...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Trampi përparon planin e tij për ta bërë botën të varur nga gazi amerikan

*Raporti sjell një përditësim të mirë të përpjekjeve të Trampit për të shitur gazin amerikan rreth botës por “ekspertët” që pyet gazeta përkatëse kanë dije tejet të pjesshme, sepse ata s`janë në dijeni të praktikave që ai po ndjek në vende si Shqipëria: parablerjen e gazit amerikan nga qeveria dhe zhytjen e kombeve në varfëri dhe krizë të mëtejshme klimatike dhe ekologjike —Ylli Përmeti

Politico

20/11/2026 - 15:22

ANTALIA, Turqi — Presidenti Donald Tramp po nënshkruan marrëveshje dhjetëra miliardë dollarëshe për rrjetin e gazit natyror nga Evropa në Afrikë, në një lëvizje të pazakontë që synon të sigurojë se trashëgimia e tij në fushën e lëndëve djegëse fosile do të zgjasë për dekada pas përfundimit të presidencës së tij.

Projektet pritet të forcojnë rolin e gazit amerikan si pjesë qendrore e tregjeve jashtë vendit për vitet në vijim, me pasoja të gjera për aftësinë konkurruese të energjisë së ripërtëritshme dhe për përpjekjet globale për të ulur çlirimin e gazeve nga lëndët djegëse fosile që nxisin ndryshimet klimatike.

Strategjia amerikane mund t'i ndihmojë qeveritë të frenojnë përkohësisht çmimet e energjisë elektrike që po rriten me shpejtësi, por njëkohësisht rrezikon të pengojë angazhimet e tyre për të ulur gazet që shkaktojnë ngrohjen e atmosferës, sipas analistëve. Këto dy trysni po ndikojnë në bisedimet klimatike COP31 në Turqi, ku vendet po përballen me rritjen e kërkesës për energji, ndërkohë që po pranojnë dështimin e premtimeve për të kufizuar ngrohjen globale në 1,5 gradë Celsius.

“Një pjesë e madhe e këtij rrjeti do të jetë në ndërtim e sipër dhe nuk do të mund të kthehet pas deri në fund të administratës së Trampit”, tha Rich Goldberg, i cili shërbeu në Këshillin e Shtëpisë së Bardhë për Mbizotërimin Energjetik të Trampit. “Pikat e importit janë në shërbim. Gazi po vjen.” Një rrjet tubacionesh dhe portesh me mbështetje financiare amerikane qëndron në qendër të largpamësisë së Trampit, pjesa më e madhe e të cilit synon të kundërshtojë ndikimin rus. Ato pritet të krijojnë ose zgjerojnë mundësinë e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG) amerikan në të gjithë Evropën, Afrikën dhe Azinë përmes:

• Korridorit të Gazit Amber, përmes vendeve baltike, Finlandës dhe Polonisë.

• Zgjatjes së Korridorit Vertikal nga Deti Egje përmes Ballkanit.

• Zgjerimit të Korridorit Jugor të Gazit nga Azerbajxhani në Italinë jugore.

* Tubacioneve të gazit ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit.

* Terminaleve të LNG-së në vendet afrikane, Egjipt dhe Mozambik.

- Një impiant i madh në Azinë Juglindore për të marrë LNG-në amerikane do të mbështetej nga financimi amerikan.

Lista vazhdon.

Vendimi i Trampit për të hequr një rregull të periudhës së Bajdenit, që ndalonte financimin publik të projekteve të lëndëve djegëse fosile jashtë vendit, ndihmoi në çlirimin e valës së re të projekteve të mbështetura nga SHBA-ja. Ai ka vënë Bankën e Eksport-Importit, e cila mbështet financiarisht projektet që nxisin vendet e punës në SHBA, në shërbim të rrjetit të lëndëve djegëse fosile në një mënyrë që qeveritë e mëparshme nuk e kanë bërë. Në dhjetor, Kongresi i dha një organi investues të qeverisë, të quajtur Korporata Amerikane e Financimit të Zhvillimit Ndërkombëtar

(DFC), detyra të reja financimi që mund të përdoren për projekte energjetike në pothuajse çdo vend.

Qeveria e tij ka nxitur gjithashtu organe si Banka Botërore që të heqin synimet klimatike, ndërsa u ka bërë trysni të ndryshojnë udhëzimet që kufizonin financimin e prodhimit të naftës dhe gazit në vendet në zhvillim. Kjo ka përhapur ndikimin edhe në organe të tjera, si Banka Aziatike e Zhvillimit, tha Clemence Landers, nënkryetare dhe studiuese e lartë në organizatën kërkimore Center for Global Development.

“Kjo është në të vërtetë një çështje shumë e madhe dhe të gjithë duket se thjesht e kanë pranuar në heshtje”, tha ajo. “Në njëfarë mënyre, po arrijmë fundin e gjithçkaje.” Ndërsa disa projekte i paraprijnë mandatit të dytë të Trampit, ai ka kërkuar projekte të reja që do të mbështeteshin në angazhimin diplomatik amerikan për të çuar LNG-në amerikane jashtë vendit dhe për të zgjeruar projektet e tanishme.

“Agjenda e Presidentit Tramp për mbizotërimin energjetik e ka zhvendosur qendrën e energjisë në hemisferën perëndimore”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Taylor Rogers. “Tani, më shumë se kurrë, aleatët tanë në mbarë botën, si në Evropë ashtu edhe në Azi, po i drejtohen Shteteve të Bashkuara për të forcuar zinxhirët e furnizimit dhe për të bërë investime të reja.”

Tubacioni i Gazit i Ndërlidhjes Jugore, një projekt që synon të lidhë Bosnjën dhe Hercegovinën me një rrjet tubacionesh që transporton gaz nga një terminal kroat LNG-je, pasqyron premtimet dhe kufizimet e strategjisë së qeverisë (amerikane).

Propaganduesi i Trampit

Nga njëra anë, vendet ngurrojnë të çmontojnë projekte shumë miliardë dollarëshe pasi ato ndërtohen, duke i dhënë LNG-së amerikane një mundësi për t'u bërë furnizues për dekada. Por nëse çmimet e lëndëve djegëse fosile mbeten të larta për një kohë të gjatë — pjesërisht për shkak të luftës me Iranin — projektet mund të mos realizohen kurrë. Dhe bota mund të largohet nga lëndët djegëse fosile më shpejt nga sa pritet. Trampi ka dërguar Sekretarin e Energjisë, Chris Wright, si shitës të projektit të zgjerimit të gazit të Korridorit Vertikal përmes Tubacionit të Gazit të Ndërlidhjes Jugore. Korridori Vertikal, i cili shtrihet nga Greqia përmes Evropës jugore dhe qendrore, me pika hyrjeje të shpërndara në të gjithë kontinentin, synon të ndërpresë furnizimet ruse duke importuar deri në 12 miliardë metra kub LNG në të gjithë Evropën. Furnizuesit nga SHBA-ja — e cila eksportoi 156 miliardë metra kub LNG vitin e kaluar — duan të mbushin pjesën më të madhe të kësaj aftësie dhe ta bëjnë tubacionin një nyje kyçe për furnizimin e kontinentit.

Nicole McGraw, ambasadorja amerikane në Kroaci, ka ndarë hollësi rreth itinerarit të këtij tubacioni dhe investimeve të tjera të planifikuara në Evropë, Kaukaz dhe Azinë Qendrore me ligjvënës dhe ekspertë të politikave energjetike, tha Landon Derentz, drejtor i lartë i Global Energy Center të Këshillit Atlantik. Diplomatët amerikanë po punojnë me vendet për të harmonizuar politikat tatimore, të cilat kanë penguar marrëveshjet për zgjerimin e Korridorit Vertikal drejt Hungarisë, Ukrainës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Hollësitë e nismës, të ndara me POLITICO nga një zyrtar i qeverisë amerikane, të cilit iu dha anonimati për të folur mbi çështjet diplomatike, nxjerrin në pah se si qeveria amerikane po përpiqet të krijojë lidhje tregtare afatgjata ndërmjet kompanive amerikane të energjisë dhe qeverive në Evropë, Azi, Amerikën Latine dhe Afrikë.

“Kjo krijon vrull politik në rajon duke e paraqitur si përparësi të qeverisë, duke na lejuar si qeveri të përqendrohemi në këtë rajon në mënyrë të bashkërenduar”, tha zyrtari në një intervistë. Projekte të tjera i paraprijnë Trampit dhe kanë marrë mbështetjen e tij.

SHBA-ja ka dhënë mbështetje diplomatike për Korridorin e Gazit Amber, të udhëhequr nga Evropa, i cili do të bartte gaz amerikan përmes Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe për Korridorin Jugor, që do të bartte gaz nga Azerbajxhani drejt kontinentit. Të dy do të ulnin furnizimet ruse për BE-në.

“Shtetet e Bashkuara e kanë gazin. Nuk do të dëshironim asgjë më shumë sesa të bashkëpunonim për ndërtimin e këtij rrjeti”, tha Wright në një konferencë në nëntor 2025.

Ambicia amerikane shtrihet përtej Evropës. Korporata e Financimit të Zhvillimit po shqyrton nëse do të mbështesë një tubacion nafte dhe gazi përgjatë të ashtuquajturit Rruga e Trampit për Paqe dhe Begati Ndërkombëtare, që lidh rivalët Armeni dhe Azerbajxhan. Agjencia miratoi gjithashtu 1,5 miliardë dollarë në qershor për ndërtimin e rrjetit të LNG-së në Azinë Juglindore. Banka Ex-Im ka qenë edhe më aktive. Ajo vuri në dispozicion $2 miliardë financim të mbështetur nga taksapaguesit për zgjerimin e dërgesave të LNG-së drejt Egjiptit. Dhe nënshkroi një marrëveshje paraprake prej 14 miliardë dollarësh për ndërtimin e projektit të eksportit të LNG-së Delfin, në brigjet e Luizianës, që do të dërgonte karburant në Korenë e Jugut, Japoni dhe BE. Një marrëveshje prej 7 miliardë dollarësh me Argjentinën do të ndihmonte në financimin e projekteve të rrjetit energjetik. Ex-Im ringjalli gjithashtu një kredi prej 4,7 miliardë dollarësh për një impiant eksporti të LNG-së në Mozambik.

Projektet pritet të veprojnë për dekada, duke krijuar marrëdhënie të qëndrueshme — dhe tregje — në dobi të gazit amerikan. “Ndërsa ndërtoni projekte në shkallë të gjerë — veçanërisht në energji, por edhe në transport dhe rrjetin mbështetës — kështu do të krijoni tregje dhe jo pasuri të mbetura pa përdorim, të cilat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj kontrollit kundërshtar”, tha drejtori i përgjithshëm i DFC-së, Ben Black, në qershor në Forumin Global të Energjisë të Këshillit Atlantik në Uashington.

‘Kryesisht përshtypje’

Strategjia nuk është pa kundërshtarë. Shumë vende hezitojnë të bëhen tepër të varura nga një furnizues i vetëm. BE-ja u mbështet për vite me radhë te gazi rus, vetëm për t'u përballur me mungesa kur udhëheqësi i saj, Vladimir Putin, pushtoi Ukrainën në vitin 2022.

Tani, nxitja e gjerë amerikane për ndërtimin e rrjetit mund ta kthejë Evropën në një blerëse afatgjatë. Disa zyrtarë evropianë thonë se janë të kujdesshëm ndaj paparashikueshmërisë së Trampit, veçanërisht pasi ai kërcënoi të ndalonte eksportet e naftës dizel drejt BE-së në shtator.

András Hujber, i cili drejton diplomacinë energjetike të ekzekutivit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, tha në një forum në Vjenë në shtator se tubacionet do të “ndihmojnë në ... karbonizimin e rajonit”.

“Nuk duhet të çojmë gaz në tregje që nuk kanë gaz”, shtoi Hujber. Qeveri të tjera pranuan se kanë nevojë për gaz amerikan, por pakësuan idenë se investimet e mëdha në rrjet do t'i detyronin të përdornin lëndët djegëse fosile për një kohë shumë të gjatë në të ardhmen.

“Për disa vite në vijim, ne do të kemi ende nevojë për gaz — të paktën në Holandë — për qëndrueshmërinë e sistemit tonë energjetik. Ne nuk e mohojmë këtë”, tha i dërguari holandez për klimën, Jan Versteeg, të hënën në COP31, në përgjigje të një pyetjeje të POLITICO-s. “Ka pasur mjaft investime në rrjet për të na ndihmuar gjatë kësaj periudhe. Në të njëjtën kohë, nëse shikoni vëllimin e përgjithshëm të investimeve që po bëhen sot në energjinë e ripërtëritshme në mbarë botën, ai është shumë më i rëndësishëm.” Projektet që Trampi dëshiron të vërë në jetë janë jashtëzakonisht të ndërlikuara dhe të kushtueshme. Përfundimi i tyre nuk është i sigurt, veçanërisht nëse çmimet e lëndëve djegëse fosile mbeten të larta.

“Ka një ndryshim të madh midis një qeverie që njofton diçka dhe asaj që kjo gjë bëhet realitet. Dhe mendoj se në vitet në vijim do të shohim se ka një ndryshim të madh midis të dyjave”, tha Steven Guilbeault, i cili ishte ministër i Kanadasë për klimën dhe mjedisin deri në vitin 2025, për POLITICO-n në bisedimet në Turqi.

Gjetja e kapitalit të mjaftueshëm financiar nuk është pengesë e madhe për përfundimin e projekteve, thanë drejtuesit e industrisë. Problemi është aftësia e dobët kreditore e blerësve të mundshëm të LNG-së në vendet më pak të zhvilluara. Ndërmarrjet energjetike thonë se nuk mund të rrezikojnë të ndërtojnë terminale miliarda dollarëshe që u shërbejnë blerësve të pasigurt.

“Kryesisht përshtypje”, tha një zyrtar i industrisë së naftës dhe gazit për strategjinë e administratës së Trampit.

Por këto përshtypje kanë sjellë frute, thanë disa zyrtarë të industrisë. Ata vlerësuan qeverinë e Trampit për përqendrimin tek energjia në çdo angazhim tregtar, diplomatik dhe të politikës së jashtme. Kjo ka sjellë qartësi, thanë ata, në krahasim me qeverinë e Bajdenit, e cila mbikëqyri një rritje të jashtëzakonshme të eksporteve të naftës dhe gazit, përpara se të pezullonte lejet për pikat e reja të eksportit të LNG-së.

SHBA-ja është tashmë eksportuesja më e madhe e LNG-së në botë, me aftësi edhe më të mëdha që pritet të vihen në punë. Qeveria e Trampit e përdori këtë ndikim energjetik kur punoi kundër rregullave të BE-së që synonin të pengonin importet e naftës dhe gazit me nivele më të larta të çlirimit të metanit. Ligjvënësit evropianë u pajtuan muajin e kaluar për shtyrjen e rregullave nga një deri në tre vjet. Pastaj, javën e kaluar, EIA vlerësoi se eksportet e LNG-së amerikane do të rriteshin me 23% vitin e ardhshëm, krahasuar me vitin 2025.

Kjo do të ishte një rekord.   

Shqipëroi dhe përgatiti për botim Ylli Përmeti

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA