Bajdeni nis shtypjen e protestave në universitetet amerikane
Protestuesit kërkojnë që shkollat të ndërpresin lidhjet financiare me Izraelin dhe të largohen nga kompanitë që ata thonë se po mundësojnë konfliktin në Gazë. Në disa raste po kërkohet distancim edhe nga shteti i Izraelit
Ylli Përmeti
23/04/2024 - 08:54
Tensionet në universitetet amerikane kanë hyrë në një fazë të re ndërsa zyrtarët thonë se individë të jashtëm, janë përfshirë në protestat pro palestineze në universitetet amerikane për t’i përshkallëzuar ato. Të martën në mbrëmje policia e Nju Jorkut arrestoi mbi 300 protestues tek Universitetet ‘Columbia’ dhe ‘City College’ . Në Univesitetin e Kalifornisë ndërkohë, grupet pro palestineze dhe pro izraelite u përleshën me njëri tjetrin.
Përleshjet në Universitetin e Kalifornisë në mes të grupeve pro-palestineze dhe pro-izraelite zgjatën për të paktën dy orë, derisa ndërhyri policia.
Përleshjet ndodhën pranë zonës ku ndodheshin protestuesit pro-palestinez, ndërsa grupi kundërshtar bëri përpjekje të hiqte barrikadat që kishin ngritur ata. Në pamjet filmike shihen fishekzjarre duke shpërthyer afër kampit të protestuesve pro palestinezë.
Protestuesit përdorin karrige e shkopinj për të qëlluar njeri tjetrin. Në një moment, disa persona shihen duke qëlluar me shkelma dhe shkopinj një person të shtrirë në tokë.
Në anën tjetër të vendit, në Nju York, policia ndërhyri në ndërtesën e Universitetit “Columbia’, që ishte marrë nën kontroll nga protestuesit pro-palestinezë një ditë më parë. Policia e Nju Jorkut publikoi imazhe nga operacioni i saj brenda ndërtesës duke treguar shkatërrimet.
Para operacionit policor, zyrtarë të qytetit të Nju Jorkut thanë se “individë të jashtëm” që nuk janë studentë, po bënin përpjekje për të përshkallëzuar protestat.
“Ne po shohim ndryshimin e taktikave duke rrezikuar sigurinë publike. Këto protesta dikur paqësore po shfrytëzohen nga individë të jashtëm, profesionistë. Siguria e të gjithë studentëve, pedagogëve dhe personelit tani është një shqetësim”, tha Edward Caban, Komisioneri i Policisë së Nju Jorkut.
Ky qëndrim u konfirmua të mërkurën edhe nga Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams. Universiteti i ‘Columbia-s’ është paditur këtë javë për paaftësinë për të krijuar një mjedis të sigurt për studentët hebrenj. Disa thonë se protestuesit pro-palestinezë i kanë kërcënuar dhe sulmuar fizikisht.
“Ata janë sulmuar fizikisht dhe janë përballur me gjuhë të urrejtjes. Ata janë larguar me forcë nga hapësirat e universitetit. Krahas padisë ne kemi bërë edhe një mocion që kërkon ndihmë urgjente për të mundësuar shkuarjen e sigurt të studentëve hebrenj në universitet për të përfunduar vitin”, thotë Rafey Balabanian një nga avokatët e grupit të studentëve që ka bërë padinë.
Eli Tsives, student hebre në Universitetin e Kalifornisë publikoi një video të protestuesve të maskuar pro-palestinezë që nuk e lejuan të hynte në universitet.
“Unë jam student dhe paguaj për shkollimin. Kjo është shkolla jonë dhe nuk më lënë të hyj brenda. Ligjeratat i kam atje brenda”, thotë ai. Zoti Tsives, student i vitit të parë, thotë se u trondit nga kjo.
“Një protestë paqësore nuk përfshin thirrjen për gjenocid ndaj hebrenjve. Një protestë paqësore nuk përfshin bllokimin e plotë të hyrjes në një pjesë të caktuar të universitetit për studentët hebrenj. Nuk dua të them se nuk ndihem i sigurt, sepse nuk dua që ata të mendojnë se kam frikë prej tyre apo diçka të tillë. Por do të them, megjithatë, se njerëzit kanë filluar për të njohur fytyrën time. Vërej se më shikojnë ashpër kur kaloj pranë tyre. Tani jam i detyruar të mbaj spërkatës me lëng djegës për tu mbrojtur”, thotë studenti Eli Tsives.
Me afrimin e diplomimit, disa profesorë të fakultetit shqetësohen se vetë arsimi është lënë pas dore.
“Studentët duhet të vendosin nëse duan të jenë studentë. Për sa kohë që ata thyejnë dritaret dhe ndërpresin njerëzit e tjerë nga puna e tyre, ata nuk janë studentë”, thotë Profesori në Universitetin ‘Columbia’, John Kymissis Që nga fillimi i protestave pro-palestineze në fillim të këtij muaji, arrestimet e lidhura me protestat kanë tejkaluar shifrën 1000. Voa
Universiteti ‘Columbia’: Protestuesit bllokojnë një nga sallat e universitetit
Një grup protestuesish në Universitetin ‘Columbia’ në Nju Jork ka bllokuar një nga sallat e universitetit duke mos lejuar punonjësit dhe studentët e tjerë të hyjnë në të. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya demonstruesit në ‘Columbia’ dhe në disa universitete të tjera amerikane duan shkëputjen e lidhjeve me Izraelin dhe heqjen dorë nga investimet në kompanitë izraelite dhe në ato që kanë lidhje me Izraelin për shkak të luftës në Rripin e Gazës. Disa studentë hebrenj thonë se protestat janë kthyer në antisemitizëm.
Protestuesit lidhën duart dhe vendosën tavolina para hyrjes së sallës ndërsa protestues të tjerë u barrikaduan brenda ndërtesës. Universiteti ‘Columbia’ ndërkaq filloi të lëshojë vendime për pezullimin e disa studentëve protesues.
Protestuesit kanë tri kërkesa: shkëputjen e lidhjeve me Izraelin, heqjen dorë nga investimet në kompani izraelite dhe në ato që kanë lidhje me Izraelin, si dhe shpalljen e aministisë për studentët protestues. Një ditë më parë, një nga organizatoret e protestës në ‘Columbia’ tha se ultimatumet e administratës së Universitetit nuk do të funksionojnë.
“Studentët dhe mbështetësit nuk kanë frikë. Nuk bëhet fjalë për shkelje të rregullave, por lëvizje aktivistësh. Ata do të jenë këtu për aq kohë sa të ketë nevojë. Ne kemi një komunitet të madh dhe do të qëndrojmë këtu derisa të na heqin me forcë”, thotë Sueda Polat, organizatore e protesës.
Ndonëse ka disa studentë hebre që i janë bashkuar protestave, disa të tjerë nga ky komunitet ankohen se ato janë kthyer në antisemitizëm. Protestuesit që pushtuan sallën ‘Hamilton’ mëngjesin e të martës vendosën pankarta në një dritare ku shkruhej “Intifada”, fjalë në gjuhën arabe për kryengritje, raportoi televizioni amerikan CNN.
Në Universitetin e shtetit të Uashingtonit në Siatëll studentët protesues janë dëgjuar duke shfrytëzuar thirrjen: “Nga Lumi në Det, Palestina do të jetë e lirë”. Për hebrenjtë kjo është thirrje që mohon ekzistencën e shtetit të Izraelit. Në vitin 2012 Hamasi e përvetësoi sloganin me qëllimin që të merrte nën kontroll territorin që përfshin jo vetëm Gazën dhe Bregun Perëndimor, por edhe Izraelin.
Në Siatëll, çdo 20 minuta, mund të dëgjoheshin thirrje në mbështetje të kryengritjes palestineze kundër Izraelit dhe madje edhe në përkrahje të rebelëve jemenas Houthi që sulmojnë anijet në Detin e Kuq. Universiteti në Siatëll vendosi disa tabela kundër krijimit të kampeve të protestuesve afër fakultetit të Arteve Liberale ku studentët vendosën tendat.
“Një shenjë nuk do të na pengojë të vazhdojmë solidaritetin me Palestinën. // Ne jemi të përgatitur për çdo gjë. Nëse ka arrestime, kjo nuk është për shkak të asaj që po bëjmë, por për shkak se kështu do zgjidhnin të veprojnë administrata e universitetit, Departamenti i Policisë së Universitetit dhe Policia në Siatëll. Unë jam i përgatitur të përballem me këtë rrezik”, thotë Mathieu Chabaud, një nga organizatorët e protestës në Univesitetin e Uashingtonit.
Në këtë universitet megjithatë ka profesorë që thonë se administrata e universitetit nuk duhet të kishte lejuar vendosjen e kampit. Profesori Stuart Reges, i cili jep mësim në shkenca kompjuterike, shpreson që protesta të mos arrijë deri në atë pikë ku policia të ndërhyjë.
“Jam i shqetësuar që universiteti po i lejon ata të shkelin rregullat. Mendoj se universiteti nuk do të lejonte një protestë ku do të bëhej thirrje për amerikanët e racës së bardhë dhe për vendosjen e flamujve të Konfederatës pasi kjo do të shqetësonte studentët me ngjyrë që mund të kalonin pranë. Unë mendoj se ka një standard të dyfishtë në këtë rast. Më vjen mirë që deri tani protesta është paqësore. Shpresoj që të mbetet kështu”, thotë Profesori Reges.
Mbështetësit e Izraelit pyesin pse protestuesit nuk përmendin Hamasin dhe pengjet që ai mban në Gazë.
“Ndërsa ndjej keqardhje për familjet e pengjeve, mua më duhet të shikoj se çfarë mund të bëj në Shtetet e Bashkuara dhe shoh që qeveria ime po ofron miliarda dollarë ndihma ushtarake për Izraelin”, thotë zoti Chabaud, organizator i protestës në Universitetin e Uashingtonit.
Universitetet amerikane ku po mbahen protestat ende nuk e kanë të qartë se si të heqin kampet e protestuesve ndërsa afrohen datat për mbajtjen e ceremonive të diplomimit. Disa universitete kanë vendosur të negociojnë me protestuesit, disa kanë thirrur organet e rendit për të ndërhyrë.
Dhjetra u arrestuan të hënën gjatë protestave në universitetet në Teksas, Utah, Virxhinia dhe Nju Xhersi, ndërsa numri i përgjithshëm i studentëve të arrestuar e ka kaluar shifrën 1000.
Studentët amerikanë deklarojnë ‘luftë’ të gjatë për Palestinën ndërsa protestat përhapen në gjithë perëndimin
Protestat e studentëve pro-palestinezë po vazhdojnë edhe sot në universitetet amerikane. Ndërsa protesta në Universitetin e Kolumbias hyri në ditën e 10, Universiteti i Kalifornisë Jugore anuloi ceremoninë e diplomimit. Protestat që janë përhapur në gjithë vendin kanë përfshirë tashmë edhe universitetet e Uashington.
Studentët e Universitetit Kolumbia po vazhdojnë protestën të premten. Administratorët dhe policia në universitete nga Kalifornia në Konektikat po bëjnë përpjekje t’u japin fund protestave gjatë të cilave ka pasur edhe përleshje me policinë dhe janë bërë qindra arrestime.
Zyrtarët e Kolumbias po negociojnë me studentët protestues të cilët nuk duket se do të tërhiqen. Universitete të tjera kanë vendosur të kërkojnë ndërhyrjen e policisë. Në Universitetin e Indianës në Blumington, pas ngritjes së kampit me tenda të enjten, policia ndërhyri me dhunë dhe arrestoi 33 studentë.
Disa orë më vonë, policia shkatërroi një kamp me tenda në Universitetin e Konektikatit dhe arrestoi një person. Protesta të ngjashme po mbahen edhe në vende të tjera. Studentët bllokuan të premten hyrjen e universitetit 'Sciences Po' të Parisit, duke kërkuar që institucioni të dënojë veprimet e Izraelit.
Duke brohoritur në mbështetje të palestinezëve, studentët vendosën flamuj palestinezë në dritare dhe mbi hyrjen e ndërtesës. Zyrtarët e Universitetit nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.
"Ne kërkojmë, ashtu siç është traditë në universitetin tonë, të dënohet shkelja e ligjit ndërkombëtar, mirëpo ata nuk kanë thënë gjë për atë që Izraeli po bën me palestinezët”, thotë Hichami, student në këtë universitet.
Në përpjekje për të mos lejuar situata të ngjashme, Universiteti i Harvardit në Masaçusets ka mbyllur shumicën e hyrjeve para fillimit të mësimit të hënën dhe ka kufizuar qasjen në hapësirat e saj edhe të njerëzve që kanë karta identiteti të kësaj shkolle.
Universiteti i Harvardit gjithashtu ka vendosur tabela që paralajmërojnë kundër ngritjes së kampeve pa leje.
"Kjo është tepër zhgënjyese. Kjo ka qenë ndoshta një nga kohët më të këqija që myslimanët, komuniteti arab, komuniteti i Azisë Jugore kanë përjetuar përsa i përket shtypjes së zërit të tyre", thotë Asmer Safi, student i Harvardit nga Pakistani.
Disa studentë hebrenj thonë se protestat janë kthyer në antisemitizëm dhe i kanë bërë ata të kenë frikë të shkojnë në universitet. Kjo, pjesërisht, ka nxitur thirrjet për ndërhyrjen e policisë.
"Unë mendoj se problemi është se nuk po bëhet dallimi mes kritikave të arsyeshme ndaj Izraelit me mbështetjen e sulmit të Hamasit të 7 tetorit. Nëse në këto protesta ka thënie të tilla si 'nga lumi në det' ose 'globalizoni Intifadën' që është antisemite për studentët hebrenj, dhe fakti që disa nga këta njerëz vazhdojnë t'i thonë këto gjëra është pak shqetësues për mua", thotë Ely Hahami, student hebre i Harvardit nga Nju Jorku.
Përpjekjet e administratës të Harvardit nuk i penguan protestuesit që megjithatë të ngrinin një kamp me 14 tenda të mërkurën, pas pezullimit nga universiteti të Komitetit të Solidaritetit për Palestinën në Harvard.
Protestuesit që kanë ngritur kampe në universitete në të gjithë vendin po kërkojnë që shkollat të ndërpresin lidhjet financiare me Izraelin dhe të largohen nga kompanitë që ata thonë se po mundësojnë konfliktin në Gazë. Në disa raste po kërkohet distancim edhe nga shteti i Izraelit.
Ndërsa vazhdojnë protestat, po afrohet koha për mbajtjen e ceremonive të diplomimit që zakonisht mbahen në fillim të muajit majit, duke ushtruar trysni mbi shkollat për të larguar kampet e demonstruesve.
Zyrtarët e Universitetit 'Columbia' në Nju Jork thanë se negociatat me studentët demonstrues po tregonin përparim ndërsa ata i afroheshin afatit të tyre që përfundon sot për të arritur një marrëveshje për heqjen e kampit të protestuesve.
Megjithatë, dy autobusë të policisë ishin parkuar pranë Universitetit dhe kishte një prani të dukshme të sigurimit privat dhe policisë në hyrje të Universitetit.
Universiteti Politeknik Shtetëror i Kalifornisë, 'Humboldt', ka negociuar me studentët që janë bllokuar brenda një ndërtese që nga e hëna, duke kundërshtuar përpjekjen e policisë për t'i larguar ata. Voa
Protesta e studentëve amerikanë në mbështetje të Palestinës merr përmasë gati revolucionare
Disa universitete në Shtetet e Bashkuara po përballen çdo ditë me protesta pro-palestineze. Studentët po demonstrojnë kundër luftës mes të Izraelit dhe Hamasit dhe kërkojnë që ndihmat humanitare të lejohen të arrijnë në Gazë ndërsa disa studentë dhe demonstrues janë arrestuar dhe duket se protestat nuk po shuhen.
Studentët pro-palestinezë protestojnë në Universitetin ‘Columbia’ në Nju Jork ndonëse administratorët bëjnë thirrje për heqjen e tendave që kanë ngritur protestuesit. Negociatat se si të shpërndahet turma janë duke u zhvilluar. Javën e kaluar më shumë se 100 studentë u arrestuan në universitete në të gjithë vendin. Protestat po mbahen në një kohë kur administratorëve të shkollave u kërkohet të marrin masa kundër antisemitizmit.
Zëri i Amerikës ishte i pranishëm gjatë arrestimit të studentëve në Universitetin ‘Columbia’ të Nju Jorkut.
“Unë jam këtu së bashku me miqtë e mi për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm dhe që ndihmat humanitare të arrijnë në Gazë”, tha një protestuese e cila nuk pranoi të japë emrin e saj. Profesorja e arkitekturës Mary McLeod shprehu pikëpamjet e saj për masat që po ndërmerren për demonstratat.
“Nuk e di pse u duhej të sillnin policë, t'u vendosnin pranga studentëve dhe pse nuk mund të pranonin disa çadra, ku studentët ishin krejtësisht të qetë”, thotë profesorja McLeod.
Një studente, e cila tha se është hebre nga Argjentina, nuk pajtohet.
“Është shumë e frikshme. Nuk mund të përqendrohem gjatë mësimit, sepse ata po bërtasin gjithë ditën. Kam frikë të them se jam hebre sepse aty ka ekstremistë. Ata mbanin fotografi në mbështetje të Hamasit”, thotë Ruth Katia Robles, studente e Universitetit ‘Columbia’.
Protestat kanë vazhduar të përhapen edhe në universitetet e tjera. Të martën, një kamp me tenda u ngrit në Universitetin e Kalifornisë, ‘Berkeley’ në shenjë mbështetjeje për të arrestuarit e një dite më parë në universitetet ‘Columbia’ dhe ‘Yale’.
Në Uashington, studentët në Universitetin Amerikan protestuan kundër politikave të brendshme që ata thonë se rezultuan nga demonstratat pro-palestineze në mbarë vendin dhe tani kufizojnë lirinë e tyre të shprehjes.
“Është një politikë e re që ndaloi protestat në ambiente të mbyllura, ndonëse ato janë mbajtur shpesh më parë. U kufizuan gjithashtu broshurat dhe materialet që mund të vendosen në universitet dhe kush mund ta bëjë këtë”, thotë Julia Comino, sekretare e Shoqatës së Studentëve të Universitetit Amerikan.
Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Universiteti Amerikan tha se direktivat synojnë të rrisin sigurinë për studentët dhe se administrata do të vazhdojë të mbështesë të drejtat dhe përgjegjësitë e shprehjes së lirë. Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson kërkoi dorëheqjen e presidentes të Universitetit ‘Columbia’, Minouche Shafik, gjatë një vizite në këtë universitet të mërkurën.
Të martën, udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, demokrati Hakeem Jeffries dënoi të gjitha format e antisemitizmit dhe kërkoi forcimin e përpjekjeve për të bashkuar komunitetet. Pas fjalimit me rastin e Ditës së Tokës të hënën, Presidenti Biden u tha gazetarëve se ai dënon protestat antisemite dhe, siç e tha ai, “ata që nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh me palestinezët”.
Një eksperte për çështjet fetare dhe konfliktet thotë se institucionet akademike kanë nevojë për vende ku studentë të kenë mundësi për diskutime domethënëse.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur flasim për palët e përfshira dhe të kuptojmë se ka disa çështje në lidhje me drejtësinë që bashkojnë hebrenjtë, palestinezët myslimanë dhe studentët e krishterë. Çështja është se ka një keqkuptim të thellë se çfarë është dhe si përkufizohet antisemitizmi”, thotë Atalia Omer, profesore në Universitetin ‘Notre Dame’.
Ndërkaq, numri i viktimave në Gazë po rritet dhe nuk ka asnjë shenjë se lufta midis Izraelit dhe Hamasit do të përfundojë së shpejti. Voa
"Fushimi i Solidaritetit për Gazën" prej një jave ka pasur një jetë plot ngjarje, duke rilidhur një brez të ri të veprimtarëve studentorë të Kolumbisë me paraardhësit që e bënë universitetin një qendër proteste kundër luftës së Vietnamit kur pushtuan ndërtesat në vitin 1968. Ajo gjithashtu ka dhënë energji ndaj të ngjashmëve, nga universiteti Nju Jork deri te universiteti` Kalifornias, dhe Barkleit. Ajo gjithashtu e ka zhytur Kolumbinë në një krizë mbi kufijtë e fjalës së lirë dhe ngacmimit dhe e ka njollosur shkollën në sytë e shumë të diplomuarve hebrenj si një vatër antisemitizmi. FT
Studentët e universiteteve amerikane zhvillojnë betejë të fuqishme në mbrojtje të Palestinës
Disa nga universitetet më prestigjioze amerikane u përpoqën të qetësojnë tensionin në kampuset universitare të krijuara për shkak të luftës së Izraelit me Hamasin.
Këto veprime pasuan arrestimin javën e kaluar të mbi 100 demonstruesve pro-palestinezëve, të cilët kishin ngritur tenda përpara Universitetit Kolumbia. Institucionet arsimore amerikane po vështirësohen në përcaktimin e kufijve mes lirisë së shprehjes dhe ruajtjes së sigurisë dhe gjithëpërfshirjes në kampuse.
Krahas demonstratave në këto universitete elitare amerikane, të mbiquajturat Ivy League, protesta pro-palestinezëve pati edhe në kampuse të tjera, përfshirë në Universitetin e Miçiganit, në Universitetin e Nju Jorkut dhe në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit.
Protestat i kanë kthyer studentët kundra njëri-tjetrit. Studentët pro-palestinezëve kërkojnë që universitetet e tyre të dënojnë sulmin e Izraelit në Gazë dhe të tërhiqen nga përfshirja me kompanitë që shesin armë për Izraelin. Ndërkohë, disa studentë hebrenj thonë se pjesa më e madhe kritikave ndaj Izraelit është shndërruar në anti-semitizëm dhe i ka bërë të ndjehen jo të sigurtë. Ata gjithashtu vënë në dukje se Hamasi ende po mban pengjet e marrë gjatë sulmit të 7 tetorit.
Tensionet vazhduan të larta të hënën në Universitetin e Kolumbias në qytetin e Nju Jorkut, ku dyert ishin mbyllur për personat që nuk kishin dokument studenti dhe ku protestat vazhdojnë nga brenda dhe jashtë universitetit.
Ligjvënësja demokrate Kathy Manning, e cila po vizitonte Universitetin e Kolumbias së bashku me tre ligjvënës të tjerë hebrenj, u tha gazetarëve pas takimit me anëtarët e Shoqatës së Studentëve Hebrenj të Juridikut, se ishin të zëna nga çadrat e protestuesve gati një e treta e hapësirave të blerta.
“Pamë parrulla se Izraeli duhet të shkatërrohet”, tha ajo pas largimit nga kampusi.
Një grua nga brenda kampusit udhëhoqi një grup protestuesish që dolën në rrugë duke thërritur “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë!”, një frazë kjo që mbart tensione dhe botëkuptime të ndryshme për grupime të ndryshme. Njëkohësisht, një grup i vogël protestuesish pro-Izraelit gjendeshin aty pranë.
Presidentja e universitetit, Minouche Shafik, tha në një mesazh drejtuar komunitetit të hënën se ishte “thellësisht e pikëlluar” nga çfarë po ndodhte në kampus.
“Për të ulur tensionet dhe për të na dhënë një shans që të shqyrtojmë hapat e ardhshëm, njoftoj se të gjitha klasat do të bëhen virtualisht të hënën”, shkruajti zonja Shafik, duke vënë në dukje se studentët që nuk jetojnë brenda kampusit duhet të largohen.
Robert Kraft, pronar i ekipit të futbollit amerikan New England Patriots dhe themelues i Qendrës Kraft për Jetën Hebreje Studentore, e ndodhur përballë kampusit të Universitetit Kolumbia, njoftoi se ka pezulluar dhënien e donacioneve për këtë universitet.
Protestat janë shtuar në shumë kampuse të kolegjeve amerikane që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit në Izraelin jugor, kur militantët vranë mbi 1200 persona, shumica civilë dhe morën rreth 250 pengje. Në kundërpërgjigje, Izraeli ka vrarë mbi 34 mijë palestinezë në Rripin e Gazës, sipas ministrisë vendase të shëndetësisë që nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve, por që thotë se të paktën dy të tretat e viktimave janë fëmijë dhe gra. Voa
Raport i përditësuar
Lexo dhe analizën:
Shpërthimi i anti-semitizmit në SHBA dhe perëndim dhe shkaqet e tij
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 126 reads



