Bota në prag të pikave mjedisore pa kthim – raport i OKB-së
Njerëzit po i shfrytëzojnë tejmase burimet natyrore duke rrezikuar të shkaktojnë dëme të pakthyeshme për njerëzimin dhe planetin
Voa
03/11/2023 - 20:07
Sipas një raporti të ri të OKB-së, njerëzit po i shfrytëzojnë tejmase burimet natyrore duke rrezikuar të shkaktojnë dëme të pakthyeshme për njerëzimin dhe planetin. Studimi i institutit, ‘Universiteti i Kombeve të Bashkuara’ thotë se ne duhet të menaxhojmë më mirë burimet nartyrore për të shmangur ato që i quan “ndikime katastrofike”.
Nuk është vetëm ndryshimi i klimës për të cilin duhet të shqetësohemi sipas studiuesve në institutin ‘Universiteti i Kombeve të Bashkuara’. Raporti i ri i OKB-së thotë se shterimi i burimeve natyrore po krijon një zinxhir rreziqesh të ndërlidhura, të cilat nëse injorohen do të na çojnë në një pikë kthese, nga e cila rimëkëmbja mund të mos jetë e mundur. Raporti thotë se ka shumë rreziqe, por ai veçon gjashtë që thotë se përbëjnë shqetësim të veçantë.
Këto janë: ngrohja e planetit, shfrytëzimi pa kriter i rezervave nëntokësore të ujit, shkrirja e akullnajave, rritja e jashtëzakonshme e mbeturinave hapësinore dhe përshpejtimi i zhdukjes së specieve dhe ekosistemeve të tyre.
Rezultati, paralajmërojnë studiuesit, mund të çojë në një pikë që rrezikon vetë të ardhmen e njerëzimit. Raporti quhet “Rreziqet e ndërlidhura nga fatkeqësitë” dhe thotë se stuhitë, përmbytjet dhe zjarret tanimë po i bëjnë shumë shtëpi të pasigurueshme.
Në Australi, për shembull, mbi 520.000 prona parashikohen të bëhen të pasigurueshme deri në vitin 2030, kryesisht për shkak të përmbytjeve. Sipas raportit ne injorojmë se sa të ndërlidhura janë këto fatkeqësi të mundshme që na rrezikojnë.
Studiuesja dhe bashkëautorja e raportit, Caitlin Eberle, thotë se duhet të fillojmë të ofrojmë zgjidhje të tilla si planifikimin e qyteteve që janë më në gjendje të zbusin ndikimin e nxehtësisë dhe me planifikime urbane që nuk dëmtojnë ekosistemin.
“Kjo do të thotë që të mos mendosh për njerëzit dhe natyrën si entitete të veçanta. Kjo do të thotë të krijojmë më shumë hapësira të gjelbra në qytetet tona, të lejojmë lumenjtë të rrjedhin më natyrshëm. Kjo do të ndihmonte disa prej gjërave që në raport konsiderohen si ‘pika kthese’”, thotë bashkëautorja e raportit, Caitlin Eberle.
Një nga shqetësimet kryesore është zvogëlimi i rezervave të ujrave nëntokësorë, të cilat po thahen më shpejt se sa mund të rimbushen. Uji nëntokësor, sipas OKB-së, mbështet 40% të bujqësisë në botë. Në raport thuhet se tharja e këtyre rezervave nëntokësore të ujit ka filluar të ndihet.
Si shembull, raporti përmend rezervat nënujore “High Plains” që shtrihen në disa shtete të SHBA-së prej nga sigurohen 35 miliardë dollarë nga bimë të tilla si gruri dhe soja.
Sipas raportit, nga kjo rezervë ujore nëntokësore, sigurohen 35 miliardë dollarë nga bimë të tilla si gruri dhe soja. Por, deri në vitin 2100, 40% e këtyre rezervave ujore nuk do të arrijë të mbështesë bujqësinë.
Kjo, pretendon raporti, do të ndikojë në furnizimet ushqimore të shumë vendeve që mbështeten tek eksportet amerikane. Ky është gjithashtu një problem në rajonin veriperëndimor të Indisë, zonë kjo që plotëson shumicën e nevojave për bukë të vendit.
Raporti thotë se ky territor furnizon 85% të orizit të Indisë dhe 85% të grurit të saj, por 78% e rezervave ujore nëntokësore janë mbishfrytëzuar, gjë që do t’i lërë këto rezerva në nivele kritike deri në vitin 2025.
“Imagjinoni sikur këto rezerva të jenë një gotë e madhe uji. Ndërsa ne i shfrytëzojmë ato gjithnjë e më shumë, niveli i ujit në gotë shkon gjithnjë e më poshtë. Në një moment, niveli do ulet aq shumë, sa ne nuk do të kemi më qasje në të. Kjo është një nga ato pikat e kthesës së rrezikut që përmendet në raport. Këto rezerva po shterrojnë dhe ka një rrezik në rritje që të korrat të dështojnë, fermerët të humbasin mjetet e jetesës dhe njerëzit të mbeten të uritur”, thotë bashkëautorja e raportit të OKB-së
Raporti thotë se një tjetër burim uji është gjithashtu në rrezik. Akullnajat që ofrojnë ujë të freskët po tkurren shpejt. Një rrezik më pak i dukshëm është ai që shumica prej nesh nuk mund ta shohin me sy. Ky rrezik janë mbeturinat hapësinore që kemi lënë përreth planetit që njerëzimit i ofron informacion jetik për planetin.
Raporti thotë se mijëra satelitë na ofrojnë informacion jetik që na mundëson të menaxhojmë botën tonë, si sistemet e paralajmërimit të hershëm, trafiku dhe menaxhimi i ajrit, si dhe komunikimet.
Por, gjithnjë sipas raportit, vëllimi i madh i mbeturinave hapësinore do të thotë se ne po rrezikojmë të gjithë infrastrukturën tonë hapësinore.
Agjencia Evropiane e Hapësirës thotë se ka më shumë se 170 milionë objekte dhe secili prej tyre mund të çaktivizojë aeroplanët dhe potencialisht të shkaktojë një ndikim zinxhir që mund të shkatërrojë sistemet jetike satelitore. Raporti thotë se ndotja e hapësirës është gjithashtu një pikë kthese.
Dr. Zita Sebesvari është autorja kryesore e raportit dhe nën-drejtoresha e ‘Universitetit të Kombeve të Bashkuara’.
“Ne përdorim shumë satelitë për të vëzhguar tokën, ndryshimet në të, si dhe rezervat ujore, ose shkrirjen e akullnajave. Ky informacion është i nevojshëm për të menaxhuar më mirë burimet natyrore dhe për krijimin e një plani më të mirë për ruajtjen e biodiversitetit ose shpëtimin e habitateve”, thotë autorja kryesore e raportit të ‘Universitetit të Kombeve të Bashkuara’.
Zhdukja e specieve është gjithashtu e ndërlidhur sipas zonjës Sebesvari.
“Fjala është për zhdukje të përbashkëta të specieve. Bëhet fjalë për rrjete ekologjike, specie që kanë nevojë për njëra-tjetrën, specie që mbështeten te njëra-tjetra.”, thotë zonja Sebesvari.
OKB-ja thotë se problemet e ndërlidhura kanë nevojë për zgjidhje me ndihmën e qeverive të ndryshme.
Raporti përfundon duke shtruar pyetjen nëse ne mund të ndryshojmë qëndrimet tona.
Lexo dhe analizën:
Qasja lineare e elitave ndaj ndryshimeve klimatike: kurs shkatërrimtar për jetën e planetit
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 22 reads