NATO/G7 përgatiten për luftë në shtetet baltike të “tmerruar” nga armët hipersonike, gjendja ekonomike dhe revolta botërore
Në Bavari nuk munguan protestat kundër mbledhjes së G7. Madje u njoftua një kërkesë mjaft e drejtë: që shtetet e pasura të dëmshpërblejnë popujt e plaçkitur nga G7 tre dekadat e fundit.
Ylli Përmeti
02/07/2022 - 15:00
G7 dhe Nato-ja u mblodhën gjatë ditëve të fundit të qershorit 2022 për të diskutuar krizën botërore; për të parën në Gjermani ndërsa për të dytën në Spanjë. Nato-ja miratoi konceptin e ri strategjik për dekadën e ardhshme duke quajtur Rusinë kërcënimin më të madh të drejtpërdrejtë të sigurisë së aleancës. Strategjia e fundit e Nato-s (2010) e quante Rusinë “partnere strategjike”. Strategjia e re do të rrisë më shumë se shtatë herë forcat ushtarake të gadishmërisë së lartë: nga 40,000 në mbi 300,000. Ato do të përqendrohen në krahun lindor të Evropës: shtetet baltike. Madje do të rriten dislokimet pranë Rusisë, duke zhvendosur përqendrimin nga përfrikësimi i ndonjë pushtimi në mbrojtje të plotë të territorit të aleancës.
Plani i ri ushtarak do të rrisë në mënyrë drastike mbrojtjen lindore, duke grisur qasjen që mund të thoshte braktisje dhe më pas përpjekje për rimarrje të shteteve baltike në rast të një pushtimi ushtarak [ose siç tha kreu i Estonisë: strategjia aktuale është rifitimi i Estonisë pasi të jetë pushtuar nga Rusia]. Strategjia do të përfshijë struktura të reja në të cilat aleancat perëndimore të Nato-s, si SHBA-ja, Britania dhe Franca, do të zotojnë anijet, avionët luftarakë dhe më shumë se 300,000 trupa ushtarake në gadishmëri për të zbarkuar në territore të veçanta në krahun lindor të aleancës, me kohë të graduar duke filluar me orët e para të çdo sulmi.
Strategjia risjell anë të planeve të Nato-s gjatë luftës së ftohtë ndaj ndonjë pushtimi të mundshëm sovjet dhe do të lejojë komandën e ushtrisë së aleancës të dijë përpara, në çdo kohë, pikërisht cilat forca janë gati dhe sa shpejtë ato mund të futen në fushëbetejë. Ndryshimet vijnë në kohën kur tensionet janë rritur me Lituaninë lidhur me dërgesat e ngarkesave në enklavën e Kaliningradit, një pikë e nxehtë e identifikuar prej kohësh nga Nato-ja si shkrepëse për tendosje më të gjera në rajon.
Aktualisht në shtetet baltike qendrojnë rreth 8,000 trupa ushtarake, të udhëhequra nga Britania, Kanadaja dhe Gjermania, me qëllim që të përfrikësojnë çdo pushtim të mundshëm dhe të veprojnë si forcë ushtarake e dobët (tripwire), për të cilën, zyrtarët e Nato-s thonë se është e pambrojtshme duke gjykuar nga shkalla e sulmit të Rusisë në Ukrainë.
Krahas rritjes së trupave ushtarake, aleanca e Nato-s synon rritjen e shpenzimeve me mbi 2%: kjo përqindje do të jetë dysheme, sipas kreut të Nato-s, dhe jo tavan. Nga 30 anëtarët e aleancës, nëntë kanë arritur ose tejkaluar këtë objektiv ndërsa 19 të tjerët kanë plane për ta arritur deri në vitin 2024. Pranohet se pavarësisht rritjeve në shpenzimeve numri i trupave ushtarake nuk është i mjaftueshëm për të përfrikësuar Rusinë, sepse përgjatë dekadave të fundit vendet e Nato-s kanë ulur shpenzimet për mbrojtjen.
Por kursimet e popujve janë shpërdoruar me tenderat. Rasti i Britanisë është dëftues: megjithëse atje shpenzimet e mbrojtjes janë rritur së fundmi, ka patur humbje masive në tenderime ndërsa fuqia aktuale e ushtrisë britanike është 82,000 trupa duke përfshirë ata që janë duke u trajinuar por pas shkurtimeve ky numër shkon në 72,500.
Por çështja më shqetësuese, citon BBC-ja, është fakti se si Rusia ashtu dhe Kina kanë zhvilluar raketa hipersonike që mund të udhëtojnë drejt objektivit të tyre me një shpejtësi më shumë se pesë herë shpejtësinë e zërit dhe në një rrugë fluturuese të paparashikueshme. Të gjitha këto vijnë në kohën e rritjeve drastike të çmimeve në ushqime dhe energji, pas etheve të pandemisë, kështuqë buxhetet janë tashmë të shtrënguar.
Në Gjermani udhëheqësit e G7 dështuan në arritjen e një marrëveshje të re për krijimin e një mekanizmi sanksionues për të goditur të ardhurat e Rusisë nga nafta “për shkak se ata kanë mospajtime se si të luftojnë inflacionin në rritje” pavarësisht se SHBA-ja kishte nxitur BE-në që nga pranvera për të vendosur një tavan mbi çmimin e naftës ruse si zgjedhje kundrejt embargos së pjesshme që vendosi unioni në fund të majit në paketën e tij të gjashtë të sanksioneve. Megjithatë, SHBA-ja, Komisioni Evropian dhe Britania punuan me një variant tjetër për të vendosur një kufizim çmimi përmes një strukture nxitëse në të cilën qasja e importuesve në shërbimet financiare perëndimore do të kushtëzohet në një çmim tavan të mbikqyrur mbi anijet e naftës ruse, për të cilin ata u pajtuan se do ta “ekplorojnë” si nocion ndërsa Gjermania ka qenë veçanërisht e kujdesshme rreth tij.
Nato-ja nuk po i dërgon armë Ukrainës, sepse nuk ka, por vendet anëtare po dërgojnë armë dhe ndihmë financiare: SHBA-ja do të dërgojë mbështetje ushtarake shtesë prej 800 milionë dollarë pjesë e zotimit prej mbi 7 miliardë dollarë; Britania do të dërgojë 1.8 miliardë dollarë shtesë në ndihma ushtarake duke e çuar mbështetjen e saj të përgjithshme në 2.8 miliardë dollarë; Franca do të dërgojë gjashtë sisteme shtesë artilerie me rreze të gjatë veprimi duke e çuar totalin në 18; Gjermania do të dërgojë 15 tanke dhe Spanja 40 tanke Leopard të prodhimit gjerman.
Moska dhe Pekini e kritikuan strategjinë e Nato-s pasi kjo e fundit e quajti Rusinë “kërcënim të drejtpërdrejtë” dhe Kinën “sfidë serioze” për stabilitetin botëror në strategjinë e saj të re. Putini tha edhe një herë se Rusia do të përgjigjësh në njëjtën mënyrë nëse dy vendet nordike lejonin trupat e Nato-s dhe infrastrukturën ushtarake në territorin e tyre, duke krijuar të njëjtat “kërcënime për territoret nga të cilat krijohen kërcënimet kundër nesh”. Pekini në anën tjetër tregoi Nato-n si “sfidë” për botën ―burim paqendrueshmërie― dhe jo Kinën ndërsa vetë Nato-ja “siguroi” Rusinë se strategjia e saj është “mbrojtëse”.
Por në Bavari nuk munguan protestat kundër mbledhjes së G7. Madje u njoftua një kërkesë mjaft e drejtë: që shtetet e pasura të dëmshpërblejnë popujt e plaçkitur nga G7 tre dekadat e fundit. Kjo kërkesë u quajt “borxh klimatik”. Kërkesa lidhet me anulimin e borxheve financiare dhe klimatike, duke çliruar paratë që kanë nevojë popujt e varfër për të vepruar kundër efekteve të klimës. “Borxhi për klimën” synon të mobilizojë punëtorët, lëvizjet sociale dhe klimatike në 28 vende dhe nisi gjatë mbledhjes së G7 në Gjermani. Ai synon ringjalljen e protestave të viteve `90 duke kërkuar anulimin e borxheve. Por duke i dhënë një kupim më të fuqishëm: revoltë botërore për drejtësi botërore.
Përpjekja propozon një revoltë botërore kundër borxhit financiar dhe klimatik dhe politikave kursimtare. Ajo kërkon nga qeveritë botërore të refuzojnë pagimin e borxheve dhe ato kursime t`i kanalizojnë për shërbime publike, përshtatje klimatike dhe kalim jashtë energjive fosile. Në krye të saj janë veprimtarët e organizatës “rebelët kundër shfarrosjes”. Ata do të udhëheqin revoltën botërore në vendet perëndimore dhe jashtë tyre, sepse janë në dijeni se vendet perëndimore ku ata jetojnë dhe veprojnë politikisht po shkatërrojnë jo vetëm popujt përkatës por gjithë popujt e jugut botëror. Në fjalët e Xhorxh Monbiot, njërit nga nismëtarët e organizatës “Extinction Rebellion” në Britani kundër shfarosjes së jetës së planetit nga elitat neoliberale të perëndimit: “veprimtarët e klimës janë të pandashëm nga drejtësia botërore”.
G7 paralajmëroi vitin e kaluar në mbledhjen që u zhvillua në Angli se do ta sfidonte projektin kinez “një brez, një rrugë” me projektin “ndërtojmë në atdhe një botë më të mirë” (Build Back Better World). Por në mbledhjen e radhës ajo vendosi ta sfidojë atë me projektin e quajtur “Partneriteti për Infrastrukturën dhe Investimet Botërore” (PGII). Përmes tij do të investohen 600 miliardë dollarë nga të cilët SHBA-ja mobilizon 200 miliardë, përmes granteve, fondeve publike dhe investimeve private, ndërsa BE-ja ka deklaruar se do të financojë 300 miliardë euro...gjatë pesë viteve të ardhshëm. Synohet të financohet infrastruktura e nevojshme për vendet në zhvillim ose vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, “pa i bllokuar ato në ciklin e borxheve”, siç vepron, thotë G7, Kina.
Por kur shikojmë se cilët projekte kanë “zënë radhën” në listën e G7 kuptojmë se bëhet fjalë për financime në vendet e kolonizuara. G7 sqaroi se do të financohen projekte që luftojnë ndryshimet klimatike, përmirësojnë shëndetin botëror, realizojnë barazinë gjinore dhe ndërtimin e infrstrukturës shifrore (dixhitale). Por disa nga nismat e theksuara përfshijnë projektin solar në Angola; ngritjen e një ndërmarrjeje për prodhimin e vaksinave në Senegal; dhe shtrirjen e një kablli telekomunikacioni nëndetar prej 1,609 km për të lidhur Singaporin me Francën përmes Egjiptit dhe Bririn e Afrikës.
Kancelari gjerman tha se mbledhja pati tre rezultate: “një shfaqje mbështetje për Ukrainën, me G7 të zotohet mbështetje buxhetore prej 29 miliardë dollarë dhe ndihmë humanitare me vlerë 2,8 miliardë dollarë dhe premtimi për një “Fond Marshall” për të ndihmuar Kievin me rindërtimin; një përpjekje të përbashkët për të përfunduar urinë botërore; dhe një zotim të ripërtërirë për të luftuar ndryshimet klimatike”. Por është e qartë se hesapet për Ukrainën janë bërë pa hanxhinë me Rusinë “hanxhinë” kryesore: sepse “fati” i Ukrainës përcaktohet kryesisht nga ajo.
Këtij editoriali i është shtuar një ditë më pas nga publikimi 'sfida' e G7 ndaj Kinës
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 155 reads



