Përpjekja e botës arabe për të ndihmuar Palestinën dhe dështimi` saj
Me një popullatë prej thuajse 2 miliardë njerëzish, ka dështuar për të përmbushur detyrën e saj vllazërore ndaj palestinezëve
Ylli Përmeti
10/03/2024 - 13:55
Paralelisht me protestat në kryeqytetet kryesore evropiane, në kryeqytetin e Arabisë Saudite u zhvillua një mbledhje e vendeve arabe ku mori pjesë dhe presidenti i Iranit pas 11 vitesh. Megjithëse priteshin 22 pjesëmarrës nga Liga Arabe, ajo përfshiu dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, e cila ka 57 anëtarë me shumicë muslimane. Në deklaratën e përbashkët mbledhja nuk e quajti luftën e Izraelit “vetë-mbrojtëse”, dënoi edhe një herë agresionin e tij ndaj popullit të Gazas dhe tha se ai kishte shkaktuar krime barbare dhe masakra çnjerëzore.
Ajo bëri thirrje për përfundimin e luftës duke lejuar ndihmën humanitare dhe duke ndaluar eksportet e armëve në Izrael ndërsa udhëheqësit e mbledhjes kërkuan nga Këshilli i Sigurimit që të miratonte një “vendim vendimtar dhe të detyrueshëm” për ndalimin e “agresionit” izraelit.
Mbledhja u kritikua se ajo s`kishte një “mekanizëm” për të detyruar Izraelin të ndalonte luftën dhe u mbajt thjesht për të treguar se vendet arabe ishin të bashkuara. Por qoftë edhe njëzëshmëria e tyre është e rëndësishme sepse fakti që vendet arabe nuk e quajnë operacionin ushtarak të Izraelit “vetë-mbrojtje” (duke nënkuptuar të kundërtën, se Hamasi veproi për t`u vetë-mbrojtur, një qendrim që përputhet me qendrimin e Erdoganit) dhe kërkojnë të ndalohen eksportet e armëve atje, tregon se ata do të përplasen me Uashingtonin dhe G7, sepse këta mbështesin përgjithësisht të kundërtën por me disa veçori.
Makroni, për shembull, ndryshoi paksa qendrim kur dënoi sulmet ndaj spitaleve dhe vrasjen e foshnjave, grave dhe të moshuarve në kohën kur sipas OCHA-s, krahut të OKB-së, 20 nga 36 spitalet e Gazës ishin detyruar të ndalonin punë për shkak të luftës dhe Mjekët pa Kufij thanë se spitalet ishin “nën bombardim të pamëshirshëm” dhe në kohën kur vrasjet kishin shënuar më shumë se 11,000 njerëz, duke përfshirë 4.500 fëmijë dhe 3,000 gra.
Sidoqoftë, bota arabe, siç pranoi dhe Erdogani në prag të Ramazanit, “me një popullatë prej thuajse 2 miliardë njerëzish, ka dështuar për të përmbushur detyrën e saj vllazërore ndaj palestinezëve”. Dhe vërtet, për botën arabe, e cila pretendon se zbaton urdhërat e Muhametit, lufta e Izraelit dhe pamundësia e saj për të mbrojtur njerëzit e pafajshëm të të njëjtit besim, është një turp i madh.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 54 reads