Fitorja tronditëse e Lepenit në Francë dhe qeverisja me të majtën franceze
Nëse fiton Le Peni, thonë neoliberalët, ajo do të ishte një tërmet politik për Francën dhe Evropën
Ylli Përmeti
07/04/2022 - 10:30
Jeta politike në Francë ka krijuar disa rryma dhe fushata për zgjedhjet presidenicale atje ka sjellë një risi: Eric Zemour-in. Ai është pjesë e partive të skajit të djathtë. Një koleg, gazetar amerikan i ndan rrymat atje në tre kategori: në ligjshmëristë (ose legjitimistë) që quhen ndryshe si kundër-revolucionarë; orleanistë dhe bonapartistë. Zemmouri dhe Le Pen, sipas tij, janë ligjshmëristë ose reaksionarë anti-liberalë. Golistët, me besimin e tyre në udhëheqësin karizmatik, janë bonapartistë. Makroni është një liberal orleanist.
Sidoqoftë, kjo qasje është tejet e ngushtë sepse nuk përfshin programet e tyre. Për shembull, Le Pen, mund të quhet “revolucionare” nëse i përmbahemi një ane të programit të saj: ajo është anti-globaliste. Ky qendrim mund të quhet ‘revolucionar’ për sa kohë që kundërshton kuintesencën e rendit aktual për një qëllim fisnik: për të mbrojtur klasën punëtore dhe popullin francez nga rrënimi i mëtejshëm që shkakton globalizmi neoliberal.
Kjo politikë historikisht ka qenë pjesë e programeve të partive të majta marksiste. Por ngaqë ato kanë degjeneruar në parti neoliberale, me ndihmën e vyer të Sorosit, po përdoret me mjaft mbrothësi nga të djathtët. Por nëse gjykojmë nga tërësia e programeve të partive të djathta, ato janë kundër-revolucionare pavarësisht se kanë përqafuar politika revolucionare. Ato thjesht shfrytëzojnë koniukturën aktuale dhe rikumbojnë në dhimbjet e klasës punëtore dhe qytetarëve që dëshmojnë se si kombi i tyre po rrënohet përpara syve të tyre dhe ata nuk bëjnë dot asgjë.
Dhe vërtet, sipas matjeve ose sondazheve, Le Peni mund të jetë presidentja e Francës. Me skepticizmin e saj rreth Nato-s dhe BE-së, politikat proteksioniste mbi ekonominë dhe mbështetëse e kontrolleve strikte të emigrantëve jo-evropianë, ajo është shumë pranë precidencës. Përqindja e mbështetësve mes dy pretendentëve kryesorë, Makronit dhe Le Penit, qendron mes 51.5 për të parin dhe 48.5 për qind për të dytin. Por siç analizon FT, “ajo e ka thuajse të garantuar vendin e saj në finalen e garës kundër Makronit në prill 24 ― dhe kryesimi i tij është ngushtuar shumë brenda hapësirës së gabimeve”. Fronti Nacional që u themelua në vitin 1971 dhe që tani quhet Marshi i Frontit, ndiqet nga kandidati i të majtës së skajshme Jean-Luc Melenchon. Le Penin e ka ndihmuar Zemuri me qendrimet e tij lidhur me tmerret e Islamit dhe emigracioni “jashtë kontrollit”. Lepeni ka shtuar në rrëfenjën e saj dhe rritjen e fuqisë blerëse të popullit francez.
“Makroni tani shihet si një kandidat establishmenti pas pesë viteve në ofiq, ndërsa në vitin 2017 ai ishte një revolucionar i cili iu shmang partive të vjetra. Ndërthurja e pranimit të rithemelimit të Lepenit dhe papëlqyeshmëria e gjerë e Makronit i portretizuar nga kundërshtarët e tij si “presidenti i të pasurve” rrit gjasat që “fronti republikan”, fortifikata tradicionale kundër të djathtës së skajshme në raundin e dytë, mund të humbasë në këto zgjedhje”.
Nëse fiton Le Peni, thonë neoliberalët, ajo do të ishte një tërmet politik për Francën dhe Evropën. Ajo synon të ndryshojë kushtetutën për të kontrolluar kufijtë dhe të themelojë të ashtuquajturin “parapëlqimin kombëtar” që do ta lejojë qeverinë e saj të mbështesë popullin francez ndaj emigrantëve, qoftë edhe nëse ata që janë të ligjshëm në Francë. Ajo synon të ndalojë, gjithashtu, gratë muslimane që mbajnë vello në hapësira publike ndërsa ka braktisur planet e saj për të dalë nga euroja dhe BE-ja, por manifesti i saj tregon se ajo do ta sfidojë BE-në nga brenda lidhur me kontrollet e kufijëve dhe përparësisë së ligjit francez kundrejt ligjit të BE-së.
Raundi i parë të zgjedhjeve vërtetoi parashikimet e sondazheve: Makroni dhe Lepeni mundën gjithë kandidatët e tjerë (27.8 për qind të votave dhe 23.2 për qind përkatësisht). Melonshoja doli i treti (22 për qind). Ky i fundit porositi mbështetësit e tij pas zgjedhjeve që të refuzonin Lepenin por nuk foli për Makronin. Për këtë të fundit duhet të këshillohet me anëtarët e partisë. Për të njëjtën arsye Melonshoja ishte “mbretbërësi” i zgjedhjeve: sepse vetëm mbështetësit e tij do të përcaktojnë se kush do të ketë presidencën e radhës.
Në vitin 2017 Makroni fitoi me mbështetjen e rreth 50 për qind të mbështetësve të Melonshosë në raundin e dytë. Por në këto zgjedhje dy kandidatët kanë qendrime diametrikisht të kundërta: Melonshoja kërkon të çojë moshën e pensionit atje ku ishte, të nxjerrë Francën nga Nato-ja dhe ta çlirojë atë nga energjia bërthamore. Makroni kundërshtohet fort nga mbështetësit e Melonshosë ―të cilët e shohin atë si mbështetës të të pasurve― dhe gati një e treta e tyre priren të abstenojnë në raundin e dytë, me një të tretën tjetër të mendojë të votojë Lepenin. “Pavarësisht kumtit të Melonshosë për mos mbështetjen e Lepenit”, citon FT, “disa nga mbështetësit e bërthamës së tij votues të klasës punëtore ndajnë qendrime të përbashkëta me të [Lepenin] mbi çështje si kostua e jetesës dhe një Francë më proteksioniste” ndërsa Lepeni ka thënë se do të emërojë të majtë në qeverinë e saj―hamendësisht sepse kuptoi se disa nga politikat e përbashkëta me të majtën e Meloshonsë dhe nevoja për më shumë vota, mund të bashkëjetojnë në një qeverisje të përbashkët kundër francezëve neoliberalë. Kjo lloj qeverisje do të ishte vërtet një goditje e fort për establishmentin neoliberal në Francë dhe në BE dhe do të shtronte rrugën për ngritjen e partive të tjera evropiane që luftojnë kundër globalizmit neoliberal.
Dëftues është fakti se zgjedhjen e Lepenit në Francë e nuhati komentatori neoliberal i FT dhe shkruajti se ajo “mund ta mundë Makronin dhe ta zhysë Nato-n dhe BE-në në trazira”. Ai e ngjason atë me Putinin dhe Trampin: sepse ajo pretendon se përfaqëson popullin kundër elitës dhe kombin kundër “globalistëve”. Slogani i saj në fushatë ―“Kthehu Francezëve vendin e tyre” ― jehon fuqishëm me sloganin e Trampit “Bëje Amerikën të madhe sërish” dhe fushatës së Brexit “Të kthejmë kontrollin”. Tregu financiar do të frikësohet me fitoren e Lepenit dhe pasojat “do të jenë të rënda ― madje kërcënuese për jetën”, gjykon komentatori, duke kujtuar se ”përgjatë viteve shtetarët e Francës si Jean Monnet, Robert Schuman dhe Jacques Delor ishte themelor në krijimin e projektit evropian. Por Lepeni synon shkrijimin e BE-së. Ajo premtoi të rikthejë parësinë e ligjit të Francës ndaj atij të BE-së, i cili është i papërputhshëm me anëtarësinë e 27 anëtarëve të unionit. Ajo ka premtuar gjithashtu të ndalojë njëanshmërisht kontributet e Francës në buxhetin e BE-së”.
Ajo do të krijojë marrëdhënie të forta me ata që neoliberalët quajnë “demokratë joliberalë”, Orbanin e Hungarisë, Salvinin e Italisë e të tjerë të ngjashëm me ta. Ajo mbështet “Evropën e Kombeve” dhe jo “Evropën Neoliberale”―çka nënkupton se kombet do të jenë “çerdhja” e pushtetit politik dhe jo strukturat supranacionale si ato të Brukselit. Kjo qasje përputhet me qasjen e Putinit: se e ardhmja politike e botës do të bazohet në “kombshtete” dhe jo në institucionet ndërkombëtare. Lidhur me Nato-n, ajo sqaroi se do të propozojë lidhje më të ngushta me Nato-n dhe Rusinë dhe do ta nxjerrë Francën nga komanda ushtarake e Nato-s ku u bë anëtare në vitin 2009 kur president ishte Sarkozija: “Unë nuk do t`i vendosja trupat tona as nën një komandë të integruar të Nato-s as edhe nën ndonjë komandë evropiane në të ardhmen”, duke shtuar se “do të refuzonte çdo nënshtrim ndaj një protektorati amerikan”.
Kjo lëvizje do të parandalonte, sipas saj, “afrimin e Moskës me Pekinin” por do të shkaktonte tërmet në aleancë, sepse Franca është ushtria e tretë më e rëndësishme e Nato-s me kontributin e katërt më të madh në buxhetin e ushtrisë në fjalë dhe me pushtetin ushtarak më të rëndësishëm në BE. Ajo ka ngritur zërin kundër sanksioneve ndaj Rusisë dhe e sheh atë si një fuqi të madhe e cila mund të jetë një aleate e Francës prapë pasi të mbarojë lufta në Ukrainë.
Ngaqë gazetaria dikton të thuhet e vërteta pavarësisht se nga anon rëndësia e gazetës, komentatori i FT ndryshoi paksa qendrim një javë më pas duke treguar se në Francë zhvillohet një luftë politike mes patriotëve dhe globalistëve, e cila ka zëvendësuar ndarjen majtas-djathtas të popullit francez:
Patriotët kundër globalistëve zëvendësojnë ndarjen majtas-djathtas në Francë
Lexo per me shume
Oportunisto-makiavelistët, Makroni dhe e ardhmja social-ekonomike e Francës
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 958 reads



