...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjendjes kritike me armët bërthamore Moska i përgjigjet me gjendje edhe më kritike

Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi sot një takim pune me Ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov dhe atë të mbrojtjes Sergej Shojgu, me të cilët diskutuan rreth situatës së krijuar kohët e fundit pas tërheqjes së SHBA-së nga Traktati mbi likuidimin e raketave bërthamore me rreze të mesme veprimi (Traktati INF).

SHJ

03/02/2019 - 18:11

Më poshtë janë tezat dhe përfundimet kyçe të këtij takimi:



- Shtetet e Bashkuara që në vitin 1999 kanë filluar ta shkelin Traktatin INF duke nisur testimet e aparateve fluturuese pa pilot, të cilat për nga parametrat e tyre përkojnë me raketat tokësore “cruise” të ndaluara nga Traktati, dhe më pas duke përdorur raketat objektivë “cruise” për të testuar sistemin amerikan të mbrojtjes antiraketore.

- Që në vitin 2014 SHBA kanë filluar instalimin në Evropë të pajisjeve të tyre për lëshimin e raketave si pjesë e mburojës antiraketë. Megjithatë, sistemi i lëshimit Mk 41 mund të përdoret, pa qenë i nevojshëm ndonjë modifikim shtesë, për lëshimin e raketave sulmuese “Tomahawk” me rreze të mesme veprimi, gjë që përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të Traktatit INF. Deri tani sisteme të tilla janë vendosur në Rumani, ndërkohë që po bëhet gati vendosja e tyre në Poloni dhe Japoni.

- Në vitin 2018 programi bërthamor i SHBA-së (Nuclear Posture Review) paraqiti një objektiv për të krijuar armë bërthamore me fuqi të zvogëluar, të cilat me shumë gjasa do të përdoren me raketat me rreze të mesme veprimi. Aq më tepër se pak ditë më parë u bë me dije që objektivi në fjalë po vihet në praktikë: po fillon prodhimi i raketave të tilla.

- Në tetor 2018 Shtetet e Bashkuara shprehën zyrtarisht dëshirën e tyre për t’u tërhequr nga Traktati INF. Rusia bëri çmos për ta shpëtuar Traktatin, duke marrë parasysh rëndësinë e tij për stabilitetin strategjik në Evropë dhe në botë. Përpjekja e fundit u bë më 15 janar 2019, kur Uashingtoni më në fund pranoi të mbante konsultime përkatëse në Gjenevë të organizuara me iniciativën e Moskës.

- Pala ruse pranoi të ndërmerrte masa të paprecedente të transparencës, të cilat shkojnë larg përtej detyrimeve të Rusisë sipas Traktatit INF, me qëllim për të bindur Uashingtonin se Rusia nuk po shkel këtë marrëveshje. Të gjitha përpjekjet tona u hodhën poshtë nga pala amerikane, e cila në vend të dialogut na vuri një ultimatum krejtësisht të papranueshëm që bie ndesh me gërmën dhe frymën e Traktatit.

- Vendimi i SHBA-së për të pezulluar zbatimin e Traktatit INF dhe për të nisur procedurën e tërheqjes zyrtare nga Traktati, si edhe deklarata e palës amerikane se ajo nuk e konsideron më veten të lidhur me detyrimet sipas këtij dokumenti, do të thotë se Uashingtoni do të prodhojë raketa të reja.

- Situata aktuale vetëm po e rëndon gjendjen e krijuar vitet e fundit në fushën e çarmatimit bërthamor dhe stabilitetit strategjik. Përkëqësimi drastik ka filluar që në vitin 2002 pas tërheqjes së njëanshme të SHBA-së nga Traktati mbi mbrojtjen antiraketore (1972). 

- Në vitin 2007 Rusia doli me një iniciativë për të rregulluar çështjet e lidhura me instalimin e sistemeve amerikane të mbrojtjes antiraketore në Evropë, por Uashingtoni prapë e hodhi poshtë nismën tonë. Pastaj në vitin 2010 në kuadër të samitit Rusi-NATO në Lisbonë Moska propozoi edhe një herë që Rusia, SHBA dhe BE të krijojnë një mbrojtje të përbashkët antiraketore në Evropë. Thirrja jonë nuk u pranua.

- Në vitin 2013 pala ruse sërish i bëri thirrje Departamentit të Shtetit për nisjen e konsultimeve dhe ia dorëzoi propozime konkrete. Asnjë përgjigje nuk u dha. Në vitin 2014 SHBA deklaruan për ndërprerjen e dialogut mbi çështjet e mbrojtjes antiraketore.

- Shumë shqetësuese është edhe qasja e SHBA-së ndaj zbatimit të Traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore. Pala amerikane bën shkelje serioze të këtij Traktati, sipas të cilit fuqitë bërthamore janë të detyruar të mos transferojnë vendeve të tjera teknologjitë e përdorimit të armëve bërthamore. Në kundërshtim me këtë detyrim, NATO-ja zhvillon të ashtuquajturat misione të përbashkëta bërthamore, në kuadër të të cilave SHBA bashkë me pesë vende-anëtare të NATO-s ku janë instaluar armët bërthamore amerikane testojnë aftësitë e përdorimit të armëve bërthamore me pjesëmarrjen e vendeve që nuk bëjnë pjesë në “pesëshen bërthamore”. Është një shkelje e drejtpërdrejtë e Traktatit të përmendur.

- Traktati për ndalimin gjithëpërfshirës të provave bërthamore nuk është ratifikuar fare nga Shtetet e Bashkuara.

- Duke qenë se SHBA kanë nisur tashmë prodhimin e raketave të reja në kundërshtim me Traktatin INF, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë doli me një propozim për të marrë masa reciproke, konkretisht për të nisur gjatë muajve në vijim punën kërkimore dhe zhvilluese për të mundësuar përdorimin e raketave detare “Kalibr” edhe si raketa tokësore, si edhe për të projektuar komplekse tokësore të raketave hipersonike “cruise” me rreze të mesme veprimi. Presidenti i Rusisë e ka mbështetur propozimin e Ministrit të Mbrojtjes. Sipas Presidentit Putin, përgjigjja e Rusisë do të jetë simetrike: ngaqë SHBA kanë pezulluar pjesëmarrjen e tyre në Traktatin INF, të njëjtën gjë do të bëjë dhe Rusia.

- Presidenti Putin theksoi se Rusia ka shumë vite që po kërkon një dialog për çështjet e çarmatimit, dhe ka shumë vite që iniciativat e saj nuk marrin asnjë mbështetje nga partnerët. Përkundrazi, ata vazhdimisht kanë gjetur pretekste për të çmontuar sistemin ekzistues të sigurisë ndërkombëtare. Lidhur me këtë, Presidenti u la një porosi Ministrisë së Jashtme dhe asaj të mbrojtjes: edhe pse Rusia mbetet e hapur për bisedime dhe të gjitha propozimet tona ngelen në fuqi, Moska nuk do të dalë më me iniciativa për dialog për problemin në fjalë. Pala ruse do të presë derisa partnerët e saj të bëhen gati vetë për një dialog të barabartë dhe konkret me vendin tonë për të adresuar një çështje që është tepër e rëndësishme për mbarë botën.

- Presidenti Putin nënvizoi se Rusia nuk do të instalojë armët e saj me rreze të mesme veprimi as në Evropë, as në rajone të tjera të botës, derisa në këto rajone të mos instalohen armët e ngjashme të Shteteve të Bashkuara.

Materialin e plotë mund ta gjeni tek linku:

 

http://en.kremlin.ru/events/president/news/59763   

Ambasada ruse në Tiranë

 

 

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA