Ndryshimi i klimës i bëri zjarret në Spanjë 20 herë më të mundshëm
Ngrohja globale e bëri kombinimin e temperaturave të larta, tokave të thata dhe erërave të forta të paktën dy herë më të mundshëm në Francë dhe të paktën 20 herë më të mundshëm në Spanjë
Politico
01/08/2026 - 17:25
BRUKSEL — Ndryshimi i klimës po e bën Evropën gjithnjë e më të prirur ndaj zjarreve, duke rritur ndjeshëm gjasat e krijimit të kushteve që ushqyen megazjarret e kësaj jave në Francë dhe Spanjë, thanë të premten studiuesit.
Zjarre gjigante janë përhapur pranë Bordosë dhe Madridit që nga fundjava, duke detyruar largimin e mijëra banorëve dhe duke shkatërruar qindra shtëpi. Zjarret — ndër më të rëndat që kanë përjetuar ndonjëherë të dyja vendet — u përhapën me lehtësi pas një periudhe të zgjatur thatësire dhe vapash.
Ngrohja globale e bëri kombinimin e temperaturave të larta, tokave të thata dhe erërave të forta të paktën dy herë më të mundshëm në Francë dhe të paktën 20 herë më të mundshëm në Spanjë, sipas një analize të shpejtë të World Weather Attribution, një bashkësi shkencëtarësh që përdor metoda të shqyrtuara nga kolegët për të hetuar ndikimin e ndryshimit të klimës në fatkeqësi të veçanta.
Shkencëtarët kishin arritur më parë në përfundimin se ndryshimi i klimës kishte rritur gjasat e valës rekord të të nxehtit në Evropën Perëndimore në fund të qershorit, si edhe të thatësirës pranverore — dy dukuri që e bënë tokën më të prirur ndaj zjarreve.
“Këto megazjarre tregojnë se sa shpejt nxehtësia skajore e nxitur nga ndryshimi i klimës dhe peizazhet e thara mund t`i shndërrojnë zjarret në fatkeqësi shkatërrimtare kombëtare,” tha kreu i klimës në OKB, Simon Stiell.
“Fakti që njerëzimi vazhdon të djegë sasi të stërmëdha qymyri, nafte dhe gazi po e mbinxeh planetin tonë, duke i bërë këto kushte më të rrezikshme dhe këto megazjarre më vdekjeprurëse e më shkatërruese,” shtoi ai, duke bërë thirrje për një kalim më të shpejtë nga lëndët djegëse fosile ndotëse drejt energjisë së pastër.
Studiuesit analizuan një tregues të rrezikut nga zjarret që përfshin temperaturat e larta, thatësinë, erërat dhe gjendjen e bimësisë gjatë javës më të rëndë të zjarreve pranë Madridit dhe Bordosë. Më pas ata krahasuan kushtet e këtij viti me verat më të rënda të së kaluarës dhe i ballafaquan me një simulim të klimës së Tokës para epokës industriale.
Studimi arriti gjithashtu në përfundimin se, në klimën e sotme, kushte të ngjashme që mundësojnë zjarret pritet të ndodhin mesatarisht një herë në 20 vjet në jugperëndim të Francës dhe një herë në gjashtë vjet në Spanjën qendrore.
Një nga nxitësit kryesorë të rritjes së rrezikut ishte ajo që shkencëtarët e quajnë luhatje e skajshme e motit, kur një dimër i lagësht u pasua nga një pranverë e thatë. Këto kushte nxitën rritjen e mjaftueshme të bimësisë, e cila më pas u tha, duke krijuar sasi të mëdha lënde djegëse për përhapjen e flakëve.
“Ajo që po shohim në Francë dhe Spanjë nuk është thjesht fat i keq; është një shenjë e qartë e përshkallëzimit të pasojave të ngrohjes së shkaktuar nga veprimtaria njerëzore,” (…) tha Clair Barnes, shkencëtare e klimës në Imperial College London dhe drejtuese e analizës.
“Çdo pjesë e një shkalle shtesë të ngrohjes na shtyn drejt një territori të panjohur, dhe këto zjarre tregojnë saktësisht se si duket ai rrezik,” shtoi ajo.
Shënim: “shkencëtarët” vazhdojnë të tregojnë “veprimtarinë njerëzore” si shkak kur dihet se shkaktarët kryesorë janë elitat neoliberale dhe popujt që i mbështesin ato --Ylli Permeti
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 5 reads



