...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Të vërtetat e (pa)thëna të krimeve në Buka të Ukrainës dhe përgatitjet për “luftën finale” në Donbas

Perëndimi shkeli edhe një herë të drejtën ndërkombëtare lidhur me pretendimet për krime lufte: sepse sa herë që ka dyshime të kësaj natyre pushtetet politike janë të detyruara t`i nënshtrohen të drejtës ndërkombëtare―hetimeve të pavaruar.

Ylli Përmeti

08/04/2022 - 08:46

Përparimi i bisedimeve për një traktat të mundshëm por dhe humbjet e rëndësishme (siç pranoi zëdhënësi i Kremlinit gjatë kohës kur forcat ushtarake ruse po përqendroheshin në Donbas) bëri që Rusia të tërhiqte forcat ushtarake nga rrethinat e Kievit në datën 30 mars ndërsa ushtria ruse pretendoi një ditë përpara tërheqjes në fjalë se qeveria ukrainase kishte urdhëruar forcat ultra-nacionaliste të prodhonin video të sajuara ku tregohen krime të kryera nga trupat ruse kundër qytetarëve me qëllim që t`i inkriminonte për vrasje masive, vjedhje dhe dëme të infrastrukturës shoqërore. Një ditë më pas kryebashkiaku i Bukas, një qytet në veri-perëndim të Kievit, deklaroi çlirimin e qytetit dhe e quajti atë një fitore të madhe për mbrojtësit e Ukrainës.

Në 1 prill, shërbimi i huaj inteligjent rus (SVR) njoftoi se kishte interceptuar biseda mes qeverive të Ukrainës dhe Britanisë sipas të cilave ata shprehnin pasojën e pakëndshme që mund të kishin videot e publikuara ku tregoheshin tortura dhe se qeveritë perëndimore ishin në “dijeni të shkeljeve të ligjit ndërkombëtar humanitar nga Kievi” dhe ishin gati të ndihmonin shkaktarët të mos mbaheshin përgjegjës. Në të njëjtën ditë “ekspertët” perëndimorë paralajmëruan se Rusia nuk ishte gati për armëpushim me Ukrainën, sepse ajo “po dërgon sinjale të paqarta”, ndërsa shtypi perëndimor njoftoi protestat kundër luftës në Rusi. Në dy prill zbarkoi policia ukrainase në Buka për të “pastruar territorin nga sabotatorët dhe bashkëpunëtorët e trupave ruse dhe të inspektonin vendet e krimeve të luftës të kryer nga Rusia”.

Pas kësaj dite filluan të qarkullonin video me njerëz të vdekur në rrugët e qytetit dhe akuzat nga Kievi dhe më pas nga perëndimi, se Rusia kishte kryer krime lufte. Rusia mohoi akuzat dhe kërkoi mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ngaqë mbledhjet drejtoheshin nga Britania, kërkesa e saj u vonua një ditë: mbledhja filloi me akuzat për krime lufte ndaj Rusisë ndërsa përfaqësuesi i kësaj të fundit u përqendrua tek akuzat e Zelenskit duke i thënë atij se ishte ai dhe qeveria e tij që kishte shkaktuar krimet në fjalë për të penguar përpjekjen për një traktat të mundshëm. Dhe kështu ndodhi një ditë më pas kur Kievi paraqiti plan-marrëveshjen i cili, sipas ministrisë së jashtme ruse, largohet nga pikat kryesore të 29 marsit të shënuara në Stamboll. Por pavarësisht largimit nga pikat kryesore Moska tha se do të vazhdonte bisedimet pavarësisht provokimeve.

Të njëjtën ditë dhe për të vërtetuar akuzat e Kievit dhe perëndimit, shërbimet inteligjente gjermane paraqitën në Budenstag një përgjim sipas të cilit dëgjohet një zë rus t`i thojë dikujt se si ai dhe një ushtar tjetër vrau dikë që ishte në biçikletë (duke e lidhur këtë vrasje me një vrasje me biçikletë) ndërsa në një përgjim tjetër thuhet se: “Si fillim ti pyet ushtarin, pastaj ti e qëllon atë”. Por kur bëhet fjalë se kush ia dha përgjimin shërbimit inteligjent gjerman, citohet një “burim anonim”!  Media perëndimore publikoi vetëm pretendimet e shërbimeve inteligjente gjermane dhe jo ato ruse―lidhur me “urdhërin e qeverisë ukrainase për të sajuar video”.    

Financial Times, në fakt, raportoi një ditë pas publikimit të vrasjeve se zyrtarët ukrainas shpresonin që vrasjet në Buka të shërbenin si pikë kthese për përgjigjen perëndimore ndaj Rusisë. Për këtë kthesë Britania ishte e përgatitur dhe siç njoftoi “The Times”, ajo do të dërgojë autoblinda në Ukrainë, sepse “besonte se tre javët e ardhshme do të ishin kritike në përcaktimin e rezultatit të luftës”. Armët do të zhvishen nga pajisjet e ndjeshme (ose sekrete) dhe trupa britanike do të dërgohen në një vend fqinj të Ukrainës për të trajinuar forcat ushtarake ukrainase. Do të dërgohen dhe raketa kundërajrore dhe kundër-tanke. Plani britanik për të dërguar autoblinda pasoi dërgesat e Republikës Çeke të tankeve T-71 dhe BVP-1. 

Pas kërkesës se Ukrainës për më shumë ndihmë ushtarake, kreu i Nato-s tha se aleanca do të dërgonte armë por pa treguar llojin e armëve! Hamendësisht, për të befasuar ushtrinë ruse. Shërbimet inteligjente perëndimore besojnë se Rusisë do t`i duhen disa ditë dhe ndoshta dhe disa javë për të organizuar forcat e saj në Donbas. Ndaj ata po përgatiten për “luftën finale”. Pas këtyre përgatitjeve, erdhi dhe vlerësimi i Kremlinit: ai shpreson se operacionet në Ukrainë do të mbarojnë ‘në ditët në vijim’ ose me realizimin e qëllimeve të ushtrisë ruse ose me një marrëveshje përmes bisedimeve.    

Sidoqoftë, duhet thënë se perëndimi shkeli edhe një herë të drejtën ndërkombëtare lidhur me pretendimet për krime lufte: sepse sa herë që ka dyshime të kësaj natyre pushtetet politike janë të detyruara t`i nënshtrohen të drejtës ndërkombëtare―hetimeve të pavaruar. Ky parim është i njëjtë dhe në nivel shtetëror: se sa herë ka dyshime për përfshirje në krim të njërës apo tjetrës palë, kërkohen hetime dhe pastaj mbahen qendrime politike. Por perëndimi ka më shumë se dy dekada që shkel parimet e të drejtës ndërkombëtare―që kur globalizmi neoliberal u formalizua me luftën kundër terrorizmit në Lindjen e Mesme.             

Perëndimi veproi paksa ndryshe një ditë më pas kur u dëshmua një sulm me një raketë në një stacion treni në Kramatorski dhe ku u vranë rreth 50 qytetarë dhe u plagosën shumë të tjerë, në pritje për t`u larguar nga qyteti: ai dënoi sulmin dhe kërkoi hetim dhe nuk akuzoi Rusinë pavarësisht se Zelenski akuzoi pas sulmit ushtrinë ruse ndërsa nuk mungoi akuza e Kremlinit kundrejt Kievit për barbarizëm. Sipas ministrisë ruse, raketa në fjalë, Tochka-U, përdoret vetëm nga ushtria ukrainase. Madje ajo pikasi dhe vendlëshimin e saj: Dobropole, një qytet në jugperëdim të Kramatorskut, nën kontrollin e Kievit.

Por nuk mungoi pretendimi i Uashingtonit: sipas një zyrtari të lartë amerikan....anonim, të njoftuar nga Voa, Pentagoni beson se “Rusia përdori një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi”, “SS021 Scarab”, por “motivi i sulmit nuk ishte i qartë”. Qoftë edhe BE-ja nuk akuzoi Rusinë por vetëm dënoi sulmin. Duhet thënë se qyteti përkatës pretendohet nga republika e popullit të Doneckut e njohur si e pavarur nga Rusia që aktualisht gjendet nën kontrollin e Kievit dhe pritet të përfshihet në “luftën finale” të ushtrisë ruse për ta çliruar nga Kievi.             

Perditesuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA