Trupat dhe diplomatët amerikanë po largohen nga Lindja e Mesme ndërsa planifikohet rifillimi i luftës kundër Iranit
Ulja e pranisë amerikane bëhet në përgjigje të kërcënimeve të vazhdueshme në rajon, ndërsa presidenti amerikan shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve të reja ushtarake kundër Iranit.
NBC
23/10/2026 - 06:45
DOHA — Ushtria amerikane ka filluar ditët e fundit të zvogëlojë në heshtje praninë e trupave në bazat e saj në Lindjen e Mesme, ndërsa Departamenti i Shtetit po urdhëron uljen e mëtejshme të punonjëse në disa përfaqësi diplomatike në rajon, sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe dy vetë të njohur me çështjen.
Ulja e numrit të trupave dhe e punonjësve diplomatikë amerikan ngjan me tërheqjet që Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit ndërmorën rreth fillimit të luftës me Iranin në shkurt. Sipas burimeve, këto masa janë marrë si përgjigje ndaj kërcënimeve të vazhdueshme në rajon, përfshirë ato që vijnë nga Irani.
Këto lëvizje vijnë në kohën kur zyrtarët e lartë ushtarakë amerikanë i kanë paraqitur Trampit mundësi për sulme të reja kundër Iranit. Sipas njërit prej zyrtarëve amerikanë dhe dy vetëve të njohur me çështjen, ndër trupat e zhvendosur janë edhe ushtarët amerikanë të vendosur në bazat në Jordani. Zyrtari amerikan tha se lëvizjet përfshijnë edhe forcat në bazat në Katar dhe Kuvajt.
Të mërkurën, drejtuesit e disa përfaqësive diplomatike amerikane në Lindjen e Mesme u njoftuan se ato do të fillonin të punonin me më pak punonjës, thanë dy zyrtarët amerikanë. Po atë ditë, Departamenti i Shtetit njoftoi se ambasada amerikane në Arabinë Saudite ishte vendosur nën statusin e «largimit të urdhëruar», që do të thotë se përfaqësia do të veprojë vetëm me punonjës të domosdoshëm për ugjencat.
«Huthët e mbështetur nga Irani kanë shtuar veprimet armiqësore kundër Arabisë Saudite, përfshirë sulmet ndaj aeroporteve qytetare dhe rrjetit tjetër jetik, të cilat kanë shkaktuar viktima dhe ndërprerje të rënda të udhëtimeve», shkroi në një postim në rrjetet shoqërore zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tomi Pigot.
Zëdhënësi i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), Timoti Hokins, tha në një qëndrim: «Ne i zhvendosim rregullisht ushtarakët dhe mjetet tona për të siguruar gatishmërinë më të mirë për kryerjen e detyrave».
«Për arsye të sigurisë së veprimeve ushtarake, ne nuk bisedojmë lëvizjet përkatëse», tha Hokins. «Forcat amerikane mbeten vigjilente dhe të gatshme për të mbrojtur punonjësit dhe qëllimet amerikane në të gjithë rajonin».
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës për sqarim lidhur me zhvendosjen e trupave nga Pentagoni. Kur u pyet për ndryshimet në përfaqësitë diplomatike, një zëdhënës i Pentagonit, i pyetur për lëvizjen e trupave amerikane, iu drejtua qëndrimit të zëdhënësit të CENTCOM-it dhe një tjetër Departamentit të Shtetit për uljen e punonjësve në ambasadën amerikane në Arabinë Saudite.
Sipas njërit prej zyrtarëve amerikanë dhe njërit prej vetëve të njohur me çështjen, zhvendosja e trupave më larg zonave të rrezikut është pjesë e planifikimit ushtarak amerikan, ndërsa Trampi shqyrton rifillimin e veprimeve të mëdha luftarake në Iran, ndoshta përpara ose pas zgjedhjeve të mesit të mandatit, që do të mbahen muajin e ardhshëm.
Numri i trupave amerikane në bazat e rajonit ka qenë prej muajsh më i ulët se përpara fillimit të luftës në shkurt, kur Pentagoni largoi shumicën e tyre për t'i mbrojtur nga sulmet hakmarrëse iraniane. Një pjesë e trupave të zhvendosura ishte kthyer më pas në bazat e rajonit, por ato mund të largohen sërish si pjesë e tërheqjes së fundit, thanë zyrtari amerikan dhe njëri prej të njohurve me çështjen.
Sipas tyre, SHBA-ja synon të mbajë një prani të kufizuar në bazat e saj, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe njerëzit e sigurisë, ashtu siç bëri pas zhvendosjes së trupave përpara fillimit të luftës.
Edhe përfaqësitë diplomatike amerikane në rajon kanë vepruar me punonjës të kufizuar që nga fillimi i luftës. Ndërsa lufta u zgjat dhe përfaqësitë vazhduan të punonin me punonjës të zvogëluar, Departamenti i Shtetit krijoi një status të ri, të quajtur «veprim i kufizuar», i cili lejon kufizime disi më të lehta të punonjësve. Ky status është bërë gradualisht gjendja e zakonshme për shumë përfaqësi në rajon.
«Siguria dhe mbrojtja e punonjësve të Departamentit dhe të familjeve të tyre mbeten përparësia jonë kryesore. Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për t'i mbrojtur dhe mbështetur ata», tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Pigot, në postimin e tij në rrjetin X.
Trampi është përpjekur të gjejë një mënyrë për t'i dhënë fund luftës me Iranin, e cila tashmë po hyn në muajin e saj të tetë. Ai ka thënë se lufta mund të përfundojë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, qoftë përmes përdorimit të mëtejshëm të forcës, qoftë përmes një marrëveshjeje me Iranin. Pentagoni ka thënë se në rajon ndodhen më shumë se 50.000 ushtarë amerikanë.
Një prej zyrtarëve amerikanë dhe njëri prej të njohurve me çështjen thanë se ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar, megjithëse Trampi ka thënë se SHBA-ja nuk do të nisë një veprim të ri kundër Iranit përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit.
Më 8 tetor, në platformën e tij Truth Social, Trampi shkroi: «Ne nuk do ta sulmojmë Iranin në asnjë çast përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara më 3 nëntor». Ai shtoi se Irani ndodhet në «gjendje shumë të keqe, si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe nga ajo ushtarake», por se SHBA-ja po zhvillon «bisedime frytdhënëse» me Iranin.
Ndër mundësitë ushtarake që i janë paraqitur Trampit ditët dhe javët e fundit përfshihen sulme të mëdha ndaj tuneleve ose hyrjeve të ndërtesave bërthamore iraniane, si në zonën e Malit Pikas, si dhe sulme kundër ishujve me rëndësi strategjike, sipas njërit prej zyrtarëve amerikanë dhe një ish-zyrtari të njohur me këto mundësi.
Sipas tyre, një prej shënjestrave të mundshme është ishulli Kharg, ku ndodhet pjesa dërrmuese e eksporteve të naftës iraniane dhe që përbën një burim jetik ekonomik për vendin. Një tjetër shënjestër e mundshme është ishulli Keshm, në Ngushticën e Hormuzit.
Disa këshilltarë të Trampit, përfshirë sekretarin e Mbrojtjes, Pit Hegset, kanë mbështetur privatisht rifillimin e veprimeve ushtarake kundër Iranit, thanë një tjetër zyrtar amerikan dhe ish-zyrtari i njohur me çështjen. Këshilltarë të tjerë, megjithatë, kanë shprehur shqetësimin për rifillimin e luftimeve në shkallë të gjerë pa një qëllim përfundimtar të përcaktuar qartë.
Të hënën, Hegseth u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili mbështet sulmet e reja kundër Iranit, gjatë një vizite në Lindjen e Mesme. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Mbrojtjes tha në një deklaratë: «Departamenti nuk sqaron bisedat private të sekretarit me presidentin».
Bisedimet brenda administratës janë përqendruar tek mundësia që, nëse SHBA-ja do ta çonte Iranin në prag të rrënimit ekonomik, sulmet e reja ushtarake mund ta detyronin udhëheqjen iraniane të bisedonte për t'i dhënë fund luftës dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, tha njëri prej zyrtarëve amerikanë.
Admirali Bredli Kuper, komandanti i CENTCOM-it, publikoi të premten një video ku tha se bllokada detare amerikane i ka kushtuar Iranit 25 miliardë dollarë në eksporte të naftës bruto. «Regjimi islamik po e ndien qartësisht dhimbjen ekonomike», tha Kuper. Sipas zyrtarit amerikan, një veprimtari e re në Iran mund të jetë e kufizuar në kohë, e ngjashme me atë që SHBA-ja ndërmori në qershor 2025, me emrin «Operacioni Çekiçi i Mesnatës».
Trampi nuk e ka përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të luftës, nëse vendos të rifillojë veprimet luftarake. Në një intervistë për Newsmax javën e kaluar, ai nuk e përjashtoi përdorimin kundër rrjetit iranian të bombës së njohur si «Nëna e të gjitha bombave» (MOAB). Ajo peshon rreth 21.000 paund, është afërsisht 9,5 tonë, ka gjatësi rreth 9 metra dhe shpërthimi i saj krijon një re në formë kërpudhe që mund të shtrihet deri në 32 kilometra. Bomba u përdor gjatë mandatit të parë të Trampit në një sulm kundër organizatës Shteti Islamik në Afganistan.
«Kjo është thjesht një bombë jashtëzakonisht e madhe. Është si një bombë e vogël bërthamore dhe — por nëna e të gjitha bombave është një bombë e vetme, shumë e madhe», tha Trampi në intervistë. «Por ajo nuk është bërthamore. Jo, nuk do të përdorja armë bërthamore. Nuk kemi nevojë. Ne jemi fuqia më e madhe bërthamore në botë».
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 7 reads



