...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

SHBA-ja shqyrton zgjerimin e vendosjes së armëve bërthamore në Evropë

Gatishmëria e Uashingtonit për të biseduar zgjerimin synon të tregojë se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj “ombrellës bërthamore”

Financial Times

02/06/2026 - 08:49

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së armëve bërthamore në më shumë vende evropiane të NATO-s, në një lëvizje që synon të qetësojë aleatët se pakësimi i mbështetjes ushtarake konvencionale amerikane nuk do të dobësojë garancitë e sigurisë.

Sipas tre burimeve të njohura me diskutimet, zyrtarë amerikanë kanë sinjalizuar gatishmëri për zgjerimin e vendosjeve përtej gjashtë vendeve që tani strehojnë avionë me aftësi për goditje bërthamore.

Bisedimet, të cilat janë tepër të fshehta dhe mund të mos çojnë domosdoshmërisht në ndryshime konkrete të marrëveshjeve ekzistuese, zhvillohen në një kohë kur në Evropë ekziston shqetësim i gjerë për planet e presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr trupa dhe sisteme të rëndësishme armësh nga kontinenti.

Një zgjerim i mundshëm do t'u lejonte më shumë vendeve të strehojnë avionë amerikanë me aftësi të dyfishtë (Dual-Capable Aircraft – DCA), të cilët mund të përdoren për sulme bërthamore. Dy nga burimet thanë se gatishmëria e Uashingtonit për të biseduar zgjerimin synon të tregojë se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj “ombrellës bërthamore”, edhe pse aleatët evropianë po shtyhen të marrin mbi vete një pjesë më të madhe të barrës së mbrojtjes konvencionale.

Sipas burimeve, vende në krahun lindor të NATO, përfshirë Polonia dhe disa shtete baltike, kanë shfaqur interes për të strehuar baza të tilla.

Zyrtarët polakë kanë folur publikisht për këtë mundësi. Ish-presidenti Andrzej Duda ka bërë thirrje që SHBA-ja të zgjerojë programin e DCA-ve në territorin polak. Ndërkohë, Varshava iu bashkua këtë vit një nisme të re franceze që shqyrton mundësinë e zhvendosjes së përkohshme të pjesëve të forcës bërthamore franceze në vende aleate evropiane.

Një burim i njohur me zhvillimet tha se bisedimet vazhdojnë brenda kanaleve të NATO-s dhe se interesin më të madh e kanë treguar vendet më pranë kufijve të Rusia. Sipas të njëjtit burim, pushtimi rus i Ukrainës dhe deklaratat e përsëritura të presidentit rus Vladimir Putin për aftësitë bërthamore të Kremlinit kanë shtuar gadishmërinë e disa aleatëve për të pritur avionë me aftësi bërthamore.

Një burim tjetër theksoi se një marrëveshje për zgjerimin e vendosjes së armëve bërthamore amerikane nuk pritet së afërmi. Programi i tanishëm i ndarjes bërthamore të NATO-s përfshin Belgjikën, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Këto vende strehojnë avionë me aftësi bërthamore dhe bomba bërthamore amerikane të vendosura përpara. Armët mbeten nën kontrollin e SHBA-së, e cila ruan të drejtën e posaçme për autorizimin e përdorimit të tyre.

I krijuar gjatë Luftës së Ftohtë, ky sistem, sipas NATO-s, u jep aleatëve jo-bërthamorë mundësinë të marrin pjesë në planifikimin e politikës bërthamore të aleancës dhe të garantojnë sigurinë e tyre pa zhvilluar armë bërthamore kombëtare.

Armët bërthamore amerikane në Evropë ruhen dhe mbrohen nga trupa amerikane. Njësitë ajrore të vendeve aleate, të pajisura me avionë F-35, F-15 dhe Tornado, stërviten për të marrë pjesë në ushtrime dhe misione që shfaqin gatishmërinë ushtarake dhe, në rast autorizimi nga SHBA-ja, për të përdorur këto armë.

Lëvizjet e fundit të qeverisë së Trampit për të anuluar disa vendosje të planifikuara të sistemeve të rëndësishme të armëve në Evropë dhe për të shpallur tërheqje trupash në kuadër të zhvendosjes së burimeve ushtarake drejt Azisë dhe rajoneve të tjera kanë shqetësuar disa aleatë të NATO-s. Ata druhen se kjo mund të krijojë zbrazëti në mbrojtjen e kontinentit dhe në aftësinë për të penguar ose zmbrapsur një sulm të mundshëm.

Megjithëse vendet evropiane janë zotuar të rrisin ndjeshëm shpenzimet ushtarake dhe investimet në aftësitë konvencionale që deri tani siguroheshin kryesisht nga SHBA-ja, ombrella bërthamore amerikane shihet si e pazëvendësueshme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi pas një takimi të ministrave të Jashtëm të aleancës muajin e kaluar se ekziston një “mirëkuptim i përbashkët se, edhe pse SHBA-ja do të përqendrohet më shumë në rajone të tjera, aftësia parandaluese dhe mbrojtëse në Evropë duhet të mbetet e pandryshuar”.

“Dua të jem krejtësisht i qartë: nëse dikush do të ishte aq i pamend sa të na sulmonte, përgjigjja do të ishte shkatërrimtare”, tha ai.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA