...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Evropa sfidon Amerikën me mekanizmin e ri për të anashkaluar sanksionet amerikane ndaj Iranit

Mekanizmi financues është regjistruar në Francë, ai administrohet nga Gjermania dhe financohet prej të tre vendeve.

Voa

01/02/2019 - 12:49

Britania, Franca dhe Gjermania nisën zbatimin e një mekanizmi të enjten që do të lehtësojë marrëveshjet e biznesit me Iranin që nuk kryhen me dollarë, në një përpjekje që synon shmangien e sanksioneve tregtare amerikane ndaj Teheranit të vendosura pasi Presidenti Donald Trump u tërhoq nga pakti ndërkombëtar i vitit 2015 me qëllim kufizimin e programit të armëve bërthamore të Iranit.

Mekanizmi financues është regjistruar në Francë, ai administrohet nga Gjermania dhe financohet prej të tre vendeve. Kjo do t’u mundësonte kompanive të Bashkimit Evropian të bëjnë tregti me Iranin pavarësisht sanksioneve të Uashingtonit.

Zyrtarët amerikanë thanë se po e monitorojnë këtë zhvillim, por hodhën poshtë idenë se mekanizmi i posaçëm i pagesave do të shmangte përpjekjet amerikane për të përdorur sanksionet për të dëmtuar ekonominë e Teheranit.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Gjermani tha se zoti Trump "e ka bërë të qartë se njësi të cilat do të angazhohen në aktivitete që shkelin sanksionet ndaj Iranit rrezikojnë të kenë pasoja të rënda, që mund të përfshijnë pamundësinë e qasjes në sistemin financiar amerikan si dhe për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara apo me kompanitë amerikane".

Mekanizmi financues, i quajtur INSTEX (Instrumenti për Mbështetjen e Shkëmbimeve Tregtare), gëzon mbështetjen e 28 vendeve anëtarëve të BE-së.

Shefja e diplomacisë së BE-së Federica Mogherini, tha se "ky hap, krijimi i një mekanizmi me qëllim të posaçëm, do të mundësojë që tregtia e ligjshme me Iranin të vazhdojë ashtu siç parashihet në marrëveshjen bërthamore. Ai ka mbështetjen tonë të plotë”.

Njoftimi nga vendet evropiane vjen pasi të mërkurën zoti Trump sulmoi shefat amerikanë të zbulimit duke thënë se pikëpamjet e tyre rreth ambicjeve bërthamore të Iranit janë "jashtëzakonisht pasive e naive".

Drejtorja e Agjencisë Qendrore të Zbulimit Gina Haspel, i tha këtë javë një komisioni të Kongresit se Irani "teknikisht" ishte në përputhje me marrëveshjen e vitit 2015 nënshkruar me fuqitë botërore.

Efekti i mekanizmit financues evropian me qëllimin për të anashkaluar sanksionet amerikane është i paqartë.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi i tha televizionit shtetëror se: "ky është hapi i parë i ndërmarrë nga pala europiane dhe se Teherani shpreson se do të mbulojë gjitha mallrat dhe artikujt".

Disa diplomatë megjithatë thonë se mekanizmi tregtar nuk mund të mbulojë transaksionet e mëdha tregtare që dëshiron Teherani.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA