Bjellorusia dhe Lukashenkua: do të bierë në duart e globalistëve neoliberalë?
Lukashenkua ka vepruar ndryshe nga Jelcini në Rusi dhe drejtues të tjerë në vendet e ish-socializmit marksist në lindje të Evropës: nuk privatizoi ndërmarrjet shtetërore
Ylli Përmeti
22/08/2020 - 10:53
Regjimi i Lukashenkos ka punëtorë tërheqës në anën e tij, është titulli i një analize në FT. Analiza tregon faktin se Lukashenkua ka vepruar ndryshe nga Jelcini në Rusi dhe drejtues të tjerë në vendet e ish-socializmit marksist në lindje të Evropës: nuk privatizoi ndërmarrjet shtetërore. Ndërsa Lukashenkua lufton të rivendosë autoritetin e tij pas zgjedhjeve me të meta dhe masat e tij të rrepta mbi protestuesit paqësorë, ndërmarrjet shtetërore si BelAZ, e cila përllogaritet për rreth 70 për qind të ekonomisë së vendin prej 60 miliard dollarësh, janë bërë një nga fushëbetejat kyçe. Sektori i stërmadh shtetëror është një dështim i përkohshëm i ekonomisë të drejtuar sovjete që dominoi Evropën lindore deri në rrënimin e Perdes së Hekurt. Por ndërsa shtetet e tjerë sovjet në rajon kaluan në një tranzicion shkuljeje ekonomike në vitet `90 dhe 2000, Lukashenkua, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 1994, e vendosi Bjellorusinë në kurs tjetër.
Në vend të mbikqyrte privatizimet masive, ai mbajti pjesën më të madhe të ekonomisë nën kontrollin e shtetit. Vendimi do të thoshte se Bjellorusia kurseu terapinë tronditës ekonomike që Rusia dhe Ukraina përjetuan, dhe për vite, subvencionet e ndërmarrjeve shtetërore i dhanë Lukashenkos një bazë mbështetëse besnike. Por ndërsa sjellja publike është kthyer kundër tij që me zgjedhjet, të njëjtat ndërmarrje kanë qenë një nyjë e mundshme trysnie për kundërshtarët e tij...atje ka patur greva të tjera nga grupet shtetërore përgjatë vendit, nga grupi Grodno Azot pranë kufirit polak, deri te traktorët dhe ndërmarrjet e automobilave në kryeqytetin e Minskut. Belaruskali, e cila kontrollon 20 për qind të prodhimit botëror të potasit, dhe është një burimi kyç i të ardhurave në dollarë për Bjellorusinë, u godit nga protestat...ditët e fundit, ka patur shenja se trysnia mbi organizatorët e protestave nga regjimi i Lukashenkos po e ndihmon atë të rivendosë kontrollin. Në BelAz, e cila ka 11,000 punëtorë, protesta është rrëgjuar ditët e fundit, me shumë punëtorë të shqetësuar për humbjen e punës nëse ata vazhdojnë protestat.
Sidoqoftë, është e qartë se punëtorët janë përfshirë në protesta kundër zgjedhjeve të cilat opozita atje i quan me të meta. Të metat e zgjedhjeve janë përdorur nga partitë opozitare thuajse në çdo vend të ish socializmit marksist në lindje të Evropës. Ato mbështeten nga institucionet me karakter ndërkombëtar si Komisioni Evropian, OSCE, ODIHR, OJQ etj. Mbështeten dhe nga qeveritë evropiane. Kështu opozitat që kundërshtojnë të metat e zgjedhjeve, gjejnë mbështetje ndërkombëtare, kryesisht në BE, dhe ushtrojnë trysni. Por pa mobilizuar punëtorët ata nuk mund ta mposhtin qeverinë. Opozitat që kanë kundërshtuar zgjedhjet dhe kanë gjetur mbështetje ndërkombëtare, zakonisht nuk tregojnë se si do të veprojnë me ndërmarrjet shtetërore kur janë në opozitë. Madje as që e përmendin këtë fakt.
Kjo është një arsye se pse punëtorët e ndërmarrjeve shtetërore përfshihen në protesta. Një arsye tjetër është manipulimi i punëtorëve nga opozitat. Madje ata mund të manipulohen me shuma të konsiderueshme për të organizuar protesta brenda ndërmarrjes sidomos kur qeveria humbet vigjilencën në to. Sidoqoftë, është e qartë se në Bejllorusi po përdoren zgjedhjet si pretekst për ndryshimin e qeverisë dhe bashkë me të synohet një objektiv tjetër: privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore. Deri tani nuk është vërejtur se është kuptuar nga qeveria “Lukashenko” as nga Putini. Thjesht po përdoret “karta” e destabilizimit të Rusisë përmes Bjellorusisë. Por është e sigurtë se Putini nuk do ta lejojë Bjellorusinë të bierë në duart e privatizuesve ndërsa në perëndim do të vazhdojë presioni duke përdorur zgjedhjet e manipuluara, autokratët etj...
Ndryshe e paraqet gjendjen një analizë e Voa-s, se ai po dobësohet:
Autokratët rëzohen nga pushteti kur njerëzit nuk kanë më frikë. Një gjest fare i thjeshtë si për shembull një fishkëllimë tallëse mund të jetë sinjali i këtij ndryshimi dramatik. Javën e kaluar, kjo u pa në rastin e të ashtuquajturit “diktator i fundit” i Evropës, kur presidenti bjellorus Alexander Lukashenko u prit me zhurma kundërshtimi nga punëtorët në një fabrikë në Minsk, ku dëgjoheshin thirrjet që ai të largohej nga pushteti.
“Deri kur të më vrisni, nuk do të keni më zgjedhje,” tha Lukashenko para turmës. “Vrit veten,” i tha me guxim një punëtor kur Lukashenko po zbriste nga podiumi. Ishte një koment tronditës që nuk do të kishte guxuar ta thoshte njeri në sy të udhëheqësit para trazirave të fundit në Bjellorusi.
Zoti Lukashenko e organizoi vizitën me synim që të dëshmonte se gëzon mbështetje të fortë në popull, thonë analistët. Fabrika, e cila prodhon rrota për traktorë, është një ndër objektet më të mëdha të trashëguara nga periudha sovjetike që në të kaluarën kanë qenë bazë e mbështetjes më të fortë të zotit Lukashenko. Vëzhguesit dhe gazetarët u shprehën se reagimi i papritur i punëtorëve në fabrikë u kujtoi momentin e rënies së autokratit tjetër evropian 32 vjet më parë, diktatorit rumun Nicolae Çaushesku.
Edhe ai kishte ushqyer optimizëm të pamerituar për reagimin e turmës dhe për rrjedhën e pritshme të ngjarjeve. Në 1984, Çaushesku kishte arritur t’i shpëtonte pa shumë probleme një grushti shteti, duke çuar një njësi ushtarake që të ndihmonte në korrjen e misrit. Por, në dhjetor 1989 dukej se kishte ardhur koha për ndryshim. Udhëheqësi rumun po përpiqej të entuziazmonte përkrahësit përballë protestave anti-qeveritare, të cilat nuk ishin dekurajuar as nga reagimi i ashpër i forcave shtetërore.
Tetë minuta pas fillimit të fjalimit para një turme në Sheshin Revolucioni të Bukureshtit, kur ai i cilësoi protestuesit “agjitatorë fashistë që duan të shkatërrojnë socializmin,” turma u përgjigj me fishkëllima dhe zhurma kundërshtimi. Diktatori rumun mbeti i shtangur. Dukej sikur në atë moment diktatori humbi gjithë fuqinë dhe autoritetin e tij.
“Një moment fatal dobësie, i transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni, e vulosi fatin e tij,” shkruan historiani Victor Sebestyen në librin e tij Revolucioni 1989: Rënia e Perandorisë Sovjetike. “Paniku që iu shfaq në fytyrë ishte fillimi i fundit. Një shofer taksie, i quajtur Adrian Donea, kujton: “E pamë se ishte trembur. Në atë moment kuptuam forcën tonë”.
Nuk ka gjasa që Lukashenko të përfundojë si Çaushesku, i cili u ekzekutua së bashku me të shoqen, Elena, pasi një trup gjykues i mbledhur me ngut per këtë detyrë, i dënoi me vdekje. Ka më shumë të ngjarë që për udhëheqësin bjellorus të planifikohet një udhëtim për në Moskë, ku të strehohet ashtu si ish-udhëheqësi ukrainas, Viktor Yanukovych, parashikojnë diplomatët perëndimorë.
Po ashtu, duket se Lukashenko nuk është i gatshëm të dorëzohet lehtë, sipas Keir Giles, analist për organizatën Chatham House.
“Pasi revoltimi popullor nuk prodhoi arritje të dukshme politike, duket se protestat kundër manipulimit të zgjedhjeve në Bjellorusi po humbin energjinë përballë reagimit të fortë të shtetit dhe aparatit të rendit dhe ligjit që ende funksionon me vetëbesim,” thotë analisti.
“Përpjekjet për të fajësuar Perëndimin për trazirat kanë identifikuar grupe që shihen si armiqësore si nga Minsku, ashtu edhe Moska. Tani Presidenti Lukashenko jo vetëm që po sajon akuza kundër opozitës për politika anti-ruse, si për shembull për të ndalur përdorimin e gjuhës ruse si dhe për të mbyllur kufirin me Rusinë, por edhe për kërcënime nga NATO-ja,” thotë analisti Giles.
“Nëse Moska i beson këto akuza, në një kohë kur Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov i ka përshkruar zhvillimet në Bjellorusi si pjesë e “betejës për hapësirën pas-sovjetike”, ka gjasa që zëra të tilla të rrisin mundësinë për një ndërhyrje nga Rusia,” thotë analisti.
Një studim i vitit 2007 nga shkencëtarët amerikanë Jennifer Gandhi dhe Adam Przeworski lidhur me “Institucionet Diktatoriale dhe Mbijetesën e Autokratëve” arrin në përfundimin se udhëheqësit autokratë arrijnë të mbajnë pushtetin duke ndjekur dy opsione: ose duke shtypur më fort popullatën, ose duke zgjeruar mbështetjen përmes reformash sipërfaqësore. Ngjarjet e fundit në Minsk çojnë në përfundimin se opsioni i reformave mund të mos funksionojë tani për Bjellorusinë.
Sipas ish-Sekretarit të Jashtëm britanik, Malcom Rifkind, nuk ka arsye përse udhëheqësi bjellorus të ndalë shtypjen brutale, pasi nëse e ndal mund të duket i dobët, gjë që do të çonte në rënie të mëtejshme të autoritetit të tij në vend.
“Kemi shembullin e Sheshit Tiananmen në Kinë, të udhëheqësve iranianë që shtypën një kryengritje popullore disa vjet më parë, si dhe të Nicolas Maduros në Venezuelë, i cili vazhdon ta mbajë me forcë pushtetin, megjithë pakënaqësinë në popullatë. Presidenti Lukashenko e ka të qartë se në të ardhmen e pret ose një vilë e vogël në Rusi, si opsioni më i mirë, ose një qeli e vogël në Minsk, si opsioni më i keq, nëse dorëzohet para presionit të brendshëm dhe ndërkombëtar në këto momente,” thotë zoti Rifkind në një koment për Institutin e Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore, një grup kërkimor me seli në Londër.
Por kjo mund të mos mjaftojë, siç e kuptoi edhe diktatori rumun Çaushesku, i cili dëshmoi dobësinë e tij kur nuk arriti ta fshihte habinë përballë kundërshtive të publikut. Opsioni i vetëm i zotit Lukashenko mund të jetë të sigurojë ndërhyrje nga Moska. Analisti Keir Giles beson se Perëndimi duhet të bëjë kalkulime të kujdesshme në përgjigjen e tij dhe të mos i japë Rusisë pretekst për të ndërhyrë.
Por nëse udhëheqësi bjellorus arrin ta mbajë pushtetin vetëm në sajë të mbështetjes së Presidentit Putin, Alexander Lukashenko nuk do të jetë më një burrë i fortë shteti, por thjeshtë një udhëheqës kukull, pa pushtet të mirëfilltë. Voa
Pyetja që shtrohet, rrjedhimisht, është se nëse Bjellorusia do të bierë në duart e globalistëve neoliberalë ose privatizuesve të pasurive të kombeve. Kjo varet nga qeveria e Lukashenkos dhe punëtorët. Kujtoj se historikisht punëtorët janë mashtruar...qoftë edhe Nju Jork Tajms pati së fundmi një debat lidhur me pyetjen se pse mashtrohen punëtorët nga elitat duke mos i dhënë përgjigje bindëse pyetjes...
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 38 reads



