Putini u përgjigjet komunistëve rusë dhe SHBA-së me ideologjinë e ‘re’
Putini me urdhërin e tij kënaq edhe ideologët rusë edhe zhvillon vlerat tradicionale të popujve që jetojnë në federatën ruse dhe i përdor ato për mbrojtjen e atdheut
Ylli Përmeti
10/11/2022 - 07:28
Si pasojë e luftës në Ukrainë dhe mungesës së shpirtit vetëmohues në një përqindje jo dhe aq të vogël mes ushtrisë dhe popullit rus, në Rusi po shtohen zërat e kthimit të saj në ideologjinë e Bashkimit Sovjetik; madje së fundmi disa deputetë propozuan ringritjen e Komitetit të Planit Shtetëror. Putini i ka refuzuar ideologët e ideologjisë komuniste por zërat po shtohen.
Për të kompensuar mungesën e ideologjisë në ushtrinë dhe popullin rus dhe efektin e saj në mbrojtjen e atdheut, Putini nënshkroi një urdhër i cili synon të zëvendësojë nevojën e ideologjisë dhe përgatitjen e ushtrisë dhe popullit për t`u përballur me kërcënimin e SHBA-së.
Sipas urdhërit, veprimet e ndërmarra nga Uashingtoni dhe shtete të tjerë “jomiqësorë” ―gjithashtu dhe korporatat ndërkombëtare, disa OJQ dhe media― kërcënojnë vlerat ruse. Në të citohen parimet e mbrojtjes dhe ruajtjes së vlerave të cilët Rusia i quan baza për “mbrojtjen e sovranitetit, popullit dhe zhvillimit të tij”. Mbështetja në vlera tradicionale që rrjedhin nga përvoja kulturore dhe historike ruse ndihmon kombin të përballet efektivisht me sfidat e reja dhe kërcënimet ndërsa mban identitetin e tij të paprekur, thuhet në urdhër.
Mes vlerave të listuara janë jeta, dinjiteti njerëzor, të drejtat njerëzore, patriotizmi, ide të larta morale, familja e lidhur ngushtë me traditat, kujtesa historike, vazhdimi brezave, gjithashtu dhe bashkimi i gjithë popujve që jetojnë në Rusi. Gjithë fetë e mëdha ―krishtërimi, islami, budizmi, judaizmi― kanë një ndikim të thellë në zhvillimin e vlerave tradicionale të Rusisë, të ndara mes besimtarëve dhe ateistëve.
Kjo politikë e re synon “ruajtjen dhe forcimin e vlerave tradicionale përgjatë brezave” gjithashtu dhe “përballjen me përhapjen e ideologjive shkatërruese”. Si shembuj për këto ideologji ―që janë të huaja për Rusinë― urdhëri liston “kultin e egoizmit, mosndëshkimin dhe amoralitetin, refuzimin e patriotizmit dhe vlerave familjare dhe propaganda LGBTQ+.
Sipas urdhërit, kërcënimet që vijnë nga SHBA-ja duhet të përballen me politika që synojnë rininë, reformat e edukimit, dhe mbështetja për literaturë, art, filma dhe media që nxisin vlerat tradicionale ndërsa orientohet qeveria për të punuar me shoqërinë civile, për të ruajtur kujtesën historike të popullit rus dhe të mbështesë gjuhën ruse si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij.
Mbrojtjen e vlerave tradicionale e kanë përdorur dhe elitat komuniste të shekullit të kaluar; si pasojë, Putini me urdhërin e tij kënaq edhe ideologët rusë edhe zhvillon vlerat tradicionale të popujve që jetojnë në federatën ruse dhe i përdor ato për mbrojtjen e atdheut meqënse për 30 vjet ky orientim ka munguar dhe popujt janë pështjelluar dhe përçarë me ideologjinë e globalizmit neoliberal.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 67 reads



