...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerika dhe Irani shpallin ushtritë e njëri-tjetrit terroriste

Për Amerikën, vendimi nënkupton se çdo lloj mbështetje për ushtrinë iraniane do të konsiderohet krim federal ndërsa vendimi i Iranit nënkupton se ushtria amerikane ne Lindjen e Mesme kërcënohet nga sulmet e ushtrisë iraniane--SHJ

Voa

09/04/2019 - 14:07

Për herë të parë, Shtetet e Bashkuara po cilësojnë një entitet të një qeverie tjetër si organizatë terroriste. Fjala është për Rojet Revolucionare Iraniane, (IRGC), organizata më e fuqishme e sigurisë së Republikës Islamike.

"Ky hap i pashembullt, i udhëhequr nga Departamenti i Shtetit, njeh realitetin se Irani nuk është vetëm një mbështetës shtetëror i terrorizmit, por edhe se IRGC merr pjesë aktive, financon dhe promovon terrorizmin si mjet i politikës shtetërore", tha Presidenti Donald Trump në një deklaratë. "IRGC, - tha ai, - është mjeti parësor i qeverisë iraniane për drejtimin dhe zbatimin e fushatës së saj terroriste globale."

Ky veprim i SHBA, i cili hyn në fuqi pas një jave dhe përfshin forcën sekrete elitë Quds të IRGC, nënkupton se ofrimi i çdo lloj mbështetjeje për IRGC do të konsiderohet krim federal.

Ky hap "i bën mëse të qarta rreziqet e bashkëpunimit ose mbështetjes për IRGC-në," sipas deklaratës së Presidentit Trump. "Nëse bashkëpunoni me IRGC, kjo do të thotë se po financoni terrorizmin," tha Presidenti i SHBA.

Pak minuta pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo bëri komente në Departamentin e Shtetit. Ai tha se IRGC "organizon dhe ekzekuton fushata terroriste anembanë botës".

Zyrtarët e SHBA, në komentet për gazetarët, gjithashtu i referohen IRGC-së si një "kult vdekjeje", që është fytyra e vërtetë e politikës së jashtme iraniane.

"Udhëheqësit e Iranit janë grabitës, jo revolucionarë", u tha gazetarëve zoti Pompeo, duke shtuar se me njoftimin e së hënës Uashingtoni po dërgon mesazhin e qartë se SHBA po përdorin të gjithë presionin që Irani të ndalë "sjelljen e jashtëligjshme" të tij.

Sekretari Pompeo nuk pranoi të thoshte, kur u pyet nga një gazetar, nëse përcaktimi si terrorist nënkupton se ushtria amerikane do të verë në shënjestër krerët e IRGC-së në të njëjtën mënyrë si ata të grupit Shteti Islamik.

Irani u përgjigj ndaj vendimit të SHBA, duke vënë forcat ushtarake amerikane në listën e tij të grupeve terroriste. Gjeneralmajori Mohammed Ali Jafari kishte paralajmëruar më parë se forcat amerikane në Lindjen e Mesme "nuk do të gjejnë më qetësi" nëse administrata Trump nuk i ndryshon planet për IRGC-në.

"Si praktikë, ne nuk diskutojmë për ndryshimet në nivelet e mbrojtjes së trupave apo masat e ndryshme, kjo për arsye të sigurisë operacionale", tha zëdhënësja e Marinës, Rebecca Rebarich, duke shtuar se ushtria "ka marrë masa kujdesi për të garantuar sigurinë e forcave tona në të gjithë botën".

Disa zyrtarë të lartë amerikanë të zbulimit dhe të mbrojtjes mendohet se janë shprehur kundër vendimit, nga shqetësimi se udhëheqësit iranianë të vijës së fortë do të kërkonin operacione kundër amerikanëve jashtë vendit, veçanërisht kundër operacione speciale dhe forcave paraushtarake.

Disa analistë, megjithatë, presin që Irani të reagojë me një qëndrim më të përmbajtur.

"Politikisht ata nuk mund të bëjnë dot asgjë," thotë Alex Vatanka në Institutin e Lindjes së Mesme. "Por, a do t’u kërkojnë ata njerëzve të tyre në Irak apo gjetkë të fillojnë të venë në shënjestër bazat amerikane? Unë dyshoj shumë."

Vatanka i tha Zërit të Amerikës se iranianët nuk janë të interesuar për të përshkallëzuar situatën.

"Politika e tyre bazë është të presin largimin e Presidentit Trump" dhe t’i qëndrojnë marrëveshjes bërthamore nga e cila Shtetet e Bashkuara u tërhoqën vitin e kaluar, thotë ai.

Vendimi i Presidentit Trump përkon me përvjetorin e tërheqjes së tij nga Plani i Përbashkët i Veprimit i vitit 2015 (nënshkruar nga Irani me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plus Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian) dhe me masën e presidentit për të ri-vendosur sanksionet që po e dëmtonin ekonominë iraniane. Ai vjen gjithashtu në prag të zgjedhjeve parlamentare izraelite që do të vendosin fatin e një aleati të rëndësishëm të zotit Trump, kryeministrit Benjamin Netanjahu.

"Ata nuk mendojnë se kjo është rastësi. Nuk është vetëm për Izraelin. Ka të bëjë me mbështetjen për zotin Netanjahut në mënyrë specifike, gjë që është edhe pikëpamja në Iran”, thotë analisti Vatanka.

Ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, pas njoftimit në Uashington, komentoi në Twitter, duke e shpallur vendimin amerikan një "dhuratë zgjedhore për Netanjahun"

Megjithatë, është e sigurt se vendimi i Presidentit Trump në mënyrë të konsiderueshme shtrëngon lakun ekonomik rreth qafës së Iranit, sepse IRGC është pjesë e rëndësishme e ekonomisë së vendit dhe sistemit të tij politik.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA