...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rusia “pushton” Afrikën ndërsa perëndimi zgurdullon sytë

Kontinenti afrikan është gati dyfish sa sipërfaqja tokësore e Rusisë dhe një ndër kontinentet më të pasur por më i varfëri në botë

Ylli Përmeti

29/07/2023 - 19:03

Ditën kur krerët e disa vendeve të Afrikës shkuan në mbledhjen dyditore të Shën Petersburgut (Rusi) për të nënshkruar marrëveshje të reja, në Nigeri ndodhi një grusht shteti. Pushtetin e mori njësia e gardës presidenciale me drejtues Gen Abdourahmane Tchiani. Grushtin e dënoi SHBA-ja dhe deklaroi se do ta mbështeste presidentin e rrëzuar, Mohamed Bazoum. Grushti pason një seri grushtesh në rajonin perëndimor të Afrikës vitet e fundit: Mali, Guinea dhe Burkina Faso.

Këta vende shohin nga Rusia dhe kërkojnë ndihmën e saj për t`u çliruar nga kolonializmi perëndimor, kryesisht nga SHBA-ja dhe Franca. Zambia është një vend tjetër që po shton marrëdhëniet me Rusinë. Ajo kërkon sovranitet teknologjik me ndihmën ruse dhe kineze. Qëllimi i saj është të bëhet anëtare e bllokut ekonomik BRICS. 

Shtypi perëndimor e paraqiti mbledhjen si dështim. Ai pretendoi se pjesëmarrja ishte e pakët me vetëm 17 vende, 18 më pak se sa në takimin e fundit, katër vjet më parë në Soçi. Për këtë pjesëmarrje të “ulët”, tha shtypi perëndimor, Moska akuzon Uashingtonin, i cili ka ushtruar trysni ndaj udhëheqësve afrikanë që të mos marrin pjesë. Por shtypi rus njoftoi pjesëmarrjen e 49 vendeve nga 54 që ka kontinenti. Madje dhe shtypi perëndimor (jo kryesori) raportoi të njëjtën shifër por duke sqaruar se vetëm gjysma e tyre u përfaqësuan nga krerët e shteteve.

Paralelisht, shumë reporterë keqparaqesin realitetin gjeopolitik në nivel ndërkombëtar. Thonë se tani ne gjendemi në një “botë shumëpolare” dhe tregojnë Putinin si shkaktar por procesin e shumëpolaritetit (nga njëpolariteti tridhjetëvjeçar amerikano-evropian) e filloi Trampi në vitin 2017 ndërsa rusët thonë aktualisht se një botë shumëpolare po merr formë por jo se është shumëpolare. Këtë proces po e përshpejton Rusia dhe Kina por jo vetvetiu por duke u nxitur nga SHBA-ja, si e Trampit ashtu dhe e Bajdenit.

Madje një drejtor programesh në Klubin Valdai dhe drejtor i përgjithshëm i këshillit të çështjeve ndërkombëtare ruse, me rastin e udhëtimit të krerëve afrikanë në Moskë, sqaroi se çfarë ofron Rusia në përpjekjen e tyre për të dalë nga orbita amerikane dhe evropiane: aksione, bonde, devizë por të bazuar në ar, pasuri të patundshme dhe pasuri jo të djegshme si metalet etj. Sipas tij, këto pasuri nuk janë mbizotëruese por garantojnë siguri dhe pavarësi për kontinentin afrikan. Ndërsa ai këshilloi rritjen e studimeve afrikane në Rusi dhe shtimin e universiteteve, Putini propozoi ditën e dytë të mbledhjes me ta, mësimin e gjuhës ruse në Afrikë. 

Megjithatë, Moska fshiu një hua prej 23 miliardë dollarë për vendet afrikane ndërsa shpërndau 90 miliardë të tjera për të ulur nivelin e huave të tyre. Përqindja më e madhe (90%) e huave të vendeve afrikane është shlyer ndërsa pjesa tjetër janë marrëveshje financiare dhe detyrime. Rusia, India dhe Kina do të blejnë prodhime të gatshme (si kafja) nga Afrika në vend të lëndëve të papërpunuara. Palët arritën një marrëveshje për krijimin e një mekanizmi të përhershëm sigurie për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin, sigurimin e ushqimit dhe jo-zbarkimin e armëve në hapësirë.

Kontinenti vuan nga krimi ndërkombëtar dhe pirateria. Për të luftuar këto dukuri Rusia do të vazhdojë trajinimet e shërbimit policor në Afrinë dhe oficerët e ligjeve ndërsa do të furnizojë me armë dhe mjete ushtarake vendet afrikane, duke i dhënë disa falas, me qëllim që të garantohet siguria dhe sovraniteti në ato vende. Për këto ndihma dhe marrëveshje krerët afrikanë u shprehën falanderues. Kërkesës së tyre për të zgjidhur luftën në Ukrainë presidenti rus iu përgjigj se “ne jemi gati gjithnjë për bisedime por Moska nuk mund t`i detyrojë ata”.

Moska synon të zgjerojë marrëdhëniet diplomatike me vendet afrikane ndërsa katër deklaratat u shpallën duke përfshirë një për parandalimin e garës hapësinore, një tjetër për sigurinë e të dhënave dhe një për forcimin e bashkëpunimit për të luftuar terrorizmin, gjithashtu dhe plani për veprim i Krahazimit Ruso-Afrikan, i cili do të zbatojë vendimet e mbledhjes.

Përqindja e tregtisë së jashtme me kombet afrikane është rritur me 30% në gjysmën e parë të këtij viti krahasuar me vitin 2022. Pesë vende përllogariten për 60% të tregut: Egjipti, Algjeria, Maroku, Libia dhe Afrika Jugore. Rusia shet drith, përfshirë qumshtin dhe akulloret, prodhime energjitike, metale, dhe kamiona në kontinent dhe ble prodhime bujqësore.   

Kontinenti afrikan është gati dyfish sa sipërfaqja tokësore e Rusisë dhe një ndër kontinentet më të pasur por më i varfëri në botë. Vendet afrikane fajësojnë kolonizatorët me në krye amerikanët dhe francezët. Ndaj tani kërkojnë të çlirohen nga ata dhe kërkojnë të integrohen në bllokun euraziatik. Shumë krerë të shteteve afrikane kërkojnë të krijojnë një union afrikan me qëllim që të konkurrojnë me blloqe të tjerë ekonomikë si SHBA-ja, BE-ja, dhe BRICS. Putini e mbështet këtë qëllim ndryshe nga vendet perëndimore. 

Duket se një epokë e re po lind në Afrikë dhe perëndimi po paguan për gabimet e tij. Le të shpresojmë se do të zgjedhin rrugën e pendimit dhe jo luftës...

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA