Zhvendosja e ambasadave serbe dhe kosovare në Jeruzalem dhe implikimet në marrëdhëniet ndërkombëtare
Kështu është politika ndërkombëtare, tërheq një kashtë, dalin gjashtë; i tërheq penjtë në Uashington, lëvizin figurat në Telaviv, në Moskë e anembanë botës!
Adil Fetahu
07/09/2020 - 11:14
Marrëveshja për çështje ekonomike, e lidhur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, mes Kosovës e Serbisë, nën patronatin (ose diktatin) e SHBA-ve, sot e shumë kohë do të komentohet nga aspekte dhe kënde të ndryshme, nga politikanë e analistë (dhe banalistë) të ndryshëm; herë do ta quajnë historike; herë në dobi të Kosovës e në dëm të askujt, herë në dobi të Serbisë e në dëm të Kosovës. Pak kujt do t’i shkojë mendja ta lidhin refleksionin e kësaj Marrëveshje me Izraelin që duket se ka pasur përfitimin më të madh politik prej saj. Nëse në raport me Izraelin Kosova ka përfituar, pasi Izraeli u detyrua ta njohë pavarësinë e Kosovës, Serbia ka bërë një hap prapa në aspektin e diplomacisë ndërkombëtare: sepse do ta zhvendosë ambasadën e vet prej Telavivit në Jerusalemin kontestues midis Izraelit e Palestinës. Të paktën kështu kumtoi presidenti Tramp në takim, se “pala serbe ka pranuar që qysh në tetor (të këtij viti) të hapë Zyrë Eknomike në Telaviv, ndërsa në korrik të vitit 2001, ta transferojë Ambasadën në Jerusalem”. Për pasojë, kryeministri i Izraelit… “e ka falënderuar Vuçiçin për vendimin që Jerusalemin ta njeh për kryeqytet të Izraelit dhe që atje ta transferojë Ambasaden e Serbisë”.
Këtë e vërteton edhe ish-ambasadori i Serbisë në Berlin dhe Londër, Ognjen Pribiçeviç, në një deklaratë për gazetën “Blic” të Beogradit, ku e lavdëron Vuçiçin “se ka bërë një hap të guximshëm me vendimin për transferimin e Ambasadës në Jerusalem, që ishte me rrezik për marrëdhëniet me disa vende të tjera, por hap i dobishëm për afrimin e Serbisë me ShBA-të”. Ministri i punëve të jashtme të Izraelit, Gabi Ashkenazi, “e ka përshëndetur vendimin e Kosovës dhe të Serbisë për hapjen, respektivisht për tranferimin e Ambasasdës në Jerusalem”. Kryetari i Çekisë sot i ka uruar Vuçiçit vendimin për tranferimin e Ambasadës në Jerusalem, duke thenë se atë që ai nuk ka mund ta bëjë, Vuçiçi e bëri.
Statusi i Jerusalemit tërë kohën ka qenë tema më e nxehtë e konfliktit midis Izraelit e Palestinës, sepse të dy vendet e konsiderojnë si vend të shenjtë të tyre. Izraeli, me ndihmën e Amerikës, po përpiqet ta çimentojë sovranitetin e tij mbi Jerusalemin dhe po bënë përpjekje diplomatike që sa më shumë shtete, sidomos të Europës, t’i transferojnë ambasadat e tyre nga Telavivi në Jerusalem. Deri tash, asnjë shtet europian nuk e ka bërë këtë. Duket se Kosova dhe Serbia do të jenë të parat nga shtetet e Europës që do ta përmbushin këtë kërkesë izraelite. Trampi e lavdëroi gadishmërinë e Kosovës, që si shteti i parë me shumicë muslimane, do ta njohë Izraelin në kufijtë aktual dhe do ta vendosë ambasadën në Jerusalem!
Natyrisht, sapo të vihen marrëdhëniet diplomatike, ambasada e Kosovës do të vendoset në Jerusalem. Dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike e njohjen e Izraelit në kufijtë e tashëm, të përcaktuar njëanshëm me pushtim të tokave të Palestinës, dhe me vendosjen e ambasadës në Jerusalem, Kosova rrezikon të humbë miqësinë jo dhe aq të zhvilluar me shumë shtete të tjera muslimane të Lindjes së Mesme dhe të Azisë, dhe veçmas me Turqinë, të cilat e përkrahin Palestinën. Ç’është më keq, disa prej tyre mund të reagojnë me tërheqjen e njohjes së Kosovës? Nga ana tjetër, ky veprim i Kosovës do të jetë në kundërshtim me qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare, për të mos përkrahur aneksimin e Jerusalemit.
Kombet e Bashkuara me disa rezoluta nuk e njohin aneksimin izraelit të tokave palestineze, duke theksuar se Palestina duhet të jetë e pavarur me kufijt e vitit 1967, e me Jerusalemin Lindor si kryeqytet të saj. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, qysh në shtatorin e vitit të kaluar pati deklaruar se nëse Izraeli e njeh pavarësinë e Kosovës, ambasada e Kosovës do të vendoset në Jerusalem. Deri më tash në Jerusalem janë të vendosura vetëm ambasada e SHBA-ve dhe e Guatemalës.
Dëmin më të madh lidhur me raportet e krijuara në trekëndëshin Kosova – Izraeli – Serbia, do ta pësojë Serbia. Jo vetëm për shkak se Izraeli do ta njohë pavarësinë e Kosovës, që është dhimbja më e madhe e Serbisë, por edhe për shkak se mund të humbë shumë në marrëdhëniet bilaterale me miqtë e saj në shtetet arabe, me të cilat ka marrëdhënie të mira ekonomike dhe politike, të ndërtuara në sajë të gënjeshtrave serbe që me aq shije i gëlltisin shtetet arabe. Turqia menjëherë ka reaguar, duke shprehur keqardhjen e saj për marrëveshjen që Serbia ta zhvendosë ambasadën e saj nga Telavivi në Jerusalem. Edhe ambasadori i Palestinës në Beograd, ka thënë se zhvendosja e ambasadës së Serbisë nga Telavivi në Jerusalem, është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe do t’i dëmtojë marrëdhëniet tradicionalisht miqësore midis Serbisë e Palestinës.
Natyrisht, këtu nuk e kam fare hallin e Palestinës, e cila sot e kësaj dite është shumë e përkushtuar në përkrahjen e Serbisë kundër Kosovës, por siç thotë urtia popullore: :”rri shtrembët, e fol drejtë”.
Trampi me Marrëveshjen midis Kosovës e Serbisë, i ka bërë një shërbim të mirë Izraelit dhe sidomos këshilltarit e dhëndërrit të tij hebraik, Xherad Fisher, dhe ka përforcuar përkrahjen e lobit hebrej të Amerikës për zgjedhjet e ardhshme.
Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që është i njohur si një lajkatar i pashembullt, në fotografinë, në një karrige “të thjeshtë” përpara tavolinës së Trampit, dukej si një nxënës që është në provim para profesorit pa sens pedagogjik. Fotografia e Vuçiçit e nevrikosi aq shumë Moskën zyrtare sa që zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, në rrjetet sociale ruse e ka ofenduar Vuçiçin, duke i thënë qartë: “Sram vas bilo” (mbar ju qoftë). Megafoni i Vuçiçit, Gjuriqi, i është përgjigjur me të njëtjën shprehje Zaharovës, duke u arsyetuar se Vuçiçi në Shtëpinë e Bardhë nuk ka folur asnjë fjalë të keqe kundër Rusisë!
Kështu është politika ndërkombëtare, tërheq një kashtë, dalin gjashtë; i tërheq penjtë në Uashington, lëvizin figurat në Telaviv, në Moskë e anembanë botës!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 20 reads



