...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kërkesat kryesore ruse: NATO shkon në kufijtë e vitit 1997 dhe kufizohet veprimtaria e saj ushtarake

Kërkesat përputhen me kuptimin se Rusia fitoi luftën kundër NATO-s dhe është ajo që dikton përmbajtjen e marrëveshjes

Ylli Përmeti

16/11/2026 - 05:57

Tre raporte do të përmenden në vijim mbi përpjekjen e SHBA-së dhe Rusisë për të zhvilluar bisedime për të ndaluar luftën në Ukrainë dhe për vendosur paqe dhe një rend të ri sigurie. Së pari paraqitet një përmbledhje e gazetës amerikane Nju Jork Tajms:

Qëndrimi i ashpër i zyrtarëve rusë në bisedimet me dyer të mbyllura për përfundimin e luftës e vendos sigurinë evropiane në qendër të bisedimeve. Udhëheqësi rus ka këmbëngulur vazhdimisht se, përpara se të ndalë luftimet, duhet të trajtohen të gjitha ankesat dhe pretendimet e shumta të Rusisë ndaj NATO-s dhe Ukrainës, të cilat ai i quan «shkaqet rrënjësore» të luftës. Zyrtarët rusë në Abu Dhabi e bënë të qartë se e shohin Luftën e Ftohtë dhe aleancën e udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, të njohur në atë kohë si Pakti i Varshavës, si një model për mënyrën se si mund të organizohet Evropa pas përfundimit të luftës në Ukrainë.

Sipas vetëve të pranishëm, rusët thanë në Abu Dhabi se ndarja e asaj kohe në zona të veçanta ndikimi të SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, si dhe kumtimet dhe mirëkuptimet që shoqëronin atë marrëveshje, e kishin ulur në të vërtetë rrezikun e luftës. Një zyrtar amerikan tha se Witkoff dhe Kushner u kishin bërë të ditur rusëve se shumë gjëra kishin ndryshuar që nga dhjetori i vitit 2021, kur Rusia kërkoi një traktat të ri që do t'i jepte fund pjesës më të madhe të veprimtarisë ushtarake të NATO-s në një pjesë të madhe të Evropës Lindore dhe Qendrore.

Amerikanët u kërkuan rusëve të shihnin drejt së ardhmes dhe se ishin “të hapur ndaj parashtrimeve të reja nga Moska, të cilat do të përfshinin hapa konkretë nga Rusia për uljen e acarimeve. Të dërguarit e presidentit Trump po përpiqen tani të largojnë frikën se do të ndërmjetësojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Putinin, duke anashkaluar Evropën dhe Ukrainën.

Gjatë pjesës së takimit të zhvilluar para kamerave, Kushneri i tha Putinit se Rusia, Ukraina, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kishin bërë tashmë përparim për çështjet e «sigurisë afatgjatë». Por më vonë, Putini u tha amerikanëve se parashtrimi i Rusisë i vitit 2021 për tërheqjen e NATO-s vazhdonte të pasqyronte «pikëpamjen tonë për shtyllat e një arkitekture të pandashme të sigurisë», u tha gazetarëve pas takimit Yuri Ushakov, këshilltari i presidentit rus për politikën e jashtme.

Shkresa e paraqitur këtë javë, që përcakton qëndrimin e Rusisë, nuk mban kokë zyrtare dhe as nënshkrim. Në terminologjinë diplomatike ajo quhet «shkresë jozyrtare» dhe shërben për të paraqitur jozyrtarisht pikëpamjet e njërës palë. Duke përsëritur kërkesat e Rusisë të dhjetorit 2021, shkresa thotë se vendet e NATO-s duhet të përjashtojnë zgjerimin e mëtejshëm të aleancës, si dhe «çdo veprimtari ushtarake» në Ukrainë dhe në vende të tjera të «Evropës Lindore, Kaukazit Jugor dhe Azisë Qendrore». Shkresa tregon se, nëse ka ndryshuar diçka, Putini i ka bërë edhe më të palëkundura disa prej qëndrimeve të tij.

Në vitin 2021, Rusia kërkonte që NATO të hiqte dorë nga marrëveshjet e saj për «bashkëndarjen bërthamore», të cilat prej kohësh u kanë mundësuar aleatëve evropianë të SHBA-së të përfitojnë nga mbrojtja që paraqesin armët bërthamore amerikane. Tani, sipas shkresës, Rusia kërkon gjithashtu që Franca dhe Britania e Madhe të përjashtojnë mundësinë e përdorimit të armëve të tyre bërthamore për të mbrojtur vende të tjera evropiane. Kjo çështje është biseduar gjerësisht në Evropë gjatë vitit të fundit, pjesërisht për shkak të shqetësimeve nëse presidenti Tramp është i gatshëm t'i vijë në ndihmë NATO-s.

Shkresa kërkon gjithashtu ndërprjen e ndihmës për Ukrainën, duke parashikuar përfundimin e «furnizimit të Ukrainës me çdo lloj arme, pajisjeje ushtarake dhe prodhimi ushtarak nga Perëndimi». Sipas saj, Rusia do të miratonte anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian vetëm nëse Ukraina nuk do të merrte pjesë në politikën e përbashkët të mbrojtjes së këtij blloku. Duke pasqyruar kërkesat e Rusisë të vitit 2021, të paraqitura përpara pushtimit, shkresa thotë se Rusia kërkon që NATO të tërheqë trupat dhe bazat e saj në kufijtë e aleancës të vitit 1997, përpara se ajo të fillonte zgjerimin drejt Evropës Qendrore dhe Lindore.

Së dyti një përmbledhje të kërkesave sipas gazetës amerikane Uashington Post:

Shkresa me kërkesat ruse, parashtron kërkesa që kanë qenë kërkesa të përsëritura nga Moska por këtë herë shtohet një përmasë e re për të cilën kam folur në libër: se ato nënkuptojnë se NATO e ka humbur luftën me Rusinë dhe është kjo e fundit që dikton përmbajtjen e paqes dhe sigurisë në Evropë ndërsa nuk përmenden gjithë kërkesat që botoi Bild.

Kërkesat kryesore përfshijnë:

1. Tërheqja e NATO-s në konfigurimin e saj ushtarak të vitit 1997: NATO-s do t’i kërkohej të kthente vendosjen e forcave të saj ushtarake në gjendjen përpara zgjerimit drejt lindjes, duke i dhënë fund pranisë së forcave dhe armëve të NATO-s në vendet që iu bashkuan aleancës pas vitit 1997.

2. Kufizime mbi veprimtaritë ushtarake të NATO-s: NATO-s do t’i ndalohet të zhvillonte veprimtari ushtarake në Ukrainë dhe në vende të tjera të Evropës Lindore, Kaukazit Jugor dhe Azisë Qendrore.

3. Kufizime mbi forcat e armatosura të Ukrainës: Ukraina do të duhet të pranonte kufizime mbi madhësinë e forcave të saj të armatosura, armatimin dhe aftësitë ushtarake.

4. Ndërprerja e ndihmës ushtarake perëndimore: Të gjitha furnizimet me armë dhe pajisje ushtarake perëndimore për Ukrainën do të duhet të ndërpriten.

5. Mungesa e pranisë së huaj ushtarake në Ukrainë: Ukrainës do t’i ndalohet të prisë trupa të huaja, baza ushtarake apo mjete ushtarake në pronësi ose nën mbikëqyrjen e vendeve të tjera.

6. Kufizime mbi angazhimet bërthamore të Britanisë dhe Francës: Franca dhe Mbretëria e Bashkuar duhet t’u jepnin fund marrëveshjeve për bashkëndarjen bërthamore dhe angazhimeve përkatëse në fushën e sigurisë.

7. Përjashtimi i Ukrainës nga politika e përbashkët e sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së: Edhe nëse Ukraina do të anëtarësohej në Bashkimin Evropian, asaj nuk do t’i lejohet të marrë pjesë në marrëveshjet dhe mjetet e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes të tij.

8. Çështja e Donbasit: Shtetet e Bashkuara thuhet se kanë ngritur mundësinë e tërheqjes së Ukrainës nga Donbasi si pjesë e një marrëveshjeje për zgjidhjen e përplasjes, sipas Zelenskit.

Vendet e përmendura shprehimisht në lidhje me kërkesën e Rusisë janë Polonia, Çekia, Hungaria, Estonia, Letonia, Lituania, Sllovenia, Rumania dhe Bullgaria. Vendet e tjera që iu bashkuan NATO-s pas 27 majit 1997 dhe që, për rrjedhojë, përfshihen gjithashtu në kërkesën për tërheqjen ushtarake janë Sllovakia, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Finlanda dhe Suedia. Gjithsej, 16 vende anëtare të NATO-s preken nga kërkesa për rikthimin e gjendjes ushtarake të vitit 1997.

Kërkesat sipas Bild:

• Ukraina nuk duhet të lejohet t'i përdorë më portet e Odesës dhe të Mykolaivit si baza detare. Për më tepër, Rusia kërkon një marrëveshje për lundrimin si në Detin e Zi, ashtu edhe në Detin Baltik.

• Në Estoni, Letoni dhe Lituani nuk duhet të ketë baza ushtarake të NATO-s.

• Finlanda duhet të largohet nga NATO-ja.

• Ukraina mund të anëtarësohet në BE, por jo në NATO.

• Moldavia, Transnistria dhe Gagauzia duhet të shndërrohen në një republikë federale. Nëse Moldavia anëtarësohet në BE, Transnistrisë dhe Gagauzisë duhet t'u njihet e drejta për të votuar për pavarësinë e tyre.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA