë solidaritetin me të gjithë ata që refuzojnë besnikërinë ndaj udhëheqësve të tyre patriarkal-nacionalistë e militaristë;
• Regjimi i S.Millosheviçit ka zbatuar në Kosovë aparteid ndaj popullsisë joserbe (veçmas ndaj asaj Shqiptare) dhe në mënyrë sistematike i ka shndërruar pjesëtarët e shumicës etnike të atjeshme në qytetarë të rendit të dytë; me këmbëngulje ka përhapur atmosferën e mosbesimit dhe urrejtjes dhe ndjenjen e mbifuqisë së etnosit serb, aq sa prej vitit 1998 ka organizuar dhe zbatuar krime masovike mbi Shqiptarët e Kosovës (gjë që nuk i arsyeton as krimet revanshiste të kryera pas dorëzimit të Kosovës forcave ndërkombëtare të sigurisë);
• Qeveria që erdhi në Serbi pas ndryshimeve të 5 tetorit 2000, e humbi mundësinë të ballafaqohet me faktet e cekura dhe rastin për të krijuar marrëdhënie të mirëbesimit me shumicën shqiptare në Kosovë;
• Regjimi aktual e ripërtëriu retorikën shoviniste e raciste, me të cilën humbi edhe mundësinë e fundit për çfarëdo forme të bashkësisë shtetërore e cila do ta përfshinte bënda kufijve të saj Krahinën Autonome të Kosovë-Metohisë;
• Realtieti i Kosovës është krejtësisht ndryshe nga sovraniteti i proklamuar i Serbisë mbi atë territor, i cili me vullnetin e shumicës absolute veten e konsideron Republika e Kosovës sovrane, pavarësinë e së cilës e kanë njohur shumica e shteteve demokratike të botës.
Apelojmë te opinion vendor dhe ai ndërkombëtar, të ballafaqohet me realitetin dhe të bëjë presion mbi pushtetin aktual në Serbi, që ky të heqë dorë nga politika vetëvrasëse, i cili nuk po merr parasysh se qytetarët dhe qytetaret e Kosovës nuk dëshirojnë t’i nënshtrohen më sovranitetit të shtetit, në emër të të cilit janë përndjekur e vrarë të gjithë ata të cilët kanë dashur që marrëdhëniet midis Serbëve e Shqiptarëve të krijohen mbi baza të reja, pa diskriminim e represion.
Kërkojmë nga pushteti i Serbisë të ndalë pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Me këtë Serbia në mënyrë të qartë dhe të padyshimtë do të jepte kontributin e vet ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe qendrueshmërisë rajonale.
Njëkohësisht apelojmë te institucionet ndërkombëtare dhe shoqëria civile në Kosovë, që me vendosmëri t’iu kundërvihen të gjitha formave të diskriminimit mbi bazë të përkatësisë etnike, fetare, kulturore, politike, gjinore dhe të çfarëdo përkatësie tjetër.
Nënshkruese të Apelit, “Gratë në të Zeza”, me përkrahjen e:
- Këshillit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Beograd
- Lidhja e Antifashistëve të Serbisë, Beograd
- Forumi Demokratik Qytetar, Beograd
- Aksioni Qytetar, Pançevë
- Qendra për Politikë Konceptuale, Novi Sad
- Shoqata e Grave “Peshçanik”, Krushevc
- Shoqata për Studime dhe Hulumtime Femërore, Novi Sad
- “Dah teatra”, Beograd
- Gratë për Paqe, Leskovc
- SOS-telefoni për Gratë, Fëmijët dhe Viktimat e Dhunës, Vllasotince
- Qendra Autonome e Femrave, Beograd,
- OJQ “Athina”
(Në fund janë radhitur emrat e 40 nënshkruesve të Apelit).
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 275 reads



