...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Prigozhini tërhiqet nga “marshi” i tij drejt Moskës

Sipas deklaratës së zyrës së presidentit bjellorus, Lukashenkos, ai është pajtuar për t`u tërhequr nga marshi i tij në këmbim të “garancive të sigurisë” për luftëtarët e tij.

SHJ

24/06/2023 - 20:00

Raportohet se Prigozhini është pajtuar të tërhiqet nga plani i tij për të shkuar në Moskë. Sipas deklaratës së zyrës së presidentit bjellorus, Lukashenkos, ai është pajtuar për t`u tërhequr nga marshi i tij në këmbim të “garancive të sigurisë” për luftëtarët e tij.

“Evegjeni Prigozhin pranoi propozimin e presidentit Aleksandër Lukashenko për të ndaluar lëvizjen e forcave ushtarake të Wagner-it në Rusi dhe të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të shpërshkallëzuar tensionin”, thotë deklarata nga zyra e Lukashenkos.

Sipas deklaratës, Lukashenkua dhe Prigozhini biseduan përgjatë gjithë ditës dhe “u pajtuan mbi papranueshmërinë e fillimit të gjakderdhjes në territorin e Rusisë”. Zyra e Lukashekos tha se bisedimet u kryen në bashkërendim me presidentin Putin, duke shtuar se Prigozhinit iu ofrua një “zgjedhje e dobishme dhe e pranueshme për zgjidhjen e gjendjes, me garanci sigurie për luftëtarët e Eagner-it”.   

Mercenarët e grupit Wagner, të cilët po marshonin drejt Moskës, kanë rënë dakord që të kthehen mbrapsht për të shmangur gjakderdhjen, tha kreu i grupit Wagner mbrëmjen e së shtunës.

Luftëtarët e ushtrisë private Wagner ishin vetëm 200 kilometra larg kryeqytetit, tha ish-aleati i Presidentit Putin, Yevgeny Prigozhin.

“Tani ka ardhur momenti kur mund të derdhet gjak. Duke e kuptuar që do të derdhet gjaku rus, ne po e kthejmë autokolonën mbrapsht dhe po kthehemi në kampet fushore siç ishte planifikuar”, tha zoti Prigozhin duke nënkuptuar Ukrainën.

Zoti Prigozhin tha se donte të shmangte gjakderdhjen në Rusi. Ai nuk tha nëse Kremlini i është përgjigjur kërkesës së tij për të shkarkuar ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Autokolona e mercenarëve të grupit Wagner njoftohet se kaloi në qytetin rus Voronezh, duke përparuar me shpejtësi drejt Moskës të shtunën, pasi, me sa duket, arritën të merrnin kontrollin e Rostov-on-Don-it, një qytet me më shumë se një milion banorë afër kufirit me Ukrainën.

Në Rostov, banorët, të hutuar, filmuan me telefonat e tyre luftëtarët mercenarë të grupit Wagner, automjetet e blinduara dhe tanket luftarake, ndërsa ata zunë pozicionet e tyre, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.

Udhëheqësi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin pohoi se luftëtarët e tij hynë në qytetin jugor rus të Rostov-on-Don, pa qenë nevoja për përdorimin e armëve dhe se askush nuk u vra gjatë asaj që ai e quan një "marshim drejtësie". Pretendimet e tij nuk mund të verifikoheshin.

Presidenti rus Vladimir Putin u zotua se do ta shtypë atë që ai e quajti një kryengritje të armatosur, të cilën e krahasoi me Luftën Civile të Rusisë një shekull më parë.

Një gazetar i agjencisë Reuters pa helikopterët e ushtrisë ruse të hapin zjarr ndaj një autokolone të armatosur të grupit Wagner, ndërsa përparonin drejt qytetit Voronezh. Qyteti ndodhet rreth 520 kilometra në jug të Moskës.

Pasiguria ka mbretëruar rrugët e kryeqytetit rus, ndërsa janë vënë barriera në Sheshin e Kuq.

“Ambiciet e tepërta dhe interesat e veta kanë çuar në tradhti”, tha zoti Putin në një fjalim televiziv.

Ai paralajmëroi mercenarët e grupit Wagner të shtunën se rebelimi i armatosur është tradhti dhe kushdo që merr armët kundër Rusisë do të ndëshkohet.

Hetimi Kriminal

Të premten, Shërbimet Sekrete të Rusisë nisën një hetim penal ndaj Yevgeny Prigozhinit duke e akuzuar atë për krengritje të armatosur. Sipas kryeprokurorit rus, për këtë vepër penale parashikohet dënim me burg deri në 20 vjet.

Shërbimet sekrete ruse këmbëngulën se nuk ka asnjë fakt mbi akuzat e ngritura nga Prigozhini të premten se ministria ruse e mbrojtjes kreu sulm ajror ndaj një baze të Wagner-it duke vrarë 2 mijë mercenarë.

Zoti Prigozhin akuzoi ushtrinë ruse, se kishte vepruar sipas urdhrave të ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, për bombardimin e pozicioneve të trupave të tij në Ukrainë.

“Ministri i Mbrojtjes mbërriti posaçërisht në Rostov për të kryer një operacion për të shkatërruar Wagnerin”, shkroi ai në rrjetin sociale Telegram.

Kremlini thotë se udhëheqësi i grupit Wagner do të shkojë në Bjellorusi

Kremlini tha se shefi i mercenarëve të gripit Wagner, Yevgeny Prigozhin do të shkojë në Bjellorusi, sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga presidenti bjellorus Alexander Lukashenko, për t'i dhënë fund një kryengritjeje të armatosur, që Prigozhini drejtoi kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se Lukashenko kishte ofruar të ndërmjetësonte, me pajtimin e presidentit rus Vladimir Putin, sepse ai e njeh Prigozhinin personalisht për rreth 20 vjet.

Zëdhënësi Peskov tha se çështja penale që ishte hapur kundër Prigozhinit për kryengritje të armatosur do të rrëzohet dhe luftëtarët e grupit Wagner që kishin marrë pjesë në "marshimin e tij për drejtësi" nuk do të përballen me asnjë veprim, në shenjë njohjeje të shërbimit të tyre të mëparshëm për Rusinë.

Luftëtarët që nuk morën pjesë në zhvillimet e së shtunës do të nënshkruajnë kontrata me ministrinë e Mbrojtjes, e cila ka kërkuar të vërë nën kontrollin e saj të gjitha forcat autonome vullnetare, deri më 1 korrik.

Edhe pse presidenti rus Vladimir Putin më herët ishte zotuar të ndëshkonte ata që morën pjesë në kryengritje, zëdhënësi Peskov tha se marrëveshja kishte "qëllim më të lartë" për të shmangur konfrontimin dhe gjakderdhjen.

Peskov nuk pranoi të thoshte nëse Prigozhinit i ishte bërë ndonjë lëshim, përveç garancive të sigurisë për të dhe për njerëzit e tij, për ta bindur që t’i tërheqë të gjitha forcat e tij.

Yevgeny Prigozhin kishte kërkuar më parë që atij t'i dorëzoheshin ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov.

I pyetur nëse do të ketë ndryshime personeli në ministrinë ruse të Mbrojtjes si rezultat i marrëveshjes, zëdhënësi Peskov tha se “këto çështje janë kompetencë e Komandantit Suprem (V.Putin) në përputhje me kushtetutën e Federatës Ruse”.

Mercenarët e grupit Wagner, ishin vetëm 200 kilometra larg Moskës kur u urdhëruan të ndalonin dhe të ktheheshin mbrapa, mbrëmjen e së shtunës.

“Tani ka ardhur momenti kur mund të derdhet gjak. Duke e kuptuar që do të derdhet gjaku rus, ne po e kthejmë autokolonën mbrapsht dhe po kthehemi në kampet fushore siç ishte planifikuar”, tha zoti Prigozhin, por nuk tha nëse Kremlini i është përgjigjur kërkesës së tij për të shkarkuar ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Në këtë raport të përditësuar ka kontribuar Voa

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA