...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

BE-ja në “gjurmët” e SHBA-së: planifikon sigurinë ekonomike pavarësisht implikimeve afatgjata

Për të ulur rreziqet ekonomike që rrjedhin nga rivaliteti gjeopolitik në rritje dhe zhvendosjet e përshpejtuara teknologjike ndërsa synon të ruajë nivelin më të lartë të mundshëm të hapjes ekonomike. Strategjia është quajtur “trekëmbëshe”: për nxitjen; mbrojtjen; dhe krahazimin.

Ylli Përmeti

12/02/2024 - 16:49

Politikat ‘proteksioniste’ i filloi Trampi dhe i vazhdoi Bajdeni: ata vërtet kanë disa ndryshime në politikën ekonomike (me të parin të ulte taksat ndaj më të pasurve ndërsa me të dytin t`i ngrejë) por të dy refuzojnë marrëveshjen e gjerë që udhëhoqi Amerikën përpara vitit 2016―në mbështetje të biznesit dhe tregut të lirë dhe rendit ndërkombëtar ekonomik të krijuar pas luftës së dytë botërore dhe veçanërisht pas viteve `90― në dobi të një marrëveshje të re, e cila mbështetet më shumë në planin e qeverisë dhe më pak në treg. Plani i qeverisë amerikane synon mbrojtjen e teknologjive “strategjike” amerikane nga Kina por dhe BE-ja. Këto teknologji quhen “strategjike” për shkak se kanë disa epërsi krahasuar me teknologjitë e blloqeve të tjerë ekonomikë si Kina. Epërsitë në fjalë lidhen me sigurinë kombëtare në dy nivele: ekonomik dhe ushtarak. Por me një ndryshim: ndërsa SHBA-ja flet për ‘siguri kombëtare’, BE-ja flet për ‘siguri ekonomike’, sepse ajo përbëhet nga shumë kombe.

Duke parë marrëveshje amerikane por dhe kërcënimet e mundshme në sigurinë ekonomike evropiane, BE-ja vendosi të veprojë në të njëjtin drejtim por me disa ndryshime strukturore. Komisioni Evropian zbuloi një strategji të sigurisë ekonomike, të premtuar nga presidentja Ursula von der Leyen verën e kaluar (20 korrik), gjatë muajit të parë të vitit 2024: për të ulur rreziqet ekonomike që rrjedhin nga rivaliteti gjeopolitik në rritje dhe zhvendosjet e përshpejtuara teknologjike ndërsa synon të ruajë nivelin më të lartë të mundshëm të hapjes ekonomike. Strategjia është quajtur “trekëmbëshe”: për nxitjen; mbrojtjen; dhe krahazimin.

Lidhur me qëllimin e parë ai synon të nxisë teknologjinë dhe industrinë vendase duke përdorur një qasje më të butë për të nxitur konkurrencën e BE-së, duke forcuar Tregun e Përbashkët; duke mbështetur një ekonomi të fuqishme dhe të qendrueshme; duke investuar në aftësi; dhe duke ushqyer kërkimin shkencor, në bazën teknologjike dhe industriale.

Qasja synon mbrotjen e sigurisë ekonomike evropiane, e cila do të realizohet përmes disa politikave dhe veglave që përdoren tani, ndërsa synon gjithashtu të zgjidhë hendeqe të mundshme. Ky qëllim do të kryhet në një mënyrë të përpjestueshme dhe të përpiktë që kufizon çdo ndikim përhapës të paqëllimtë në ekonominë evropiane dhe botërore.

Krahazimi do të synojë forcimin e mëtejshëm të sigurisë ekonomike, duke përfshirë përparimin dhe përmbylljen e marrëveshjeve tregtare, riforcimin e krahazimeve të tjera, forcimin e rendit ekonomik ndërkombëtar të bazuar në ligje dhe institucione shumëpalësh si OBT-ja, dhe investim në zhvillim të qendrueshëm përmes Portës Botërore (Global Gateway).

Për të realizuar këto tre qëllime Komisioni do të përdorë pesë veprime: një propozim ligjor për rishikimin e investimeve të huaja për të rritur dobishmërinë dhe efiçencën; një raport (White Paper) që tregon rreziqet e mundshme të investimeve evropiane në vendet e treta; një raport se si të bëhen mbikëqyrjet e BE-së më efektive për eksportet e mallrave dhe përdorim qytetar dhe ushtarak (të dyfishtë); një raport për nxitjen e mbështetjes për kërkim dhe zhvillim ku përfshihen teknologjitë me përdorim të dyfishtë; dhe një Këshill Porosish mbi nxitjen e sigurisë së kërkimit. 

Lidhur me veprimin e parë BE-ja ka përdorur që nga viti 2019 një shoshitje të investimeve të huaja të drejtpërdrejta për të parandaluar rreziqet e sigurisë pavarësisht se investimet e vendeve të treta në BE janë më shumë se 7.7 trilionë euro, të cilët mbështesin rritjen ekonomike, dhe ngaqë janë nxjerrë mesime tre vitet e kaluar, ajo synon përmirësimin e masave ekzistuese, duke u siguruar se gjithë anëtarët kanë një mekanizëm shoshitës; mbikëqyrin shkëmbimet brenda BE-së ku investitori i drejtpërdrejtë është themeluar por në fakt mbikëqyret nga njerëz ose entitete nga jashtë BE-së; dhe kërkon themelimin e një qëllimi të ulët sektorial ku gjithë anëtarët shoshisin shkëmbimet.

Ndërsa qëllimi në fjalë lidhet me shkëmbimet brenda unionit, një tjetër lidhet me mbikëqyrjen dhe vlerësimin e rrezikut të investimeve jashtë BE-së nga ndërmarrjet e saj, lidhur me teknologjitë e përparuara të cilat mund të përdoren nga vendet e treta për qëllime ushtarake dhe aftësi inteligjence. Sipas Komisionit, “kjo rrjedhje teknologjike mund të minojë paqen ndërkombëtare dhe sigurinë”.

Për këtë qëllim ai krijoi një grup ekspertësh në verën e vitit 2023. Por ngaqë ai nuk mund të realizojë mbikëqyrje sistematike dhe ka një hendek rreth nivelit të investimeve dhe rreziqet që mund të bartin, Komisioni ka nisur procesin e mbledhjes së të dhënave përmes katër hapave: këshillimit publik prej 12 muajsh për të mbledhur të dhëna dhe këndvështrime nga palët (shtetet anëtare) dhe vlerësimin e rreziqeve më pas që anëtarët duhet të ndërmarrin; një këshillim nga Kominisioni ndaj shteteve anëtare në verën e vitit 2024, për të shqyrtuar këshillimin publik dhe mbikëqyrur investimet e jashtme në teknologji kritike për 12 muaj dhe më pas raportohet në Komision dhe Shtetet Anëtare; më pas do të shpërndahen gjetjet për të “përcaktuar nëse shkëmbimet paraqesin rreziqe”; dhe në fund do të krijohet një politikë nëse nevojitet.

Një raport ngarkohet me detyrën e shqyrtimit të qasjeve të ndryshme për të paraqitur mbikëqyrje të njëtrajtshme për artikujt mbi të cilët janë pajtuar palët në nivel shumëpalësh “qoftë edhe nëse ato nuk mund të miratohen për shkak të pengimit gjatë procesit shumë-palësh nga ndonjë vend; të krijojë një forum për bashkërendim politik mbi mbikëqyrjet e eksporteve mes Komisionit dhe Shteteve Anëtare për të ushqejë qendrime të përbashkëta; të përqafojë një këshillim deri në verë të vitit 2024 për të përmirësuar bashkërendimin në nivel teknik mes Shteteve Anëtare dhe Komisionit mbi Listën e Mbikëqyrjeve Kombëtare me përdorim të dyfishtë përpara se ato të jenë miratuar nga Shtetet Anëtare; dhe të përparojë vlerësimin e planifikuar të rregullës së përdorimit të dyfishtë drejt çerekut të parë të vitit 2025”.

Komisioni fton autoritetet publike, shoqërinë civile, industrinë dhe akademitë në dialog gjithëpërfshirës bazuar në tre variante: të përparojnë bazuar në themelet e tanishme me një përqendrim të posaçëm ose mbi zbatimet qytetare (përmes Horizontit Evropian) ose mbi mbrojtjen (përmes programit evropian të mbrojtjes), për të paraqitur lëvizje rritëse që mund të provohen tashmë në programet e tanishme financiare të BE-së; lëvizjen e fokusit të posaçëm mbi zbatimet qytetare në pjesë të përzgjedhura të programit pasues ndaj Horizontit Evropian, duke lejuar lindjen e pavarur të teknologjive strategjike; dhe krijimin e një mjet të përkushtuar në kërkim me mundësi të dy-fishtë ndërsa kërkimi qytetar dhe i mbrojtjes dhe programet zhvillimore do të ruajnë fokusine tyre të posaçëm. Këshillimi për këtë proces do të jetë i hapur deri në 30 prill 2024.

Kjo strategji “trekëmbëshe” do të kalojë nga një vlerësim i plotë i katër sektorëve: zinxhirit të furnizimit duke përfshirë dhe sigurinë energjitike; kibersigurinë fizike të nënstrukturës kritike; sigurinë teknologjike dhe rrjedhjen e saj; dhe përdorimin e varësive ekonomike ose shtrëngimin ekonomik. Shumë prej ideve marrin formën e opinioneve dhe rekomandimeve dhe kërkojnë kohë për t`u bërë ligje. Shanset e tyre për të hyrë në fuqi do të varen nga vendet e BE-së që parapëlqejnë të kundërshtojnë çështjet shtetërore - dhe nga Komisioni i ardhshëm, ndërsa mandati i tanishëm po i afrohet fundit.

Të gjitha këto planifikohen në kohën kur BE-ja ka një çepërsi strukturore tejet të rëndësishme për ekonominë e saj krahasuar me SHBA-në por dhe Kinën dhe sigurisht me Rusinë: ajo ka një kosto të lartë të energjisë së saj motorrike dhe për pasojë prodhimet e saj janë ‘jokonkurrentë’ në tregun ndërkombëtar. Ajo ka, gjithashtu, një çepërsi (dizavantazh) tjetër: industria e saj ushtarake është shumë mbrapa krahasuar me tre blloqet e tjerë. Dhe ka në fund, një proces të gjatë vendimarrës, siç e bën të qartë dhe procesi në fjalë, fakt që e bën atë sa jo-efiçente po aq edhe të brishtë për të konkurruar dhe mbrojtur ekonominë e saj.       

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA