Pentagoni publikon grupin e parë të dosjeve sekrete mbi UFO-t
Publikimi vjen pas një urdhri të Donald Trampit në muajin shkurt, ku agjencive federale iu kërkua të identifikojnë, shklasifikojnë dhe publikojnë dosje qeveritare lidhur me objektet fluturuese të paidentifikuara, tashmë të quajtura “dukuri anomale të panjëjtësuara”
The Giardian
08/05/2026 - 20:58
Pentagoni publikoi të premten një grup fillestar dosjesh më parë sekrete që dokumentojnë raportime mbi UFO-t, në një hap të kërkuar prej dekadash nga shumë studiues dhe ndjekës të kësaj çështjeje.
“Këto dosje, të fshehura pas klasifikimeve sekrete, kanë ushqyer prej kohësh hamendësime të arsyeshme – dhe ka ardhur koha që populli amerikan t’i shohë vetë,” deklaroi sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth, në një qëndrim të publikuar në X.
Publikimi vjen pas një urdhri të Donald Trampit në muajin shkurt, ku agjencive federale iu kërkua të identifikojnë, shklasifikojnë dhe publikojnë dosje qeveritare lidhur me objektet fluturuese të paidentifikuara, tashmë të quajtura “dukuri anomale të panjëjtësuara”, si dhe mundësinë e jetës jashtëtokësore.
Sipas Trampit, vendimi u mor për shkak të “interesit të jashtëzakonshëm” të publikut dhe pasqyronte kërkesën në rritje për më shumë të dhëna mbi dijeninë e qeverisë amerikane dhe përfshirjen e saj të mundshme në programe që gjurmojnë apo madje strehojnë qenie dhe mjete të hamendësuara jashtëtokësore.
Muajin e kaluar, drejtuesi i ri i NASA-s, Jared Isaacman, i dha më shumë peshë kësaj vale “tejdukshmërie”, duke deklaruar se misionet hapësinore të agjencisë zhvillohen pjesërisht edhe për shkak të mundësisë së ekzistencës së jetës jashtëtokësore.
“Mundësia që në një moment të zbulojmë diçka që tregon se nuk jemi vetëm është mjaft e lartë,” tha ai për NBC.
Megjithatë, grupi i parë prej 162 dosjesh të publikuara të premten – me qindra faqe të hedhura në një faqe të re të Departamentit amerikan të Mbrojtjes – ofroi pak prova të reja ose përfundimtare. Sipas Pentagonit, publiku “mund të krijojë vetë gjykimin e tij mbi të dhënat e përfshira në këto dosje”.
Dosjet përfshijnë:
• kabllograme të vjetra të Departamentit të Shtetit,
• dokumente të FBI-së,
• transkripte të misioneve hapësinore të NASA-s,
• si dhe dëshmi të paqarta të personave që pretendojnë se kanë parë UFO.
Një raport sekret i vitit 1947 nga Komanda e Mbrojtjes Ajrore në Nju Jork përshkruan dëshminë e pilotit dhe drejtuesit të një avioni civil të Pan Am, të cilët thanë se panë për pak sekonda një “objekt të ndritshëm portokalli” në qiell, përpara se ai të zhdukej pas reve.
Një dokument më i vonshëm përshkruan intervistën e FBI-së me një pilot droni, i cili në shtator 2023 raportoi se kishte parë një “objekt linear” me një dritë aq të fortë sa “dukej sikur kishte shirita brenda saj”.
“Objekti ishte i dukshëm për pesë deri në dhjetë sekonda dhe më pas drita u fik dhe objekti u zhduk,” thuhet në intervistë.
Shumë faqe të tjera përmbajnë tregime të ngjashme mbi fenomene të papritura në qiell, por pa prova të vërtetuara.
Pentagoni e quajti publikimin e së premtes një “fazë fillestare”, të zhvilluar në bashkëpunim me Shtëpinë e Bardhë, Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Departamentin e Energjisë, FBI-në dhe NASA-n.
“Dosje të tjera do të publikohen gradualisht,” deklaroi Pentagoni.
Megjithatë, vetë Departamenti i Mbrojtjes pranoi se shumë nga lënda “ende nuk është shqyrtuar plotësisht për të sqaruar anomalitë”.
Pavarësisht bujës mediatike, Pentagoni kishte arritur më parë në përfundimin se nuk ka prova për veprimtari jashtëtokësore. Një raport i vitit 2024 deklaronte se shumica e rasteve kishin lidhje me fenomene atmosferike, balona, zogj ose satelitë të keqnjëjtësuar
Po atë vit, Zyra për Zgjidhjen e Fenomeneve Anomale deklaroi se qeveria amerikane “nuk ka fshehur dhe nuk fsheh teknologji apo qenie jashtëtokësore”, duke hedhur poshtë edhe pretendimet për një bazë sekrete në shkretëtirën e Nju Meksikos.
Raporti erdhi pas pretendimeve të ish-zyrtarit të inteligjencës amerikane, David Grusch, i cili kishte deklaruar se SHBA-ja zhvillonte prej dekadash një program sekret mbi UFO-t dhe kishte gjetur “qenie jo-njerëzore”.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 11 reads



