...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Takimi Miçotaqi – Erdogan: bashkëpunim me casus belli

Klimë pozitive, por edhe mosmarrëveshje të pakapërcyeshme – “Nëse nuk zgjidhet tani, atëherë kur?”

Kathimerini

14/02/2026 - 15:55

Klimë pozitive, por edhe mosmarrëveshje të pakapërcyeshme – “Nëse nuk zgjidhet tani, atëherë kur?”.

Me këto fjalë kryeministri Qiriakos Miçotaqis ia parashtroi presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan heqjen e casus belli-t në deklaratat e përbashkëta që bënë pas takimit të tyre në Ankara.

Gatishmëria e ndërsjellë e Greqisë dhe Turqisë që të mbeten të gjallë dhe veprues kanalet e ndërlidhjes të vendosura në vitin 2023, pa u larguar as edhe pak të dyja palët nga qendrimet e tyre të qëndrueshme për të gjitha dallimet dypalëshe, përbën përfundimin kryesor nga takimi i Qiriakos Miçotaqit dhe Rexhep Tajip Erdoganit.

Në një takim prej një ore e 45 minutash, i cili, sipas vlerësimit të përgjithshëm, u regjistrua si pozitiv dhe i dobishëm, si z. Miçotaqis ashtu edhe z. Erdogan përsëritën qëndrimet e tyre të njohura, me kryeministrin që kërkoi, ndër të tjera, heqjen e casus belli-t dhe dërgimin në një organ ndërkombëtar gjyqësor të çështjes së përcaktimit të ZEE-së dhe shelfit kontinental, si dhe zgjidhjen e çështjes së Qipros mbi bazën e rezolutave të OKB-së. Nga ana e tij, presidenti i Turqisë foli për pakicë turke, kërkoi pjesëmarrjen e papenguar të Ankarasë në mbrojtjen evropiane dhe kritikoi bashkëpunimin e Greqisë me Izraelin.

Kanale të hapura

Sipas vlerësimeve të para, në takimin kokë më kokë që parapriu deklaratat e përbashkëta, dy udhëheqësit nuk arritën as të zvogëlonin largësinë e pikëpamjeve në disa çështje dhe dallime. Për këtë arsye –siç pritej– u vendos të vihej theksi te nevoja që të mbeten të hapura dhe të gjalla kanalet e ndërlidhjes (Dialogu Politik, Agjenda Pozitive, MME), në mënyrë që të shmangen krizat dhe tensionet në periudhën e ardhshme.

Zyrtarë turq i thanë “K”-së se referimi i z. Erdogan ndaj së Drejtës Ndërkombëtare ka rëndësinë e vet, sidomos në një takim që u zhvillua pas shumë shtyrjesh dhe vonesash. Sa i përket deklaratës të kryeministrit për dërgimin e çështjes në gjykata ndërkombëtare, vlerësimi në kryeqytetin turk është se nuk ndodhemi ende në një fazë të tillë.

Biseda e z. Erdogan me z. Miçotaqi u zhvillua në klimë të mirë; të dy udhëheqësit dëgjonin me vëmendje të madhe qëndrimet dhe pikëpamjet, në ton të qetë, ndërsa pati edhe ndërhyrje të dy ministrave të Jashtëm.

Në darkën ku ishte i pranishëm edhe Shenjtëria e Tij Patriarku Ekumenik z. Bartolomeu, dy udhëheqësit vijuan dialogun për çështjet greko-turke, por në një çast u afruan ministrat e Greqisë dhe të Turqisë dhe biseduan për disa tema, ashtu si edhe sipërmarrësi Byron Nikolajdis (vëllai i këshilltarit diplomatik të kryeministrit, Milton Nikolajdis).

Në çastin kur z. Gerapetritis dhe z. Fidan po ecnin së bashku drejt darkës, i pyetëm si ishte takimi dhe, me rrengë, na thanë “u zëmë brenda”, por menjëherë pas kësaj shprehën kënaqësinë e tyre për përfundimet. Dy udhëheqësit nuk u ndalën vetëm te çështjet greko-turke, por folën edhe për çështje biznesi, me kompani greke që kanë blerë industri turke, si edhe kompani turke që po shqyrtojnë hyrjen në tregun grek.

Sa i përket thelbit të deklaratave Miçotaqi – Erdogan, që përbënë pasqyrimin publik të gjendjes së marrëdhënieve ndërqeveritare greko-turke në këtë fazë, është e qartë se të dy delegacionet kishin bërë një përgatitje shumë të vrullshme, duke mos lënë hapësirë për ndonjë mospërputhje, në vijim të një klime të ngjashme pozitive me atë të dhjetorit 2023 në Athinë.

“Edhe kur nuk pajtohemi, është e rëndësishme të mos përfundojmë në kriza dhe tensione”, përsëriti z. Miçotaqis, duke vlerësuar se kanalet pas vitit 2023 kanë dhënë rezultate “duke parandaluar tensione që në të kaluarën kanë vënë në provë marrëdhëniet tona”.

Z. Miçotaqis kërkoi hapur heqjen e casus belli-t, duke theksuar se “ka ardhur koha të hiqet çdo kërcënim, formal dhe thelbësor, në marrëdhëniet tona”. Madje, u shpreh me pyetjen: “nëse jo tani, kur?”. Z. Miçotaqis iu përgjigj edhe përmendjes së z. Erdogan për “pakicë turke të Trakisë Perëndimore”, duke vënë në dukje se bëhet fjalë për pakicë fetare.

“Nuk mund ta ndryshojmë gjeografinë, por mund ta bëjmë aleate, duke zgjedhur afrimin, dialogun dhe besimin tek e Drejta Ndërkombëtare”, përfundoi z. Miçotaqis, duke folur për nevojën që të nderohet trashëgimia e Elefterios Venizellos dhe Kemal Ataturkut.

Z. Erdogan, më herët, përmendi Deklaratën e Athinës të vitit 2023. Ai theksoi se “ndonëse çështjet ekzistuese janë me gjemba, nuk janë të pazgjidhshme mbi bazën e së Drejtës Ndërkombëtare, mjafton të ketë vullnet të mirë, dialog të ndershëm dhe dëshirë për zgjidhje”.

Madje, z. Erdogan shprehu “kënaqësinë” e tij për pajtimin në këtë drejtim me kryeministrin. Pas takimit u publikua edhe një deklaratë e përbashkët Greqi – Turqi, ku përfshihen afërsisht të gjitha ato që dy udhëheqësit përmendën në deklaratat e tyre, ndërsa u nënshkrua edhe një sërë marrëveshjesh dypalëshe.

Siria dhe Gaza

Përshtypje bëri fakti që z. Erdogan nuk përmendi asnjë herë çështjen e Qipros dhe, në disa pika me z. Miçotaqis, pikëpamjet e tyre dukeshin se afroheshin për çështje si Siria dhe aspekte të çështjes palestineze.

“Ne i hedhim poshtë vendimet e fundit të Izraelit për të zgjeruar mbikëqyrjen e tij në Bregun Perëndimor dhe për të dobësuar Autoritetin Palestinez. Dua të theksoj veçanërisht se paqja dhe qendrueshmëria e qëndrueshme në Lindjen e Mesme varen nga një zgjidhje e drejtë e çështjes palestineze mbi bazën e dy shteteve”, deklaroi z. Erdogan. Presidenti turk shprehu shpresën se “Greqia, si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për mandatin 2025–2026, do ta mbajë mundësinë e zgjidhjes me dy shtete në rendin e këshillit, në dobi të rajonit tonë”.

Z. Miçotaqis foli për nisjen e fazës së dytë të planit të paqes për Gazën, me synim qendrueshmërinë dhe sigurinë në Lindjen e Mesme. “Do ta përsëris edhe këtu nga Ankaraja: Greqia mbështet në mënyrë të qëndrueshme zgjidhjen me dy shtete si të vetmen zgjidhje realiste për një paqe të përhershme në rajon. Ne jemi për reformimin e Autoritetit Palestinez, në mënyrë që të marrë realisht drejtimin e Gazës dhe të Bregut Perëndimor. Por, parakusht i domosdoshëm është çarmatimi i plotë i Hamasit dhe zhdukja e terrorizmit, sepse edhe Izraeli ka të drejtë të jetojë në siguri”.

Ai shprehu kundërshtimin e tij kategorik ndaj çdo plani që mund të çojë në një aneksim të mundshëm të Bregut Perëndimor nga Izraeli. “E dënueshme është gjithashtu zgjerimi i vendbanimeve, që krijon në thelb një realitet në terren dhe e bën edhe më të ndërlikuar ushtrimin për krijimin e shtetit palestinez”, shtoi kryeministri.

Z. Erdogan tha se diskutoi me z. Miçotaqis se çfarë mund të bëhet për të fuqizuar qendrueshmërinë në Siri dhe për t’i hapur rrugën që vendi të arrijë shpejt në një qendrim ku të ndihmojë për paqen në rajon. “Është e qartë se sa i rëndësishëm është roli dobiprurës që ne marrim në këtë kuadër, jo vetëm për vetë Sirinë, por edhe për sigurinë e Greqisë dhe të Evropës. Shpresojmë që të gjitha elementet e vendit të lëvizin drejt së ardhmes me një qasje gjithëpërfshirëse, të bazuar në parimin e integritetit territorial dhe unitetit të Sirisë. Si dy fqinjë dhe aleatë, besoj sinqerisht se duhet të mbajmë të hapura kanalet e dialogut mbi bazën e bashkëpunimit”, deklaroi presidenti turk, duke i dhënë rëndësi edhe rolit të Athinës.

Kryeministri deklaroi se Siria është një fushë ku Greqia dhe Turqia mund të punojnë së bashku për të pasur qendrueshmëri politike, “me respektim të të drejtave dhe mbrojtje absolute të pakicave fetare”. Ai shtoi se ministrat e Financave të dy vendeve mund të bashkërendohen dhe të punojnë për përpjekjet e rindërtimit të Sirisë. “Një Siri e qëndrueshme do të ishte në dobi të ndërsjellë për Greqinë dhe Turqinë, sepse do t’u lejonte edhe refugjatëve – të shumtë në Turqi dhe të shumtë në Greqi – të kthehen më në fund në atdheun e tyre”, përfundoi kryeministri.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA