Projekti i Zvërnecit dhe Sazanit do të vazhdojë nga Kushneri – WSJ
Me disa pasaktësi, reporti i djeshëm i Wall Street Journal vërteton se Kushneri do të vazhdojë me projektet e tij në Shqipëri pavarësisht kryengritjes popullore, ndryshe nga pretendimet e medias sonë
WSJ
12/06/2026 - 15:23
Për më shumë se tre vjet, Xherëd Kushner është përpjekur të ndërtojë një grup hotelesh dhe vendpushimesh luksoze në një cep të Evropës Lindore që zakonisht nuk tërheq investitorë amerikanë.
Por gjërat nuk po shkojnë mirë.
Në dy javët e fundit, një zhvillim i propozuar nga Kushner (...) në një plazh të mbrojtur mjedisor në Shqipëri është kthyer në një çështje të madhe politike. Mijëra protestues kanë dalë çdo ditë në rrugë, Prokuroria e Posaçme ka hapur një hetim për shitjet e tokave dhe madje edhe krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian ka shprehur shqetësime ndaj Shqipërisë për projektin, duke ngritur frikën se ai mund të rrezikojë përpjekjen e vendit për anëtarësim në BE.
Në rrugët e Tiranës, protestuesit e kanë përdorur projektin si simbol për të shprehur pakënaqësinë ndaj pushtetit të pakufizuar, dëmtimit të mjedisit dhe zhvillimit të pakontrolluar të ndërtimeve, duke e vënë kryeministrin Edi Rama në mbrojtje. Ai ka premtuar pothuajse çdo ditë se do ta çojë përpara projektin, duke e paraqitur si një përfitim ekonomik për një nga vendet më të varfra të Evropës.
Asher Abehsera, një nga ortakët e Kushnerit që drejton zhvillimin, tha në një intervistë se respekton të drejtën e shqiptarëve për të protestuar dhe shtoi se shumë shqetësime janë ngritur përpara se ndërmarrja të ketë bërë publike hollësitë e asaj që synon të ndërtojë. “Do të ketë bashkëbisedim dhe do të ketë dëgjim të shqetësimeve,” tha ai. “Jemi të përkushtuar të krijojmë një vend që jo vetëm do të jetë i bukur, por edhe i këndshëm.”
Kjo përplasje ka shumë ngjashmëri me përvojën e Kushnerit në Serbi në fund të vitit të kaluar, ku ai kishte planifikuar të ndërtonte një hotel me markën Tramp në një vend në Beograd që ishte bombarduar dikur nga aleanca ndëratlantike. Pas një hetimi të prokurorisë mbi miratimet e përshpejtuara qeveritare dhe rritjes së protestave, Kushneri u tërhoq nga ai projekt.
Ndërsa familja e Trampit ka hasur pak kundërshtime në Kongresin amerikan lidhur me lidhjet e saj gjithnjë e më të mëdha tregtare – nga ndërmarrje të kriptomonedhave, prodhues të dronëve dhe ndërmarrje të shkrirjes bërthamore – projektet e zhvillimit të Kushnerit në Ballkan kanë prekur një nerv të ndjeshëm.
Projektet në Shqipëri dhe Serbi janë kthyer në pikë bashkimi për kritikët me pakënaqësi të ndryshme, duke tejkaluar ndarjet e zakonshme politike. Në Shqipëri, kërkesat e protestuesve variojnë nga ndalimi i projektit, shfuqizimi i ligjit që lejon ndërtimet në zona të mbrojtura, deri tek lufta kundër korrupsionit.
Fred Abrahams, autor i librit Shqipëria moderne, tha se protestat janë të zakonshme, por kjo është ndryshe sepse nuk buron nga përçarjet partiake. Sipas tij, kjo është “protesta qytetare më e madhe dhe më e rëndësishme që nga rënia e komunizmit”.
Kristina Xhiveli, një inxhiniere mjedisi 30-vjeçare që protestoi në Tiranë, tha se njerëzit janë lodhur nga shqetësimet për rrjetin e dobët, shëndetësinë, arsimin dhe probleme të tjera.
“Dhe pastaj dëgjon kryeministrin të flasë për vendpushime prej 4 miliardë eurosh. A nuk është çmenduri?”, tha ajo.
Projekti i lidhur me Kushnerin në pasuritë e paluajtshme në Shqipëri përfshin një zonë me hotele, vila dhe ndërtime të tjera në gadishullin e mrekullueshëm të plazhit të Zvërnecit. Flamingot ushqehen në lagunën e këtij brezi të ngushtë toke – protestuesit i kanë quajtur demonstrimet “revolucioni i flamingove” – ndërsa delet kullosin pranë banorëve që lahen në det.
Ai është vetëm një pjesë e një zhvillimi prej 5 miliardë dollarësh të planifikuar nga Kushner dhe ortakët e tij, një nga investimet më të mëdha të huaja ndonjëherë në Shqipëri. Pjesa tjetër është ishulli i dikurshëm ushtarak i Sazanit, ku parashikohet një vendpushim luksoz në anën përballë të Zvërnecit.
Në një bisedë të regjistruar që u publikua pikërisht kur protestat po shtoheshin, Ivanka Tramp lavdëroi projektin e Sazanit duke e quajtur atë një “ishull privat” dhe shtoi: “Kemi pesë milje vijë bregdetare në Zvërnec.”
Edhe pse Kushner dhe ortakët e tij kanë kërkuar të ndërtojnë në gadishull prej më shumë se dy vitesh, çështja shpërtheu në vëmendjen publike pasi grupi i zhvillimit rrethoi zonën me gardhe dhe tela me gjemba. Banorët dhe protestuesit që mbërritën në vendngjarje u përplasën me rojet private, ndërsa një pamje që tregonte një burrë të tërhequr zvarrë dhe të keqtrajtuar nga rojet u përhap shpejt.
Abehsera e quajti atë pamje “të tmerrshme” dhe tha se ngritja e gardhit ishte një vendim i gabuar, të cilin ia atribuoi një nënkontraktori të paemërtuar.
Sipas Abehserës, Kushner ka pasur pak përfshirje të drejtpërdrejtë që prej angazhimit të tij në administratën Tramp për marrëveshjet e paqes në Lindjen e Mesme. Ai tha se tani po punon kryesisht me familjen Al-Khayyat nga Katari, e cila është investitore në të dy projektet shqiptare. Kushner nuk pranoi të sqaronte.
Kushner, i cili drejtoi më parë ndërmarrjen familjare të pasurive të paluajtshme para se të hynte në qeverinë e parë të Trampit, kaloi më pas në fushën e kapitalit privat, duke mbledhur fillimisht mbi 3 miliardë dollarë, kryesisht nga fondet sovrane dhe familjet mbretërore të Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në të njëjtën kohë, ai u kthye tek pasuritë e paluajtshme duke marrë bekimin e udhëheqësve të Serbisë dhe Shqipërisë për të zhvilluar prona shtetërore: ish-selinë e ushtrisë në Beograd dhe ishullin e Sazanit. Kritikët thanë se të dy vendet po përpiqeshin të fitonin miratimin e Trampit, diçka që të dy udhëheqësit e kanë mohuar. Kushner ka thënë se ortakët e tij të biznesit nuk duhet të presin asgjë në këmbim nga qeveria amerikane.
Ai kishte parë mundësi në Beograd, ku zhvilluesit vendas kishin përjetuar rritje të madhe të kërkesës. Në Shqipëri, ai u tërhoq nga rritja e turizmit në një vend mesdhetar që nuk kishte të njëjtin rrjet hotelesh luksoze si fqinjët bregdetarë, Greqia dhe Mali i Zi.
Ai bisedoi me Ramën gjatë një udhëtimi me jaht në Shqipëri dhe më pas në Davos, duke shprehur dëshirën për të investuar. Interesi i tij u prit me krahë hapur. Rama kishte kërkuar ta shndërronte Shqipërinë në një vend të turizmit luksoz, i cili sipas tij krijon më shumë vende pune sesa mikpritja e nivelit të mesëm.
Ndërsa Kushner dhe Abehsera nisën bisedimet me qeverinë për zhvillimin e Sazanit, Abehsera tha se filloi të shqyrtonte edhe Zvërnecin. Duke punuar me familjen Kastrati, një nga sipërmarrësit më të mëdhenj shqiptarë, ata ndërtuan një marrëveshje për blerjen e tokës në gadishull.
Zvërneci është kthyer në një qorrsokak të ndërlikuar të mosmarrëveshjeve pronësore në Shqipëri, një problem i zakonshëm që buron nga shtetëzimi i pronave gjatë komunizmit dhe procesi i vështirë i kthimit të tyre te pronarët. Çështjet gjyqësore kanë zgjatur për vite me radhë, të mbushura me akuza për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh.
Grupi i zhvillimit i bleu tokat nga ndërmarrje dhe familje të pasura që pretendonin pronësinë. Prokuroria e posaçme kundër korrupsionit po heton tani këto kalime pronësie. Abehsera tha se toka ishte “blerë plotësisht” muaj më parë nga zhvilluesit. Një zëdhënës i tyre tha se nuk janë kontaktuar nga prokuroria. Një listë e gjatë banorësh vendas pretendojnë se toka është e tyre dhe shumë prej tyre kanë vite që luftojnë në gjykata.
Njëri prej tyre është Petraq Balliu, 61 vjeç, i cili prej më shumë se dy dekadash kërkon rikthimin e tokës që thotë se familja e tij e kishte blerë në vitin 1933 dhe e përdorte për kullotë.
“Unë nuk dua të ndërtoj një vendpushim. Dua vetëm tokën time mbrapsht”, tha ai.
Për vite me radhë, toka nuk lejohej të ndërtohej për shkak të statusit të saj si zonë e mbrojtur mjedisore. Por në vitin 2024, Shqipëria miratoi një ligj që lejon projekte turistike me standard “pesë yje” ose më të larta në zonat e mbrojtura, në përputhje me strategjinë e Ramës për turizmin luksoz.
Rregullat mjedisore të Shqipërisë tashmë janë nën shqyrtim nga Bashkimi Evropian. Komisioni Evropian ka shprehur shqetësime për projektin dhe ndikimin e ligjit të ri, duke paralajmëruar qeverinë shqiptare të shmangë veprime që mund të dëmtojnë rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.
Projekti i Zvërnecit mbetet ende në fazën e planifikimit. Gardhet dhe telat me gjemba janë hequr, ndërsa zhvilluesit po përgatisin një vlerësim të ndikimit mjedisor për shqyrtim nga autoritetet. Qeveria shqiptare ende nuk ka përfunduar marrëveshjen për t’i lejuar grupit të zhvillojë ishullin e Sazanit.
Ramez Al-Khayyat, familja e të cilit ka zhvilluar vendpushime në Maldive dhe vende të tjera, tha se në fund të fundit “shqiptarët do të vendosin” nëse projekti do të ecë përpara pasi të shohin hollësitë dhe përfitimet e tij.
“Nëse shohin se nuk ka vlerë në projekt, nuk do ta bëjmë”, tha ai. “Nuk jam i shqetësuar.”
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 16 reads



