Boreli: Begatia e BE-së e mbështetur në energjinë ruse, tregtinë kineze dhe sigurinë amerikane
Ai tha se begatia e BE-së u bazua në burimet ekonomike ruse dhe kineze dhe sigurinë amerikane
Ylli Përmeti
12/10/2022 - 15:09
Për mua dhe pak si unë, realiteti politiko-ekonomik dhe shoqëror i BE-së është i qartë. Por ndryshe është kur realitetin e saj e pranojnë burokratët e Brukselit. Këtë herë kryeburokrati i politikës së jashtme dhe sigurisë evropiane: Boreli.
Në një konferencë vjetore për diplomatët, me titull “kufijtë e rinj të diplomacisë”, ai pranoi se bota gjendet në një “pasiguri radikale, shpejtësia dhe rrezja e ndryshimit është e jashtëzakonshme. Ne nuk duhet ta mohojmë atë. Ne nuk duhet t`i rezistojmë asaj. Do të ishte një përpjekje e kotë. Ne duhet ta pranojmë atë dhe përshtatemi ndaj saj, duke vendosur përparësi epshmërinë dhe qendrueshmërinë” tha ai kur gjendja në Ukrainë u përkeqësua për shkak të sulmit ndaj një ure që lidhte Rusinë me Krimenë.
Kur mundohet të tregojë se çfarë po ndodh rreth evropianëve, ai huazon tezën e Olivier Schmitt, se kriza në Evropë nuk është pasojë e luftës në Ukrainë siç mundohen shumë ta paraqesin por se “evropianët po përballen me një gjendje në të cilën ne vuajmë pasojat e një procesi që ka zgjatur për vite në të cilin ne kemi shkëptur burimet e begatisë sonë nga burimet e sigurisë sonë”.
Ndërsa është më i sinqertë se shumë “diplomatë” të tjerë perëndimorë dhe nuk sqaroi as vitet dhe as shkaqet e shkëputjes në fjalë, ai tha se begatia e BE-së u bazua në burimet ekonomike ruse dhe kineze dhe sigurinë amerikane. “Begatia jonë ka qenë e mbështetur mbi energjinë e lirë të sjellë nga Rusia. Gazi rus, i lirë dhe hamendësisht i përballueshëm, i siguritë, dhe i qendrueshëm. Por është vërtetuar se nuk është kështu”, tha ai duke nënkuptuar efektin që pati lufta në Ukrainë mbi çmimet e burimeve energjitike.
Ai sqaroi se BE-ja mbështetësh tejet shumë në tregtinë me Kinën, investimet kineze dhe mallrat e lirë të saj. “Kështu begatia jonë u mbështet mbi Kinën dhe Rusinë ― energji dhe tregti. Qartësisht, sot, ne duhet të gjejmë rrugë për energjinë nga brenda BE-së, sa më shumë të jetë e mundur, sepse ne nuk duhet të ndryshojmë një varësi me një tjetër”, qartësoi ai, duke përmendur tej-mbështetjen tjetër në Uashington dhe duke pyetur. “Kush e di se çfarë do të ndodhë pas dy vitesh, ose qoftë edhe në nëntor? Çfarë do të kishte ndodhur nëse në vend të Bajdenit, do të kishte qenë Trampi ose dikush tjetër si ai në Shtëpinë e Bardhë? Cila do të ishte përgjigjja e SHBA-së ndaj luftës në Ukrainë? Cila do të ishte përgjigjja jonë në gjendje të ndryshme? Dhe ai u përgjigj se “ne duhet të ngremë përgjegjësi më të mëdha. Ne duhet të kemi një barrë më të madhe në përgjegjësinë tonë për të siguruar sigurinë”.
Ai e sheh konkurrencën mes SHBA-së dhe Kinës si “forcën strukturore” më të rëndësishme të botës, pas të cilëve shkon bota, “na pëlqen ne apo jo”. Por ajo nuk është “është thjesht dypolare. Ne kemi shumë lojtarë dhe pole, çdo njëri duke kërkuar interesat dhe vlerat e tyre”. Sipas tij, Turqia, India, Brazili, Afrika Jugore, Meksika, dhe Indonezia janë fuqi mesatare dhe shtete të lëkundshëm: sepse ata votojnë sipas interesave të tyre. Kjo prirje, sipas tij, krijon shumëpolaritet të shrregullt. Karakteristika e tretë e botës në të cilën jetojmë është rritja e nacionalizmit, revizionizmit plus politika identitare. Për të mbrojtur këtë ‘karakteristikë’ ai përmend disa vende si Rusia, Afrikën ose Jugun Botëror siç quhet ndryshe etj.
Ai akuzoi kryediplomatët se janë tejet të ngadaltë, të paefektshëm dhe patronazhistë ndaj vendeve me të cilët punojnë, duke i qortuar ata lidhur me mos-parashikimin e ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë dhe duke shtuar se rrjeti botëror diplomatik të BE-së ishte më pak dijësues se sa gazetat. “Disa herë, unë mësova më shumë se çfarë ndodhte diku duke lexuar gazetat se sa duke lexuar raportet tuaja” tha ai. Ai u ankua se “unë duhet të jem njeriu më i dijësuar në botë” duke i mësuar ata për të qenë më kundërvepror në krizat që janë duke u shpalosur. “Silluni siç silleni nëse do të ishit një ambasadë: dërgoni një telegram, kabëll, një dërgesë postare (email) me shpejtësi. Me shpejtësi, ju lutem, kundërveproni”.
BE-ja dështoi të parashikonte luftën në Ukrainë duke e lënë atë të mbështetet në paralajmërimet e SHBA-së, thirrjet telefonike të homologut të tij, Blinkenit, dy ditë përpara se të fillonte lufta, tha ai, duke akuzuar diplomatët për mungesë empatie. “Ne mendojmë se ne dimë më mirë se çfarë është në interesin e njerëzve. Ne nënvlerësojmë rolin e emocioneve dhe thirrjen këmbngulëse të politikës identitare”.
Madje nuk është më ekonomia e keqe por identiteti, sepse, sipas tij, disa identitete po refuzojnë të shkrihen brenda qasjes perëndimore...hamendësisht, “të zhdukjes së identiteteve” (komenti im).
Mund të thuhet se Boreli ka kuptim të pjesshëm për ndryshimet tektonike të BE-së, të cilët, ai, më shumë se kushdo tjetër, duhet t`i kuptonte drejtë dhe t`i paraqeste në publik me qëllim që të orientonte rrjetin e diplomacisë evropiane; madje, fajin nuk e shikon tek vetja por tek vartësit e tij!
Kjo është prirje e kudondodhshme sipas së cilës burokratët e shteteve apo organizatave politiko-ekonomike dhe shoqërore siç është BE-ja, fajin për një krizë me të cilën përballen popujt s`e ka pushtetari por vartësit e tij!
Për shembull, kur pranon se kriza është pasojë e një procesi që ka zgjatur prej vitesh, ai duhet të tregonte gjithashtu, kohën kur filloi shkëputja e BE-së nga burimet e begatisë së saj dhe arsyet ose shkaqet. Por ai i shmanget këtij detyrimi institucional―sepse për detyrim bëhet fjalë. Kështu, megjithëse ai është më ndershëm se homologët e tij në Uashington, ai nuk është mjaftueshëm i ndershëm, megjithëse ndërshmëria varet nga dija dhe dija e tij është e pjesshme.
Ky raport është plotësuar një ditë më pas
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 85 reads



