Prishja e parakohshme e vorbullës polare rrit rrezikun e motit të ftohtë
Dobësimi i hershëm i sistemit të erërave që mban të bllokuar ajrin e Arktikut përbën ngjarjen më të fundit atmosferike
Financial Times
15/11/2026 - 07:16
Vorbulla polare, sistemi i erërave që mban të bllokuar ajrin e Polit të Veriut, ka shënuar prishjen e saj më të hershme të njohur sezonale gjatë dimrit, duke i shtuar një tjetër dukuri meteorologjike të paparashikueshme temperaturave rekord të deteve dhe ajrit në mbarë botën.
Prishja e vorbullës polare mund të sjellë mot shumë të ftohtë dhe të thatë në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azinë Veriore. Megjithatë, shkencëtarët thonë se pasojat e kësaj here mbeten ende të pasigurta, për shkak se ndryshimi ka ndodhur kaq herët gjatë sezonit.
Ky ndryshim në Arktik përbën një tjetër pikë kthese në një epokë të karakterizuar nga ngrohja e klimës dhe dukuri të pazakonta atmosferike, përfshirë një ndikim të El Niño-s në Oqeanin Paqësor me fuqi rekord, thanë studiuesit. Kjo do ta bëjë edhe më të vështirë vlerësimin e ndikimit të mundshëm të përbashkët të këtyre dukurive, madje edhe me ndihmën gjithnjë e më të madhe të inteligjencës artificiale.
«Ky është ndoshta një tjetër shembull, ose simptomë, e sistemit të Tokës që po shfaq dukuri të cilat nuk i kemi parë më parë», tha Tim Stockdale, shkencëtar kryesor në Qendrën Evropiane për Parashikimet Meteorologjike Afatmesme (ECMWF).
«Kjo vetëm sa e shton përshtypjen se sistemi klimatik po hyn në një territor të panjohur dhe e bën më të vështirë parashikimin e asaj që mund të ndodhë».
Kjo dukuri meteorologjike u zhvillua ndërkohë që bisedimet e OKB-së për klimën, COP31, në Turqi po i afrohen fazës përmbyllëse javën e ardhshme. Muaji i kaluar ishte tetori më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në shkallë globale, sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus, të mbështetur nga BE-ja.
Qarkullimi i zakonshëm perëndimor i erërave të fuqishme të vorbullës polare në stratosferë, në lartësinë 10 deri në 50 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, u përmbys këtë javë, sipas qendrës së parashikimit.
Kjo përmbysje ndodhi më shumë se dy javë më herët se rekordi i mëparshëm, i shënuar më 28 nëntor, në vitin 1968 dhe përsëri në vitin 2025, sipas të dhënave që datojnë që nga viti 1958.
Ndryshimet shkaktohen nga një dukuri e njohur si ngrohja e papritur stratosferike, gjatë së cilës temperaturat në këtë shtresë të atmosferës rriten ndjeshëm.
Zyra Meteorologjike Britanike (Met Office) ka vënë në dukje një «lidhje vëmendëse» me dukurinë El Niño që po zhvillohet në Paqësorin tropikal. Kjo tregon se si ndikimet meteorologjike mund të përhapen në largësi të mëdha dhe përmes rrugëve të ndërlikuara.
El Niño është një dukuri ciklike natyrore, e karakterizuar nga temperatura jashtëzakonisht të larta në pjesën lindore tropikale të Oqeanit Paqësor, e cila zakonisht pasohet nga një fazë e kundërt ftohjeje.
Gjatë fazës së ngrohjes, oqeani çliron nxehtësi, e cila mund të përhapet përmes atmosferës dhe të nxisë ngrohjen e papritur stratosferike dhe stuhi në rajone të largëta.
Prishja e vorbullës polare dhe çlirimi i masave të ajrit polar kanë shkaktuar shpesh mot shumë të ftohtë, siç ndodhi gjatë të ashtuquajturit «Bisha nga Lindja», që solli të ftohtë të ashpër në Evropën Qendrore dhe Perëndimore në fillim të vitit 2018. Në fillim të këtij viti, një dukuri e ngjashme solli një nga dimrat më të acartë në Nju Jork që nga periudha e Epokës së Artë (Gilded Age).
Ndryshimet e tanishme të vorbullës polare mund të çojnë në zhvillime të ngjashme, por shkencëtarët thonë se ende nuk mund të përcaktojnë me siguri nëse kjo do të ndodhë.
Pasojat mbeten të paqarta, pasi dukuria e këtij viti ka ndodhur «thjesht shumë herët», tha Scott Osprey, shkencëtar i lartë në Qendrën Kombëtare për Shkencat Atmosferike dhe në Universitetin e Oksfordit.
Meqenëse jemi ende pranë fillimit të dimrit në Hemisferën Veriore, ajri i çliruar nga Poli i Veriut nuk është aq i ftohtë sa do të jetë gjatë muajve të mëvonshëm.
«Megjithatë, kjo mund të krijojë kushte të favorshme për reshje dëbore gjatë javëve të ardhshme», tha Osprey. «Dhe mund të ketë ende të papritura të tjera më vonë gjatë dimrit, veçanërisht nëse ndodh një ngrohje e dytë e papritur stratosferike».
Prishjet e vorbullës polare mund të shkaktojnë gjithashtu mot më të thatë në rajonet veriore. Edhe pse kjo mund të duket e dëshirueshme për jetën e përditshme, ajo mund të krijojë probleme për burime të tilla si tokat bujqësore dhe rezervuarët e ujit, të cilët kanë nevojë të rimbushen pas një vere përvëluese.
Ndikimet e vorbullës polare këtë dimër janë ende në zhvillim dhe, në kushte normale, ajo nuk arrin fuqinë e saj më të lartë dimërore deri në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit, tha Regan Mudhar, studiues në Universitetin e Lozanës.
«Ndikimi i këtyre dukurive mund të zgjasë nga disa javë deri në disa muaj dhe të prekë jo vetëm Evropën, por edhe Amerikën e Veriut dhe Azinë Veriore», tha Mudhar.
Zhvillimi i vorbullës polare do të jetë gjithashtu një provë për përparimet e arritura në përdorimin e inteligjencës artificiale për të përmirësuar saktësinë dhe përpikërinë e parashikimeve meteorologjike.
Shkencëtarët ngrenë pikëpyetje nëse përshpejtimi i ngrohjes së planetit të shkaktuar nga veprimtaria njerëzore [duhet thënë “nga elitat dhe popujt që u shkojnë pas”] mund të ulë ndikimin e kësaj teknologjie, pasi grupet e mëdha të të dhënave historike ku ajo mbështetet mund të mos jenë më një udhërrëfyes i besueshëm për dukuritë e ardhshme.
Shqipëroi dhe përgatiti për botim Ylli Përmeti
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 15 reads



