Zyrtari i lartë i Vatikanit akuzohet për krime seksuale
VOA
29/06/2017 - 15:00
Kardinali George Pell, këshilltari financiar i Papës dhe zyrtari më i lartë i kishes katolike australiane, i mohoi akuzat dhe paralajmëroi se do të largohet nga Vatikani për t’u kthyer në Australi për t’u përballur me akuzat.
Zëvendës komisioneri i policisë së shtetit Victoria në Australi, Shane Patton, tha se policia i ka dërguar një thirrje kardinalit Pell që të paraqitet në një gjykatë australiane për t'u përballur me akuza të shumëfishta për "vepra penale të sulmeve historike seksuale", që do të thotë, shkelje që kanë ndodhur kohë më parë. Patton tha se ka shumë ankues kundër Pellit, por nuk dha hollësi të tjera mbi akuzat kundër kardinalit. Pell u urdhërua të paraqitet në një gjykatë në Melburn më 18 korrik.
Pell, 76 vjeçar, ka mohuar në vazhdimësi pretendimet për keqpërdorime nga ana e tij. Kisha Katolike në Australi, që ka lëshuar komunikata në emër të kardinalit Pell, nuk ka pranuar të komentojë akuzat.
“Është me rëndësi të theksohet se asnjë nga pretendimet nuk është provuar në ndonjë gjykatë” u tha Patton gazetarëve në Melburn. “Kardinali Pell, si çdo i pandehur tjetër, ka të drejtë në një proces të rregullt", tha ai.
Akuzat janë një goditje e re dhe serioze per Papa Françeskun dhe politikën e tij të zotimit për ‘zero tolerancë’ ndaj keqpërdorimeve seksuale.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 11 reads



