Udhëheqësi kinez me mandat të tretë përgatit vendin për t`u përballur me SHBA-në
Xi Jinping bëri thirrje që forcat e armatosura të vendit të veprojnë me shpejtësi për të arritur "standarde të klasit botëror".
Voa
09/03/2023 - 17:26
Xi Jinping merr mandatin e tretë si president
Udhëheqësi kinez Xi Jinping siguroi të premten (10 mars) një mandat të tretë pesë-vjeçar, gjë që i hap rrugën qëndrimit të tij të përjetshëm në pushtet, në një kohë sfidash të vështira ekonomike dhe tensionesh në rritje me Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera.
Mbështetja për një mandat të tretë nga Kongresi Kombëtar Popullor ishte e pritshme për një udhëheqës që i ka larguar nga skena rivalët e mundshëm dhe ka mbushur rangjet e Partisë Komuniste në pushtet me përkrahësit e tij që kur mori pushtetin në vitin 2012.
Kongresi, anëtarët e së cilit emërohen nga partia në pushtet, votoi për zotin Xi me 2,952 vota pro dhe asnjë kundër.
69 vjeçari Xi e kishte emëruar veten për një mandat të tretë pesëvjeçar si sekretar i përgjithshëm i partisë në tetor, duke thyer një traditë sipas së cilës udhëheqësit kinezë e dorëzonin pushtetin pas një dekade. Kufizimi prej dy mandatesh për presidencën që parashikohej në Kushtetutën kineze u eliminua, duke nxitur zërat se zoti Xi mund të qëndrojë në pushtet përgjithmonë.
Në kongres nuk pati ndonjë listë kandidatësh dhe mesa duket udhëheqësi kinez dhe figura të tjera që u zgjodhën nuk patën asnjë konkurrencë për postet.
Procesi është pothuajse tërësisht i fshehtë.
Zoti Xi u emërua gjithashtu unanimisht si komandant i Ushtrisë Çlirimtare Popullore prej 2 milionë anëtarësh, një forcë që i merr urdhrat nga partia.
Mandati i ri i zotit Xi dhe emërimi i personave besnikë ndaj tij në postet kryesore nxjerr në pah monopolin e tij pothuajse të plotë mbi pushtetin politik kinez, duke eliminuar çdo kundërshtim të mundshëm ndaj programit të tij ultra-nacionalist për ta pozicionuar Kinën si rivalen kryesore politike, ushtarake dhe ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe kundërshtaren kryesore autoritare ndaj rendit botëror demokratik të udhëhequr nga Uashingtoni.
Kina përshkallëzon retorikën armiqësore kundër Shteteve të Bashkuara
Mandati i ri i Presidentit Xi Jinping nënkupton mes të tjerash edhe eliminimin e çdo kundërshtimi të mundshëm ndaj programit të tij ultra-nacionalist për ta pozicionuar Kinën si rivalen kryesore politike, ushtarake dhe ekonomike të Shteteve të Bashkuara. Zyrtarë të lartë kinezë sulmuan edhe këtë javë Shtetet e Bashkuara me një retorikë jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë dhe armiqësore. Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, paralajmëroi të martën për konflikt dhe konfrontim nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë përpjekjet për ta frenuar Kinën. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara thonë se nuk po përpiqen të frenojnë Kinën dhe se nuk shohin ndonjë ndryshim të marrëdhënieve.
Në një seancë plenare të Kongresit Popullor Kombëar, Presidenti i Kinës Xi Jinping kritikoi Shtetet e Bashkuara për atë që ai e quajti “frenim, izolim dhe shtypje të Kinës” ndërsa i bëri thirrje sektorit privat kinez, që të nxisë novacionet dhe zhvillimin.
Kryediplomati i ri kinez Qin Qang ishte edhe më i drejtpërdrejt të martën gjatë një konference shtypi.
“Nëse Shtetet e Bashkuara nuk mbajnë frenat, por ecin me shpejtësi në rrugën e gabuar, asnjë pritë anësore nuk mund ta ndalojë daljen nga rruga, apo përplasjen, dhe me siguri që do të ketë konflikt dhe konfrontim”.
Administrata e Presidentit Biden është shprehur shpesh se po kërkon mënyra për të parandaluar që konkurrenca me Kinën të kalojë në konflikt. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price u shpreh:
“Nuk ka të bëjë me frenimin e ndonjë vendi apo Kinës. Nuk ka të bëjë me izolimin e Kinës. Por ka të bëjë me ruajtjen e rendit të bazuar në rregulla – që vende si Kina i kanë nënshkruar”.
Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se gjuha e ashpër nga Pekini ishte e pazakonte.
“Retorika si nga ministri i jashtëm ashtu edhe nga udhëheqësi Xi Jinping, ka qenë mjaft e habitshme, sepse udhëheqësit kinezë nuk flasin kaq drejtpërdrejt për Shtetet e Bashkuara. Ata mund t’i ndajnë këto mendime privatisht, por kur flasin, priren të jenë të kujdesshëm”.
Analisti Chase Blazek i tha Zërit të Amerikës se nuk do të jetë e lehtë që Pekini dhe Uashingtoni të gjejnë një gjuhë të përbashkët, sepse e shohin njëri-tjetrin si një kërcënim.
"Kina thotë se jemi të gatshëm të kemi marrëdhënie të mira me ju për sa kohë që nuk përpiqeni ta frenoni Kinën. Nga ana tjetër SHBA thotë se do të kemi marrëdhënie të mira me ty për aq kohë sa ju nuk përbëni kërcënim për sigurinë tonë kombëtare. Por perceptimi amerikan është se Kina përbën këcënim për sigurinë kombëtare dhe perceptimi i Kinës është se Shtetet e Bashkuara synojnë ta frenojnë atë”.
Gjatë një seance në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësi republikan August Pfluger tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë në konflikt me popullin kinez, por me Partinë Komuniste të Kinës.
“Pavarësisht përpjekjeve prej vitesh nga Shtetet e Bashkuara për të zhvilluar marrëdhënie produktive, të drejta dhe të ndershme me Republikën Popullore të Kinës, Amerika është përballur me pandershmëri dhe agresion. Qeveria e Pekinit e drejtuar nga Partia Komuniste na ka mashtruar dhe manipuluar në çdo përpjekje, duke spiunuar në vendin tonë dhe duke u përpjekur të përmbysë rendin botëror”.
Muajin e kaluar ushtria amerikane rrëzoi një balonë kineze që kishte fluturuar përgjatë Shteteve të Bashkuara. Pentagoni thotë se ishte mjet zbulimi. Pekini thotë se balona po kryente hulumtime shkencore dhe kishte dalë nga kursi.
Udhëheqësi kinez thirrje ushtrisë për t`u përballur me SHBA-në
Udhëheqësi kinez Xi Jinping bëri thirrje që forcat e armatosura të vendit të veprojnë me shpejtësi për të arritur "standarde të klasit botëror".
Ai i bëri komentet në një fjalim të mërkurën, disa ditë pasi paralajmëroi se vendi kërcënohej nga një fushatë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të "frenuar, izoluar dhe shtypur Kinën".
Fjala e zotit Xi para delegatëve të një asambleje ceremoniale që përfaqëson Ushtrinë Çlirimtare Popullore, krahun ushtarak të Partisë Komuniste në pushtet, si edhe Policinë e Armatosur Popullore paraushtarake, u publikua nga agjencia zyrtare e lajmeve, Xinhua.
Udhëheqësi kinez, që është gjithashtu edhe kreu i partisë dhe komisionit që kontrollon forcat e armatosura, përmendi gjithashtu nevojën për "arritjen e objektivave deri në njëqindvjetorin e Ushtrisë Çlirimtare Popullore në 2027".
Sipas disa vëzhguesve amerikanë, Pekini synon që deri atëherë të ketë aftësinë për të pushtuar Tajvanin, një ishull që vetëqeveriset dhe një aleat i Shteteve të Bashkuara, që ndihmohet ushtarakisht nga Uashingtoni.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 60 reads



