...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerika dhe Rusia angazhohen për përmirësimin e marrëdhënieve mes armiqësive

Sekretari Pompeo u tha udhëheqësve rusë se Presidenti Donald Trump është “i angazhuar t’i përmirësojë marrëdhëniet” mes të dy vendeve

Voa

15/05/2019 - 09:06

Në vizitën e tij të parë në Rusi për herë të parë si sekretar shteti, Sekretari Pompeo u tha udhëheqësve rusë se Presidenti Donald Trump është “i angazhuar t’i përmirësojë marrëdhëniet” mes të dy vendeve.

“Secili nga vendet tona do të mbrojë interesat e veta, do të mbrojë interesat e popullit të vet. Por ne nuk jemi të destinuar të jemi armiq për çdo çështje; shpresoj që të mund të gjejmë fusha me interes reciprok dhe të fillojmë vërtet të ndërtojmë marrëdhënie të forta, të paktën për ato çështhje”, tha Sekretari Pompeo.

Sekretari Pompeo tha se Uashingtoni nuk do të toleronte asnjë ndërhyrje nga Moska në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se në se një veprim i tillë do të ndodhte, kjo do t’i dëmtonte seriozisht marrëdhëniet tashmë të dobëta mes të dy vendeve.

"I kam bërë të qartë Ministrit të Jashtëm Lavrov... se ndërhyrja në zgjedhjet amerikane është e papranueshme. Nëse rusët do të angazhoheshin ta bënin këtë në vitin 2020, kjo do ta bënte marrëdhënien tonë më keq sesa ka qenë. ...Unë do t'i inkurajoja ata të mos e bëjnë këtë. Ne nuk do të tolerojmë një gjë të tillë”, - tha zoti Pompeo.

Përveç çështjes së zgjedhjeve amerikane, zoti Pompeo dhe zoti Lavrov patën debate edhe për Venezuelën. Ministri i Jashtëm rus kritikoi Uashingtonin për përpjekjen për të minuar Presidentin Nicolas Maduro, për të cilin sekretari Pompeo tha se duhet të japë dorëheqjen për shkak të krizës ekonomike dhe protestave në shkallë të gjerë kundër sundimit të tij.

Për Ukrainën, Sekretari Pompeo i tha zotit Lavrov se Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin aneksimin e Krimesë nga Moska në vitin 2014.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas bisedimeve me zotin Lavrov, sekretari Pompeo tha se Uashingtoni është i gatshëm të rindërtojë marrëdhëniet e saj me Moskën, por pret që homologët e saj rusë të veprojnë me të me seriozitet.

Zoti Lavrov përdori një ton të ngjashëm:

“E kuptojmë që ka pasur një numër dyshimesh dhe keqkuptimesh nga të dyja palët. Por as ju, as ne nuk po fitojmë asgjë prej tyre. Përkundrazi, kjo armiqësi reciproke po rrit rreziqet e sigurisë për ju dhe për ne dhe ka shkaktuar alarm në gjithë komunitetin ndërkombëtar”, tha ai.

Zoti Pompeo tha se për çështjet e kontrollit të armëve dhe përhapjes bërthamore, si edhe për konflikte të tjera rajonale dhe terrorizmin, ka hapësira ku të dyja palët të fillojnë të ndërtojnë mirëkuptim.

Forcat ruse kanë ndihmuar ushtrinë siriane që nga viti 2015, ndërsa Irani ka qenë mbështetës i madh i presidentit Bashar al-Assad, duke u ofruar mbështetje dhe trajnim milicive shiite.

Takimet në Soçi pasojnë takimet e sekretarit Pompeo me aleatët evropianë me të cilët ai ndau të dhënat e zbulimit mbi atë që Shtetet e Bashkuara e cilësuan “kërcënim të përshkallëzuar” të Iranit duke akuzuar Teheranin se ka dështuar të zgjedhë bisedimet mbi kërcënimet.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se ministrat e bllokut i thanë zotit Pompeo se shqetësimet e tyre kryesore ishin të ruanin paqen dhe zbatimi i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin.

"Mike Pompeo e dëgjoi këtë shumë qartë këtë mesazh nga ne, jo vetëm nga unë por edhe nga ministra të tjerë të Bashkimit Evropian, që ne po jetojmë në momente jetike, delikate ku qëndrimi më i përgjegjshëm do të ishte një vetëpërmbajtje maksimale dhe shmangia e çdo shkallëzimi ushtarak. Nga ana tjetër, siç kam pasur shansin të them ditët e fundit, ne vazhdojmë ta ftojmë Iranin që të përmbushë të gjitha angazhimet bërthamore dhe do të bëjmë tonën për zbatuar marrëveshjen bërthamore”, tha zonja Mogherini.

Paralajmërimet e Bashkimit Evropian lidhur me rritjen e tensioneve vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara që u tërhoqën nga marrëveshja ndërkombëtare për të tkurrur ambiciet bërthamore të Iranit, zhvendosën aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincolndhe katër avionë bombardues B-52 në Lindjen e Mesme në përgjigje të shqetësimeve se Irani mund të jetë duke planifikuar një sulm kundër objektivave amerikane.

Udhëtimi i zotit Pompeo vjen disa javë para takimit të nivelit të lartë G-20 në Osaka të Japonisë, ku pritet të marrin pjesë si Presidenti amerikan Donald Trump ashtu edhe homologu i tij rur, Vladimir Putin. 

Një ditë më pas... 

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë, pasi u takua me homologun e tij rus Sergej Lavrov dhe Presidentin Vladimir Putin në Soçi të martën. Por dy diplomatët më të lartë pranuan mosmarrëveshjen e vazhdueshme mbi çështjen e ndërhyrjes në zgjedhjet e huaja, Venezuelën dhe Iranin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine sjell më shumë informacione nga Departamenti i Shtetit.

Presidenti rus Vladimir Putin foli me një ton optimist të martën, kur tha se e ndjen se Presidenti Trump me të vërtetë dëshiron të rindërtojë marrëdhëniet SHBA-Rusi pas atyre që ai i quajti akuza "të rreme" për bashkëpunim mes fushatës Trump dhe Rusisë.

"Nga ana jonë, e kemi thënë disa herë që ne gjithashtu do të dëshironim të rindërtojmë marrëdhënie të plota dhe shpresoj se tani po ndërtohet mjedisi i favorshëm", tha presidenti rus.

Por dallimet ishin të dukshme në një konferencë shtypi të tensionuar më herët të martën të Sekretarit të Shtetit Pompeo dhe Ministrit të Jashtëm rus Lavrov.

"Për Venezuelën, kemi mosmarrëveshje. U bëra thirrje kolegëve të mi rusë që të mbështesin popullin venezuelian ndërsa ata rikthejnë demokracinë në vendin e tyre. Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 50 vende të tjera janë dakort se ka ardhur koha që Nicolas Maduro të largohet", tha sekretari Pompeo.

Armiqësia e shkallëzuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, tha zoti Lavrov, është shqetësim për Rusinë.

"Për çështjen sfiduese bërthamore të Iranit, shpresoj se arsyeja do të triumfojë dhe se thashethemet e dërgimit të 120,000 trupave amerikane janë vetëm thashetheme. Homologu im Mike i quajti këto thashetheme të pabaza", tha ministri rus Lavrov.

Sekretari Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara nuk duan luftë me Iranin, por do të mbrohen nëse sulmohen.

Ai vazhdoi duke i thënë ministrit Lavrov se ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane është e papranueshme.

"Nëse rusët do të angazhoheshin përsëri të bënin një gjë të tillë në vitin 2020, kjo do ta vendoste marrëdhënien tonë në një nivel edhe më të keq sesa ka qenë. Unë i inkurajoj të mos e bëjnë këtë, pasi nuk do të tolerojmë", tha sekretari Pompeo.

Homologët Pompeo dhe Lavrov ranë dakord të vazhdojnë të flasin për këto dhe çështje të tjera, si Siria, Koreja e Veriut dhe kontrolli i armëve.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA