...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerika vendos sanksione ndaj Iranit por Rusia dhe Evropa zotohen se…

Duke ditur se Irani eksporton naftë kryesisht në Kinë, Indi, Evropë dhe përgjithësisht në Azi, dhe Kina vështirë se do t`u nënshtrohet sanksioneve amerikane, pa përmendur vendet e tjerë, Irani do të vazhdojë të eksportojë naftë

SHJ

03/11/2018 - 08:58

Administrata e Presidentit Donald Tramp njoftoi rivendosjen e të gjitha sanksioneve të Shteteve të Bashkuara mbi Iranin, të cilat ishin hequr nën marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Sanksionet do të hyjnë në fuqi të hënën dhe mbulojnë sektorët të tillë si transporti, sektori financiar dhe ai energjetik i Iranit.Me përjashtime të kufizuara, sanksionet do të penalizojnë ato vende të cilat nuk ndalojnë importimin e naftës iraniane dhe kompanitë e huaja që bëjnë biznes me njësi iraniane që ndodhen në listën e zezë, përfshirë bankën qendrore të Iranit, një numër institucionesh financiare private si dhe portin e kompanitë e transportit nën menaxhimin qeveritar. Sekretari i shtetit Mike Pompeo tha se sanksionet "synojnë të ndryshojnë rrënjësisht sjelljen e Republikës Islamike të Iranit". Ai publikoi një listë me 12 kërkesa që Irani duhet të plotësojë nëse dëshiron heqjen e sanksioneve. Ato përfshijnë dhënien fund të mbështetjes për terrorizmin, dhënien fund të angazhimit ushtarak në Siri si dhe ndalimin e plotë të prodhimit të raketave bërthamore dhe balistike. “Presioni maksimal nënkupton presionin maksimal, '' tha sekretari Pompeo. Voa

Por Rusia do të ndihmojë Iranin të përballet me sanksionet amerikane pavarësisht se administrata e Trampit paralajmëroi Moskën --gjatë vizitës së Jon Bolton javën e kaluar, ku zyrtarët amerikanë paralajmëruan palën ruse kundër çdo përpjekje për të ndihmuar Iranin në mënyra që do ta lejonin të shesë naftë në tregjet ndërkombëtare dhe për çdo veprim që mund të ndihmonte republikën islamike të shmangte masat.

Rusia u përgjigj se ajo do të vazhdojë tregtimin e naftës së Iranit, të cilën ajo e shet në vendet e tretë në bazë të një marrëveshje që ka realizuar në vitin 2014, “naftë për mallra dhe shërbime”. Ngaqë marrëveshja lejon që të rishikohen volumet e naftës iraniane, ministri i energjisë ruse shtoi: “Rusia do të analizojë efektin e sanksioneve përpara se të marrë vendim për të ndryshuar volumet e saj”. Rusia përdor një ndërmarrje të fjetur shtetërore për importimin e naftës iraniane (Promsyryoimport). Në shkëmbim, Irani përdor të ardhurat për të paguar mallrat dhe shërbimet ruse si një central elektrik, infrastrukturë hekurudhore dhe prodhime agrikulturore.

Kjo marrëveshje i garanton Iranit një burim finance për të paguar dhe e lejon të rrisë tregun. Shkëmbimet tregëtare me Rusinë realizohen në euro dhe jo në dollarë.

Duke ditur se Irani eksporton naftë kryesisht në Kinë, Indi, Evropë dhe përgjithësisht në Azi, dhe Kina vështirë se do t`u nënshtrohet sanksioneve amerikane, pa përmendur vendet e tjerë, Irani do të vazhdojë të eksportojë naftë. Nuk është e rastit që ministri i energjisë ruse theksoi se: “ne kemi kohë që jetojmë nën sanksione…ne nuk i njohim sanksionet që imponohen unilaterisht pa Kombet e Bashkuar, ne i konsiderojmë ato metoda të paligjshme në vetë-vete”.

Paralelisht BE-ja u zotua se do të ruante gjithë kanalet e hapur me Iranin pavarësisht se kërcënohet me sanksione nga Amerika. Më konkretisht, ajo do të vazhdojë të blejë naftën dhe gazin e Iranit. BE-ja do të krijojë një mjet të posaçëm për tregun Iran-BE dhe se ajo do të mbrojë ndërmarrjet e saj të angazhuara në treg të ligjshëm me Iranin duke shtuar se BE-ja do të bashkëpunojë veçanërisht me Rusinë dhe Kinën për të realizuar këto objektiva. 

SHJ      

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA