Gjatë vitit 2023 vdiq një qytet nga temperaturat përvëluese në Evropë
Mbi 47,000 njerëz vdiqën në Evropë për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta në vitin 2023 dhe vendet në jug të kontinentit vuajtën pasojat më të rënda,
Ylli Përmeti
13/08/2024 - 19:54
Mbi 47,000 njerëz vdiqën në Evropë për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta në vitin 2023 dhe vendet në jug të kontinentit vuajtën pasojat më të rënda, sipas një raporti të Institutit të Barcelonës për Shëndetin Global (ISGlobal) bërë publik të hënën.
Viti i kaluar ishte më i nxehti i regjistruar në botë. Ndërkohë që temperaturat vazhdojnë të ngrihen për shkak të ndryshimeve klimatike, evropianët jetojnë në kontinentin me ngrohjen më të shpejtë në botë, duke u përballur me rreziqe në rritje për shëndetin.
Numri i vdekjeve në vitin 2023 – më i ulët sesa ai prej 60,000 vdekjesh të lidhura me nxehtësinë në vitin paraprak - do të kishte qenë 80% më i lartë po të mos ishin zbatuar masat e 20 viteve të fundit për të ndihmuar njerëzit të përshtaten me temperaturat në rritje, si sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe përmirësimet në kujdesin shëndetësor, sipas raportit të qendrës kërkimore spanjolle.
"Përfundimet tona tregojnë se gjatë këtij shekulli janë ndërmarrë hapa që shoqëria të përshtatet me temperaturat e larta, që kanë reduktuar në mënyrë dramatike pasojat e nxehtësisë dhe shkallën e vdekshmërisë, veçanërisht mes të moshuarve," thotë Elisa Gallo, studiuese në ISGlobal dhe autore e studimit.
Studiuesit përdorën të dhënat e vdekjeve dhe temperaturës nga 35 vende evropiane. Ata vlerësojnë se 47,690 vdiqën nga shkaqe që lidhen me temperaturat e larta. Greqia, Bullgaria, Italia dhe Spanja ishin vendet me shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga nxehtësia. Voa
Studim i botuar në “Nature” tregon se “viti 2023 ishte më i ngrohti i regjistruar në botë dhe i dyti më i ngrohti në Evropë”.
Ai zbaton modele epidemiologjike për të dhënat e temperaturës dhe vdekshmërisë në 823 rajone të njëpasnjëshme nga 35 vende për të vlerësuar vdekshmërinë e nxehtësisë specifike sipas gjinisë dhe moshës në Evropë gjatë vitit 2023 dhe për të përcaktuar sasinë e barrës së vdekshmërisë të shmangur nga përshtatja e shoqërisë ndaj temperaturave në rritje që nga viti 2000” Ai “vlerëson 47,690 (95% interval besimi 28,853 deri në 66,525) vdekje të lidhura me nxehtësinë në vitin 2023, barra e dytë më e lartë e vdekshmërisë gjatë periudhës së studimit 2015-2023, e tejkaluar vetëm nga viti 2022 ndërsa vdekshmëria e lidhur me nxehtësinë ishte +80.0% më e lartë në mungesë të përshtatjes së shekullit të tanishëm, veçanërisht tek të moshuarit (+100.7% në njerëzit e moshës 80+ vjeç)”.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 24 reads