Takimet e ambasadorit amerikan në Tiranë dhe kërkesa ose porosia (jozyrtare) ndaj kreut të SPAK-ut
Mbështetja e kreut të qeverisjes kriminale është vendimtare për Trampin; ndaj dhe një nga kërkesat ambasadorit amerikan kundrejt kreut të SPAK-ut ka qenë mos-hetimi i tij
Ylli Përmeti
12/10/2026 - 08:58
Që nga fillimi i misionit të tij diplomatik në Shqipëri, më 26 shtator 2026, ambasadori i ri amerikan, Eric Wendt, ka zhvilluar një varg takimesh me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe të drejtorive shqiptare. Ardhja e tij u prit me pritshmëri të mëdha, sidomos nga kombi kryengritës—çka tregon se s`e kuptojnë fare realitetin në të cilin jetojnë.
Pas paraqitjes së letrave të besimit dhe takimit me presidentin Bajram Begaj, më 30 shtator ai u takua me kryeministrin (Ramën) dhe ministrin e jashtëm Ferit Hoxha. Më 2 tetor u takua me ministrin e mbrojtjes, Ermal Nufi, ndërsa më 5 tetor zhvilloi një takim me kreun e SPAK-ut, Klodjan Braho, dhe kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta. Më 10 tetor, ambasadori u kthye sërish në SPAK, i shoqëruar nga një delegacion amerikan ku kishte edhe senatorë.
Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, takimi i parë me drejtuesit e SPAK-ut kishte në qendër luftën kundër krimit ndërkufitar, trafikut të drogës dhe mërgimin e paligjshëm, si edhe rolin e institucioneve të pavarura. Për takimin e dytë nuk u bë i njohur një njoftim i hollësishëm mbi përmbajtjen e bisedimeve.
Shpeshtësia dhe shtrirja e këtyre takimeve në ditët e para të misionit të ambasadorit amerikan meritojnë të krahasohen me praktikën diplomatike të përfaqësuesve të fuqive të tjera. Sipas udhëzimeve të Protokollit të Shtetit shqiptar, pas paraqitjes së letrave të besimit ambasadorët zhvillojnë fillimisht takimin e mirëseardhjes me ministrin e jashtëm ose përfaqësuesin e tij, ndërsa takimet me drejtuesit e tjerë vijojnë sipas praktikës protokollare. Dallimi që duhet shqyrtuar është ritmi dhe shtrirja e takimeve të Wendt-it, veçanërisht fakti se ai u takua dy herë me drejtuesit e SPAK-ut brenda pak ditësh nga mbërritja e tij. Kjo dendësi takimesh duhet parë në kuadrin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Uashingtonin dhe të qëllimeve më të gjera që Shtetet e Bashkuara ndjekin në rajon.
Nga të gjitha këto takime, ato me kreun e SPAK-ut kanë një rëndësi të veçantë, sepse nga pavarësia e atij organi dhe nga vendimet e prokurorëve të tij varet në një masë të rëndësishme përparimi i drejtësisë në Shqipëri. Ato takime nuk mund të shkëputen nga varësia e thellë politike dhe ekonomike që Shqipëria ka krijuar ndaj Shteteve të Bashkuara dhe fuqive të tjera perëndimore dhe me mënyrën së si është kapuar ai organ nga amerikanët (përmes pushtetit ekonomik dhe politik).
Përfaqësuesit e fuqive perëndimore, veçanërisht ata të Uashingtonit, vijnë në Shqipëri me bindjen se siguria e vendit tonë varet nga SHBA-ja dhe si pasojë kërkojnë të drejtojnë vendit ndërsa pushtetarët e dinë se siguria e tyre varet kryesisht nga Uashingtoni. Si pasojë ata shkojnë pas epsheve të tyre. Për më tepër, ambasadorët e vendeve perëndimore nuk përfaqësojnë vetëm marrëdhëniet diplomatike, por edhe qëllimet gjeopolitike dhe ekonomike të qeverive të tyre.
Në rastin e qeverisë së Trampit, ato qëllime përfshijnë rritjen e fitimeve për ndërmarrjet amerikane përmes tregut neoliberal por dhe ndikimeve politike, të cilat ishin rreth 40 milion dollarë vitin e kaluar (150-110 milion) ose 40 shkolla, nga rreth 500 milionë dollarë që kanë fituar përgjatë viteve 1992-2025, ose 500 shkolla, parablerjen e gazit amerikan për një periudhë 20-vjeçare, si edhe projektet e lidhura me dhëndrin dhe bijën e tij, Jared Kushnerin, në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit.
Në të njëjtën kohë, Uashingtoni dhe ndërmarrjet amerikane janë të përfshira në kërkimin e burimeve energjetike në detin Jon në bashkëpunim me Athinën—pa menduar për qëllimet gjeopolitike dhe grabitqare të kësaj të fundit ndaj Shqipërisë. Këto zhvillime nuk duhen parë si ngjarje të shkëputura, por në kuadrin e synimeve ekonomike dhe gjeopolitike të Uashingtonit në Shqipëri dhe në rajon.
Në një vend —si vendi ynë— ku pushteti politik dhe drejtoritë e tij varen nga epshet e fuqive të huaja (si për sigurinë në kuptimin e gjerë të fjalës, shtetërore, ashtu dhe të ngushtë, politike dhe ekonomike) dhe pushtohen nga zvetënimi, kryerja e projekteve të tilla bëhet shumë më e lehtë për ta: sepse një qeveri e varur nga epshet e fuqive të huaja por dhe e zvetënuar është më e mirë për ta për t`i drejtuar ata sipas epsheve të tyre se sa një qeveri e pavaruar dhe pazvetënuar. Në këtë kuptim, mbështetja e kreut të qeverisjes kriminale është vendimtare për Trampin; ndaj dhe një nga kërkesat ambasadorit amerikan kundrejt kreut të SPAK-ut ka qenë mos-hetimi i tij.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 26 reads



