...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Evropa dhe Rusia armatosin Turqinë kundër Greqisë?

Greqia është shqetësuar lidhur me politikat e Rusisë në raport me Turqinë: sepse Rusia po ndihmon Turqinë në nivel ushtarak dhe po krijon avantazhe në raport me ushtrinë greke. Ajo është shqetësuar dhe me politikat e vendeve kryesore evropiane dhe veçanërisht me qendrimin e Gjermanisë

Ylli Përmeti

01/03/2021 - 15:20

Greqia është shqetësuar lidhur me politikat e Rusisë në raport me Turqinë: sepse Rusia po ndihmon Turqinë në nivel ushtarak dhe po krijon avantazhe në raport me ushtrinë greke. Ajo është shqetësuar dhe me politikat e vendeve kryesore evropiane dhe veçanërisht me qendrimin e Gjermanisë: sepse, gjykon Athina, “nuk është e mundur që një vend i BE-së të kërcënohet nga Turqia [...] dhe në të njëjtën kohë të vazhdojnë si zakonisht eksportet e armëve drejt saj”. Siç citon një analizë e gazetës “Kathimerini” gjatë tetorit të vitit të kaluar:

Aspekti më i rëndësishëm i ndihmës që ofrojnë shumë krahazues (ortakë) evropianë drejt Turqisë nuk lidhet vetëm me armatime por, më e rëndësishmja, teknodijen që jepë, e cila ka lejuar Ankaranë të zhvillojë vrullshëm dhe industrinë e saj mbrojtëse dhe ta zgjerojë në sektorin e zhvillimit të aeroplanëve pa pilotë (UAV). Arma kryesore për të cilët Miçotaki ka folur shpesh me bashkëbiseduesit e tij evropianë, është nëndetësja e tipit 214 (e ngjashme me tipin “Papanikolis” të flotës detare greke), e hartuar nga gjermanët dhe vepron në Turqi. Berlini i ka dhënë tërësinë e tekno-dijes së lundrimit Ankarasë por dhe sistemet e shtytjes ajrore (AIP). Të njëjtin bashkëpunim kanë në sektorin e prodhimit të programit të përfunduar të armëve luftarake Leopard (2A4). Ndihmon, gjithashtu, me tekno-dije të rëndësishme në prodhimin e sistemit kundër-ajror me rreze mesatare Korkut (tip Rheinmetall) por dhe me predha bartëse PorSar (bëhet fjalë për variantin turk të raketave të njohura greke “Stinger”). Gjermanët, po bisedojnë, gjithashtu, me turqit, për tekno-dijen e motorrit të armës “vendore” Altai.

Në aspektin e motorrëve, turqit po bisedojnë me Berlinin për formimin e aeroplanit luftarak “kombëtar” TFX, e cili, sigurisht, mbetet një plan në letër. Gjermanët, furnizojnë, gjithashtu, me motorra për korvetën kombëtare të flotës detare turke dhe veprojnë njësoj me fregatën kombëtare MilGem.

Bashkë me francezët dhe spanjollët (bashkëprodhim evropian), dhanë tekno-dije dhe për zhvillimin e avionëve transportues të tipit A-400. Fregatat e tipit MEKO përbëjnë, gjithashtu, një tip anije gjermane e cila është zhvilluar me flotën turke, kundrejt së cilës u dha dhe dija përkatëse. Në kuadër të përpjekjes së zgjerimit të shumë tipeve të flotës turke, Londra i ka dhënë planin për zhvillimin e fregatës tip TF-2000, duke rënë në ujdi, qartësisht, dhe për dhënien e tekno-dijes. Nga planet turke T-2000 është shumë i mundur të përparojë shpejtë për arsye të vullnetit të përbashkët Ankara-Londër për bashkëpunim më të ngushtë në sektorë të tjerë.

Italia i ka dhënë teknodije të rëndësishme Turqisë përmes dorëzimit të helikopterëve tip T-129-ATAK (kopje e përpiktë e A-129) dhe satelitëve të spiunazhit tip GokTurk. Spanja i dha planet dhe teknodijen për helikoptermbajtësen “Anadoll” ndërsa i shiti avionë bashkëpunues me flotën detare të tipit CN-235, të cilat bashkë me avionët e prodhuar nga italianët ATR-72 përbëjnë “syrin” e aviacionit turk në Egje dhe Mesdheun Lindor. Një nga qendrimet gaztore evropiane kundrejt Turqisë në sektorin e armatimit është zhvillimi i automjeteve tip “HIZIR” (të blinduarë) për transportin e ushtarëve, të cilët financohen nga BE-ja për mbrojtjen e kufijëve turk.           

Si rezultat, marrëdhëniet mes Greqisë dhe Rusisë janë në nadir (në pikën më të ulët). Më konkretisht, marrëdhëniet filluan të përkeqësoheshin në vitin 2016 kur Putini vizitoi Greqinë me një jaht (Mjellma 1) të flotës detare ruse dhe ankoroi në brigjet e detit verior të Greqisë (Καρυές). Një përfaqësi oficerësh të lartë grekë të shoqëruar me rojet e tyre, kërkoi të ngjitësh në jahtin e Putinit. Hamendësisht për ta inspektuar. Por atje gjendeshin ushtarët e armatosur rusë të Putinit duke u treguar ushtarakëve grekë se në jaht nuk mund të ngjitet asnjëri veç Putinit dhe shoqëruesit e tij. Tensioni që u krijua mes ushtarakëve nuk u njoftua në shtyp. Një tension i njëjtë u krijua gjatë nëntorit të vitit 2017-të kur një rrjedhje nga pala ruse tregonte se në Moskë do të shkonte ministri grek i flotës detare, Kurubliu me të tjerë, ku do të merrnin pjesë në një mbledhje ministrash mes dy vendeve. Përpara se të niseshin nga Athina u mësua se në tryezën e mbledhjes do të uleshin dhe katër “deputetë” nga Krimea. Athina nuk pranoi të ulësh me “deputetët” përkatës sepse BE-ja nuk e njeh bashkimin e Krimesë me Rusinë.

Me urdhërin e Goxhiasit pala greke u ndalua dhe mbledhja u la për më vonë. Por çështja kryesore që shqetëson Athinën është marrëdhënia ushtarake që është krijuar mes Rusisë dhe Turqisë. Rusia po trajinon pilotë turq në Siri kur dihet se Rusia ka forcën ajrore më të mirë në botë dhe për pasojë përvoja e tyre do të sfidojë forcën ajrore greke në Egje. Rusia trajinon dhe rreth 600 shkencëtarë turq në Moskë në teknologjinë bërthamore. Si rezultat Ankaraja ka filluar të krijojë gjeneratën e parë të saj të shkencëtarëve bërthamor. Greqia ka patur trysni nga Moska për linjën e gazit rus të cilën Putini e quajti “Turkish Stream” sepse rusët shqetësohen për investimin amerikan në Aleksandrupoli. Nëse Greqia s’mban një qendrim të qartë lidhur me linjën truke - Rusia do ta kthejë linjën drejt veriut: Bullgari. 

Është e qartë se një lloj ‘armiqësie’ është krijuar mes Rusisë dhe Greqisë.

...   

*Pjesëz nga një studim mjaft i gjerë i autorit. Parapublikohet me qëllim që populli ynë të mos flejë gjumë. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA