...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shtypja e lirive të grave në Iran dhe shkaqet e protestave

Elita iraniane akuzoi për trazirat vetëm SHBA-në dhe Izraelin dhe jo veten! Por detyra jonë është të tregojmë gjithë të vërtetën: se padrejtësitë ndaj grave në Iran janë të mëdha dhe me to duhet të solidarizohemi të gjithë por jo duke i vënë zjarrin vendit dhe duke përdorur liritë perëndimore ndaj grave si kundërpeshë, sepse megjithëse në disa vende perëndimore gratë s`janë dhe aq të lira ato janë përgjithësisht të lira por të keqedukuara, sidomos lidhur me veshjen.

Ylli Përmeti

05/10/2022 - 08:51

Trazirat e shtatorit në Iran u shkaktuan si pasojë e vdekjes së një 22 vjeçareje kurde iraniane, Mahsa Amini, e cila u arrestua nga policia për shkeljen e “kodit të veshjes” dhe u çua në një qendër ri-edukimi. Si fillim rrodhën raporte se ajo ishte për tre ditë në komë. Si pasojë filluan grumbullimet e iranianëve në rrugë dhe internet. Policia u përgjigj me zjarr dhe arrestime për shkak se protestat filluan të përhapeshin në gjithë vendin. Protestuesit kërkonin drejtësi për të dhe filluan të këndonin këngë të ndryshme me njërën të thërriste “gratë, jeta, liria” dhe një tjetër “vdekje diktatorit”.

Policia si fillim ishte e përmbajtur por më pas ushtroi dhunë duke i shtypur protestat dhe duke arrestuar dhe vrarë disa dhjetra protestues. Kështu u shtuan thirrjet kundër dhunës policore dhe policëve që vranë protestuesit. Këto protesta pasuan protestat e zhvilluara në korrik kur qeveria filloi të zbatonte kodin e veshjes duke përdorur policinë e moralit për të ruajtur vendet publike. Si pasojë e represionit shtetëror, disa femra u arrestuan dhe të paktën njëra kërkoi falje në televizion.

Masat përmes praktikave të veshjes (veçanërisht për gratë) kanë një histori të gjatë në shoqërinë iraniane. Në dy periudhat e fundit politike, nga monarkia Pahlavi (mbrojtëse e modernizmit) te Republika Islamike e Iranit (mbështetës të Islamizmit), rregullat e veshjes kanë luajtur një pjesë të rëndësishme për ndërtimin e kombit dhe ruajtjen e identiteteve. Në të dyja paradigmat politike, teknologjitë e rrobaqepsisë u krijuan për të krijuar një trup kolektiv të vetëm politik, rrjedhimisht duke e paraqitur atë ndaj botës së jashtme (veçanërisht ndaj botës perëndimore) si një identitet kombëtar për të qenë ose moderne ose fetare.

Shqetësimi kryesor i regjimit të Pahlavisë ishte ndryshimi material i një shoqërie të prapambetur. Në vend të sillte ndryshime thelbësore shoqërore dhe kulturore në statusin e femrave, Reza Shah (mbreti i parë i Pahlavisë 1925-41) themeloi biopolitikën e tij në regjistra të dukshëm të modernitetit. Për të ndryshuar imazhin e ‘gruas tradicionale’ Reza Shah e ndaloi mbulesën dhe detyroi gratë të përshtateshin në stilet perëndimore të veshjes. Teknologjia e tij moderne e rrobaqepsisë rriti njëkohësisht pamjen e një pakice të grave të klasës së mesme-lartë në hapësira publike dhe shkualifikoi shumicën e grave të klasave të ulëta nga përcaktimi i modernitetit. Konflikti mes imazhit modern të gruas dhe realiteteve islamike në të cilët gratë jetonin çoi në skajimin e mëtejshëm të grave.

Sidoqoftë, kundërshtimi në rritje mes klerit dhe dinastisë së Pahlavisë e bëri politikën e veshjes së Muhamad Shah, mbreti i dytë i Pahlavisë (1941-78) më pak efektive. Edhe një herë, veshja e zezë për gjithë trupin (çadori) u shfaq në rrugët urbane. Më vonë, me nxitjen e konceptit të ‘grave autentike muslimane’ nga disa mendimtarë islamikë revolucionar―si Ali Shariati (1933-77), i cili i shihte vlerat perëndimore dhe tradicionale si burim i shtypjes së grave― një ndërthurje e palltos (një veshje e gjerë) dhe rusari (shamikoke) u bë një zgjidhje tjetër ndaj çadorit (një veshje e gjatë që fillon nga koka dhe mbulon trupin që i ka fillesat në shekullin e dhjetë).

Pas themelimit të republikës islamike, regjimi islamik zbatoi teknologji biopolitike të themeluara në diskutime trupore rreth modestisë, të cilat zbatohen kryesisht ndaj imponimit të detyrueshëm të mbulesës dhe politikave të ndarjes së gjineve si mjet për të krijuar një bazë fetare identitare kombëtare.

Dekadën e parë pas revolucionit, gratë përjetuan një rënie dramatike në statusin e tyre social, ekonomik dhe politik. Me fillimin e luftës Iran-Irak (1980-88) pak pas revolucionit, e zeza u bë ngjyra e përshtatshme e veshjeve për gratë dhe burrat për të treguar vajtim publik për martirët të cilët humbën jetët e tyre për atdheun.

Politika strikte mbikqyrëse u zbatuan në hapësira publike dhe institucionet kryesorë, duke përfshirë shkollat, organizatat e punës dhe rrugët, për të kontrolluar veshjet e burrave dhe grave. Dekada tjetër përkoi me zhvendosje të mëdha vendore dhe botërore, duke përfshirë vdekjen e udhëheqësit suprem Ajatallah Komeini (1989), armëpushimin e Irakut (1988), globalizmi dhe presidenca e Hashemi Rafsanjanit (1989-1997), politika e të cilit për të zbutur kontrollet sociale dhe kulturore u dha grave ca të drejta mbi ngjyrën dhe stilin e veshjeve të tyre.

Por kthesa ndodhi me presidencën e Muhamet Katamit (1997), politikat liberale të të cilit u dhanë grave më shumë liri. Gjatë asaj periudhe veshjet e lëshura dhe të zeza u zëvendësuan me veshje në modë, të ngushta dhe të çelura e cila u dha grave mundësinë të tregonin më shumë nga lëkura, flokët dhe linjat e trupit të tyre. Sot gratë atje kanë më shumë pushtet lidhur me veshjet megjithaëse ato mbikqyren vijueshmërisht nga policia.   

Çadori është i detyrueshëm për gratë e punësuara në shtet. Përqindja mes veshjeve me ngjyra dhe çadoreve është pesë me dy ndërsa fytyra nuk mbulohen plotësisht. Gratë kanë më pak të drejta se burrat për sa kohë që ideologjia mbizotëruese është feja islame autoriteti i të cilës buron nga Kurani. Sipas këtij të fundit Allahu krijoi Adamin nga pluhuri osa balta pa baba dhe nënë dhe kur ai dëshiroi të krijonte njerëzimin nga Adami ai krijoi gruan e tij (Evën) nga brinja e tij e përkulur.

Qasja e Kuranit ndryshon nga qasja e Biblës, e cila e fillon jetën në tokë me dy njerëz, mashkull dhe femër, Adamin dhe Evën, ndërsa Kurani e fillon jetën njerëzore në tokë me Adamin, por jo si krijesë qiellore por tokësore, pastaj, nga brinja e tij krijoi femrën, dhe më vonë, shkollarët e islamit i dhanë ‘brinjës’ një kuptim figurativ të lidhur me karakterin e femrës: “Unë ju këshilloj të trajtoni gruan me mirësjellje, sepse gruaja u krijua nga brinja, dhe pjesa më e shtrembër e saj është brinja e sipërme. Nëse ti përpiqesh ta drejtosh atë, ti do ta thyesh atë, dhe nëse e lë, ajo do të mbetet e shtrembër”, thuhet të ketë thënë profeti sipas Abu Hurayrah

Sipas këtij kuptimi, ata e shohin femrën prodhim të burrit dhe me të meta; ndaj ajo duhet të mbikqyret nga burrat. Nga ky kuptim është themeluar pabarazia mes burrave dhe grave pavarësisht se propagandohet barazia në raport me Zotin. Këtë kuptim reflekton dhe shoqëria iraniane. Për shembull, gratë në Iran nuk mund të jenë gjykatëse të rangut të lartë dhe disa autoritete fetare nuk e njohin të drejtën e tyre për të interpretuar tekstet e shenjtë (ijtihad) qoftë edhe nëse ato kanë arritur rangun e ajatollahut, niveli më i lartë në klerin Shia.

Pabarazia reflektohet dhe në parlament; me ambasadorët dhe në çështje shoqërore. Nëse, për shembull, gratë duan të martohen, udhëtojnë, hapin një llogari bankare ose trashëgojnë, ato përballen me ligje të pabarabartë dhe duhet të mbështeten në dëshirën e mirë të mashkullit të familjes. Për t`u ndarë, një grua, ndryshe nga burri, duhet ta arsyetojë vendimin e saj përpara gjykatës dhe të presë vendimin. Një grua do të kujdeset për fëmijët e saj deri në shtatë vjeç; më pas kujdestaria i kalon burrit përjashto rastin kur ai e refuzon atë. Autoriteti prindëror qendron tek babai qoftë edhe nëse fëmija jeton me gruan. Burri është mbret në sytë e ligjit islamik ndërsa gruja skllave pavarësisht se propagandohet vetëm barazia në raport me Zotin.    

Por ndërsa për të gjitha këto pasoja mbi gratë Kurani është shkaku kryesor ―sepse ai e lind gruan nga brinja mashkullit― pas të cilit rendin shkollarët e tij dhe paraqesin kuptime figurative për ta bërë të kuptueshëm librin e shenjtë, nuk mungon shtrembërimi i Kuranit nga shoqëritë në fjalë lidhur me veshjen e grave dhe veçanërisht lidhur me mbulimin e flokëve. Floku i femrës nuk është vetëm bukuri; mua flokët e femrës më magjepsin por nuk më shkaktojnë joshje seksuale dhe i kërkoj flokët e shëndetshëm tek femra, sepse tregon se gëzon shëndet të mirë dhe për pasojë ajo do të përcjellë shëndet për fëmijët dhe familjen e saj.

Gjykuar nga vetja dhe nga zhurma e madhe që është shkaktuar vitet e fundit për shamitë e femrave muslimane dhe flokët e tyre, pata dyshime se Kurani nuk mund të ketë gabuar në këtë çështje pavarësisht se ai gabon në çështje të tjera si në rastin e lindjes së femrës. Ndaj hapa Kuranin dhe qëmtova çështjen në fjalë.

Çështja e mbulimit të femrës citohet tre herë në Kuran por në një nga “suretë” e tij më gjatë dhe më qartë dhe në asnjë nuk detyrohet mbulimi i flokëve me shami apo i fytyrës por veç kraharorit. Ja ç`citon sureja 24: 31:

“Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vënë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllazërve të vet ose djemve të vëllazërve të vet, apo djemve dhe motrave të veta, ose grave të tyre dhe robreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt të cilët nuk ndiejnë nevojë për femrat ose fëmijët që nuk kanë arritur pjekurinë për gra.”

Nga ky paragraf kuptohet se Kurani flet për mbulimin e pjesëve të turpshme të trupit (gjoksin e femrës) dhe jo për flokët. Por ai është i padrejtë kur ndalon gruan të tregojë bukurinë e saj në publik, sepse për sa kohë që ajo ka mbuluar pjesët e saj “të turpshme” ose “seksualisht tërheqëse” për aq kohë ajo nuk bëhet e kritikueshme nga shoqëria dhe e lakmueshme nga burrat, të cilët, sipas fesë islame, janë mbretër dhe mund të mos përmbahen kur përballen me bukurinë e një gruaje.

Lidhur me “stolitë”, varet se ç`kuptohet me to. Për shembull, vathët janë një lloj stolie tek gratë. Por ata nuk shkaktojnë ndonjë “paturpësi” por veç tundimin e ndonjë hajduti. Stolitë tek gratë, rrjedhimisht, mund të shkaktojnë ndonjë tundim dhe kërcënim të jetës së tyre por jo paturpësi. 

Kurani mundohet të parandalojë pasoja të dhimbshme për gratë duke diktuar sjelljen e burrave por diktimi dhe edukimi ndryshon si nata me ditën: sepse ne vërtet në vegjëlinë tonë kemi nevojë për diktimin e të rriturve por kur edukohemi hamendësohet se kemi zhvilluar virtytet etike dhe intelektuale përmes të cilëve gjykojmë dhe veprojmë drejtë si në raport me veten ashtu dhe në raport me të tjerët.

Një tjetër çështje që shqetëson protestuesit është virgjëria: një gurthemel i patriarkisë fetare të qeverisur nga ligji i Sharias. Por ajo e ka humbur vlerën e saj mes të rinjëve. Ndryshe nga protestat e kaluara, ato s`kanë drejtues për t`i heshtur ato, as grupe politike për t`i përmbajtur, dhe as premtime për reformë ekonomike për t`i paqëtuar ata. Revolta filloi me të drejtat e grave por ajo është një shfryrje e shtypjes mendore, seksuale, shoqërore, politike dhe ekonomike. Ata nuk duan reformë politike dhe ekonomike por liri dhe ndryshim regjimi. Përballë tyre qendron policia iraniane dhe vullnetarët paraushtarakë ose besnikët e regjimit: Basijtë (ba-SEEJ) ose Organizata për Mobilizimin e të Shtypurve.   

Këtë dinamikë shoqërore të Iranit e kanë shfrytëzuar elitat perëndimore herë pas here. Por këtë herë më shumë. Elita iraniane akuzoi për trazirat vetëm SHBA-në dhe Izraelin dhe jo veten! Por detyra jonë është të tregojmë gjithë të vërtetën: se padrejtësitë ndaj grave në Iran janë të mëdha dhe me to duhet të solidarizohemi të gjithë por jo duke mbështetur shkatërrimin e Iranit dhe duke përdorur liritë perëndimore ndaj grave si kundërpeshë, sepse megjithëse në disa vende perëndimore gratë s`janë dhe aq të lira ato janë përgjithësisht të lira por të keqedukuara, sidomos lidhur me veshjen. Keqedukimin e tyre e shohim kudo: në veshje dhe art!

Në vendin tonë, protestat e fundit të Iranit nuk u ndoqën me vëmendje nga shtypi dhe media. Edhe ata që u përqendruan, kryesisht fetarët muslimanë, treguan vetëm Izraelin dhe Uashingtonin si shkak! Madje dhe “LGBT-të perëndimore. Por është e qartë se janë të padrejtë: sepse nuk tregojnë as karakterin dhe efektin e Kuranit; as padijen e tyre lidhur me pretendimin e tyre për shamitë dhe veshjet e grave; as edhe realitetin shoqëror në Iran.  

Për më shumë literaturë:

Copëzimi i Lindjes së Mesme, roli i “ISIS-it” dhe keqkuptimi i Islamit nga muslimanët

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA