...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerika tërhiqet nga marrëveshja e çarmatimit me Rusinë ndërsa Nato-ja do t’i shmanget garës së armatimeve

Marrëveshja e çarmatimit midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara konsiderohet si një arritje historike. Tani kjo marrëveshje i përket së shkuarës. Të dy vendet fajësojnë njëra-tjetrën për këtë.

DW

02/08/2019 - 14:10

Ministri i Jashtëm i SHBA Mike Pompeo shpalli daljen zyrtare të SHBA-së nga marrëveshja e çarmatimit INF për raketat bërthamore me rreze të mesme veprimi. Deklaratën ai e bëri gjatë një vizite në Bangkok. Dalja e SHBA-së nga marrëveshja "hyn në fuqi sot", tha ai. Për fundin e marrëveshjes është "krejtësisht" Rusia përgjegjëse.

Ministria e Jashtme në Moskë, nga ana e saj, deklaroi se marrëveshja, e nënshkruar nga Bashkimi Sovjetik dhe SHBA në Uashington, në vitin 1987, e kishte humbur vlefshmërinë e saj "me nxitjen amerikane".

Me këtë prishet një nga marrëveshjet më të rëndësishme të çarmatimit midis SHBA dhe Rusisë. Periudha gjashtëmujore për skadimin e saj kaloi të premten. SHBA e braktisën marrëveshjen e çarmatimit në fillim të shkurtit me mbështetjen e partnerëve në NATO, sepse besojnë se Rusia e ka shkelur atë për vite me rradhë. Pak më vonë, edhe Moska e pezulloi marrëveshjen.

Fajin e ka tjetri

Të dyja palët ia hedhin fajin njëra-tjetrës për përshkallëzimin. Amerikanët dhe NATO-ja i akuzojnë rusët se e shkelën konkretisht marrëveshjen me raketat e tyre të tipit 9M729, sepse ato fluturojnë më larg se lejohet. Moska e mohon këtë dhe pretendon se e ka respektuar marrëveshjen. Rusia i paralajmëroi sërish SHBA kundër vendosjes së armëve bërthamore me rreze të mesme veprimi e me bazë tokësore në Evropë. Po të ndodhë kjo, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, Moska rezervon të drejtën të vendosë armë të tilla pranë Shteteve të Bashkuara.

NATO-ja tani dëshiron të vendosë në muajt e ardhshëm se si do të reagojë ndaj prishjes së marrëveshjes së çarmatimit. Një mundësi është që aleatët të rrisin praninë e tyre në zonën lindore të NATO-s dhe pranë Detit Baltik dhe të forcojnë mbrojtjen e infrastrukturës me rëndësi kritike me sisteme të mbrojtjes raketore dhe ajrore. Veç kësaj mund të vendosen sisteme të reja efektive të armëve konvencionale dhe të mbrojtjes raketore për ta frikësuar Rusinë. Raportohet se NATO-ja do t'i shmanget garës së re të armatimeve.

Frikë nga spiralja e re e armatimit

Marrëveshja e çarmatimit INF ndalonte raketat me bazë tokësore dhe raketat e kryqëzorëve me një rreze veprimi midis 500 dhe 5500 kilometra, të cilat mund të bartin koka shpërthyese bërthamore. Sidomos për shtetet evropiane, kjo marrëveshje çarmatimi ishte garanci e rëndësishme sigurie. Tani ekzistojnë shqetësime se do të ketë një garë të re armatimi midis SHBA dhe Rusisë. 

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas bëri thirrje për bisedime të reja ndërkombëtare për çarmatimin. "E rëndësishme është që tani të vazhdojmë dialogun me njëri-tjetrin," i tha ai radios bavareze, Bayerischer Rundfunk. "Objektivi duhet të jetë që të jetojmë në një botë pa armë bërthamore. Dikur duhet ta kapërcejmë politikën e frikësimit." Në negociata ndërkombëtare nuk duhet të marrin pjesë vetëm ish-palët e marrëveshjes INF SHBA dhe Rusia, tha Maas. Edhe Kina e ka vendin "në tryezë". Pekini vërtet nuk pranon ta bëjë këtë. "Por kjo është diçka që ne nuk e pranojmë."   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA