...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Austria ndalon përdorimin e glifosatit në bujqësi

Austria është vendi i parë i BE që ndalon përdorimin e plehut kimik glyfosat, që mendohet se shkakton kancer. Vetë BE e ka lejuar përdorimin deri në vitin 2022. A lejohet ligjërisht Austria ta bëjë e vetme ndalimin?

DW

03/07/2019 - 14:00

Këshilli Kombëtar në Vjenë votoi me shumicë votash një kërkesë të bërë nga socialdemokratët. Megjithatë rruga që ka marrë Austria e vetme është juridikisht e diskutueshme. Sepse ndalimi i glyfosatit, është një vendim që mund të shkelë ligjet e BE, sepse rregullat e BE për mbrojtjen e bimëve e kanë lejuar glyfosatin deri në fund të vitit 2022. Vendet e veçanta të BE mund të ndalojnë vetëm në raste shumë të rralla përdorimin e lëndëve kimike të lejuara nga BE.

Megjithatë organizata ambientaliste Greenpeace foli për një "hap historik". Tani topin e ka Komisioni i BE, i cili mund të kundërshtoj këtë vendim brenda afatit tremujor. Komisioni i BE ka dhënë mundësinë për të bërë ndalime në nivel kombëtar. Kështu që Komisioni nuk mund të shkelë tani këtë premtim të dhënë.

Valë akuzash kundër Bayerit

Kimikati glyfosat mendohet se shkakton kancer. Ai është nxjerrë në treg si pleh kimik që lufton barërat e këqija, nga Monsanto një firmë bijë e koncernit Bayer. Në Amerikën Veriore ky pleh kimik është shitur që në vitet 1970 me emrin Roundup. Koncerni i Bayerit është konfrontuar në SHBA me një valë padish për dëmet e mundshme shëndetësore të shkaktuara nga glysofati.

Që prej kalimit të afatit të mbrojtjes së patentës, glysofati përdoret edhe në lëndë të tjera që ofrohen në treg. Përpjekjet e mëparshme për ta ndaluar kanë dështuar. Kështu për shembull landi austriak Kärnten, që pati bërë ndalimin e përgjithshëm të tij, u detyrua të tërhiqte mbrapsht vendimin e ndalimit. Sipas rregullave të BE, ndalohet përdorimi i lëndës në parqet publike ose në kopshtet e gjelbërta, në varreza, sheshet sportive dhe këndet e lodrave, në pishina, ambientet e shkollave dhe sheshet e lojërave të kohës së lirë.

Një studim i quajtur "Studim Kombëtar Fizibiliteti për Glysofatin" ka tendenca skeptike ndaj ndalimit të kimikatit. Në studim kanë marrë pjesë shkencëtarë të Universitetit të Vjenës për kulturën e tokave (BOKU), të cilët kanë vlerësuar 400 studime të tjera. Vlerësimi që ata japin është, se ndalimi i përgjithshëm i glysofatit do të shkelte ligjet e BE. Megjithatë përdorimi i tij mund të kufizohet shumë. Ata thonë se glysofati nuk ka rreziqe më të larta për shëndetin, nga pesticidet e tjera të ngjashme.

Skepticizëm në Berlin

Edhe Ministria e Ushqimit dhe Bujqësisë në Gjermani e sheh me skepticizëm ndalimin total të glysofatit. Ministria bëri të ditur ditën e martë se ndalimi në Austri nuk ka ndryshuar qëndrimin, se ndalimi total do të ishte në kundërshtim me ligjet e BE. Deri tani përdorimi i glyfosatit nuk është ndaluar në asnjë vend të botës. Vietnami ka kohë që ka marrë vendim për ta ndaluar, por ligjet janë ende në përgatitje. Ndërkohë Sri Lanka ka marrë vendim për ta ndaluar, por qeveria e ktheu vendimin mbrapsht. Përbërësi aktiv glyfosat është shumë i diskutueshëm.

Një zyrë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë e vlerësoi glyfosatin në vitin 2015, si "ndoshta nxitës i kancerit. Kurse një autoritet tjetër arriti në përfundimin se glyfosati është me siguri nxitës i kancerit.

Ky pleh kimik luan një rol të madh në Amerikën Jugore dhe Veriore, ku bujqësia mbështetet tek bimët e ndryshuara gjenetikisht. Këto bimë krijojnë mundësinë që glysofati të përdoret gjatë mbjelljes, bimët pa ndryshime gjenetike do të thaheshin pas spërkatjes së glysofatit. Në vendet e BE nuk mbillen në stil të gjerë bimë të ndryshuara gjenetikisht, prandaj edhe përdorimi i glyfosatit është shumë i kufizuar.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA