Evropa po përshpejton një plan rezervë për NATO-n në rast se Trampi tërhiqet
Kontinenti po harton një plan urgjent për përfshirje më të madhe evropiane ndërsa tensionet rriten për luftën me Iranin
WSJ
15/04/2026 - 09:32
Një plan rezervë për të siguruar që Evropa të mund të mbrohet duke përdorur ngrehinën e tanishme ushtarake të NATO-s në rast se Shtetet e Bashkuara largohen, po fiton terren pasi ka marrë mbështetje nga Gjermania, e cila prej kohësh ka qenë kundër një qasjeje “vetëm evropiane”.
Zyrtarët që po punojnë mbi këto plane, të cilat disa prej tyre i quajnë “NATO evropiane”, po synojnë të rrisin praninë e evropianëve në rolet e komandës dhe kontrollit të aleancës, si dhe të plotësojnë mjetet ushtarake amerikane me mjetet e tyre.
Planet—të përparara në mënyrë jozyrtare përmes bisedimeve anësore dhe darkave pune brenda dhe rreth Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut—nuk synojnë të rivalizojnë aleancën e tanishme. Zyrtarët thonë se qëllimi është të ruhet frenimi ndaj Rusisë, vazhdimësia operacionale dhe besueshmëria bërthamore, edhe nëse Uashingtoni tërheq forcat nga Evropa ose kundërshton të vijë në mbrojtje të saj, siç ka kërcënuar presidenti amerikan.
Planet, të ngjizura për herë të parë vitin e kaluar, tregojnë thellësinë e shqetësimit evropian për besueshmërinë e SHBA-ve. Ato u përshpejtuan pasi Trampi kërcënoi të merrte Groenlandën nga Danimarka, një anëtare e NATO-s, dhe tani po marrin urgjencë të re mes përplasjes për refuzimin e Evropës për të mbështetur luftën e Amerikës në Iran.
Një kthesë politike në Berlin po jep shtysë vendimtare. Për dekada, Gjermania kishte kundërshtuar thirrjet franceze për më shumë sovranitet evropian në mbrojtje, duke parapëlqyer që Amerika të mbetej garancia përfundimtare e sigurisë evropiane. Kjo po ndryshon nën kancelarin gjerman Friedrich Merz, për shkak të shqetësimeve mbi besueshmërinë e SHBA-ve si aleate gjatë presidencës së Trampit dhe më tej, sipas burimeve të njohura me mendimin e tij.
Sfida është e madhe. E gjithë ngrehina e NATO-s është ndërtuar mbi udhëheqjen amerikane në pothuajse çdo nivel, nga logjistika dhe inteligjenca deri te komanda më e lartë ushtarake e aleancës. Evropianët tani po përpiqen të marrin më shumë përgjegjësi, siç ka kërkuar Trampi prej kohësh. Aleanca do të bëhet “më e udhëhequr nga Evropa”, tha së fundmi sekretari i përgjithshëm Mark Rutte.
Dallimi tani është se evropianët po veprojnë me nismën e tyre, për shkak të qëndrimit gjithnjë e më armiqësor të Trampit, jo si rezultat i shtytjes amerikane. Ditët e fundit, Trampi i quajti aleatët evropianë “frikacakë” dhe e quajti NATO-n “tigër prej letre”, duke shtuar, në lidhje me presidentin rus Vladimir Putin: “Putini e di edhe këtë.”
“Një zhvendosje e barrës nga SHBA drejt Evropës është në zhvillim dhe do të vazhdojë… si pjesë e strategjisë së mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare amerikane,” tha presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, një nga zyrtarët e përfshirë në këto plane.
“Gjëja më e rëndësishme është të kuptohet se kjo po ndodh dhe të bëhet në mënyrë të përmbajtur dhe të mbikëqyrur, në vend që SHBA thjesht të tërhiqet papritur,” tha Stubb në një intervistë.
Stubb është një nga pak liderët evropianë që ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me Trampin, ndërsa vendi i tij ka një nga ushtritë më të forta në kontinent dhe kufirin më të gjatë me Rusinë.
Në fillim të këtij muaji, Trampi kërcënoi të largohej nga NATO për shkak të refuzimit të aleatëve për të mbështetur fushatën e tij në Iran, duke thënë se lëvizja ishte tashmë “përtej rishikimit”. Çdo tërheqje formale do të kërkonte miratim të Kongresit, por presidenti mund të zhvendosë forca ose mjete nga Evropa, ose të kufizojë mbështetjen, duke përdorur kompetencat e tij si komandant i përgjithshëm.
Menjëherë pas kërcënimit të Trampit, Stubb telefonoi presidentin për ta njoftuar mbi planet evropiane për forcimin e mbrojtjes së tyre.
“Kumti bazë për miqtë tanë amerikanë është se pas gjithë këtyre dekadave është koha që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë dhe mbrojtjen e saj,” tha Stubb.
Kthesa vendimtare politike për Evropën ka qenë ndryshimi historik në Berlin, i cili pret armë bërthamore amerikane dhe për dekada ka shmangur vënien në pikëpyetje të rolit të SHBA-ve si garanci sigurie. Gjermanët dhe evropianët e tjerë kishin frikë se rritja e udhëheqjes evropiane brenda NATO-s mund t’i jepte SHBA-ve një përligjje për të ulur rolin e saj.
Megjithatë, në fund të vitit të kaluar, Merz filloi të rishikojë këtë qëndrim pasi arriti në përfundimin se Trampi ishte i gatshëm të braktiste Ukrainën, sipas burimeve. Merz ishte i shqetësuar se Trampi po ngatërronte viktimën me agresorin dhe se nuk kishte më një kornizë të qartë vlerash në politikën amerikane brenda NATO-s.
Pavarësisht kësaj, lideri gjerman nuk dëshiron të vërë në pikëpyetje publikisht aleancën, gjë që do të ishte e rrezikshme. Në vend të kësaj, evropianët duhet të marrin më shumë përgjegjësi. Në mënyrë ideale, SHBA do të mbetet në aleancë, por pjesa më e madhe e mbrojtjes do të kalojë tek Evropa.
Ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius tha se diskutimet aktuale në NATO nuk janë gjithmonë të lehta, por nëse sjellin vendime, kjo do të krijojë mundësi për Evropën. Ai e quajti NATO-n “të pazëvendësueshme si për Evropën ashtu edhe për SHBA-në”.
“Por është gjithashtu e qartë se ne evropianët duhet të marrim më shumë përgjegjësi për mbrojtjen tonë, dhe ne po e bëjmë këtë,” tha Pistorius. “NATO duhet të bëhet më evropiane për të mbetur ndëratlantike.”
Ndryshimi në Gjermani ka hapur rrugën për një marrëveshje më të gjerë mes vendeve të tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Poloninë, vendet nordike dhe Kanadanë, të cilat po e trajtojnë planin si një koalicion brenda NATO-s, sipas zyrtarëve.
“Ne po marrim masa paraprake dhe po zhvillojmë bisedime informale me një grup aleatësh me të njëjtin mendim, dhe do të ndihmojmë për të mbushur zbrazëtinë brenda NATO-s kur të jetë e nevojshme,” tha ambasadorja e Suedisë në Gjermani, Veronika Wand-Danielsson.
Vetëm pasi Berlini ndryshoi qëndrim, planifikimi kaloi në çështje konkrete ushtarake: kush do të drejtojë mbrojtjen ajrore dhe raketore të NATO-s, korridoret e përforcimit në Poloni dhe shtetet baltike, rrjetet logjistike dhe ushtrimet kryesore rajonale nëse oficerët amerikanë tërhiqen. Këto mbeten sfidat më të mëdha.
Zyrtarët thonë se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është gjithashtu një anë kritike. Shumë vende e hoqën pas Luftës së Ftohtë. “Nuk do të jap këshilla për vendet evropiane, por në anën e mësimit qytetar dhe unitetit kombëtar, ndoshta nuk ka asgjë më të mirë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak,” tha Stubb. Finlanda e ka ruajtur rekrutimin.
Zyrtarët synojnë gjithashtu të përshpejtojnë prodhimin evropian të pajisjeve kritike ku Evropa mbetet pas SHBA-ve, përfshirë luftën kundër nëndetëseve, aftësitë hapësinore dhe të zbulimit, furnizimin me karburant në ajër dhe lëvizshmërinë ajrore. Ata përmendin si shembull projektin e përbashkët Gjermani–Britani për raketa me rreze të gjatë dhe armë hipersonike.
Ndërsa kjo përpjekje përfaqëson një kthesë të madhe, realizimi do të jetë i vështirë. Komandanti Suprem i Aleancës në Evropë është gjithmonë amerikan, dhe SHBA nuk ka shprehur synim ta heqë këtë rol.
Asnjë vend evropian nuk ka peshën e mjaftueshme brenda NATO-s për të zëvendësuar SHBA-në si udhëheqëse ushtarake, pjesërisht sepse vetëm SHBA mund të sigurojë ombrellën bërthamore që mban në këmbë parimin themelor të frenimit të ndërsjellë.
Evropianët po marrin më shumë role udhëheqëse, por ende kanë mungesa të rëndësishme në aftësi për shkak të viteve të nën-investimit dhe varësisë nga SHBA.
Një “evropianizim” i NATO-s “duhej të kishte ndodhur më herët”, tha admirali amerikan në pension James Foggo. Ai shtoi se Evropa ka oficerë shumë profesionalë dhe udhëheqës të aftë.
“Mendoj se ata kanë kapacitetin. Kanë pajisje, por duhet të investojnë dhe të zhvillojnë aftësitë më shpejt,” tha Foggo.
Kalimi është tashmë në zhvillim. Një numër në rritje postesh komanduese të NATO-s po mbahen nga evropianë, dhe shumë ushtrime të mëdha po udhëhiqen nga forca evropiane, veçanërisht në rajonin nordik pranë Rusisë.
Një zbrazëti veçanërisht e vështirë është inteligjenca dhe frenimi bërthamor. Zyrtarët evropianë thonë se asnjë riorganizim trupash nuk mund të zëvendësojë shpejt sistemet amerikane satelitore, të këqyrjes dhe paralajmërimit raketor, duke lënë Francën dhe Britaninë nën trysni për të zgjeruar rolin e tyre bërthamor dhe strategjik.
Ndryshimi në Gjermani hapi rrugën për anën më të ndjeshëm të mbrojtjes evropiane: zëvendësimin e ombrellës bërthamore amerikane. Pas kërcënimeve të Trampit për Groenlandën, Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron hapën bisedime mbi zgjerimin e parandalimit bërthamor francez për të mbuluar vende të tjera evropiane, përfshirë Gjermaninë.
Vetë Trampi duket se e pranoi se Groenlanda u bë pika e kthesës.
“Gjithçka filloi, nëse doni të dini të vërtetën, me Groenlandën,” tha ai për kërcënimin e tij për të lënë NATO-n. “Ne e duam Groenlandën. Ata nuk duan ta japin dhe unë thashë: ‘Ok, mirupafshim.’”
Zëvendëskryeministri i Polonisë, Radoslav Shikorski, më vonë publikoi një video të deklaratës së Trampit dhe i shtoi komentin: “E shënuar.”
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 16 reads



